Ironija e fatit (1937) nga La-Di (pseudonim letrar i Lazër Radit)

Lazër Radi 1942

Lazër Radi 1942

Ironija e fatit (1937)

nga La-Di (pseudonim letrar i Lazër Radit)

Tetëdhjetë vite më parë, me 25 shtator 1937,
në gazetën “Shtypi” të Tiranës,
botohet kjo skicë letrare me tendenca sociale
e Lazër Radit (me pseudonimin letrar La-di).
Varfëria e thellë dhe mjerimi, shpesh e kanë detyruar gruan malësore
që të shkonte e të shiste trupin për të siguruar
atë pak bukë e krypë për fëmijët dhe familjen…
Duket sikur plagët tona shoqërore udhëtojnë
nëpër shekuj për të mbetur të tilla deri në ditët tona…
.
Foto e vjetër e nji udhëtari të huej në malsi

Foto e vjetër e nji udhëtari të huej në malsi

E re dukej nga mosha – ishte e bukur… dhe ecte me hap të ngadaltë…
Tue hecë mendueshëm dukej se peshonte randë e ndër mendimet e botës së vet ferishte…
E pau njeriu zemërkazmë dhe mejherë nisi me andrrue çasa lumnije. Prandej, për me përfitue, hapin e shpejtoi dhe mbrapa i shkoi… Dy fjalë i foli mbas nji murit, – i lëshoi nji buzëqeshje cinike dhe i premtoi diçka… e puna u mbarue…
Hapi ndiqte hapin… Malsorja e re, me sy të përvajshëm, ecte… e ndiqte… dhe mendonte fellë… Ndoshta zemra e saj e plagosun randë ndigjonte vajin e foshnjes së vet! Ndoshta mendonte fëmijtë e vet, të cilët nga mjerimi qajnë e rankojnë? Atyne u mungon gjithshkafja: ushqimi dhe shëndeti… Prandaj malsorja e re tue hecë vajtonte fatin e vet, fatin e zi që i dhuroi kjo jeta e jonë:
-U shita, po jo për vedi. E shita vedin pse dishiroj jetën e fëmijve të mi…
Dhe vajtote… dhe lott i shkojshin rrëkajë… E ndër lottët e saj pasqyrohej nji botë e tanë:
Bota e mjerimit…
Hapi ndiqte hapin… Njeriu zemërkazëm edhe ai diçka mendonte…
Mendonte gjithçka, përveç mizerjes dhe vajit të foshnjave tu shpija… ato s’kishte pse me i mendue. Ai mendonte, për shembull se si ta puthi, apo bante me vedi ndo’i plan… Plane se si do të mujte me e knaqë ma së miri dëshirën e vet… Andrronte kënaqësinë e shpirtit të vet në përmbushjen e epshit… Dëshira e kishte mbulue! Dëshirë e kishte mendjen, dëshirë e kishte zemrën e dëshirë ishte i tani…
Hapi ndiqte hapin… Tashma ishin jashtë qytetit… Ishin mbi nji kodrinë të bukur mbi të cilën i pritte me krahë të hapun “Ironija e fatit”
Në paradë kalojshin dy vizitues; njeni me zemër të plasun e tjetri me nji dëshirë që shumë shpejt do të plotësohej… gjithçka përreth duket sikur qeshte…
Qesh me ironi ndoshta… por qesh!
Gjithçkafja duket me gëzim; Ah! Vetëm nji fli e fatit të mjerë kalon e turpnueme përpara atij gëzimi të sajuem mbrapsht!
Kalon në paradë… por, jo madhërisht… hecë… hecë… me sy të ramë përdhe…
(Shtypi, viti i I Nr. 108, e shtunë, 25 shtator 1937)
 
 
 

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Artikuj 1935-1939, Gazeta  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook