back to top
25.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Inteligjencës Shqiptare – nga Mustafa Kruja

Gazeta

Mustafa Merlika - Kruja (a. Morina)
Mustafa Merlika – Kruja (a. Morina)

Inteligjencës Shqiptare,

nga Mustafa Kruja

Kishte shumë kohë qi mêndohesha se si mund të gjindej nji mënyrë për me detyrue moralisht gjith’ ata elementa të shquem qi përbâjnë inteligencën shqiptare me u këshillue në mest të tyne me urti e gjak të ftohtë mbi problemat mâ me rândësi q’i përkasin jetës politike, shoqnore e morale të kombit t’onë. Kjo nevojë m’ishte rrânjosun aqë fort në mênde sa krejt fati i Shqipnis së dashun më dukej i mbështetun mi këtë pikë, sepse këshillim përfundisht don me thânë paqtim dhe bashkim. E bashkimi i mêndimevet të Shqiptarve mâ në shêj për dije kishte me siguruë bashkimin e gjithë kombit, pra edhe shpëtimin, përparimin e lulzimin e tij. Prej nji këshillimi me zêmër të kulluet të paris s’onë intelektuale edhe në qoftë se s’realizohet nji bashkim i plotë, pak së paku kishte me dalë e vërteta në fushë me fitim të madh të jetës kombtare.
Nji këshillim i këtillë nuk mund të bâhej me anë të nji mbledhje, tue qênë se n’atë rasë do t’ishte nevoja me u gjetun në nji vênd e nên nji pullaz njerëz të largtë me qinda kilometrash prej shoqi shoqit qi s’kishin për të mundun për shumë arsyna me u mbledhun bashkë. Problemet kombtare qi kanë nevojë për nji studim e këshillim të gjatë e të thellë janë aq të shumta sa mundet me u thânë se s’kanë skâj e mbarim më sa jeta e kombit vetë. Pra nuk ishte këtu punë mbledhje. Kisha mêndue prap në do t’ishte e mundshme qi ay qëllim t’arrihej me anë të nji partie politike të themelueme mbi baza e parime të shëndosha e të sinqerta. As kjo mënyrë nuk më ngjau praktike dhe e dobishme.
Mâ në fund e gjeta mjetin qi duhej: Shtypin. Mêndova të marr guximin me i bâmë nji thirrje inteligjencës së popullit t’onë qi t’i përvishej pêndës e mos të kursehej me e derdhun kapitalin e trûvet të saj në nji shesh ku askush nuk do të dilte me u matun me kênd as me u vûe në provë për ndonji qëllim të posatshëm, por vetëm për me u këshillue me shokët mbi fatin e atdheut i cili pret ndihmë prej gjithë birvet të vet qi të mundet me u mëkâmbun e me përparue në rrugën e qytetnimit.
Revista Kultura - 1920
Revista Kultura – 1920
Po, por cili shtyp do të na vlente si shesh mêndimesh ku s’kishim me pasun të drejtë kurrkând me fye e s’kishim me drashun nga kurrkush me qênë të fyem në bindësít reqiproke? Mjerisht as nji prej organevet të shtypit shqiptar s’na e nepte nji sigurim serioziteti kaqë të plotë dhe as nji fletore a rivistë nga ç’kemi sod në fushët të botimit, a për nji arsye ase për nji tjetër, s’ma mbushte mênden qi do t’ishte e zonja me u ngarkue me nji barrë aq të rândë si ajo qi kisha mêndue. Pra, i forcuem prej nji deshiri të naltë e thjesht kombtar si edhe prej nji bindësie të fortë e të thellë, mêndova me i dalë zot vetë asaj barre.
Programi sa dukej i thjeshtë në formë aq ishte i rândë në zbatim. Nuk mund të zhvillohej me anë të nji fletorje qi s’mundet me e ndalue veten, sado të mundohet, nga trazimi pak a shumë në politikë të kafevet e të rrugavet, në thash’e themat e njênit e të tjetrit. Duhej pra nji rivistë, moderne sa mundet me qênë në Shqipní, e cila kêdo qi âsht i zoti dijes ta bânte me e rrokë pêndën pa përtue. E kështu besoj ka me qênë Kultura.
Shqiptarët qi kanë me pasun mirsinë me i këndue këta rrjeshta do ta kenë kuptue fort bukur deri këtu se Kultura don me dalë në dritë jo si nji vepër e posatshme e themeluesit, aspak, por si nji monument madhështuer i të tânë inteligjencës patriotike të shqiptarís. Kisha besim të plotë se mêndimi e qëllimi i im do t’ishte pritun me gëzim prej çdo atdhetari të vërtetë e pra mund t’isha i sigurt edhe prej ndihmës morale e lândore të cilit do qi do ta çmonte vleftën e kësaj nisjeje. Me gjithë këtê e pashë mâ t’arsyeshme qi pikë së pari të këshillohesha edhe me disa miq nga shkrimtarët mâ të zott të gjuhës s’onë e të merrsha jo vetëm pëlqimin, por edhe besën e tyne për bashkpunim.
Kultura do të jetë e përmuejshme. Ka me qênë, si e tregova edhe mâ nalt, sheshi i zhvillimit të çdo probleme q’i përket jetës së kombit t’onë politikisht, shoqnisht, ekonomikisht dhe moralisht. Nji pjesë e saj ka me i u kushtue gjuhsisë e letërsisë shqiptare. Lajmet mâ me rândësí të çdo mueji q’i përkasin vêndit t’onë ka me i përmbledhun mbrênda mbas urdhnit kronologjik. Shkurt, Kultura do të mundohet të zhvillojë e të zbërthejë, me bashkpunimin e inteligjencës mâ të shqueme të popullit shqiptar, çdo problem kombtare me rândësí dhe të kënaqë çdo nevojë qi mund të ndiejë shpirti i nji studiuesi të palodhshëm.
Secili numër i Kulturës ka me pasun të pakën 64 faqe të mëdhaja e ky vëllim do të mundet me u rritun deri më dyfish.
Botimi i rivistës ka me fillue posa të jenë mbledhun aq pajtime sa me i sigurue jetën e nji vjete.
Pajtimi për mot mot kushton: fr. Ar 20.
*Themeluesi
.
Kultura është një revistë të cilën Mustafa Kruja e ka ideuar në vitin 1920.
Fotokopje e kapakut të botuar në revistën e përmuajshme AGIMI.
.
Marre nga Muri i fb i Gentiana Kone, 8 gusht 2019
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.