back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

“Historia e Dashunisë e Miqësisë së Madhe”, një dramë që gjen skenën në libër – nga Elvi Sidheri

Gazeta

Gjergj Józef Kola - Una Grande storia d'amore e d'amicizia
Gjergj Józef Kola – Una Grande storia d’amore e d’amicizia
Gjergj Jozef Kola është një autor tashmë i sprovuar
në shtjellimin e përkryer të tematikave të dashurisë
dhe njëherësh helmit historik dhe kënetës shoqërore të trashëguar
nga Shqipëria dhe shqiptarët e sotëm nga periudha e mugët e regjimit diktatorial,
por në krijimin e tij të fundit letrar, ku qysh në titull lartësohet dashuria
dhe miqësia si dy elementët kyç të ngjarjeve që sendërtohen në faqet e këtij libri,
ky autor arrin me një zhdërvjellësi të pashoqe, ta përvijojë gjithçka në një ndërthurje
ngjarjesh dhe personazhesh e atmosferash të shkuara, që e bëjnë lexuesin ta jetojë
krejtësisht në vetën e parë këtë histori të rrëfyer kaq rrjedhshëm prej tij.
.
Shkrimtari Gjergj Jozef Kola
Shkrimtari Gjergj Jozef Kola

“Historia e Dashunisë e Miqësisë së Madhe”,

një dramë që gjen skenën në libër

nga Elvi Sidheri

Kjo histori dashurie e ngjizur në Tiranën e viteve 80 të shekullit të shkuar, atëherë kur regjimit po i mykej edhe dora e hekurt me të cilën shtypte shqiptarët ditë mbas dite nën zgjedhën e Luftës së Klasave dhe Diktaturës së të ashtuquajturit Proletariat, formësohet përkryer në karakteret e tre personazheve kryesore të këtij tregimi jetësor, tre miqve, dy të dashuruarve dhe një dashurie që sfidohet nga rrethanat dhe ligësia mizore e kohës totalitare.
Arti, skenat teatrore të Tiranës, dashuria e dy të rinjve dhe valët e detit Adriatik, ndërthurur me tisin e atyre viteve i falin freski i gjallëri këtij libri, përkundër kohës së hidhët dhe dëmeve të fundit të pashërueshme që regjimi shkaktonte sipas rregullit të përhershëm të “Colpo di coda”, që në italisht domethënë pikërisht “goditja dërrmuese me bisht”, që përgjithësisht ndodh në grahmat e fundit të diçkaje thellësisht shkatërruese dhe rrëgjuese të gjithçkaje të mirë.
Megjithatë, sikundër ndodh ngaherë me diktaturat, dashuria bëhet e patolerueshme, e pamundur dhe e luftuar pashpirtësisht, veçanërisht kur njerëzit e dashuruar arrijnë që jetën dhe ndjenjat e tyre t’i ravijëzojnë matanë shtrëngimeve topitëse të regjimit, duke mos pyetur për moralin e fëlliqur totalitar dhe duke ia falur njëri-tjetrit gjithë stuhinë e pasionit që shndërrohet në një urgan emocional që rrezikon themelet e mbrujtura me kocka e gjak të pafajshmish, mbi të cilat lartësohet ngrehina kutërbuese e sistemit monist.
Për këtë arsye kjo dashuri do të luftohet në mënyrë çnjerëzore, dhe krijesat mitologjike të llahtarshme gjysmë njerëzore dhe gjysmë shtazore, që përfaqësojnë denjësisht shartimin e panatyrshëm midis racës njerëzore dhe shtazëve më të egra dhe të etura për gjak, të mishëruara mjeshtërisht nga autori në krerët e Byrosë Politike, do të ndërfuten mizorisht mes këtyre dy të rinjve, duke u rrekur ta zhbëjnë dhe ta njollosin përfundimisht këtë ndjenjë të dëlirë dashurore.
Jo rastësisht autori ka zgjedhur Minotaurin si emërtim metaforik të një përfaqësuesi shtazarak të regjimit, fryt të këtij shartimi të përbindshëm mes njeriut dhe botës kafshërore, që në Shqipërinë moniste gjente pasqyrim në organet shtypëse të regjimit totalitar, por njëlloj siç Minotauri mitologjik u vra një ditë prej ditësh nga Tezeu i pamposhtur, ashtu edhe kjo dashuri, bashkë me miqësinë midis këtyre tre të rinjve që i japin ngjyrime të çelëta dhe të zjarrta këtij libri, do të ngadhënjejë ndaj mugëtirës skëterrë të diktaturës.
Nuk është aspak e lehtë që brenda një libri, të arrihet kaq natyrshëm që vetvetiu të ndërthuren pafajësia dhe pastërtia e ndjenjave të kristalta të një dashurie dhe miqësie të këtillë, kaq të papërlyer me ndotjen toksike të zymtësisë totalitare, duke shtjelluar njëherësh edhe një autopsi rrëqethëse të tipareve më lebetitëse të diktaturës që i shtypi dhe i çnatyroi shqiptarët përgjatë një gjysmë shekulli.
Për ta mbyllur, dua të vë në dukje faktin themelor, se autori, si në gjithë krijimet e tij të mëparshme, përdor në këtë libër dialektin e hareshëm dhe tejet të pasur shkodran në hartimin e këtij libri, duke u mbështetur në rrënjët shumëshekullore të kësaj letërsie, që agon bashkë me shkrimet e para të gjuhës arbërore në Mesjetën e Hershme.
E theksoj këtë, duke synuar që gjithashtu edhe të tjerë shkrimtarë e poetë që lëvrojnë pjesërisht apo tërësisht në gegërisht, ta kuptojnë se Shkodra dhe e folura/dialekti i saj, mishërojnë traditën e mirëfilltë letrare të Gegërisë, dhe kjo gjë dëshmohet nga dhjetra kolosë shkodranë të letrave dhe atdhetarizmit shqiptar, që na kanë lënë trashëgimi veprën e tyre në këtë formë letrare të gjuhës shqipe.
Gegërishtja, ashtu si të folurat e Toskërisë, dhe vetë Gjuha Shqipe, nuk kanë nevojë për ndasi gjuhësore me mendësi çifligare lagjesh e fshatrash, por nevojitet të ndjekin shembullin, gjurmën dhe traditën më të epërme të lëvruar në shekuj, gjë që mund të pohohet me plot gojë për Shkodrën dhe letërsinë e krijuar dhe lëvruar pareshtur në të folurën e saj.
Për t’iu kthyer librit “Historia e Dashunisë e Miqësisë së Madhe”, do të kisha ëndjen që këtë krijim letrar një ditë ta shikoja të shfaqur në një skenë teatri, ngase autori ka ditur ta përvijojë krejt rrjedhën e ngjarjeve të kësaj historie, në një frymë të mirëfilltë teatrore, dhe kjo dramë padyshim do ta gjente dimensionin e saj plotësisht në këtë formë dikur.
Ky libër ndërkohë është përkthyer gjithaq në italisht nga Rozela Topollaj dhe pas botimit në Amazon, është shndërruar në bestseller të mirëfilltë brenda një kohe të shkurtër sakaq.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.