back to top
26.5 C
Tirana
E enjte, 10 Tetor, 2024

Haxhiu i Frakullës në kërkim të lumturisë – esse nga Prof. dr. Resmi Osmani

Gazeta

Prof. Resmi Osmani
Prof. Resmi Osmani

Haxhiu i Frakullës në kërkim të lumturisë

Esse nga Prof. dr. Resmi Osmani

Po ah… kjo drita e bardhë e dashurisë
së parë është posi rrezja e yllit të ditës:
duket në qiell e mbush botën me dritë.
Jakov Xoxa
 
Vath Koreshi (Lushnje 7 maj 1936 – Itali 2 shkurt 2006) është emër ndër më të shquarit e letrave shqipe në gjysmën e dytë të shekullit që lam pas dhe në dhjetvjeçarin e parë të shekullit që kemi hyrë. Personalitet i shumanshëm: romancier, novelist, tregimtar, skenarist e gazetar, veprimtar shoqeror, ministër, deputet. Por mbi të gjitha prozator cilsor i veçantë, stilist i gjuhës së bukur, njohës i thellë i ndjenjave dhe shpirtit njerëzor. I thjeshtë e modest, dashamir dhe i vëmendshëm ndaj talenteve të reja. Trashëgimi letrar që na ka lënë, dhe që s’është i pakët, në çdo aspekt që ta shohësh, i takon letërsisë elitare, leximi i së cilës veç kënaqësisë estetike për të bukurën në art, për aspekte të veçanta të jetës njerëzore, humanizmin, thellësinë e njohjes të shpirtit dhe psiqikës, dëshirën për jetë, dashuri e lumturi, në trazimet dhe vështirësitë e shkaktuara në dallgët e detit të jetës dhe, forcën e personazheve për përballimin e tyre. Krijimtaria e tij është një univers i jetës shqiptare, të së shkuarës dhe të së tashmes. Si i tillë ai meriton të jetë në panteonin e letrave shqipe, dhe këtë s’jam unë që e them i pari.
Është për të ardhur keq, por mesa di, pas ikjes së tij nga jeta, librat e tij nuk janë ribotuar dhe mungojnë nga stendat e librarive. Disa syresh, i kam gjetur te bukinistët. Ka ardhur koha, që vepra e tij të botohet e plotë. Më mirë se kushdo, mund ta bëjnë trashëgimtarët e tij dhe Shtëpia Botuese Onufri, drejtor i së cilës, për pesë vite ka qënë shkrimtari.
Haxhiu i Frakullës, u shkrua në vitin 1979, po në atë vit u shkrua dhe edhe Dasma e Sakos, që për nga tematika, është një binjakëzim i Haxhiut të Frakullës: njeriu në kërkim të dashurisë dhe lumturisë, por në kohë tjetër e në të tjera kushte. U botuan më 1980. Autori e quajti novelë, por ajo përmbush gjithë kushtet për t’u klasifikuar si roman. Së pari u përfshi në librin ”Dasma e Sakos”,1980, tok me dy novela të tjera dhe një tregim. Më pas,u perfshi në librin “Pelegrinët e Samarkandës”, bashkë me dy novela të tjera, 2002. Në botimin e Onufrit, 2004, në gjallje të autorit, si gjini u përcaktua roman. Pati edhe një botim në Shkup, nga Logos-A, këtë herë si roman më vete. Botimet dhe ribotimet, janë dëshmi e vlerave të romanit dhe interesimin e lexuesve për të.
Përmbajtja e romanit është e thjeshtë: në qytetin e Beratit, kalon udhëtari turk Serdar Ali Hani, mik i sulltanit (ashtu si dikur Evlija Çelebiu). Me vete ka të bijën çupëlinë Meremxhe, turkeshë me bukuri të rrallë. Në darkën që japin për mysafirin e shquar autoritetet vendore, thërrasin për të dëfryer miqtë, poetin dhe këngëtarin e ri Haxhiun e Frakullës. Në këtë darkë, dy të rinjtë pëlqehen dhe dashurohen. Serdar Ali hani largohet dhe e merr me vete Meremxhenë. Ajo i dërgon Haxhiut, me mikun e tij lulishtarin Bukri, si peng dashurie unazën dhe i premton se do ta presë pesë vjet në qytetin e Samarkandës. Pjesa e dytë është odisea e Haxhiut, kuturisja e pashëmbullt, që zgjat tri vite deri në Samarkandë, dhe pjesa e tretë zhgënjimi dhe kthimi në Atdhe, që zgjat 21 vjet!
.
Vath Koreshi Haxhiu i Frakulles
Vath Koreshi Haxhiu i Frakulles
Disa studjues, Haxhiun e Frakullës, e rendisin në zhanrin e romanit historik. Nuk jam i të njëjtit mendim, pasi romanet historikë, bazohen mbi ngjarje historike dhe persona historikë, kurse te ky roman, historisë i takojnë vitet e shtjellimit, veshjes së subjektit të ngjarjes dhe jo vetë ngjarja. Autori nuk na e thotë se në cilët vite zhvillohen ngjarjet e romanit, por mund të hamendësojmë se duhet të jetë mesi i shekullit të XIX, kur Shqipëria ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane. Por përse shkrimtari zgjodhi këtë kohë dhe atë ngjarje? Jam i mendimit se ishte një mundësi për të dalë jashtë suazës së metodës zyrtare të realizmit socialist me kufizimet e ngushta dhe kanunet e saj të ngurta. Ishte kjo një hapësirë lirie krijuese, ku shkrimtari mund të shpaloste talentin e tij pa kufizime ideore. Si metodë krijuese, ky roman-fiksion i takon relizmit, gërshetuar me nuancat e realizmit magjik, e që na kujton krijimtarinë e Kutelit.
Ajo që tërheq vemendjen në këtë roman por edhe te Dasma e Sakos dhe Balada e Kurbinit, që mund të konsiderohen si një trilogji nga pikpamja tematike, është trajtimi nga shkrimtari i fatit të individit në kërkim të bukurisë, dashurisë dhe lumtuurisë. Më e spikatur kjo është te Haxhiu i Frakullës. Këto dukuri jetësore, mund t’i paraqisim si një ekuacion sintezë:
Bukuri + Dashuri = Lumturi
Bukuri – dashuri = Mjerim
Le t’i marrim në analizë dhe t’i shtjellojmë të dy barazimet, sesi janë parashtruar dhe shtjelluar në roman.
Bukuria. Shkrimtari që e gjen dhe e qëmton bukurinë kudo në jetë e në natyrë, e trajton bukurinë njerëzore si një dhuratë dhe vlerë, si kategori estetike, si tërësi harmonike, si më e mira e mundshme, e elementëve të veçantë përbërës të tipareve dhe pamjes së individit, që janë në harmoni me njëri-tjetrin, në aspektin fizik. Kjo bukuri, e kundërta e shëmtimit, rroket nga syri, që është porta e shpirtit dhe bën që e bukura të jetë objekt admirimi, pse jo edhe dëshirë zotrimi. Syri ja përcjell pamjen psiqikës, ajo shndrrohet në alkiminë e ndjenjave, në një forcë grryese e cila prushëron zemrën dhe gjakun, që lindin atë tërheqje magnetike të papërballueshme që është dashuria. Dhe Meremxheja, vashëz e përkëdhelur, kanakare dhe gjithë teka, është vetë bukuria. Një bukuri orientale, e ndryshme, e pakrahasueshme me vajzat e Beratit që kishte parë Haxhiu. Shkrimtari nuk i kursen ngjyrat dritën dhe shkëlqimin në portretin e Meremxhesë, ishte ndër krijesat më të bukura: e hollë dhe e brishtë, me një lëkurë të bardhë e të lëmuar, me dy sy të mëdhenj rrëzëllitës me mijëra shkëndija që vezullonin nën harqet e vetullave të holla, bukuri shtangëse, fytyra e saj ndrinte si të ishte ndezur në të një dritë me shkëlqim farfurie. Haxhiu patakset: O zot, ç’ishte ajo, perri? Nuk kishte parë herë tjetër një bukuri të tillë. Ai, Haxhiu vazhdonte që para asaj bukurie të ishte si në ëndërr. Fjalët dhe e qeshura e saj, ishin kumbuese si tinguj argjendi. Shkrimtari, zotron deri në përsosje paraqitjen e bukurisë femërore. Shpesh, me të veçantën dhe simbolet jep të tërën. E bukur,e kolme, me ca sy në bojën e luleve të lirit e të manushaqes, që i dukeshin aq të kaltër e që në brendësi kishin një si hije, një si thellësi uji, një si dritë… me flokë të rëndë është edhe Sela te “Dasma e Sakos”, me bukuri të spikatur e të mëvetshme është edhe Dodekaja te “Balada e Kurbinit”. Secila një bukuri më vete, goditëse, të parezistyeshme.
Po Haxhiu? Bukurinë e tij shkrimtari na bën ta shohim me sytë e të tjerëve. I hijshëm, me tipare të ndezura nga një prushërim i brendshëm, baluket e errëta pendë korbi, i binin në shtegun e ballit të bukur. Bukuria e djalit e godit Meremxhenë si rrufeja, aq sa ajo, e fisme, aristokrate, krenare, s’e zotëron dot veten dhe i drejtohet atij: Sa i mirë qënke! Sa të bukur që e paske zërin; sa i bukur që je! A ta kanë thënë vajzat këtë? Të dy, jo vetëm çmojnë pamjen e njeri-tjetrit, por magjepsen e verbohen nga dukja e saj. Diçka paksa magjike e romantike, e çfaqur si e shkrepur rrufeje.
Gjithë këto bukuri rrëzëllitëse, që shkrimtari i ve përball njëra-tjetrës, në rastin e dhënë gati i ngre në kult dhe i shenjtëron. Ajo përbën tharmin nxitës të zhvillimit të ngjarjeve, që bëhet shkak ngazëllimi, përjetimi të vrullshëm të gjendjeve shpirtërore shpërthyese, të asaj drite verbuese që çart mendjen, trondit e vrundullon zemrën e që molis shpirtin. Jo vetëm për të motivuar dashurinë e beftë të dy të rinjve, por edhe për ta bërë atë të besueshme e të pranueshme për lexuesin, që ai të jetë pjesmarrës në atë që ndodh dhe ta përjetojë emocionalisht. Dhe e arrin.
Dashuria. Ka aq shumë të thëna e përcaktime për dashurinë sa nuk do të mjaftonte një libër i tërë, ndaj ne do ta shohim nga një këndvështrim tjetër: si e paraqet shkrimtari këtë ndjenjë sublime në romanin “Haxhiu i Frakullës”. Dashuria, është e lindur, është pjesë e ndjenjave njerëzore, një instikt ndjenjësor, që rri i strukur brenda individit, qoftë vajzë apo djalë. Vjen një kohë, vjen një moshë, kur ajo zgjohet dhe shfaqet si një mirazh me fytyrën e një vashe apo të djalit. Një ndjenjë e vetvetishme, pjesë e qenies, në pritje të rrethanave dhe ngacmimeve të jashtme e të brendshme për tu zgjuar dhe shpërthyer si dalldi marramendëse, turbulluese, si një ethe e ëmbël e vezulluese. Kështu i ndodh Haxhiut edhe pa njohur Meremxhenë. Edhe pa shkak, ndjente zemrën ti rrihte me vrull. Diçka përshkënditej thellë vetes së tij, një si dritë, një si zjarr. I përhitej me vegullim, me një ngulm vrashpirtës shtati i një vajze që shndriste nga mijëra pikëzime hije dhe drite. Mosha thërret dashurinë, prushëron gjakun. Por kjo ishte vetëm një ëndërr flurore e përbërë nga ajri dhe drita. Por gjithsesi, në zemër është gatitur trualli ku ka mbirë lulja e dashurisë, e kuqe si gjaku, dehese si vera, me aromë trëndafili e jasemini. Edhe Sakos, djalë fare i ri, në novelën “Dasma e Sakos” kësisoj i shfaqet dashuria, si mirazh, vegim abstrakt, mes dritës dhe tisit të ndritur të mjegullës, vasha myzeqare, nusja e pritur, e bukur si në përrallë.
Dashuria, Erosi mitologjik, i bukur e hyjnor, perëndi e dashurisë, fluturon me krahët e artë mbi tokë e dete, në dorë mban një hark të florinjtë dhe në shpinë kukuren plot me shigjeta. Me ‘to qëllon gjithnjë në zemër. Shigjetat e tij ngjallin gëzim e lumturi, por shpesh edhe vuajtje dhe tortura dashurie. Këto shigjeta e shigjetuan zemrën e Haxhiut të Frakullës dhe Meremxhesë, vajzës së Serdar Ali Hanit. Janë sytë, dritaret e shpirtit që shitohen nga bukuria e ndërsjellë, që flasin me dritë, japin e marrin kumtet, atë që se thonë fjalët, nis ai dialog memec me nojma drite që i thotë të gjitha ç’ka dhe ç’dëshiron zemra, dhe lind ajo që quhet dashuri me një të parë. Haxhiu i Frakullës, këndon në darkën e shtruar për miqtë e shquar. Një këngë malli. Për Meremxhenë, zëri i tij është si zëri i sirenave, me forcë tërheqëse të parezistueshme. E bukur kënga, më i bukur këngëtari. Ajo i afrohet atij si flutura e natës dritës së qiririt. Bukuria e tij e goditi si rrufeja, dhe ajo, tekanjoze, e lirshme, që s’njeh pengesa në veprimet e saj, e tërheq Haxhiun në lulishten e pallatit, mes trëndafilave, borzilokut e manxuranit, nën harkun e ylbertë të piklave të shatervanit, nën kupën e qiellit me dritë hëne dhe yjësive. Haxhiu trulloset, ngurtësohet, hutohet, nuk di si të sillet. Meremxheja, lirshëm, pa droje, por edhe e dëshiruar, e kapluar nga ndjenja e beftë dhe me përdëllim i pëshpërit djalit, fjalë dashurie që ai si kishte menduar kurrë: “Kurrë s’kam dashur një njeri si ty. Pa ty do të vdes. Do të qash ti për mua? Do të bësh një vjershë. Martohu me mua – i lutet ajo, – mos u bëj zemërgur, përgjigju një vajze që u bë e mjerë sapo të pa.” etj. E gjithë kjo romancë befasuese dashurie vuloset me të puthurën mjaltë. Ishte vërtet kjo dashuri, apo një trill, një sjellje lojcake. E nga ta dinte Haxhiu këtë? Ai dyshon, kur brenda syve të saj sheh një ftohtësi e shikim si presë thike, njëfar dyzimi midis asaj që thoshte dhe asaj që vërtet ndjente. Ta kishte ajo vërtet shpirtin po aq të bukur sa edhe pamjen?
Pas një nate parajsore një ditë e skëterrshme. Takimi në kafenenë e poetëve. Meremxheja e ftohtë,si të mos njiheshin. I ftuar për të recituar një vjershë, Haxhiu i tronditur, nuk mundet. Bëhet objekt shpotish dhe ikën. I ati që e kishte ndjekur në fshehtësi gjendjen e të birit, e ndjen veten të poshtëruar dhe të çnderuar. Ai në zemrim e sipër e rreh Haxhinë egërsisht sa ai lëngon në jatak ditë të tëra. Ëndrra Meremxhe, tretet si vesa e mëngjesit, shtillet si mjegulla nga puhia e erës. As dashuri, as lumturi, veç mjerim. Vuan shpirti, dhemb trupi, lëngon zemra. Shkrimtari, përshkruan mjeshtërisht me kontraste dhe antiteza të fuqishme, kalimin nga njera gjendje në tjetrën. Meremxheja ikën nga Berati, si një yll që shkëputet nga qielli i dashurisë, duke lënë pas vazhdën e saj të ndritur, për të vijur udhëtimin me karvanin e të atit. Haxhiu, nga dritarja e ndjek me sy i trishtuar e i pikëlluar, atë që ishte dashuria e tij e parë, deri sa ajo humbet në largësi, duke e lënë atë në mjerimin e tij. Por – gjithnjë ka një por – Haxhiut i vjen një kumt nga Meremxheja, me Bukriun, lulishtarin, shokun e Haxhiut: Ajo e dashuron Haxhiun deri në vdekje. E pret pesë vjet në Samarkandë, dhe si peng dashurie i dërgon unazën e saj me gur të çmuar.
Pelegrini i Samarkandës. Kaq e fortë është ndjenja e dashurisë dhe etja e lumturisë që buron sish, saqë Haxhiu i Frakullës vendos të marrë udhët e botës, ta gjejë, ta marrë dhe ta sjellë në Berat! “Unë do të nisem. Zere se vdiqa. Zere se shkoi jeta ime. Nuk rri dot” Jeta pa të dashurën është njësoj si vdekja. Më e fortë se vdekja. Dhe ai niset, fill i vetëm. Tri vjet udhë. Tri dimra, tri vera, ec e ec e s’ka të sosur. Raskapitje, veshur me lecka, ngrënë e pangrënë. I munduar nga të ftohtit, i përvëluar nga zhegu, i tharë për një pikë ujë. Mijëra kilometra, fshatra, qytete, fusha e male, shkretëtira, veç ik e ik, me një synim: Samarkandën. I shtrenjtë ky çmim i dashurisë dhe kërkimi i lumturisë. Ka një forcë që e shtyn përpara: dashuria. Gjithë bota e pafund që ai përshkon është mbushur me dritën e Meremxhesë, ai nuk shihte kurkund gjë të errët përpara. Më në fund, ah më në fund, Haxhiu i Frakullës arrin në Samarkandë. Që të arrinte aty, i dukej se kishte shkelur gjithë dherat e botës, gjithë rrugët që nuk mund t’i përshkonin gjithë brezat… dhe mund të binte e të vdiste në çast, sikur të mos kishte një shpresë në zemër, sikur para syve të mos kishte një dritë, që si ai mirazhi që u shfaqet udhëtarëve në shkretëtirë, e ftonte vazhdimisht: eja,eja. Ja dhe pak dhe mbërrite. Kjo dritë ja hiqte lodhjen dalëngadalë sapo nisej për rrugë.
.
Vath Korreshi (1936-2006)
Vath Korreshi (1936-2006)
Samarkanda. Ky qytet që kishte qënë mirazhi i tij, iu shfaq i pluhurosur, i djegur nga dielli. Mbrritja aty, i jepte fund mundimeve të udhëtimit, sido që të qe, ai ishte qyteti i Meremxhesë. Më në fund, kjo mbritje, ishte çlirim nga ankthet dhe makthet, prehje shpirti, orë lumturie. Lumturia e kishte emrin Meremxhe. Ajo tashmë sishte më një mall që s’shihej dot, një kujtim. Edhe disa orë dhe ai do ta shihte sesi do të zgjeroheshin sytë e saj nga habia, si do të rendte ajo drejt tij, si do të dëgjonte përsëri zërin e saj dhe gudulisjen e shtatit të saj me erë jasemini. Haxhiut i qe mbushur me gaz fytyra dhe ndjeu në trup një energji djaloshare.
Vetëm ca orë lumturi e qetsi shpirtërore. Një lumturi efemere, zhgënjim i hidhur si vdekja. Serdar Ali Hanin dhe vajzën e tij Meremxhe, askush s’e njeh në Samarkandë, askush s’ka dëgjuar për të! Haxhiut i kthehet bota përmbys, zhgënjimi i hidhur. Kupton, ose dyshon që ka rënë viktimë e një mashtrimi se me të kanë lozur e janë tallur. S’ka Meremxhe, dashuria mbetet një kujtim, një plagë shpirti e pambyllur, lumturia një ëndërr. Pelegrini merr udhën e kthimit. Pas njëzetenjë vjetëve arrin në vendlindje, në Berat. I veshur me një dolloma të vjetër e të arnuar, me një trastë udhëtari, i dërrmuar, i sfilitur, i thinjur, i plakur.
Kështu mbyllet romani. Autori mund ta kishte mbyllur edhe me fund të lumtur, por ky do të ishte një artific. Ka shumë arsye që e pamundësojnë. Para nisjes së Haxhiut, i ati, poeti Nezim, shoku i tij Bukriu, ja bëjnë të qartë se midis shtresës së tyre shoqërore dhe asaj të udhëtarit turk, është një det i thellë që i ndan. Se ata janë fukarenj dhe njerëz që shohin hallin e tyre, se gjysh stërgjyshi, aty kanë lindur e aty do të vdesin, se s’jemi ne për zonja të tilla. Ka nuse Berati plot, të mira janë dhe ato, nuse për shtëpi. Ajo nuk është për ty. Jemi fukarenj ne… Por Haxhiu niset drejt një ëndërre, në kërkim të lumturisë, sepse ja që i tillë është gatuar njeriu, ka të drejtë të ëndërrojë dhe ta kërkojë gjith jetën lumturinë, paçka që ëndërrat kthehen në çgjendërra, shpresa dhe dëshirat në zhgënjim, se etja për dashuri dhe dëshira për lumturi është më e fortë se vdekja.
Tiranë, më 13.05.2020

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.