
Hapja e Shkollës Shqipe të Pogradecit – 14 Mars 1887
nga Lasgush Poradeci
Shkolla Shqipe e Pogradecit, e këtij qytetthi palcërisht shqiptar, i futur në gjirin e maleve si truri në kafkën e njeriut, është një nder jo vetëm për Atdheun po dhe për Pogradecarët në mënyrë të veçantë. Ka qënë një kuxim, në tërë meritën dhe në tërë fuqinë e fjalës, rrëmbimi i flamurit të gjuhës nënore nga ana e pogradecarëve pothuajse njëkohësisht me Korçën – vetëm dymbëdhjetë muaj më von.
Ndinkë Gushua dhe Sotir Gushua, nisjatorët e atdhetarisë në Pogradec, ishin që të dy prej një race thjeshtësisht shqiptare, të hollë dhe viganë nga shtati, nga i cili shkak dhe bashkëqytetasit i-u theshin Ndinka-i-Gjatë dhe Sotirka-i-Gjatë, dyke i miemëruar për ndjenjat e tyre sipas një zakoni të ditur të kohës Ndinkë Shqiptari, Sotirkë Shqiptari:
Mësonjësi i parë i Shkollës Shqipe të Pogradecit, ka qenë, Koço Sotiri, i vëllaj i dëshmorit Pandeli Sotiri, mësonjësit të parë të Shkollës Shqipe të Korçës. Është vërtet, siç shënon Ilio Mitkë Qafëzezi ish-mësonjës dhe ky i kohëve të vona i shkollës fillore në Pogradec – se Koço Sotirit këtu i-u pat ngjitur mbiemri ultësonjës mason për shkak të përhapjes së Ungjijve shqip të Kostandin Kristoforidhit që ay bënte nër popull – atje ku i-a qëllonte… Ky lajm i vjetëruar që na harin gjer më sot në ditët t’ona gojërisht nga kujtesa e Thoma Abramit, kryemësonjësit veteran të Shkollës Shqipe të Korçës, ka qënë gjith aq i vërtetë, sa dhe i bujshëm dhe i potershëm.
.
Masonëri, në gjuhën e Rilindjes Shqiptare, është një kujtim i idhur nga dhembjet e shumta të plagës së madhe së Kombit që thuhet plaga e ndarjes në gjirin e njëshmë të një populli, e përbuzur prej veteranëve me fisnikëri, e shëruar prej dëshmorëve me gjakun e vet të therrorisë. E përbuzi dhe Koço Sotiri në Pogradec, me bindjen e tij të pathyer, siç e përbuzi i vëllaj Pandeliu me burrëri në Korçë dhe siç e përbuzë që të dy kur vajtnë një herë për t’u çmallur në fshatin e tyre të dashur fort-në Selckën e Lungjerisë – ku bashkëfshatarët, domethënë far e fis e miqërija, nuk i nqasnë po i përzunë prapë nga ardhë, për shkak të apostullatës së të dyve ndaj gjuhën dhe ndaj Kombin e adhuruar. Dhe u këthyen e iknë që të dy prapë në mërgim e në arratisje që nga kishin ardhur, dhe njëri, Koço Sotiri-Kota – vajti drejt për në burg i dënuar me një-qind-e-një vjet dyke dhënë pastaj shpirtin nga mjerimi rrugëve në Manastir më 1909, kurse tjetri, Pandeli Sotiri – Pandua – gjeti vdekjen e tmerrëshme në Stamboll nga fitilat e armikut më 1894. Sepse kështu, me kësisoj dëshmorësije, shërohej atëhere plaga e dhimbëshme e ndarjes Shqiptare, sikundër sot e nesër e në gjithë kohën e kohrave. Që të ndritet sa vete më shume fjala e Vjershëtorit të Rilindjes, që është Dhiata e gjithë Dëshmorëve.
“Si trashëgim ju lemë shpirtin t’onë” *
“Vepërimi Kombëtar i Shqiptarëve të Rumanisë me Kryeqëndër Kolloninë e Bukureshtit”. (Fragment)