back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024

Gjuha standarde “e kontestuar” nga Shefkije Islamaj dhe disa reagime

Gazeta

Delegatët e Kongresit në polifoto
Delegatët e Kongresit te Drejtshkrimit 1972

Gjuha standarde “e kontestuar”

nga Shefkije Islamaj

Tashmë po bëhen gati njëzet vjet që gjuha standarde shqipe i është nënshtruar një të ashtuquajturi “kontestimi” që nga tribuna e Konferencës kushtuar 20-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, për të vazhduar deri sot në mediet e në paraqitjet e individëve të ndryshëm e në raste të ndryshme. Që prej asaj kohe janë përfushur përpjekje, herë më të vogla e herë më të sforcuara, nga individë brenda Shqipërisë e jashtë saj në trojet shqiptare, veçanërisht në Kosovë dhe në emigracion, me qëllim kontestimi të gjuhës standarde shqipe – mënyrën e formimit, vlefshmërinë dhe të ardhmen e këtij standardi. Në këtë kontekst vlen të shtrohen disa pyetje dhe të bëhen përpjekje për t’iu përgjigjur shkurt e qartë disave prej tyre. Ndër to i konsiderojmë më të rëndësishmet: cilët janë kontestuesit e gjuhës standarde shqipe përgjatë këtyre viteve, ku mbështeten këto kontestime dhe cili është qëllimi i atyre kontestimeve, cilat janë çështjet që shtrohen më së shpeshti në këtë rrafsh, si quhet gjuha standarde nga këta kontestues, cilat janë argumentet që sillen në këto kontestime edhe cila është rrugëzgjidhja që propozohet nga kontestuesit në debatet që nxiten nga këta.

Cilët janë kontestuesit e gjuhës standarde?

Ata që sot shkruajnë për shqipen standarde haptas si për një projekt të dështuar as nuk janë gjuhëtarë seriozë dhe as nuk janë studiues të zhvillimeve historike e të sotme gjuhësore, për më tepër janë të vetëquajtur studiues a gjuhëtarë. Ç’është e vërteta, ndër kontestuesit e gjuhës standarde ka dhe studiues në Shqipëri, Kosovë etj., po që nuk shprehen haptas, së paku jo me shkrimet, por që në diskutime formale e joformale të tyre mund të deshifrohen qëndrimet kundër gjuhës standarde. Ndër kontestuesit, numri më i madh i atyre që sot shkruajnë pa ngurrim kundër gjuhës standarde janë individë me përgatitje minimale gjuhësore e profesionale dhe të tillë janë më të zëshmit. Ndër kontestuesit ka edhe ndonjë të huaj gjerman, francez a anglez, që merr guximin të kontestojë standardin e shqipes, në të vërtetë të bëhet avokat i atyre që nuk ndihen mirë brenda këtij standardi. Ky numër është i vogël, po ata janë agresivë. Të gjithë kontestuesit kanë argumente pothuajse të njëjta.

Cilat janë çështjet që ngrihen nga këta kontestues?

Çështjet që ngrihen nga këta kontestues janë të shumta, ndër to po veçojmë:
– shqipja standarde – gjuhë politike, sepse është krijuar në kohën e diktaturës;
– shqipja standarde – gjuha e Enver Hoxhës, sepse është ngritur mbi bazën e toskërishtes;
– shqipja standarde – gjuhë totalitare, sepse është kodifikuar në mënyrë totalitare, nga faktorët politikë dhe me argumente politike;
– shqipja standarde – projekt i dështuar, sepse nuk ka arritur të zotërohet nga dy të tretat e folësve të shqipes;
– shqipja standarde – e papërvetësueshme prej gegëve, sepse toskërishtja e gegërishtja kanë dallime të mëdha në të gjitha rrafshet;
– shqipja standarde – gjuhë në bunker, sepse është e mbyllur dhe mbrojtur me zinxhirë të hekurt nga gegërishtja;
– shqipja standarde – gjuhë e drunjtë, e shtangur dhe e paaftë për të shprehur pasurinë e zhdërvjelltësinë e gjuhës shqipe në përgjithësi;
– shqipja standarde – e paaftë për shkak të varfërisë në format gramatikore, në leksik e në frazeologji, sepse toskërishtja është e varfër e gegërishtja e pasur;
– shqipja standarde e paaftë të përballet me vlerat letrare të botës;
– shqipja standarde – ka skajuar dhunshëm gegërishten edhe nga letërsia;
– gjuha standarde nuk është përzgjedhje e kodifikim i elementeve gjuhësore, po përfshirje e këtyre elementeve, tezë kjo e ngritur së fundi në kundërshtim me të gjitha teoritë mbi krijimin e gjuhëve letrare; në këtë drejtim mëtohen sot të drejtohen e të zhvillohen politikat gjuhësore e rrjedhimisht edhe diskutimet e debatet;
-Kongresi i Drejtshkrimit ka vendosur toskërishten si bazë të gjuhës standarde, sepse “Enver Hoxha ka urryer për vdekje veriun e Shqipërisë bashkë me të gjithë trashëgiminë e tij letrare, si folklorike ashtu edhe të kultivueme”;
-shqiptarët e Kosovës e varrosën gegërishten, sepse “shqiptarët e Kosovës që erdhën si delegatë në Kongresin e vitit 1972 i dhanë dërrmën. Nëse ata nuk do të firmosnin, çështja do të ishte zgjidhë tashma në dobi të gegnishtes.” Prandaj gjithnjë sipas këtij shkruesi “Kosova e bani damin, Kosova do ta riparojë”. Autori i këtyre fjalëve e quan veten shkrimtar. Etj. etj.

Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe
Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe

Qëllimet e motivet e kontestimeve

Por cilat janë qëllimet e motivet që nxisin këto kontestime? Ato janë më së paku gjuhësore e shkencore. Ato janë politike, krahinoriste, lokaliste e përçarëse.
Qëllimi i këtyre ideve e pikëpamjeve është, pos të tjerash, që të rishqyrtohet gjithë historia jonë kulturore, në të vërtetë të “riedukohet” populli shqiptar duke ia harruar traditën ose një pjesë të saj të madhe, duke ia rishkruar e ndryshuar historinë, duke ia krahinorizuar gjuhën, duke ia vulgarizuar jetën dhe duke i rivënë norma “të reja morale”.
Çka duhet të bëhet sipas kontestuesve:
Në paraqitjet e shkrimet me frymë debatuese jepen edhe rrugëzgjidhjet çka më tutje. Dhe ato rrugëzgjidhje janë:
– rrënimi i standardit ekzistues;
– legjitimimi i dy e më shumë standardeve;
– rishikimi, rivlerësimi dhe ndryshimi i këtij standardi, me arsyetimin se ai nuk përmbush funksionet kryesore gjuhësore të shqipfolësve dhe sepse ai nuk përvetësohet a nuk zotërohet prej pjesës më të madhe të folësve te shqipes;
– mbajtja e një kongresi të ri ku do të vendosej për normë të re e ku do të përfshihej edhe gegërishtja, e me këtë të korrigjohet padrejtësia e “linguocidi” ndaj gegërishtes,
– shkrirja e gegërishtes në gjuhën standarde;
– kodifikimi i një norme letrare për gegërishten dhe përfshirja e saj në shkolla si “gjuhë” e barabartë;
– zhbunkerizimi dhe shtotalitarizimi i shqipes standarde;
– çngurtësimi dhe liberalizimi i normës gjuhësore;
– krijimi i një standardi të ri për Kosovën, bashkë me krijimin e një identiteti të ri kombëtar;
– përfshirja e paskajores dhe e gjithë leksikut të gegërishtes në standard;
– çlirimi i shqipes standarde nga korseja a këmisha e ngushtë; këmisha e saj duhet t’u bjere të gjithëve tamam. E kështu me radhë.

Siç shihet kërkesat që dalin prej debateve kontestuese mund t’i quajmë prej të buta deri te ato radikale, ndërsa “ndreqja” e gabimeve dhe “shpëtimi” në shumicën e shkrimeve të kësaj natyre kërkohen në destandardizimin, në variantizimin e gjuhës shqipe ose në liberalizimin e skajshëm të saj. Në këto paraqitje shkrime, në të shumtën e herës, argumentet shkencore lihen në heshtje e shtrembërohen ose me to spekulohet në mënyrën më të papranueshme, në të vërtetë ato janë jo vetëm joshkencore, joserioze, por më tepër shqetësuese.
Nga të gjithë kontestuesit harrohet me qëllim ose u bihet anash argumenteve:
– se gjuha standarde shqipe, si gjuhë e shqipfolësve në një hapësirë mjaft të gjerë gjeografike dhe me kontekste historike e socio-kulturore pak a shumë të veçanta, për arsyet e mirënjohura të rrugës së zhvillimit të tyre, karakterizohet nga disa veçanti që shprehen në rrafshin zhvillimor dhe në rrafshin e përvetësimit e të përdorimit të saj në hapësirën e funksionimit të saj si gjuhë publike;
– se dialektet e norma bashkëjetojnë e bashkëveprojnë në mënyrë të pandalshme duke e pasuruar njëra-tjetrën e duke i zgjeruar kufijtë e epshmërisë;
– se një dialekt a më shumë nëndialekte e të folme nuk mund të zëvendësojnë standardin e pranuar qe afro dyzet vjet në mënyrë kaq të thjeshtëzuar e me veprime kaq të pamatura e për më tepër prishëse;
– se në rrethanat e reja të globalizimit gjuhët e “vogla” si shqipja përballen me sfida jo të vogla dhe këto përpjekje çintegruese e dëmtojnë së tepërmi;
– se ekzistojnë një varg faktorësh të jashtëm e të brendshëm që përcaktojnë sot statusin e gjuhëve në bashkësi të caktuara shoqërore, në të vërtetë në kontekstin e ri socio-linguistik, vendor, rajonal e global;
– se gjuhët standarde gjithmonë e gjithkund krijohen si kompromis, dhe në këtë drejtim shqipja standarde nuk paraqet kurrfarë përjashtimi;
– se gjuhët standarde krijohen edhe nga faktorë jashtëgjuhësorë, sepse edhe politika gjuhësore hyn në sferën e politikës kombëtare të një shteti;
– se pas politikës gjuhësore qëndron edhe një histori afër njëshekullore e zhvillimit dhe e kultivimit të toskërishtes që përfaqësonte edhe një variant me strukturë shumë më të thjeshtë fonetike e gramatikore sesa gegërishtja.
E kështu me radhë.
Gjuha standarde për këto afro 40 vjet ka dëshmuar se i përmbush mirë funksionet e një gjuhe të përbashkët mbarëkombëtare dhe ajo nuk mund të identifikohet sot me idiomën mbi bazën e së cilës është ndërtuar. Si e tillë ajo paraqet pasurinë e përbashkët gjuhësore, brenda së cilës janë mbrujtur forma, struktura, morfema, leksema, frazeologji e ndërtime të mbarë shqipes në vertikalen e horizontalen e saj. Dhe, në këtë pasuri kanë hise të gjithë shqiptarët, sepse ajo është krijuar përgjatë historisë së tyre të përbashkët dhe në proceset e sotme të zhvillimit të tyre dinamik në të gjitha fushat e jetës. Ajo është pasuruar dhe po pasurohet edhe përmes lëvizjeve dhe komunikimit ndërshqiptar shumë të dendur dhe shumë domethënës sot edhe për shqipen standarde e të ardhmen e saj.
Prandaj, çdo përpjekje për rrënimin e saj, për variantizimin e saj, për ndarjen gjuhësore të shqiptarëve, do të mbeten përpjekjet të dështuara ose pjesë e së kaluarës për të kujtuar se në historinë tonë kemi pasur, fatkeqësisht jo vetëm përpjekje ndërtuese e zhvilluese, po edhe përpjekje rrënuese, johistorike e kundërqytetëruese.

Ithtarët fanatikë të Standartit
Ithtarët fanatikë të Standartit

Tre Reagime ndaj shkrimit te Shefkije Islamajt

Arben Zajmi
Ku hyjnë Xhuvani, Cabej e Riza znj. Shefkije?!
Shefkije Islamaj duket se asht rasti tipik i “shkencëtares” që merret kryesisht me motivet e biografinë e nji grupi për të rrëzue argumentat e tyne. Ajo shkruen se shumica e atyne që e kontestojne gjuhën standart janë “individë me përgatitje minimale gjuhësore e profesionale” dhe se “qëllimet e motivet” e tyne “janë më së paku gjuhësore e shkencore. Ato janë politike, krahinoriste, lokaliste e përçarëse,” thote ajo. Meqënese tenton te profilizojë e përfshijë në kategori kallpe njerëz, studiues e të apasionuem mbas gjuhës shqipe e pse jo edhe specialistë, besoj asht e arësyeshme që edhe asaj t’i gjendet nji kategori që i përshtatet. Duket që asht nxanëse e Idriz Ajetave me shokë, firmëtarë në Kongresin e Drejtshkrimit, që për qëllime patriotike a oportuniste, por kurrësesi shkencore, ndoqën nji rrugë nga e cila e patën të vështirë të kthehen edhe kur e kuptuen se e kanë hangër sapunin për djathë. Ma e lehta gja për ta asht qëndrimi në llogore pa lëshue pe në asnji mënyre. Vetë zoja, edhe mbas nji cerekshekullit kur ky debat asht hapë masivisht, duket se vazhdon të jetojë në 72-shin. Dhe ma e randësishmja, me zellin e të konvertuemit, ajo hyn në kategorinë e njerëzve që fillojnë të shqyrtojnë provat mbasi e kanë përcaktue pozicionin e tyne dhe cdo argument ia përshtasin atij qëndrimi. Për mos me u zgjatë, në cilën kategori të pershkrueme nga zoja e sipërpërmendun hyjne tre korifejtë e gjuhes shqipe, Xhuvani, Cabej dhe Riza?
Te tre ishin kundër unifikimit artificial!

Adnan Ramadani
Mbasi e lexon njeriu këtë shkrim, vjen në përfundimin e natyrshëm se shkruesja e tij nuk ka vetëm problem me gegënishten, por edhe me logjikën në vetvedi. A nuk iu duket edhe ju të tjerëve se argumentat qe ajo bjen në shkrim si vobegesi kulturore e atyne që kërkojne rishikimin e standardit, janë në të vërtetë edhe pse te cungueme e të përzgjedhuna prap ma të forta se kundërargumentat e zojës?
Ky standardi i Shqipes a asht libër i shejtë që s’banka me u rishikue? “Pamfleti” , zakonisht nuk ia ven autorësinë shkrimeve…
Shefkija qenka burrneshë!

Jozef Radi
Artikullshkruesja, kahera asht pjesë e bunkerizimit të gjuhës dhe mosndryshimit të asgjaje të domosdoshme, thua se asht fjala për për dicka jashtëtoksore… Ajo vazhdon me mendue se bunkerizimi asht vlerë e gjuhës dhe me sulmue me po të njejtën gjuhë druni si “armiq të gjuhës shqipe” ata që e duan dhe e kultivojnë atë… Shqipja ka mbijetue e pashkrueme Zonja Shefkije… po rrezikohet që e keqshkrueme prej atij bukerizimi 44 vjecar ku ju edhe shume si ju kërkoni me e mbajtë, e prej gjithë asaj aradheje të ’72, ende s’ka dalë askush, me gjetë qoftë edhe nji presje me shtue… a thue se e kishin prekë hyjnorët gjuhen shqipe, e jo djajtë…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.