back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Genci – Gentius, Mbreti i Fundit i Ilirëve nga Lutfi Alia

Gazeta

Figura e Gentit - 2000 Lek
Figura e Gentit – 2000 Lek 

Genci – Gentius, Mbreti i Fundit i Ilirëve

nga Lutfi Alia

Në pranverën e vitit 205 p.e.s, romakët zbarkuan në Durrës. Sulmi i romakëve i zgjoi parthinët dhe fiset e tjera fqinje, të cilët u ngritën kundër maqedonëve, por jo për të fituar pavarësinë, por për t’u ribashkuar me Republikën e Romës.
Në vitin 201 p.e.s, romakët e thyen përfundimisht Hanibalin dhe e detyruan Kartagjenën të nënshkruante paqen. Roma u bë superfuqi e kohës. Romakët fitimtarë, nuk mund ta lejonin Filipin të cënonte interesat e tyre në Iliri, andaj në vitin 200 p.e.s, e sulmuan Maqedoninë nga territoret Ilire dhe kësisoj filloi Lufta e Dytë maqedono-romake.
Për të garantuar fitoren dhe për ta thyer përfundimisht Filipin, Roma lidhi aleancën me Pleuratin e Ilirisë, me Baton e Dardanisë dhe me Aleksandrin e Athamanisë.
Në fushatat iliro-romake të viteve 200-199 p.e.s, maqedonasit u dëbuan përfundimisht nga tokat e parthinëve dhe e dasaretëve.
Ne vitin 197 p.e.s, ushtria romake dhe forcat aleate ilire, e sulmuan Filipin në Thesali. Ushtria maqedonase u thye dhe Filipi u detyrua të heqë dorë nga zotërimet ilire. Territoret e Ilirisë i kaluan Romës, e cila kësisoj i zgjeroi kufijtë, duke përfshirë dhe trojet maqedone e në këto rrethana Heraklea (Manastiri) u përfshi në zotërimet e Kandavias.
Për të shpërblyer kontributin e aleatëve ilirë dhe për t’i kënaqur kërkesat e tyre, romakët e favorizuan mbretin Pleurat, të cilit i njohën të drejtën mbi dalmatët, parthinët dhe Lychnidian.
Me këtë vendim të Romës, kufijtë e shtetit ilir u zgjeruan në veri dhe në jug, ndërsa në lindje përfshinë Penestët, deri në liqenet Lynkeste.
Ndër trevat e favorizuara nga Roma ishte dhe Kandavia, të cilës i njohu të drejtën e principatës autonome, ndërsa administrata nuk ishte vendase, por romake e drejtuar nga legjionarët veteranë.
Gjendja e krijuar pas luftës kundër Maqedonisë dhe marrëdheniet e reja me Romën, gjetën një vlerësim të ri në Iliri, duke u shprehur me gjallërimin dhe aktivizimin e forcave antiromake.
Mbreti Pleurat, ndonëse ishte deklaruar aleat i Romës, ne vitin 189 p.e.s, bëri kthesë dhe u përpoq ta shkëpuste varësinë e detyrueshme nga Roma dhe të krijoi një shtet ilir të pavarur.
Senati romak reagoi me forcë kundër qëndrimit kundërshtues të ilirëve, madje pas vdekjes të Pleuratit (viti 181 p.e.s) dhe ardhjes në fuqi të djalit te tij, mbretit Genci (Genti), e shtoi presionin ndaj ilirëve.
(Emri i mbretit të ardianëve, në latinisht shkruhet Gentius, por në bazë të rregullave fonetike të gjuhës latine, shqiptohet Gencius – pra në iliro-shqipe Genci. E njejta dukuri fonetike ndodh me emrin latin Egnatia, shkruhet me “t”, por shqiptohet Egnacia, ashtu si mbiemëri Barleti shqiptohet Barleci).
Për historinë e mbretit Genci kanë shkruar Polibi dhe më pas Tit Livi.
Pas vdekjes të Pleuratit, vendin e tij e zuri Genci, i cili mbretërimin e nisi me ngjarje tragjike, të mbuluar me shumë mistere. Para se të dilte hapur kundër Romës, Genci vrau të vëllain Platorin dhe dy miqtë e tij Etritin dhe Epikandin.
Sipas Tit Livit, Genci e vrau Platorin për dy motive: Së pari sepse donte ta kishte të sigurtë fronin, por dhe për xhelozi, sepse Platori do martohej me Etuta-n (Etleva) vajza e Monunit, mbreti i dardanëve dhe kush martohej me të Etuta-n, ngjitej në fronin mbretëror të dardanëve, sepse Monuni ishte i moshuar dhe nuk kishte trashgimtarë meshkuj. (Wilkes J. J. The Illyrians, 1992, page 85 “… Longarus, Bato and Monunius, Whose daughter Etuta ëas married to the Illyrian king Gentius, are all Illyrian).
Sipas ligjeve ilire (të ruajtura ndër shqiptarët deri në gjysmën e parë të shekullit XX, me vdekjen e Platorit, i vëllai Genci kishte të drejtë të merrte dhe gruan e vëllait, për të mos u prishur krushqia, andaj u martua me Etuta-n (Etleva) princeshën dardane, çka u miratua nga Monuni i Dardanisë.
Në këto vite, Genci e zgjeroi dhe e fuqizoi mbretërinë e tij, madje krijoi konflikte dhe me Romën.
Në vitin 180 p.e.s, Republika e Romës, dërgoi misionarë, për t’u ankuar te mbreti Genci, për inkursionet e piratëve ilirë në detin Adriatik, që grabisnin anijet romake.
Genci nuk i pranoi akuzat, madje përgjigjia e tij prepotente, nuk iu pëlqeu romakëve.
Pas ketij incidenti, politika romake u tregua e ashpër me Gencin dhe marrëdhëniet e tensionuara me Romën, e detyruan Gencin të krijojë aleancë me fqinjët ballkanikë, sidomos me mbretin Perseu të Maqedonisë. (Smith W. Dictionary of Greek and Roman. Biography and Mythology. Boston: Litlee Brown Company. 2010. Vol II, p. 244).
Mbreti Genci kishte krijuar një shtet të fuqishëm politik, ushtarak dhe ekonomik. Pushteti i tij mbështetej në ekonominë e përparuar skllavopronare.
Sistemi i taksave i kishte garantuar rezerva të mëdha monetare. Mbreti Genci krijoi sistem autonom financiar. Në trojet e mbretërisë së tij, shumë qytete si Risinum, Lissus, Scodra, Lychnidia, etj., kishin monedhat e tyre, ndërsa Genci e centralizoi prerjen e monedhave të arit, argjendit dhe bronxit, ku ishte stampuar portreti i tij.
.
Monedhe argjendi, me portretin e mbretit Genci.
Monedhe argjendi, me portretin e mbretit Genci.

Genci vuri nën kontroll të rreptë dhe e centralizoi pushtetin politik dhe administrativ.

Drejtimin dhe administrimin e qyteteve dhe të trevave rurale, ua besoi “dinastëve”, që ishin princa me të drejtë trashëgimie të pushtetit, të cilët emëroheshin direkt prej mbretit Genci.
Në dokumentat historike romake, “dinastët” njihen si “Principa Illyriorum – Princa ilirë”. (Titius Livi: Ab urbe Condita, Libri XLV 34)
Megjithëse krijoi një administratë të fuqishme lokale, nga ana tjetër, për të ushtruar pushtetin e tij në të gjithë trevat, mbreti Genc e centralizoi pushtetin, duke ua kufizuaar autonominë dinastëve të qyteteve dhe duke ua dobësuaar autoritetin dinastëve lokalë.
Pra, në këtë periudhë, për aristokratët ilirë, filloi të përdorej titulli “Princeps – Princ” dhe njësitë administrative, sidomos trojet rurale u quajtën Principata dhe nga kjo kohë Kunavia – Kandavia rezulton principatë. [Francis Ryan, Rank and Participation in the Republican Senate, 1998, p. 170].
Krahas akuzave si nxitës i piraterisë nga ilirët, Roma e akuzoi Gencin dhe për trajtimin gjoja të keq të aleatëve të saj. Kundër Gencit u rradhit dhe aristokracia ilire filoromake. Në këtë situatë përfituan fiset dalmate në veri të mbretërisë, që u shkëputën nga varësia e Gencit.
Në vitin 171 p.e.s, me fillimin e luftës romako-maqedone, pretori Kajo Lukrecio (Cajo Lucrezio), sekuestroi 54 anije të flotës të Gencit, me justifikimin për të forcuar asistencën e flotës romake.
Deri në vitin 171 p.e.s, mbreti Genci nuk kishte krijuar një kundërpozicion preçiz ndaj Romës, si duket priste rezultatet e luftës romako-maqedone. Në këto rrethana, Republika Romake dërgoi disa ambasadorë, duke i bërë thirrje Gencit të bashkohej me Romën, por këto traktativa nuk i dhanë rezultatet e pretenduara, madje njeri prej ambasadorëve Lucio Decimio, pas dështimit të misionit, u akuzua nga senati romak si i korruptuar nga mbreti Genci.
Me gjithë mospërkrahjen e fqinjëve helenë, aleanca e Gencit me Perseun vazhdonte të qëndronte, madje gjatë dimrit të vitit 169 p.e.s të dy bënë përpjekje për një zgjidhje diplomatike të divergjencave me Romën. Për këtë qëllim angazhuan si ndërmjetësa shtetet helene, por dështuan, kështu e kuptuan se Roma nuk kishte asnjë dëshirë për paqëtim.
Sipas Polibit, për të përballuar konfliktin me Romën, mbreti maqedon Perseu, kërkoi mbështetjen e Gencit. Së bashku firmosën traktatin e aleancës, madje Perseu i premtoi t’i paguante 300 talente.
Genci dhe Perseu dërguan ambasadorë te aleatët në Rhodes, të cilëve u kërkuan të bashkëpunonin për zgjidhjen e krizës, por helenët, të friksuar nga presionet e Romës, nuk pranuan.
Në këto rrethana, Genci doli hapur kundër Romës. Fillimisht arrestoi dy legatët romakë.
Kur pa se Genci u rradhit tërësisht krah Maqedonisë, Perseu i tërhoqi mesazherët dhe nuk ia pagoi shumën e talenteve që i kishte premtuar.
Edhe pse u braktis nga aleatët, Genci nuk pranoi t’i nënshtrohet Romës, nuk kërkoi paqe, por mblodhi ushtrinë për të përballuar sulmet e legjioneve romake. Vendosi të hynte në luftë kundër Romës, duke e zgjedhur si të vetmen rrugë për mbrojtjen e pavarësise politike të shtetit të Ilirisë.
Kjo situatë kundërshtishë politike, çoji në fillimin e luftës së tretë iliro-romake.
Paul Emilio u vërsul kundër maqedonëve dhe epirotëve, duke rrafshuar mbi 70 kështjella dhe masakruar popullatën. Në përfundim të luftës, Ai dërgoi në Romë rreth 100.000 robër.
Në Iliri, Paul Emilio dërgoi legjionet romake të komanduar nga i biri Maksimiliano dhe pretori Lucio Anicio Gallo. Shumë qytete ilire ranë njeri pas tjetrit pa luftuar kundër romakëve.
Sipas Tit Livit, në vitin 168 p.e.s, ushtria e Gencit prej 15.000 vetësh sulmoi qytetin Basania, aleate e Romës, që ndodhej 5 milje në veri të Lissus (Lezhës) dhe njëkohësisht dërgoi flotën me 80 anije për të pushtuar Durrësin dhe Apolloninë, por ilirët u thyen nga flota romake.
Në Betejën e Shkodrës të vitit 168 p.e.s, ushtria e Gencit u thye nga legjionet romake. Mbreti Genci me familjen dhe gardën pretoriane u mbyll në kështjellën e Shkodrës. Në pamundësi për ndihma nga shtetet fqinje dhe për të shmangur masakrat në popullatën ilire, Genci vendosi t’i dorëzohet romakëve. Viti 168 p.e.s, shënon pushtimin romak dhe rënien e shtetit të Ilirisë. (Titius Livi: Ab urbe Condita, Libri XLV 34)
Mbreti Genci, me gruan Etuta (e bija e mbretit Monun), fëmijët, vëllai i vogël Karavanci së bashku me gruan dhe fëmijët, pjestarët e tjerë të familjes dhe garda pretoriane, iu dorëzuan pretorit romak Lucio Anicio Gallo, i cili i dërgoi në Romë si robër lufte.
Gencin dhe familjen mbretërore, i internuan në IGUVIUM, në mesjete u ndryshua ne EUGUBIUM – sot Gubbio në Umbria – Itali.
Mbreti Genci dhe familjarët e tij, ishin në ruajtje nga  Magistratura Iguvina (Eugubina).
.
Gentiana albanica
Gentiana albanica
Sipas Plinit Plakut, vitet e fundit të jetës, Genci vazhdoi t’i kushtohet mjekësisë, duke përgatitur ilaçe nga bimët. Këtë passion, Genci e kishte konkretizuar kur mbretëronte në trojet Ilire, ku kishte zbuluar vetitë shëruese të një lule mali, të cilën për nderim të tij e emërtuan Gentiana, e famshmja Gentiana albanica (Genciana). [William Smith. Dictionary of Greek and Roman Biography and Mythology. Boston: Little, Brown and Company, 1870 Vol.2, 313]
Më 22 qershor 168 p.e.s, pikërisht dhjetë ditë pas rënies së Shkodrës, në betejën e zhvilluar në Pydna, Paul Emilio e shpartalloi dhe ushtrinë maqedone, madje e kapën rob mbretin Perseu, të cilin së bashku me familjen, i dërguan në Romë si robër lufte.
Genci mbreti i fundit i ilirëve, vdiq në vitin 166 p.e.s dhe e varrosën në Mauzoleumin e ngritur për nder të tij në Iguvium – Gubbio të Umbrias.
Mauzoleumi, një ndërtëse imponente e stilit protoagustea, me lartësi rreth 10 m, ishte i veshur me pllaka mermeri, por në shekujt e me pasëm iu hoqën nga banorët vendas, ndërsa mjedisi i brendshëm ruhet ende mirë. Ne arkitraun mbi portën Mauzoleumit, ende ruhen fragmente mermeri travertino.
Varri në brendësi të Mauzoleumit, i punuar me mjeshtri, me përmasa 6.30 x 4.72 m, në pjesën e sipërme ka një kupolë, që ndriçohet anash me dritarëza të vogla.
Aktualisht varri është i boshatisur. Sendet dhe objektet, që ishin vendosur në brendesi të varrit, u grabiten nga barbarët, në shekujt IV-VI e. s dhe mermeri u hoq nga banorët.
.

Mbetjet e Mauzoleumit të mbretit Genci i Ilirisë në Gubbio-Umbria
Mbetjet e Mauzoleumit të mbretit Genci i Ilirisë në Gubbio-Umbria
Në vitin 168 p.e.s, romakët i nënshtruan njëherësh Ilirinë, Maqedoninë dhe Epirin, të tre shtetet e fuqishme të Ballkanit dhe në trojet e tyre u vendos sundimi romak shumë shekullor. [Cassio Dione: Historia romana. Libro XVIII, Harvard University Press. 1978]
Në vitin 167 p.e.s, komandanti i ushtrisë romake gjenerali Lucio Anici Gallo, shpalli vendimet e senatit romak, për ndarjen e shtetit Ilir në tri njësi administrative të veçanta:
-E para me kryeqendër Lissus, shtrihej deri në jug të lumit Mat, ku ishte përfshirë dhe principata e Kandavias, të cilës romakët i dhanë emërin e ri Chunavia – Kunavia.
-Pjesa e dytë me kryeqendër Skodra, përfshinte ishtrojet qendrore të mbretërisë të Gencit.
-E treta, më e madhe me kryqendër Rizoni (Risinum), shtrihej në veri deri në Narona.
Parthinët dhe atintanët, si aleatë të Romës, mbetën nën protektoratin e Romës, ndërsa banoret e trevave, që nuk u implikuan në luftë, si bylinët, amantët, dasaretët, u lanë të organizohen si njësi administrative autonome.
Senati romak vendosi, që Kunavia me bashkësite e tjera fshatare, që u rradhitën aleate me Romën, t’i njohi statusin e principatës autonome, por të qeverisura nga romakët dhe jo nga dinastët vendase.
Pasi shtypën kryengritjen maqedone të vitit 149 p.e.s, romakët krijuan Provincën e Maqedonisë, që përfshinte të gjitha trevat ilire në jug të lumit të Matit, pra dhe trojet e Kunavisë te parthinëve.
Pas pushtimit të Ilirisë, romakët ia hoqën pushtetin parisë vendase (Princeps Illyriorum dhe Princeps civitates) dhe i detyroi komunitetet ilire, që pretendonin citadinancën romake, të zbatonin institutin Fundum fieri, sipas të cilit, ishin të detyruar të pranonin tërësisht sistemin juridiko-institucional romak dhe të përdornin gjuhën latine, si gjuhë zyrtare e administratës.
Drejtimin administrativ dhe ushtarak të ilirëve e morën veteranët e ushtrisë romake, të cilët Republika i shpërbleu duke i dhënë pronat e ilirëve të mundur si dhe i emëroi në drejtim të pushtetit vendor, duke i vendosur në krye të muncipium urbane dhe të civitates rurale. [Titius Livi: Ab urbe Condita, Libri XLV 34, 1 e 7]
.
Monedha Ilire me Teutën dhe Genti
Monedha Ilire me Teutën dhe Genti
Në vitet e më pasme, fillimisht në Spanjë dhe më pas në Ilirine e pushtuar, për funksionimin e municipium u aplikua ligji i quajturi lex Flavia Municipalis, i cili e detyronte popullatën ilire të zbatonte të drejtën latine. [Umberto Laffi. Colonie e municipi nello Stato romano, Roma: Edizioni di storia e letteratura, 2007] [Giovani Rotondi, Leges publicae populi romani, Hildesheim: Olms, 1962]
Qytetet dhe vendbanimet në thellësi të trojeve ilire, ato kohë ishin të lidhura mes tyre me rrugë, disa nga këto ishin të herëshme, të ndërtuara në periudhën e bronxit dhe pjesërisht të përmirësuara në periudhën e hekurit, pikërisht në ato periudha, kur fiset ilire ishin organizuar në disa mbretëri dhe kishin arritur nivele të larta zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi tregëtar mes tyre.
Në kuadrin e ndryshimeve administrative, romakët ia ndryshuan emërin Kandavias, andaj nga shekulli II p.e.s dhe në vazhdim e emërtuan Kunavia (Chunavia), megjithatë emëri i vjetër historik Kandavia, vazhdoi të përdorej shpesh përkrah emrit të ri.
Përdorimi i emrave latine nga pushtuesit romakë, provohet nga studiues të shumtë, por po theksoj vetëm Stadtmuller, i cili shkruan se shumë toponime arbërore janë me origjinë latine, si p.sh Bisaku (Bitiacum), Kastrati (Castrum), Shurdhah (Sarda), Petrela (Petrula), Chunavia (Candavia), Mansi (Mansiones), Guri i Bardhë (Petralba), Plava (Flavia). [G. Stadtmüller. Forschungen, 1966, p. 89 sq.]
Gjithashtu dhe disa kështjella, që i rindërtuan romakët pasi u shkatërruan gjatë luftave të gjata dhe të ashpra iliro-romake, morën emra latine si Scampus, etj.
Krahas rindërtimit dhe ndërtimit të disa kështjellave të reja, romakët përmirësuan dhe gjendjen e rrugëve ekzistuese, kështu vazhduan punimet me riparimet dhe zgjatjen e rrugës Kandavia deri në Bizanc, të cilën e quajtën Rruga Egnacia (Via Egnatia), ashtu si ndërtuan dhe shumë rrugë të tjera, të cilave iu dhanë emëra latine si Rruga Pubblica, Rruga Salaria, etj.
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.