back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 23 Maj, 2024

Fenomeni “Shaban Qosja”… – nga Olsi S. Ferazini

Gazeta

Shaban Qosja
Shaban Qosja
 
Shkrim i maposhtëm trajton një personazh të njohur në Tiranën e viteve ’60. Ai kishte një dyqan të vogël fruta-perimesh në rrugë të Kavajës. Quhesh Shabon Qosja; diku te banjot e nëndheshme, nën Ushtarin e Panjoftun, te Kinema Partizani, ishte një tjetër personazh i hokatar e batutist që vërtet pastronte nevojtoret, po ishte brilant me humorin e tij të bejtave, quhej Sefer Daja; në Itali, në Rocca di Papa në vitet ’60 vdiste i vetmuar një tjetër personazh me emër i qytetit të Tiranës, Qazim Mulleti, njeri i rrallë që s’do t’i kthehet më këtij qyteti; kurse rrugëve me nji biçikletë me nji kapele gazete, me shkallë e kutinë e bojes mund të takoje shkrimtarin ma të dashun të rinisë së asaj kohe, që mbasi kishte kryer burgun punonte si bojaxhi: quhesh Mustafa Greblleshi.
E çfarë lidhje kanë këta katër personazhe mes tyre?! Ndoshta asnji përtej faktin se ishin të katër tironas, po edhe një fakti tjetër: të katërt kanë qenë të poshtëruar e të përdhosur nga diktatura…
Pakkush në historinë e këtij vendi është tallur, është fyer, është marrë në lojë, është bërë objekt gallate, përtej çdo limiti njerëzor… si këta të katërt… Tre prej tyre kam mundur t’i kundroj nga afër me habinë e një fëmije, dhe fytyrat e tyre edhe sot që shkruaj i kujtoj mjaft mirë. Shabonin e mbaj mend se t’parët që e tallnin ishin sportistat e Partizanit dhe Dinamos, sepse si duket Fitimtarve të Zonës së Parë Operative, s’u mjaftonte që iu morën shtëpitë, pronat, verdhushkat, që i futën burgjeve e i degdisën internimeve, por regjimi s’kishte të ngopun, duhej t’i poshtëronte, dhe i shëndrroi të katër këta emra të dinjitetshëm në objekte humori, talljeje e përçmimi…
Në shenjë nderimi për të katër këta “tironasa t’nerum”, që secili në atë përmasën e vet, ka qenë shumë me dinjitoz, se cilido prej atyre që dikur ishin në maje të piramidës së dhunës…
Respekt kujtimit dhe fatit të tyne – dyfish tragjik!
jozef radi, verë 2018
.

Tirana e vitit 1927
Tirana e vitit 1927

Fenomeni “Shaban Qosja”…

nga Olsi S. Ferazini

Përse e titulluam “Fenomen”?
Shpesh nëpër gazeta online që në fillimin e viteve ’90, pas rënies së sistemit 50 vjeçar, ka ndodhur jo pak herë të lexojmë për personazhe apo njerëz të cilët në kohën e sistemit komunist “talleshin” ose ishin në qendër të opinioneve publike, për shkak të ngjarjeve që kishin përjetuar apo dhe ngjarje të sajuara jo në pak raste.
Ndër shumë personazhe “të vënë në lojë” në atë kohë dhe si shembull zgjodhëm njërin prej tyre: Shaban Qosja, që valvitet çdo 3-4 muaj nga gazeta e gazetarë si flamur i talljes me qytetarinë Tironase, dhe kjo vetëm për të bërë lajm, për klikime, dhe në shumë raste për të ulur figurën e qytetarisë Tironase.
Me një kërkim të thjeshtë në internet, me emrin Shaban Qosja, mund të gjeni me mijra shkrime të cilat tregojnë talljen që i bëhej Shabanit, me mijra gazeta edhe nga ato që quajne veten “Serioze” për të prekur sadopak nostalgji, ndryshojnë vetëm titullin e lajmit, dhe në brendësi është po i njëjti lajm, po i njëjti refren që përsëritet me tallje dhe ofendime nga më të ndryshmet. A e kuptoni ku arrin injoranca të depërtojë?
Dhe hajde bjeri t’i bim… Gazetarë që s’ia kanë idenë, kush ka qenë në të vërtetë Shaban Qosja!
Po pyetini nëse ja dinë historinë e jetës? Jo asnjë nuk e di nga këta që marrin përsipër të fitojnë 1 euro nga lajmi që bëjnë, dhe që ja ndryshojnë titullin e lajmit herë “Nostalgjitë e Tiranës” e herë “Njerëzit që ngulitën shprehje!”
.
Kur ndërtohej rruga... që sot quhet Kavajës (edmond bermema)
Kur ndërtohej rruga… që sot quhet Kavajës (edmond bermema)

Po kush ishte Shabon Qosja?

Shpresojmë dhe urojmë ta lexojnë ata…
Shabon Qosja lindi në Tironë në vjetin 1892, dhe ka qenë nji nga shum e shum tregtarve të Tironës, që gzonte respekt në komunitetin qytetar, po gëzonte respekt ene në Itali, vendi në të cilin Shaboni shkonte me ble mallna të ndryshme, kishte gjithashtu ene shum miq italionë që e respektonin sa herë u shkonte për vizitë.
Shaboni ishte bir i nji familje të vjetër tironase, të respektume nga të gjithë, bir i ktij veni si un, si ti apo kushdo tironas tjetër.
Shabani, s’ishte as injorant e as i paditun siç dun ta tregojnë, Shaboni kreu shkollën tregtare në Itali, rreth viteve 1915-1916, më vonë kthehet në Tironë ku merret me aktivitete të ndryshme tregtare, aktivitete që i ecin dhe fuqizohet, për kohën nji tregtar me emën në Tironë, po sipas tregimeve të ma te vjetërve edhe mjaft human me njerëzit në nevojë.
Me ardhjen e pushtetit komunist në vitin 1944, iu sekuestrune gjitha pasunitë tregtare që i kish vù me shum punë e mundim, i merren në mënyrë të dhunshme gjithë vlerat monetare që kishte ai dhe familja e tij mbasi u cilësu “Familje Kulaku” që kish vù pasuni në kurriz të popullit të varfën. Më pas arrestohet dhe dënohet në vitin 1947 me 7 (shtatë) vite burg, lirohet në vitin 1951, pa asnji pasuni me rreth 60 vite jetë në kurriz dhe pa asnji kacidhe me jetu.
Pikërisht në kët kohë i vjen ajo për të cilën të gjithë e kujtojnë dhe shkruajnë pa pikën e turpit, “Tallja Publike”! A e kuptoni ç’do me thonw të jesh dënu me 7 vite burg, e të ti ken mor të gjitha, e mos t’ken lon i cent m’xhep, dhe të jeshë etiketu si: “Kulak”, normalisht do përbuzesh, do tallesh, e do përçudnohesh si njeri!
Shpesh kur lexojmë histori të tilla, të rrënqethet mishi, e mendon me vete, si kanë jetu n’at ferr, si nuk kanë vra veten? Pra i bie mos te kenë qenë personazhe që tallen rëndom nëpër port(h)ale, po të kenë qenë njerëz të fortë, me zemër ma të fortë se guri, lusim Zotin t’u ket dhonë xhenetin, për vuajtjet që kalun, për sikletet e nji jete që i mbyllën me vorrin dhe njerzve të tyre s’ja tregun, për fajet që fajtorë s’ishin. Amin!
Shaboni ishte vetëm nji nga personazhet e asaj kohe që pushteti i shkatrroi jetën, ju dënoi shpirtin, shum ishin të fortë e durun, veç barbarizmave të sistemit edhe talljet publike në shum raste, shum të tjerë zgjodhën vetvrasjen përballë torturave të përjetshme të asaj kohe siç ishte rasti i Dem Xhepës, që s’i përballoi mo torturat në hetuesi dhe zgjedh të hidhet nga kati i tretë, ku gjen vdekjen.
Pra, të nderum gazetar, përpara se të merreni e të shkruni për personazhe, mundohuni ma parë me lexu njiher jetshkrimin, dhe msoni cilat ishin shkaqet që çun nji njeri m’at gjendje!
 .

Tirana e viteve '40
Tirana e viteve ’40
Miq të dashtun, ju ftoj të mos lexoni të tilla shkrime me nofken “Nostalgjike të Tiranës”, si dhe t’i komentoni me përbuzje kujtdo që mundohet të ulë vlerat e qytetit dhe qytetarëve tironas, nuk jon aspak nostalgjike, jon veç denigrus për Tironën dhe tironsit. E vetmja faqe që sjell me gjith men nostalgjinë, që i osht dediku Tironës, osht faqja Tirona në FB dhe webfaqja jone Tirona.website.
https://tirona.website/fenomeni-shaban-qosja-dhe-porthalet-e-sotshme-i-detyruar-te-lexohet/

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.