back to top
24.5 C
Tirana
E premte, 4 Tetor, 2024

Fajtorë pa faj… nga Sonila Boçi – Dënimi i inxhinierëve të kënetës së Maliqit, pjesë e justifikimeve për dështimet e regjimit komunist

Gazeta

Para Pushkatimit
Para Pushkatimit

Fajtorë pa faj… nga Sonila Boçi*

Dënimi i inxhinierëve të kënetës së Maliqit,

pjesë e justifikimeve për dështimet e regjimit komunist

Më 20 nëntor 2017, në Fakultetin e Inxhinjerisë së Ndërtimit
u mbajt një takim përkujtimor“E Vërteta e Inxhinjerëve të Kënetës së Maliqit”,
në përkujtim të inxhinjerëve të shquar që punuan në tharjen e Kënetës së Maliqit,
dhe më pas u ekzekutuan si sabotatorë të kësaj Kënete.
Emra të ndritur si Kujtim Beqiri, Abdyl Sharra,
Vasil e Zyraka Mano, Eugenio Scaturo, Jani Vasili e të tjerë
do të përkujtoheshin për veprën dhe tragjedinë e tyre dhe të familjeve të tyre.
Nën kujdesin e Autoritetit te Hapjes së dosjeve,
fjalën e mirseardhjes iu dha Prof. Gëzim Hasko,
më pas foli Gentiana Sula, dhe mbas saj Sonila Boçi,
Liljana Çoçoli, Kadri Beqiri, Dejvi Sharra, e të tjerë,
të cilët prekën shumë aspekte të kësaj tragjedie njerëzore dhe intelektuale…
Në ballafaqim me të vërtetën historike paraqesim diskutimin e historianes
Sonila Baboçi në lidhje me krejt ngjarjen tragjike të nëntorit të vitit 1946.
.
“E Vërteta e Inxhinjerëve të Kënetës së Maliqit” - Ftesa
“E Vërteta e Inxhinjerëve të Kënetës së Maliqit” – Ftesa

Situata politike në Shqipëri gjatë vitit 1946

Viti 1946, shënoi një moment kthese jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por edhe më gjerë. Kontradiktat ndërmjet Aleatëve të Mëdhenj, SHBA-së, Britanisë së Madhe, nga njëra anë, dhe Bashkimit Sovjetik, nga ana tjetër, po bëheshin gjithnjë e më të dukshme. Lufta ideologjike, shtrirja e zonave të influencës dhe imponimi i sistemeve të qeverisjes kishte bërë që në Europë të binte ajo, që Willson Churchill-i do ta konsideronte “Perdja e Hekurt”. Kjo situatë do të ndikonte herë drejtpërdrejt e herë tërthorazi edhe në një vend të vogël si Shqipëria.
Sa i takon politikës së brendshme në Shqipëri, fitorja në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, i dha një lloj qetësie udhëheqjes komuniste shqiptare. Ajo kishte përmbushur me këto zgjedhje objektivin e saj të parë, legjitimimin e pushtetit. Zgjedhjet kishin qenë kushti kryesor i Aleatëve Perëndimorë për ta njohur qeverinë e re shqiptare dhe për të vendosur me të marrëdhënie diplomatike. Shpallja e Republikës Popullore më 11 janar 1946, dhe miratimi i Statutit të saj më 14 mars të po atij viti, sanksionuan juridikisht programin e Frontit, por mandati popullor i “pushtetit popullor” mbetej i diskutueshëm edhe për shkak të 20 deputetëve të çmandatuar, të burgosur apo të ekzekutuar gjatë asaj legjislature. Pavarësisht kësaj, zgjedhjet kishin hapur rrugën për të përmbushur objektivin e dytë edhe më të rëndësishëm, “vendosjen e një rendi të ri dhe mbajtjen e tij”1.
Në fillim e vitit 1946, drejtuesit e lartë të PKSH-së dhe të qeverisë shqiptare u treguan më të sigurt në ndërmarrjen e disa masave në fushën politike dhe ekonomike2 për vendosjen e regjimit komunist në vend. Në aspektin politik, komunistët shqiptarë u treguan të ashpër dhe të prerë në krijimin e organeve politike-administrative, gjyqësore dhe ushtarake të shtetit shqiptar të kontrolluara nga PKSH-ja, që vazhdonte të qëndronte në gjysmëilegalitet brenda Frontit Demokratik. Në fushën ekonomike, udhëheqësit komunistë u treguan disi më të matur. Krahas hapave për forcimin e sektorit shtetëror në ekonomi nëpërmjet shpronësimeve të të huajve dhe bashkëpunëtorëve të pushtuesit, organizimit të ekonomisë sipas parimit të “centralizimit ekonomik”, vazhdoi të tolerohet prona private, por nën kontrollin e rreptë shtetëror3. Regjimi miratoi dhe filloi të zbatonte një sërë projektesh ambicioze, si: ndërtime rrugësh, hekurudhash, tharje kënetash, të cilat kërkonin burime të mëdha financiare, por edhe mobilizim të gjerë njerëzor. Regjimi komunist krijoi në këtë mënyrë shtresën e vet mbështetëse politike dhe ekonomike.
Më 21 shkurt 1946, u mblodh Plenumi V i KQ të PKSH-së, i cili diskutoi dhe vendosi për rrugët dhe zhvillimet e ardhshme të Shqipërisë. Duke përdorur në mënyrë të qëllimshme një gjuhë konfuze, në Plenum u deklarua se në Shqipëri po vendosej “një diktaturë demokratike revolucionare e punëtorëve dhe e fshatarëve me Partinë Komuniste në krye”4. Sipas komunistëve, sistemi ishte demokratik, sepse ishte i të gjithë popullit dhe i takonte popullit që të luftonte kundër klasave që ishin dje në fuqi, feudalëve dhe borgjezëve, të cilët kishin ende pozita me rëndësi në duart e tyre. Në këtë proces detyra e partisë ishte të ndërgjegjësonte masat për misionin e ri që kishin. Plenumi shpalli kështu zyrtarisht luftën e klasave, si themelin ku do të mbështetej shteti i ri, luftë kjo që u shndërrua në një nga plagët më të rënda për të gjithë shoqërinë shqiptare gjatë gjithë diktaturës komuniste. Lufta e klasave në Shqipëri mori përmasa të mëdha. Objekt i saj nuk ishin vetëm bashkëpunëtorët e pushtuesit dhe kriminelët e Luftës, por edhe shtresat e pasura të shoqërisë, borgjezët, fisnikëria e tokës, krerët e malësive të Veriut, dhe të gjithë ata që nuk i miratonin apo u mungonte entuziazmi për reformat që po ndërmerrte qeveria e re shqiptare.
.
Skeda e Inxhinjer Kujtim Beqirit
Skeda e Inxhinjer Kujtim Beqirit

Këneta e Maliqit dhe projekti për tharjen e saj

Këneta e Maliqit zinte një sipërfaqe shumë të madhe toke dhe ishte bërë burim sëmundjes malarike për gjithë atë zonë. Plani për tharjen e saj ishte hartuar në vitin 1936, nga inxhinieri italian Angelo Omodeo. Plani ishte me të vërtetë ambicioz. Ai parashikonte hapje dhe sistemimin e dy kanaleve, të poshtëm dhe të sipërm, sistemimin e lumit të Devollit dhe përroit të Dunavecit, si dhe ndërtimin e disa kolektorëve kryesorë. Në përfundim të këtij projekti parashikoheshin të thaheshin 4500 ha tokë dhe të bonifikoheshin 4500 të tjera5. Sipas ekspertëve të kohës, plani i Omodeos ishte mjaft i detajuar sa u takonte punimeve për hapjen e dy kanaleve, ndërsa për pjesën tjetër projekti kishte të dhëna të përgjithshme dhe pa specifikimet e nevojshme6.
Në fillim të vitit 1946, Ministria e Punëve Botore, e bazuar në projektin e Omodeos, hartoi një plan pune për tharjen e kënetës së Maliqit. Sipas Subi Bakirit, drejtuesit politik të ngarkuar për ndjekjen e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit, ministria nuk kishte bërë një studim paraprak mbi planin e Omodes, por e kishte marrë atë të mirëqenë dhe kishte filluar punën duke u bazuar te ky7. Koha tregoi se një studim mbi projektin kishte qenë shumë i nevojshëm. Duket se Omodeo nuk kishte qenë shumë i kujdesshëm në kalkulimet për zbatimin e projektit. Kështu, në projekt nuk ishte parashikuar që gjatë hapjes së kanalit hasej në tokë shkëmbore, si dhe në disa raste nuk ishte llogaritur mirë thellësia e kanalit. Një studim paraprak i projektit, mund t’i kishte eliminuar këto pasaktësi të projektit të Omodeos, por qeveria shqiptare kishte nxitim për t’i filluar sa më shpejt punimet për tharjen e kënetës. Më së shumti mund të ishin arsyet ekonomike që e nxisnin qeverinë shqiptare në ndërmarrjen e një nisme të tillë, por nuk mund të përjashtohen edhe arsyet propagandistike dhe politike. Çlirimi nga uji i një sipërfaqeje të tillë bujqësore do t’i jepte frymëmarrje ekonomisë së rajonit, por njëkohësisht do t’i bindte njerëzit në politikën e drejtë të qeverisë së re shqiptare.
Me një shpejtësi të pajustifikuar, Ministria e Punëve Botore bëri një planifikim të përafërt për koston e veprës, forcat e punës dhe makineritë e pajisjet që do të duheshin për ta përfunduar veprën. Sipas këtij planifikimi paraprak, tharja e kënetës së Maliqit do të bëhej brenda 180 ditëve, duke nisur nga 1 maji 1946. Si forca pune do të përdorej një numër i vogël punëtorësh me rrogë dhe pjesa më e madhe e fuqisë punëtore do të ishin vullnetarë. Po kështu do të përdorej edhe një sasi e kufizuar mjetesh të motorizuara, si: ekskavatorë, motopompa etj. Pas shqyrtimit të këtij plani nga Komisioni i Planit të Shtetit, ai vendosi që i gjithë projekti të mbaronte në 150 ditë, pra një muaj përpara kohës që ishte kërkuar nga Ministria. Komisioni kishte rritur numrin e vullnetarëve që do të përfshiheshin në punimet për tharjen e kënetës. Gjithashtu ishte ulur me gati 50% kostoja e përgjithshme e projektit. Në përfundim të punimeve parashikoheshin të çlirohej nga uji rreth 2.000 ha tokë8.
Më 15 prill 1946, filluan punimet përgatitore për ngritjen e kantierit të Maliqit. Më 5 maj, me një ceremoni madhështore u inaugurua zyrtarisht fillimi i punimeve dhe, një ditë më vonë, filloi puna për zbatimin e një projekti ambicioz, i cili parashikohej të përfundonte më 1 tetor 1946. Për drejtimin e punimeve u caktua Abdyl Sharra, inxhinieri 35-vjeçar. Ai ishte shkolluar në Stamboll, në Robert College dhe më pas kishte ndjekur studimet e larta në Torino të Italisë. Kishte punuar si specialist në Ministrinë e Punëve Botore gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më pas i ishte përgjigjur thirrjes së qeverisë shqiptare për të mobilizuar specialistët e shkolluar të vendit dhe ishte angazhuar për ndërtimin e disa urave në të gjithë Shqipërinë. Atij ju bashkuan një grup inxhinierësh dhe teknikësh, si: ing. Vasil Mano, gjeometrat Pandeli Zografo, Aleks Vasili, italiani Mario Guarnieri etj.
Shpejt u kuptua se projekti që Sharra kishte marrë përsipër të drejtonte, nuk varej vetëm nga mundësitë dhe afësitë personale të tij. Ai nuk kishte forca të mjaftueshme punëtorësh të kualifikuar ku të mbështetej, nuk kishte makineri të mjaftueshme që të ndihmonin për shpejtimin e punimeve, dhe kishte mjaft llogaritje të gabuara, të cilat duheshin korrigjuar gjatë rrugës. Po t’u shtosh këtyre arsyeve dhe paaftësinë dhe mungesën e përvojës së administratës shtetërore dhe partiake lokale, këto bënë që ritmet e punimeve të ishin mjaft të ngadalta. Për këtë shkak, në korrik 1946, Ministria largoi nga detyra inxhinierin Abdyl Sharra për ta zëvendësuar atë me Kujtim Beqirin. 30-vjeçari kishte qenë një prej nxënësve të Shkollës Teknike të Tiranës. Ai kishte studiuar në Vjenë për inxhinieri civile dhe ishte dalluar për talentin e tij të veçantë në fushën e inxhinierisë. K. Beqiri e filloi punën duke rishikuar planin e Omodeos dhe, duke u përpjekur të ndreqte të gjitha pasaktësitë dhe llogaritjet e gabuara, që gjendeshin në projektin fillestar, paraqiti një projekt të përmirësuar për tharjen e kënetës, i cili kërkonte dhe mjete e shpenzime shtesë, të cilat nga drejtuesit partiakë lokalë u konsideruan të ekzagjeruar9.
Nga shtatori i vitit 1946 po bëhej gjithnjë e më e qartë se tharja e kënetës së Maliqit nuk do të përfundonte në kohën e duhur. Drejtuesit më të lartë të PKSH-së filluan të shqetësoheshin dhe të bënin presion për ritme më të larta. Përgjigja që merrnin nga specialistët ishte e njëjtë: afati mund të plotësohej me fuqi të jashtëzakonshme punëtore (sipas projektit të ing. Konomit do të duheshin deri në 10.000 punëtorë në ditë), me makineri më të shumta dhe me fonde financiare më të mëdha, të cilat ishin të pamundura të akordoheshin. Më 6 shtator 1946, një Komision Kontrolli, i ngritur posaçërisht për të kontrolluar punimet për tharjen e kënetës, dërgohet në kantierin e Maliqin. Në një mbledhje maratonë u diskutua gjatë mbi problematikat e dala gjatë kësaj pune. Procesverbali i mbledhjes është një dëshmi e qartë e mungesave dhe vështirësive të panumërta me të cilat ishte ndeshur ekipi i inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit10.
Më 30 shtator 1946, konkluzionet përfundimtare të grupit të kontrollin u analizuan në një mbledhje në Ministrinë e Punëve Botore. Grupi i kontrollit nuk mungonte të vinte në dukje parashikimet shumë optimiste të ministrisë mbi rendimentin e punëtorëve të krahut, makinerive, kostos financiare e, së fundi dhe të parashikimit të gabuar për kohën e përfundimit të punimeve. Kontrolli akuzonte ing. Sharrën për sabotim të punimeve dhe kërkonte arrestimin e tij dhe të teknikut italian Mario Guarnieri11. Ai gjithashtu kërkonte t’i tërhiqej vërejtje me shkrim ing. Aleks Vasilit, gjeometrit Pandeli Zografos dhe disa të tjerëve.
.
Denime te Grupit të Kënetës së Maliqit
Denime te Grupit të Kënetës së Maliqit

Gjyqi i inxhinierëve të Maliqit: proces i ngritur mbi dyshime, por jo mbi fakte

Konkluzionet e Komisionit Special, vinin më vonë në kohë, pasi organet e Sigurimit të Shtetit u kishin paraprirë atyre. Dy ditë përpara. më 28 shtator 1946 ata arrestuan ing. Abdyl Sharra, ing. Aleks Vasili, gjeometrat Pandeli Zografi dhe Mario Guarnieri, bashkëshorten e ing. Vasil Manos, kroaten Zyrika Mano dhe punëtorët Jani Vasili dhe Anastas Risto, të cilët i akuzonin si korrierë të të parëve12. Arrestimi i tyre ishte hapi i parë në një skemë të madhe arrestimesh që do të vijonin përgjatë muajit tetor. Organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk kishin nevojë për shumë prova, mjaftonte që një nga të arrestuarit të përmendte një emër gjatë procesit të dhunshëm hetimor dhe zinxhiri i arrestimeve zgjatej. Kështu, u arrestuan më pas ing. Vasil Mano, gjeometri Mihal Stratobërdha dhe llogaritari italian Eugenio Scaturo, për ta mbyllur këtë fazë me arrestimin e ing. Kujtim Beqirit, më 24 tetor 1946.
Të shtrënguar nga dhuna gjatë procesit hetimor, të akuzuarit pothuajse të gjithë pranuan akuzat e bëra. Ata akuzoheshin se kishin bashkëpunuar me anëtarin e Misionit Amerikan në Tiranë, Harry Fultz për të sabotuar tharjen e kënetës së Maliqit, me qëllim diskreditimin e qeverisë shqiptare. Sipas të dhënave të hetimeve “puna (sabotuese) u nda si vijon: Ing. Sharra mori përsipër për të sabotuar punën në kanal duke mos filluar punën sipas planit të parashikuar me përdorimin e ekskavatorëve jo në pikat e nevojshme të punës, me vendosjen e forcave vullnetare jo në vendet e duhura, me humbjen e kohës dhe rendimentin me zbukurimin e skarpateve… Aleks Vasili mori përsipër të sabotonte punën në gurore duke harxhuar mjaft materiale si barut të zi etj. Gjeometri Pandeli Zografi mori përsipër të sabotonte punën në dekovile në mënyrë që të vonohej lidhja e kanalit me guroren, e cila do të vlente dhe për pengesën e punëtorëve në gurore. Eugenio Scaturo do të sabotonte në ushqimet e mensës të punëtorëve dhe specialistëve me qëllim që këta të mbeteshin të pakënaqur për të formuar urrejtje ndaj pushtetit. Ing. Vasil Mano mori përsipër të sabotonte punën në kantier duke mos ngritur shpejt barakat e punëtorëve me qëllim që këta të mërziteshin e të iknin, të mos shtrëngonte teknikët për riparimin e makinerive të ndryshme që mund të kishin defekte, do të mundohesh të nxirrte material jashtë përdorimit qofshin dhe me pak defekte”13.
Më 8 nëntor 1946, në kinemanë Nacional u hap gjyqi në ngarkim të inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit. Jashtë ndërtesës së kinemasë ishin vendosur altoparlantë të mëdhenj, me anë të të cilëve qytetarët e Tiranës ndiqnin zhvillimin e gjyqit. Me porosi të veçantë të KQ të PKSH-së, punëtorët e kantierit të Maliqit duhet të ndiqnin me kujdes të posaçëm gjyqin14.
Aktakuza vinte në dukje se: “Të gjithë të pandehurit e mësipërm që kanë qënë me përgjegjësi të ndryshme për tharjen e Maliqit dhe që kanë pasur lidhje me elementë të jashtëm, janë të akuzuar se kanë kryer sabotime të rënda duke i shkaktuar shtetit dëme të mëdha. Gjithashtu specifikohet se për të kryer këto sabotime, të pandehurit kanë kryer mbledhje të fshehta, që u kanë raportuar të huajve rreth punimeve dhe që kanë ndjekur urdhëresat e tyre për kryerjen e sabotimeve”15.
Gjyqi nuk pati ndonjë zhvillim të papritur. Gjatë 10 ditëve të tij u dëgjuan të akuzuarit, prokurori, dëshmitarët e akuzës, avokatët mbrojtës. Të akuzuarit në përgjithësi i qëndruan deklarimeve që kishin bërë gjatë hetuesisë. Ajo që u vu re, ishte puna e pakujdesshme e hetuesve për të koordinuar të gjitha detajet. Kështu, një pjesë e mirë e të pandehurve, duke përfshirë dhe Zyrika Manon, e cila akuzohej si ndërlidhësja ndërmjet grupit të “sabotatorëve” dhe Fultzit, nuk pranuan të kishin marrë para nga ky i fundit. Shumë detaje për takimet apo punën sabotuese nuk përputheshin. Pavarësisht këtyre gjyqi përfundoi ashtu siç ishte paravendosur. Të gjithë të akuzuarit, me përjashtim të gjeometrit italian Mario Guarnieri, e pranuan akuzën për sabotim dhe kërkuan mëshirën e trupit gjykues16. Shumë prekëse ishte fjala e fundit para gjyqit e ing. Vasil Manos, i cili nuk kërkoi mëshirë për vete, por për bashkëshorten e tij, Zyrikën. Gjykata vendosi fajësinë e të gjithë të pandehurve duke i cilësuar si sabotatorë dhe “armiq të popullit”. Dy drejtuesit e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit, Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, u dënuan me varje në litar; ing. Vasil Mano, bashkëshkortja e tij Zyrika dhe llogaritari italian Eugenio Scaturo u dënuan me pushkatim; gjeometrat Pandeli Zografi dhe italiani Mario Guarnieri me burgim të përjetshëm; gjeometri tjetër Mihal Stratobërdha u dënua me 10 vjet burg dhe punë të detyrueshme; punëtori Anastas Risto 2 vjet burgim e punë të detyrueshme; ndërsa 16-vjeçari Jani Vasili u dënua “1 vjet burgim me kondicional, me kusht që të mbajë sjellje morale e politike të mira”. Për të dënuarit me burgim u urdhërua gjithashtu konfiskimi i pasurisë së tyre personale dhe humbja e të drejtave qytetare e politike. Ekzekutimi i dënimit me vdekje u vendos të bëhej në Maliq. Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi kërkesën e të dënuarve me vdekje për falje dhe vendimi i gjyqit u ekzekutua.
Ky proces mbylli siparin e një akti të tragjedisë që po fillonte të luhej në kurriz të njerëzve të shkolluar dhe të edukuar të Shqipërisë, por ky nuk do të ishte i fundit. Organet e Sigurimit të Shtetit kishin vendosur ta shfrytëzonin mirë këtë ngjarje për të eliminuar të gjithë kundërshtarët potencialë të regjimit komunist. Në një relacion që Drejtoria III e MPB ia dërgonte eprorëve të tyre ata shprehimisht pranonin se: “Synojmë për të zbuluar sabotimet që janë bërë në qarqe të tjera, lidhjet që këta kanë pasur në Tiranë, elementat dhe axhentat e tyre që janë nëpër qarqe, kur janë organizuar, nga kush dhe kohën që janë organizuar, deri ku do të veprohesh në këtë drejtim, ku i kanë pasur bazat, si shtrohesh falimentimi i qeverisë në lidhje me sabotimet dhe cilët kanë qenë elementat në qeveri”17. Ata këshillonin të vazhdonin arrestime të tjera në Maliq dhe të gjendeshin lidhjet që inxhinierët dhe teknikët e Maliqit mund të kenë edhe me inxhinierë dhe teknikë në Ministrinë e Punëve Botore në Tiranë, apo gjetkë në Shqipëri. Kështu, ende pa mbaruar procesi i parë i Maliqit një tjetër proces po ndërtohej. Më 29 tetor 1946, organet e Sigurimit të Shtetit arrestuan ing. Aleks Vasili, gjeometrat Mirush Përmeti, austriakun Hans Vala, shoferin Lambi Napuçe dhe mjekun italian Golfredo Paskual Rizo. Akuza ishte e ngjashme si për grupin e parë. Ata po gjykoheshin si “armiq të popullit”, sabotatorë të pushtetit dhe anëtarë të grupit të inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit18.
Më 21 nëntor 1946, gjithashtu në sallën e kinemasë Nacional filloi gjyqi i hapur edhe për këtë grup. Gjatë zhvillimit të gjyqit, ata pranuan hapur që nuk kishin simpati për regjimin e vendosur në Shqipëri, ata gjithashtu pranuan se në Maliq punët nuk kishin ecur siç duhet, kishte pasur vonesa, mungesë organizimi etj., ata, madje, e konsideruan veten fajtorë që nuk kishin folur më herët për këto problematika që kishin vënë re në Maliq, por në përfundim të procesit ata nuk pranuan që të kishin sabotuar dhe të kishin qenë pjesë e ndonjë grupi sabotatorësh19. Mungesa e pranimit të fajësisë nuk e pengoi prokurorin e çështjes të kërkonte dënim me vdekje për ing. Aleks Vasilin dhe gjeometrin Hans Vala dhe burgime të rënda për tre të tjerët. Ajo nuk e pengoi as gjykatën që në përfundim të gjyqit të jepte dënim me vdekje për ing. Aleks Vasilin dhe gjeometrin Mirush Përmeti. Hans Vala, gjeometri austriak, i cili kishte punuar në shumë zona të Shqipërisë që prej vitit 1940, u dënua me 30 vjet burgim, mjeku italian Golfredo Rizo me 10 vjet burgim dhe Lambi Napuçe me 5 vjet.
.

Kanalet e Kenetave te thara
Kanalet e Kenetave te thara

Reflektime mbi një proces që nuk duhej të ndodhte

Gjyqi kundër inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit është një proces që nxit një reflektim të thellë mbi sistemin e drejtësisë gjatë regjimit komunist, por edhe mbi marrëdhëniet e këtij regjimi me individët. Pa dashur të bëj një analizë juridike të procesit, gjë që shkon përtej ekspertizës sime nuk mund të mos vë në dukje disa fakte lehtësisht të dallueshme:
Së pari, gjatë procesit të hetuesisë dhe atij gjyqësor në asnjë rast nuk u paraqit asnjë provë konkrete. U fol për mbledhje dhe takime të grupit të “sabotatorëve”, por nuk u dhanë prova mbi bisedat e zhvilluara në këto takime. Të gjithë të akuzuarit flisnin me fjalë të përgjithshme dhe përsërisnin ekzaktësisht njëri-tjetrin. Po kështu nuk u dha asnjë provë mbi takimet e anëtarëve të këtij grupi me anëtarin e Misionit Amerikan në Tiranë, Harry Fultz. Duke qenë se Sigurimi i Shtetit ndiqte nga afër të gjithë lëvizjen e z. Fultz, madje dhe të vajzës së tij, Joanës, nuk do të ishte e vështirë të gjendeshin prova për këto takime dhe shkëmbime korrespondence.
Së dyti, gjatë procesit nuk u morën parasysh një numër shumë i madh dokumentesh e letërkëmbimesh, të cilat dëshmojnë se gjatë muajve maj-shtator vazhdimisht të akuzuarit kishin ngritur problematikat që lidheshin me vështirësitë, ndonjëherë dhe të pakapërcyeshme që ata hasnin në punën e tyre të përditshme. Ata nuk morën parasysh konkluzionet e Komisionit Special të Kontrollit, i cili pranonte që preventivat mbi normat e punës ditore të një punëtori ishin të ekzagjeruara, që projektet paraprake kishin pasur llogaritje të gabuara, madje dhe që data për përfundimin e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit ishte shumë optimiste.
Së treti, gjyqi nuk shqyrtoi në thellësi kontradiktat që lindnin nga deklarimet e të akuzuarve, të cilat do të ishin shqetësuese për çdo njeri të logjikshëm. Në fakt ato ishin shqetësuese edhe për drejtuesit e lartë komunistë.
Për të gjithë ata që kanë rast të lexojnë dokumentet mbi procesin e Maliqit, nuk e kanë vështirë të kuptojnë manipulimet që gjenden në të. Ajo që duhet analizuar janë arsyet se përse i shërbeu regjimit në Shqipëri një proces i tillë i montuar. Siç u përmend dhe në fillim, viti 1946 ishte viti në të cilin maska e regjimit u rrëzua. Ndërsa deri atëherë për të bindur Aleatët Perëndimorë për të njohur regjimin e ri dhe për të siguruar mbështetjen maksimale në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, regjimi kishte qenë disi më i kujdesshëm, tanimë ai nuk kishte më nevojë të fshihte qëllimet e tij. Ai iu vu punës për të zbatuar programin e tij ekonomik dhe politik, një pjesë e rëndësishme e të cilit ishte zbatimi i luftës së klasave, e cila përkthehej në eliminimin e të gjithë kundërshtarëve të shpallur apo edhe atyre potencialë.
Gjatë vitit 1946, u zhvilluan një sërë procesesh gjyqësore, përfshirë gjyqin ndaj klerikëve të lartë katolikë, apo gjyqin e grupimit socialdemokrat, monarkist dhe të rezistencës, në përbërje të të cilit ishin disa nga intelektualët më të spikatur në vend, si Musine Kokalari, Gjergj Kokoshi, av. Fuad Asllani e shumë të tjerë. Dëshmitë e misioneve të huaja që gjendeshin në Shqipëri në atë kohë flasin për lëvizje të shumta të trupave ushtarake shqiptare drejt Veriut të vendit, për të vendosur nën kontroll grupet e kundërshtarëve të regjimit20. Regjimi shihte te njerëzit e shkolluar në universitetet më të mira të Europës, kundërshtarët e tij realë dhe u tregua shumë agresiv për neutralizimin e tyre. Në këtë kategori bënin pjesë, padyshim, edhe inxhinierët e dënuar në procesin e Maliqit.
Tharja e kënetës së Maliqit ishte një ndërmarrje e jashtëzakonshme që do të kishte ndikim sa në ekonominë e vendit, aq edhe në rritjen e prestigjit të qeverisë shqiptare në popull. Jo më kot propaganda zyrtare e kishte trumbetuar pa reshtur aksionin për tharjen e kësaj kënete dhe zyrtarët më të lartë partiakë i ndiqnin zhvillimet e punimeve me shqetësim të posaçëm. Koha tregoi se projekti i tejkalonte mundësitë reale të shtetit shqiptar të asaj kohe. Mungesa e makinerive, e punëtorëve të kualifikuar, paaftësia e drejtuesve lokalë, nisja e punimeve jo në kohën e duhur ishin arsyet kryesore që tharja e kënetës së Maliqit nuk u bë në kohën e caktuar. Kaq e vërtetë është kjo sa edhe në muajt në vijim të gjyqit famëkeq të inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit, vështirësitë të cilat kishin kushtëzuar rendiment të ulët të punimeve vazhdonin të ekzistonin dhe ritmet e punës ishin shumë larg asaj që kërkohej. Punimet për tharjen e kënetës së Maliqit vijuan përtej vitit 1946. Madje edhe në fund të viteve ’50, këneta nuk ishte mundur të thahej plotësisht. Në vitin 1959, një vendim i Byrosë Politike të KQ të PPSH-së njoftonte aplikimin e një projekti të një inxhinieri rus, i cili do të realizonte përfundimisht tharjen e kënetës. Akuza dhe dënimi i inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit ishte thjesht një mekanizëm për të kamufluar dështimin e qeverisë shqiptare në përfundimin e një projekti kaq madhor. Nga ana tjetër, ajo do të shërbente për të frikësuar popullsinë dhe për t’i bërë ata më të përulur ndaj urdhrave të drejtuesve politikë. Jo më kot u zgjodh Maliqi si vend i ekzekutimit të të dënuarve me vdekje.
Së fundi, qeveria shqiptare mund ta përdorte këtë proces për të përligjur politikën e saj ndaj SHBA-së. Gjatë vitit 1946, prirjet e qeverisë shqiptare ndaj Jugosllavisë së Titos dhe Bashkimit Sovjetik ishin fare të dukshme. Ndërkohë marrëdhëniet me Perëndimin po acaroheshin gjithnjë e më shumë. Incidentet në Kanalin e Korfuzit përcaktuan përfundimisht marrëdhëniet e qeverisë shqiptare me Britaninë e Madhe. Ndërkohë, marrëdhëniet me SHBA-në vazhdonin të ishin disi më të paqarta. Enver Hoxha në disa dalje publike gjatë vitit 1946 kishte kritikuar qëndrimin e SHBA-së për mospranimin e Shqipërisë në OKB, si dhe votën amerikane për të lejuar që në rend të ditës të Konferencës së Paqes të futej paraqitja e pretendimeve greke ndaj Shqipërisë së Jugut. Propaganda zyrtare kishte ndërmarrë /një fushatë të gjerë për të diskredituar misionin amerikan në Tiranë dhe anëtarët e tij. Që prej fillimit të vitit 1946, anëtarët e Misionit Amerikan ishin izoluar plotësisht nga kontaktet me njerëz të zakonshëm, ndërkohë që dhe marrëdhëniet me zyrtarë shqiptarë ishin kufizuar. Në këto kushte, duke parë prirjet pro-sovjetike të qeverisë shqiptare dhe sjelljen e saj në vijimësi ndaj SHBA-së, Departamenti i Shtetit vendosi se nuk do të ishte oportune për ta njohur qeverinë shqiptare. Më 2 nëntor 1946, Misioni Amerikan në Tiranë i kërkoi qeverisë shqiptare leje për largimin e tij nga Shqipëria. As Misioni Amerikan në Tiranë, as vetë Fultzi nuk i kanë pranuar akuzat e paraqitura në gjyqin e inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit dhe, deri më tash nuk kemi asnjë të dhënë që të implikojë Harry Fultzin në këtë proces.
Procesi i Maliqit u kushtoi jetën shtatë njerëzve të kualifikuar, të cilët e kishin treguar aftësinë dhe përkushtimin e tyre ndaj zhvillimit dhe përparimit të Shqipërisë. Ai ishte fillimi i një kalvari të gjatë vuajtjesh për të gjithë të dënuarit dhe familjet e tyre. Për fat të keq, ky ishte vetëm një episod nga shumë e shumë të tjerë që i kushtuan Shqipërisë elitën intelektuale të vendit. Askush nga ne nuk mund të kthehet prapa në kohë për të vënë në vend padrejtësitë e së djeshmes, por ne kemi një mision shumë të rëndësishëm. T’i analizojmë me objektivitet dhe paanshmëri dëshmitë dhe faktet e së shkuarës, në mënyrë që të mos e lejojmë veten dhe shoqërinë që t’i përsërisë sërish ato gabime.
.
Studiuesja Sonila Boçi
Studiuesja Sonila Boçi

Indeksi

1)Nicholas Pano, The People’s Republic of Albania, Baltimore: The Johns Hopkins Press, 1968, f. 58.
2)Për më tepër shih: Dokumenta kryesore të PPSH …, vëll. 1, f. 342-350, nga konkluzionet dhe vendimet e Plenumit V të KQ të PKSH, 21 shkurt 1946.
3)Duka, Histori e Shqipërisë …, f. 246-247.
4)Dokumenta kryesore të PPSH…, vëll. 1, f. 342, nga konkluzionet dhe vendimet e Plenumit V të KQ të PKSH-së, 21 shkurt 1946.
5)AQSH, F. 14/AP, V. 1946, D. 3, Fl. 1, Relacion nga Maliqi për KQ të PPSH mbi zhvillimin e punimeve për tharjen e Kënetës së Maliqin që nga fillimi 6 maj deri më 15 shtator 1946, Dt. 24.9.1946.
6)AQSH, F. 14/AP, V. 1946, D. 3, Fl. 1, Relacion nga Maliqi për KQ të PPSH mbi zhvillimin e punimeve për tharjen e Kënetës së Maliqin që nga fillimi 6 maj deri më 15 shtator 1946, Dt. 24.9.1946.
7)AQSH, F. 14/AP, V. 1946, D. 3, Fl. 1, Relacion nga Maliqi për KQ të PPSH mbi zhvillimin e punimeve për tharjen e Kënetës së Maliqin që nga fillimi 6 maj deri më 15 shtator 1946, Dt. 24.9.1946.
8)AQSH, F. 14/AP, V. 1946, D. 3, Fl. 1, Relacion nga Maliqi për KQ të PPSH mbi zhvillimin e punimeve për tharjen e Kënetës së Maliqin që nga fillimi 6 maj deri më 15 shtator 1946, Dt. 24.9.1946.
9)AQSH, F. 14/AP, V. 1946, D. 3, Fl. 7, Relacion nga Maliqi për KQ të PPSH mbi zhvillimin e punimeve për tharjen e Kënetës së Maliqin që nga fillimi 6 maj deri më 15 shtator 1946, Dt. 24.9.1946.
10)AMPB, F. Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, V. 1946, D. 4, fl. 8, Procesverbal i mbajtur në mensën e kantierit të Maliqit, më 6 shtator 1946.
11)AMPB, F. Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, V. 1946, D. 4, fl. 35-41, Procesverbal i mbledhjes së përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve Botore mbi konkluzionet e Komisionit Special për ecurinë e punës në kantierin e Maliqit, 30 shtator 1946.
12)AMPB, F. Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, V. 1946, D. 2, fl. 7, Relacion i Drejtorisë III rreth procesit të Maliqit, 31 tetor 1946.
13)AMPB, F. Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, V. 1946, D. 2, fl. 1, Relacion rreth procesit të Maliqit, 31 tetor 1946.
14)AQSH, F. 14/AP, V. 1946, D. fl.
15)AMPB, F. dosjeve hetimore e gjyqësore, V. 1946, D. 1080-A, fl. 5, Procesverbali i gjyqit të sabotatorëve të Maliqit, 8-18 nëntor 1946,
16)AMPB, F. dosjeve hetimore e gjyqësore, V. 1946, D. 1080-A, fl. 31, Procesverbali i gjyqit të sabotatorëve të Maliqit, 8-18 nëntor 1946,
17)AMPB, F. Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, V. 1946, D. 2, fl. 8, Relacion rreth procesit të Maliqit, 31 tetor 1946.
18)AMPB, F. Hetimore dhe Gjyqësore, V. 1946, D. 944-a, Procesverbali i gjyqit për të pandehurit Mirush Përmeti, Aleks Fili Vasili, Hans Vala, Rizo Paskual Golfredo, Lambi Pando Napuçe, 21-25 nëntor 1946.
19)AMPB, F. Hetimore dhe Gjyqësore, V. 1946, D. 944-a, Procesverbali i gjyqit për të pandehurit Mirush Përmeti, Aleks Fili Vasili, Hans Vala, Rizo Paskual Golfredo, Lambi Pando Napuçe, 21-25 nëntor 1946.
20)United States Department of State, Foreign relations of the United States, 1946. Eastern Europe, the Soviet Union, (1946), p. 5, Kreu i Misionit Amerikan në Tiranë, Jacobs për Departamentin e Shtetit, 4 shkurt 1946.
 
*Prof. asoc. Dr. Sonila Boçi
Qendra e Studimeve Albanologjike/Center for Albanian Studies
Instituti i Historise/Institute of History, Tirana

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.