back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Etëhem Haxhiademi – Parathaniet e tij – Vepra e Plotë

Gazeta

Etëhem Haxhiademi - Vepra e Plotë
Etëhem Haxhiademi – Vepra e Plotë

Etëhem Haxhiademi – Parathaniet e tij – Vepra e Plotë

Etëhem Haxhiademi
Lyra – Poezi
Tiranë – 1939
Shtypshkronja “Dielli”

Etëhem Haxhiademi - Abeli - Vepra e Plotë
Etëhem Haxhiademi – Abeli – Vepra e Plotë

Parathanëje e Lyra-s

Në nji kohë si kjo e jona, me u marrë njeriu me poezí a me çdo art tjetër të bukur asht nji punë e kotë e nji mundim i pafrytshëm. Artisti apo shkrimtari shqiptar, qi t’i banjë ballë nevojavet të jetës, duhet mâ përpara të merret me ndonji punë qi ep bukë si ç’flitet këtu në Shqipni, dhe për mjeshtërin qi i flet zemra të punojë nëpër orë pushimi ose të lanjë mangut gjumin e natës. Me fjalë të tjera të banjë nji sakrificë dhe nji sakrificë të madhe. Të rrijë pa dëfrime jete, të rrijë pa prehje e qetsi, të rrinjë ma në funt edhe pa gjumë, për të krijuë diçka të bukur dhe artistike.
Epoka e jonë materiale të tillë njerëz i quën të sëmundë. Dhe deri diku asht e drejtë. Mundimi i vazhdueshëm duhet të pjelli në funt frytin e shpërblimit. Pse me u mundue me mjellun në kopshtin e jetës pemë qi nxjerrin gjithmonë lule dhe nuk lidhin kurrë as ndonji kokërr të vogël?
Me gjithë këtë, në këtë Shqipnin tonë ka disa të pakët qi i ka kapun nji sëmundje e tillë. Dhe kur të kujtohet se këtu ke na, përveç satisfakcionit material ke mbrapa dhe urrejtjen e publikut për veprën qi i fale me kujdes e dhimbje shpirti, ahere gjendja e shkrimtarit shqiptar bahet sá mâ tepër tragjike. Drama e Ipsenit ”Armiku i Popullit” e shpreh mjaft bukur në këtë rast botën shqiptare kundrejt puntorit të Muzavet.
Dikur nëpër perioda t’errta të vendevet tjera gjindesh ndonji Mecen a Richelieu, të cilët i murën puntorët e pendës ndën mprojtje. Dhe vetëm për këtë mprojtje këta bamirës e lidhën vehten e tyne me historín e literaturës romake e frange. Këtu tek ne ngjanë e kundërta. Mprojtja mâ e madhe qi munt t’i bahet nji shkrimtari asht ta çojnë mësuës asè sekretar në ndonji zyrë të vogël. Nga nji herë ngjanë qi e qisin jasht fare dhe nga kjo punë e thjeshtë dhe e lanë pa bukë në të katër rrugët.
Po a munt të lulëzojë në këtë mënyrë literatura shqiptare? Sigurisht jo. Ndër të tilla kushte puna e letrave asht nji heroizëm, nji idealizëm pa kufi. Dhe derisá në kohën e soçme idealizma quhet nji marrëzi, duhet ta këtë dhe shkrimtari fatkeq vendin në çmendinën e Vlonës.
Me gjithë këto sá u tha sipër, un prap përmblodha nji volum të vogël të vjershavet të mija dhe ja paraqit publikut shqiptar.
Nji punë e pakët, por e kujdesëshme, qi besoj se do t’i vlejë mjaft literaturës sonë të vorfën.
Elbasan, 14 Mars 1937

Etëhem Haxhiademi - Uliksi - Vepra e Plotë
Etëhem Haxhiademi – Uliksi – Vepra e Plotë

Etëhem Haxhiademi
Ulisi – Tragedi me pesë akte
Berlin, – 1924
Tiranë – 1931
Botue prej shtyp. Kristo P. Luarasi

Parathanëje e Ulisi-t

Si prishën Trojën, qytetin e pasun të Priamit trimat e Greqis – për të cilin derdhë gjak dhet vjet me rrjeshtë dhe patën ranë të vdek nga të dy anët atà mâ trimat – i hypën anijavet dhe, si fryni nji erë e mirë, udhëtuën me gas me shpresë se do të shihshin për së shpejti atdhén, ku gjithë secilin e priste gruja e fëmija e vet me mallë të math. Por prej zemërimit të perëndijvet vetëm pak nga atà sosën fatbardhë n’atdhe dhe të tjerët brodhën mjaft kohë nëpër tokë e det deri sá gjetën vendet e tyne.
Ai, qi kishte fituë mâ tepër mënin e perëndijvet dhe qi qe dënuë të shetiste kot e kot shumë vise të botës, qé trimi i Ithakës Ulisi, sepse ky kishte verbuë nji nga ciklopët, Polifemin, të birin e Neptunit dhe se shokët e tij kishin therë lopët e Diellit. Ulisi mbas shumë vitesh, me ndihmën e Minervës, sosi prap n’Ithakë dhe mbretnoi ashtù si mâ përpara. Mbas ca kohe ai shkoi në Thesproti për me i sjellë fli Minervës në nji tempël t’atjeshëm; kúr këtheu prapë n’Ithakë e shoqja, Penelopeja, me të birin, Telemakun, i kishin dalë përpara në buzë të detit, ku ndodhesh dhe kasollja e bariut besnik, Eumeut, për me e pritë, aty ku asht scena e tragedis sime.
Ulisi aty u takuë me Telegonin, djalin e vet qi e kishte me Circen, i cili kishte ikë prej vendit s’amës për me kërkuë tanë. Këtà, mbassi s’u njohtën dhe mbasi Ulisi e thërriti të birin kusár deti, u kapën dhe prandaj Telegoni e vret t’anë mbëshehtazi tyke e qelluë me shigjetën qi i dhuroi Penelopeja. Sipër kësàj shigjete Telegoni kishte ngjitë nji halë të madhe peshku me helm dhe ja pat falë e ama, Circja, për t’u mprojtë kundër anmiqvet.
Kjo asht prá landa e tragedis sime dhe besoj se vepra kà me u pëlqyë kënduësvet të ndershëm, mbasi asht e para tragedi e shkruëme në gjuhën shqipe dhe landa e marrme nga Mithologija greke, qi ka qenë nji thesár i math për poetët tragjikë të botës së qytetnuëme.
Berlin, 8 Mars 1924

Etëhem Haxhiademi - Akili - Vepra e Plotë
Etëhem Haxhiademi – Akili – Vepra e Plotë

Etëhem Haxhiademi
Akili – Tragjedi me pesë akte
Vjenë – 1926
Tiranë – 1931
Botue prej Shtyp. Kristo P. Luarasi

Parathanëje e Akili-t

Këndusëvet të ndershëm u siell përpara këtë rradhë prap nji tragedi, landa e të cilës âsht marrë po nga Mitologjia Greke. Mbasi Lufta e Trojës zgjati mâ shum se dhet vjet dhe Akili, prinjësi i Mirmidonëvet të Thesalis, i pat vra Priamit, Mbretit të Trojës, mâ të mirët djem qi pat, ky mendoj t’j’au marri gjakun fëmijvet të vet tyke vrà Akilin me pabesi dhe qëllimin e tij e sosi kështu:
Akili kishte ranë në dashni me Poliksenën, vashën mâ të vogël të Priamit, dhe i dërgoi fjalë atij për të martuë. Priami, për ta bâ punën të besuëshme, iu përgjegjë qi âsht gati me ja dhanë të bijën vetëm atëherë, nëqoftë se ai nuk lufton ma kundër Trojanvet dhe këthehet me ushtarët e vet për në Thesali. Akili e pranoi këtë kusht dhe kështu shkoi në tempël t’Apollonit bashkë me Poliksenën për me mbaruë ceremonin e martesës. Në tempël mbrenda ishte mbëshehë Paridi, shkaktari i asaj lufte dhe djali i dytë i Priamit, i cili qëlloi Akilin me nji shigjetë në themër të kambës mbas porosisë t’et, mbasi vetëm n’atë vend ishte Akili i vdekshëm.
Kështu pra, Akili vdiq dhe Priamit ju sos dëshira.
Këjo asht shkurtazi ngjarja e gjithë tragedis.
Vjenë 8 mars, 1926

Etëhem Haxhiademi - Aleksandri - Vepra e Plotë
Etëhem Haxhiademi – Aleksandri – Vepra e Plotë

Etëhem Haxhiademi
Aleksandri – Tragedi me pesë akte
Lushnjë – 1928
Tiranë – 1931
Botue prej Shtypshkronjës Kristo P. Luarasi

Parathanëje e Aleksandri-t

Këndonjësvet të ndershëm këtë radhë u paraqis tragjedin Aleksandri, subjeti i të cilës asht prej historis tonë kombëtare. Në këtë tragedi tregohet vdekja e tmerrshme e atit t’Aleksandrit të math, Filipit, mbretit të Macedonis, dhe hypja në fron e djalit të tij, Aleksandrit, i cili asht protàgonisti i tragedis sime. Rrjedhjen e kësaj tragjedije do ta kallxojmë me pak fjalë:
Filipi, mbassi pushtoi Greqin dhe rriti mbretnin e vet, u këthyë në Pellë dhe u martuë prap me Kleopatrën, nji vajzë bonjake nga nji famili jo fisnike, dhe kështu i vuni shemër gruës së parë, Olimpiadës, t’amës s’Aleksandrit.
Për dashunin e madhe qi kishte Filipi me Kleopatrën, bani dhe ungjin e saj, Atalin, Komandantin e ushtëris. Në krye të vitit qi u bashkuë Filipi me Kleopatrën, mbretnesha e dytë u ngjit me barrë dhe fallxhorët i parafolën mbretit se do të lindi djal. Në këtë kohë e sipër Olimpiada, e idhnuëme tepër nga burri i saj, pse i erdhi shemra në pallat, shkoi n’Epirë t’i mbushi mendjen mbretit t’atij vendi Aleksandrit, të cilin e kishte vlla, për me luftuë kundër Filipit. Mirpo Filipi u lith shpejt në miqsi me mbretin e Epirit tyke i dhanë bijën e vet për gruë. Kështu prá u caktuë dhe dita e dasmës në Egé (kryeqyteti i vjetër i Macedonis) mbë 336 para Krishtit. Mb’atë ditë qi do të bahesh dasma, mb’atë ditë ngjajti dhe vdekja e Filipit; sepse Olimpiada, mbasi ngeli pa ndihmën e të vllajt, zuni t’i mbushi mendjen djalit të saj, Aleksandrit për kundra t’et. Aleksandri herën e parë nuk i vuni vesh fare s’amës dhe u dëftyë si djál i bindun përpara t’et. Por ungji i Kleopatrës, Atali, qi kishte qëllim të gremiste Aleksandrin për t’u bâ mbret vetë mbas Filipit, fuste kalla gjithnji për Olimpladën e Aleksandrin ke mbreti. Mâ në funt Atali ja mbushi mendjen Filipit se Olimplada asht gruë e ligë qi ka pasë marrëdhanëje të ngushta qysh prej kohe me Pausanin, nji tregëtar nga Egeja, dhe Aleksandri asht biri i vërtetë i Pausanit. Ky lajm e tronditi mbretin aq tepër sa qi urdhënoi të vritet Olimpiada, Aleksandri e Pausani pa mëshirë.
Mb’anë tjetër mbassi Olimpiada dhe Aleksandri u lajmuën nga Pausani për këtë gjâ, natyrisht zunë dhe atà të marrin masat kundër anmiqvet të tyne dhe prandaj ditën e dasmës, n’atë ditë qi do të martohesh vajza e Filipit me mbretin e Epirit ngjanë vrasjet Tragike të Filipit, Atalit, Kleopatrës dhe Pausanit.
Në marrëveshtje me Olimpladën, Pausani shkon dhe vret n’oborrin e pallatit Filipin; atỳ afër gjindet Atali, qi turret mbi Pausanin dhe e vret, por dhe Atalin e vrasin mrapa dy nga besnikët e Aleksandrit, qi ishin vue apostafat për me vra Atalin.Tyke britun me zemër të këputun vjen Kleopatra dhe lajmëron për këto tri vrasje të tmerrshme Aleksandrin dhe Olimpladën. Por Olimpiada nuk asht ngopun as pak nga këtò vrasje, por i ngul dhe shemrës Kleopatrës, thikën në krahanuër, e cila vdes me fëmijën në bark. Aleksandri si e qerton herën e parë t’amën për veprën e ligë, e shpall vehten mbret të Macedonis.
Kjo âsht landa e kësaj tragjedije.
Lushnje, 1 Shtatuer 1928

Etëhem Haxhiademi - Diomedi - Vepra e Plotë
Etëhem Haxhiademi – Diomedi – Vepra e Plotë

Etëhem Haxhiademi
Diomedi – Tragedi me pesë akte
Tiranë – 1931
Botue prej shtyp. Kristo P. Luarasi

Parathanëje e Diomedi-t

Këtë rradhë këndonjësvet të ndershëm u parashtroj nji tragjedi qi vërtet subjekti i saj asht marrë nga mithologjija greke, por në te kanë pjesë dhe persona legendarë të Iliris së vjetër.
Tyke qenë prá, se këtë përpjekje të herojvet trojanë me atá të Iliris nuk po e banj un, por asht nji fakt mithologjik dhe mb’anë tjetër tyke marrë parasysh se na shqiptarët jemi pasardhësit e Ilirijanvet, më pëlqeu të hartoj nji tragedi të re origjinale me trazim të personavet legendarë t’Iliris me të trimavet të Trojës, të cilët kanë qenë gjithmonë brumë i pambaruëm për poetët e mëdhenj të botës.
Ja edhè shkurtimi i landës së tragjedis:
Dauni, mbreti i Iliris, mbas disa kohësh prej nji kryengritje të shkaktuëme nga vendësit, iku prej andej dhe erdhi n’Itali bashkë me disa besnikë qi pat. N’Itali ngrefi qytetin e Daunis, Kanuzës etj. dhe formoi prap nji shtet mbë vehte.
Ma vonë, si u prish Troja, erdhi në mbretnin e Daunit dhe Diomedi bashkë me vllan me nanë tjetër Alainin. Në nji luftë qi i çelën Daunit Mesapët, të cilët qenë nji komb fqinjë, Diomedi i ndihmoi me armë e ushtri Daunit kaq tepër, sá i theu pothuë krejt kundërshtarët e tij. Nga kjo sjellje e fisëshme Dauni i gëzuëm i flet Diomedit për gruë bijën e vet Evipen. Mirëpo Evipeja mbshehtazi ka dashuni me Alainin, vllan e Diomedit. Këta të dy, qi të këthejnë mendimin e Daunit, i thonë këtij sé Diomedi don ta rrëxojë qysh me gjallje nga froni.
Ndonse herën e parë Dauni nuk u besoi këtyneve, por mâ vonë e sullën rastet qi t’u zanjë besë.
Ahere Dauni jo vetëm qi ndërron mendimin t’i api Diomedit të bijën për gruë, por nga zemërimi e shpall se kush të vrasi Diomedin ka për t’i fituë Evipen. Alaini nuk vonon fare, por shkon e gjenë në gjumë të vllan dhe e vret. Pastaj vjen e i kërkon Daunit të bijën si mbas fjalës së dhanme. Dauni tyke e quëjtun vrasësin e të vllait, kundrështon ta banjë dhandër dhe e përzê.
Kjo asht landa e kësaj tragjedije.
Gjirokastër, 1 Janar 1936

Etëhem Haxhiademi - Pirrua - Vepra e Plotë
Etëhem Haxhiademi – Pirrua – Vepra e Plotë

Etëhem Haxhiademi
Pirrua – Tragedi me pesë Akte
Gjinokastër – 1934
Shtëpija Botonjëse Luarasi
Tiranë 1934

Parathanëje Pirro-s

Këndonjësve të ndershëm këtë rradhë u parashtroj prap një tragedi, subjekti i të cilës asht po prej historisë sonë kombëtare.
Në këtë pjesë zhvillohet vrasja e Neoptolemit prej Pirros, të dy mbretën t’Epirit qi kanë ndejtun së bashku në nji fron, dhe pushtimi i gjithë selisë mbretnore nga ana e këtij të fundit.
Ngjarjen e kësaj tragjedie do ta kallxojnë me pak fjalë:
Në nji kohë qi n’Epir këta dy mbretën sundojshin sëbashku, Geloni qi ishte njeriu i Neoptolemit mendoi ta vrasi Pirron me pabesi dhe Neoptolemi ta gëzojë gjithë fronin e shtetit.
Ngjarjes i dha shkak mà tepër dhe Kadmeja, e motra e Neoptolemit, e cila mbasi i çfaqi Pirros dashuni dhe ky e refuzoi, kjo për ahmarrje shkoi e i tha të vllait Neoptolemit qi Pirrua kërkonte me e turpnuë. Fjalët e saj i vërtetoi dhe Genoni e kështu të dy këta, për të çue në vend nderin e princeshës Kadme, vendosën ta vrasin Pirron me pabesi tyke përdorun si vegël Mirtilin, nji njeri të Pirros, i cili ishte i pakënaqshën prej tij.
Në nji kohë qi Mirtili ankohesh kundra Pirros, se nuk e kishte shpërblyë si duhesh, Geloni i propozoi këtij të vrasi Pirron dhe të vinjë në partin e Neoptolemit, i cili kishte me i dhanë dhurata të mëdha. Mirtili herën e parë nuk ndëgjoi, por mbasndaj bani sikur e pranoi propozimin e tyne dhe mbanë tjetër shkoi e kallxoi Pirros qëllimin e Neoptolemit e të Gelonit.
Atëhere Pirrua i thërriti armiqt e vet për darkë, mbasi në ditën e nesërme do të bahesh betimi i zakonshëm në Pasaron, dhe porositi Mirtilin qi kur të vijnë ata t’i vrasin natën të dy bashkë me Aleksikratin, nji tjetër njeri të tij.
Kështu qëllimi i Pirros u sos. Porsa erdhën Neopltolemi u vra nga Mirtili dhe Geloni na Aleksikrati e Kadmeja helmoi vehten.
Pirrua mbeti atëhere mbreti i krejt Epirit.
Gjinokastër, 18 Mars 1934

Etëhem Haxhiademi
Skëndërbeu – Tragedi me pesë akte
Tiranë 1935
Shtëpija Botonjëse “Kristo Luarasi”

Etëhem Haxhiademi -Skenderbeu - Vepra e Plotë
Etëhem Haxhiademi -Skenderbeu – Vepra e Plotë

Parathanëje e Skëndërbeu-t

Këtë rradhë këndonjësvet të ndershëm u parashtroj nji tragedi tjetër, subjekti i të cilës asht heroi i ynë kombëtar Skënderbeu, themë e marrun prej historisë sonë ma të këthjellët.
Në tragjedit e mija të maparëshme ma tepër më ka tërhekun landa në vetëvehte se sa themat kombëtare. Me “Ulisin” e “Akilin” kam dashun të thur dy tragedi me dy kryetrimat e epopevet homerike Odyssen e Iliada. Me Aleksandrin e Pirron dy tragedi qi të kenë për protagonista dy kreshnikë të historis sonë përpara Krishtit, ndërsa për ta dyshohet vërtetësija Shqiptare. Këtë herë, tyke e ditun se popullit tonë i pëlqejnë themat kombëtare, paraqis tragjedin “Skënderbeu” me protagonist heron tonë kombëtar.
Landën e kësaj tragjedije do ta kallxojmë me pak fjalë:
Ahere kur Truqit kishin pushtuë gjithë siujdhesën e Ballkanit dhe i kërcnohesh rrezik i math Shqipnis dhe kur gjithë shpresat e Europës së Krishtene ishin varun vetëm ke Shqipnija e ke krahu i Skënderbeut kundrejt rrezikut të Turqvet, Moisiu, kushërini i Skënderbeut dhe gjenerali ma i mirë i tij, trathtoi atdheun e vet dhe iku në prehnin e Sulltanit.
Shkaqet e trathtisë së Moisiut simbas dokumentavet historike ishin këto: nakari kundrejt Skënderbeut për famën qi fitonte për ditë, lakmija për t’u ba mbreti i Shqipnis dhe kallximet qi i fuste për ditë e shoqja Zanfina, mbasi kjo e urrente Skënderbeun për shkak se ky e ndau prej burrit të parë Karol Muzakë Topis për t’i dhanë motrën për gruë Mamicën. Këto shkaqe pra, e shtynë ma në funt Moisiun jo vetëm të trathtojë atdheun e vet, por të vinjë ma vonë dhe si komandant i ushtris turke për të luftuë me Skënderbeun.
Në luftën qi u ba afër Dibrës së Poshtme, ushtrija turke u thyë e u prish. Moisiu, mbassi kishte frikë të shkonte prap në Turqi dhe i munduëm prej vetëdijes u këthyë përsëri në Shqipni dhe i ra ndër kambë Skënderbeut për t’i falë fajin e madh qi bani. Çdo tjetër mbret kundrejt nji trathtije të tillë do ta dëmtonte pa mëshirë Moisiun, por Skënderbeu tepër shpirtmath u mallëngjyë prej tij dhe e ngriti me durët e veta e e puthi në ballë tyke ja dhanë prap gradën qi pat ma përpara.
Ndërsa Moisiu luftonte kundër Skënderbeut, Zanfina e shoqja e tij, përpiqesh gjithnji me intriga qi t’i mbushi mendjen dhe Hamzait për ta trathtuë t’ungjin: Skënderbeun.
Zanfina u përpoq pa pushuë për të ja arrimun qëllimit, por vetëm se kur iu mbush mendja Hamzait për të trathtuë t’ungjin, burri i Zanfinës, Moisiu u këthye nga Turqija dhe erdhi e i ra ndër kambë Skënderbeut. Pra Moisiu u penduë dhe Hamzai e filloi trathtin.
Nga ky dëshprim ahere Zanfina marrohet dhe therë vehten me thikë.
Kjo asht me pak fjalë landa e kësaj tragjedije.
Gjinokastër, 1 Maj 1935

Etëhem Haxhiademi - Abeli - Vepra e Plotë
Etëhem Haxhiademi – Abeli – Vepra e Plotë

Etëhem Haxhiademi
Abeli – Tragjedi me pesë akte
Elbasan – 1938
Shtyp në Shtypshkronjën “Dielli” Tiranë

Parathanëje e Abeli-t

Dhiata e vjetër në kaptinën e katëret të librit të parë të Moisiut flet për djemt’ e Adamit në këtë mënyrë:
“Edhe Adami njohti gruën e vet Evën, edhe ajo u ngjit me barrë edhe lindi Kainin dhe tha: un fitova nji mashkull me Zotin. Edhe ajo vazhdoi në këtë mënyrë dhe lindi Abelin, vëllan’e tij. Dhe Abeli u ba bari: Kaini mb’anë tjetër bujk.
Por ndodhi qi mbas zakonit të asaj kohe Kaini i solli fli Zotit prej pemëvet t’arrës:
Dhe Abeli i solli prej qingjavet të tufës së vet dhe prej bulmetit të tyne. Dhe Zoti pa mà me sy të mirë Abelin dhe flin’e tij:
Por Kainin dhe flin e tij nuk e pa me sy të mirë. Nga kjo Kaini u zemëruë tepër dhe vranoi fëtyrën. Nga kjo Zoti i foli Kainit: ‘Pse zemërohe ti? Dhe pse e vranove fëtyrën?
Nuk asht kështu? Nëqoftse je i besuëshëm, je i dashun; nëqoftse nuk je i besuëshëm, faji qëndron përpara derës dhe ka dëshirë për ty: por ti sundo mbi te.
Pastaj Kaini i foli vëllait të vet Abelit. Dhe kur qëlloi qi u gjindën n’arë, u ngrit Kaini kundër vëllait të vet Abelit dhe e vrau.
Pastaj zoti i foli Kainit: ku asht yt vlla Abeli? Ai foli: nuk e di; un duhet të jem’ kujdestari i tim vllai?
Por ai foli: çfarë bane ti? Zani i gjakut të t’yt vllai më thërret muë nga dheu. Dhe qofsh mallkuëm mbi tokë, qi hape gojën për të pi gjakun e t’yt vllai dhe e prite këtë gjak me duërt e tueja!
Kur të mbjellësh arën mos të sjellt’ kurr prodhim. Pa vend e trevë bredhsh ti mbi gjithë botën…
Ja kjo asht landa e përkthyëme fjalë për fjalë nga Bibla dhe te këto rradhë të pakta u zhvilluë kjo tragedi.
Me këtë pjesë, në të cilën lujnë njerzit ma të parë të Botës, desha të ngas nji plagë shoqnore. Dashnija vllaznore nuk rrjeth nga afërimi i gjakut, sikundër besojnë të gjithë, por mbas pikëpamjes sime nga edukata e prindërvet.
Vllaznit e motrat duhet përgjithënisht midis të tyne jo vetëm pse janë rritun tok qysh në vogëlni, por pse janë edukuë prej prindërvet qi të duhen dhe t’i ndihmojnë njani tjetrit.
Vetë prej prindërvet janë shikuë po me nji sy simpathije. Nëqoftse prindët kanë dashun nji fëmije ma tepër se tjetrin, kanë krijuë mbrenda në familje krymbin e zilis’ e të nakarit, vese këto qi kur janë rritun tepër, kanë shkaktuë shkatrrimin e asaj familje.
Nji shembëll të tillë desha t’a gjenj dhe në rradhët e sipërme të Shkronjës së Shenjtë.
Kjo më shtyni pra qi t’i marr këto rradhë si subjekt për të hartuë këtë tragedi.
Elbasan, 25 Maj 1938

Etëhem Haxhiademi - Bukoliket - Vepra e Plotë
Etëhem Haxhiademi – Bukoliket – Vepra e Plotë

P. Vergil Maroni – Bukoliket
Përkthye nga latinishtja prej – Etëhem Haxhiademit
Elbasan, 1922
Tiranë 1932
Botuar prej shtyp, Kristo P. Luarasi

Njofni mbi jetën e veprat e Vergilit

P. Vergil Maroni leu mbë 15 Tetuer të vitit 70 para Krishtit (684 a. u. c.) n’Andë, në nji fshat pranë Mantuas, ku i ati pat nji pronë të vetën. T’amën ja quejshin Magia Polla. Së parit i ati e dërgoi djalin për me marrë mësimet e para në Kremonë dhe mâ pastaj në Mediolanum. Në vitin 53, Vergili erdhi në Romë. Këtù iu dha tepër studimit tyke marrë mësime nga shumë dijetárë t’asaj kohe, midis të cilëvet na munt të përmendim dhe oratorin Epid e filosofin epikurik Sironin, ndër të cilët i mrapmi i mësoi atij jo vetëm filosofi, por edhè fizikë. Mbasi mbaroi mësimet, Vergili u këthy në fshat të tij prap dhe atje u muer me dituni e me poezi. Në këtë kohë e sipër, në vitin 41 ngjau dhe e përndamja e tokëvet nëpër veteranët, të cilëvet iu pat folun me kohë. Shumë qytete t’Italisë, që patën marrë pjesë me Brutin e me Kasin kundër Trivazvirëvet, qenë përndamë nëpër ushtarët bashkë me gjithë rrethet e tyne, kështù dhe Kremona. Mirpo, mbasi tokët e ktij qyteti nuk qenë të mjafta për të gjithë ushtarët, hynë në rrymë edhè vendet që ishin për rreth si Mantua. Prá erth puna që dhe atit të Vergjilit iu pushtuën tokët nga ushtarët dhe u dëbuë prej vendit të vet. Por vjerrshtori me anën e miqvet Asin Pollionit dhe të Korrnel Gallit, mikut të rinis, i muer tokët përsëri, mbassi shkoi në Romë dhe iu lut Oktavianit për ‘to, të cilit me kohë i kishin tërhekë vemendjen vjerrshat e ‘tij. Mbas pak kohe Vergili i humbi prap pronet e veta, sepse Alfeu Vari, si u emnue legáti i Oktavianit në vend të Asin Pollionit, mbas luftës së Perugis (41-40 p. K.) u përndanë tokët veteranëvet prap. Vergili që këtë rradhë pa rrezikun e jetës sheshit, u nis prap për Romë dhe mundi t’i fitojë rishtas pronet e veta me anën e C. Ciln Mecenatit, i cili qé tepër i afruë ke Oktaviani për talentin e tij poetik që kishte.
Mâ tutje dijmë mbi jetën e vjershtorit se ai vjetët e fundit i çoi në Kampani e ma tepër në Napoli tyke ndejtë në vetëmni dhe herë herë vizitonte kryeqytetin, ku afér qipshtevet të Mecenatit, në mons. Esquilinius, ndërtoi nji shtëpi. Mbë 19 p. K. (735 a. u. c.) u nis për Greqi, për me i dhanë atje e n’Asi të Vogël Eneadës, veprës së madhe të tij, dorën e fundit. Mirpo n’Athinë u sëmuë keq dhe, kur e takoi Augusti ne këtë qytet tyke u kthyë nga Orienti, e mori me vehte për m’u kthyë n’Itali. I dobsumun keq prej udhës u sëmuë randë në Brundisium dhe vdiq po aty mbë 21 Shtatuër 19 p. K. Trupin e tij pastaj e çuen dhe e vorruen në Napoli.
Donati, ne biografin që ka shkruë për Vergjilin, thotë se vjerrshtori ka qenë me nji trup të dobët, me vetija të mira, “anima candida” zemërbardhë.
Vergjili fitoi përgjithënisht nji lavd të math edhè me gjallje kudo, por në shekujt e mâvonshëm lavdì iu shtuë edhè mâ tepër. Ai u kënduë nëpër shkollat dhe u çëmuë si model i vjerrshëtorëvet epikë të Romës; me kohë u gjetën dijetarë kommentatorë (M. Valer Ptobi, Maur Serv Honorati dhe të tjerë); nëpër bisedime silleshin pjesa të Vergilit përpara, porsi ke Grekët atô të Homerit; dhe në kohna mâ të vona Vergjili njihesh si nji çudi e madhe e deri në kohën e mesme.
Vergilin e kanë pasë si model edhè vjerrshtorë të mëdhenj të kombevet të huej. Vjerrshtori i math i Italis, Dante Alighieri (1265-1321) e nderôn Vergilin si mësuesin e tij në veprën e pavdekshme “Divina commedia”. Ludovico Ariosti (1474-1533) në “Orlando furioso” ashtu edhè Torquato Tassi (1544-1595) në “Gerusalemme liberata” janë influensuë shumë prej vjerrshëtorit; po kështû edhè portogallezi Luis de Cambes (1525-1579) në veprën e tij epike “Os Lusiades”.
Veprat, me të cilat Vergili fitoi lavdin e madhe vjershtorie janë: Bukolikët, Gjeorgjikët dhe Eneada. Përveç këtyne janë edhè 14 vjersha të vogla të mbështjellmé ndër “Katalepton” (vjersha të vogla), që përmbajnë emnin e tij, ndër të cilat thohet se vetëm disà janë me të vërtetë të vjershtorit dhe duhen të jenë shkrué nji palë kur ishte në Romë, dhe të tjerat kúr u kthyë prej Rome n’Andë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.