back to top
20.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024

Ernest Koliqi për letërsinë e Camajt, me rastin e botimit të “Djellës”

Gazeta

Martin Camaj & Ernest Koliqi
Martin Camaj & Ernest Koliqi
Ernest Koliqi
për letërsinë e Camajt me rastin e botimit të “Djellës”

Nji zhdërvjellti má e madhe shifet në ndërtim të vargut dhe nji përkim ma i përpikët ndërmjet të theksuemit rythmik dhe përmbajtjes. Hove hove shprehja poetike qi lëshohet gzueshëm e përmallshëm në nji rrymbë të gjânë e të ndêjshme e cila ta ledhaton veshin e derdhet âmbël në shpirt, befas ngurron, si e turitun, thehet e acarohet tue jehue me gjasërame të vrashta. Janë synkopet e artit modern. Camaj ndërmjet veprës së parë e të dytë, ka lexue shum në gjuhë të hueja dhe ka diktue nji afërsi të ndieshmenis (sensibilitet) së vetes me auktore të pararojës letrare të Prendimit. Ka përvetësue mjetet mjeshtrore të tyne për me hollue artin e vet. Edhe âsht për t’u mrekullue s’pari dhe mandej për t’u gzue, tue pasun parasysh pasunimin motivesh e trajtash të letërsisë sonë, për mënyrën se si ky pinjuell malesh, sigurisht i pari i sojit të tij qi xên me shkrue e me këndue, din të harmonizojë në shkrime primitivitetin ruejtë në plotsinë ma të plléshme me nji zotnim të mjeteve mâ të rafinueme t’artit letrar modern. Ky harmonizim i rrallë âsht nota dalluese e disa shkrimtarve të rinj të Kosovës e të Shqipnisë së vjetër. N’asnjanin, veç, prej tyne nuk tingullon ende në mënyrë aqë të spikatun si ke Camaj, i cili qyshë tash mund të njehet përtrisi i nji rrymbe së ré në letrat shqiptare, rrymbe e shqueme prej nji çveshjeje nga çdo zbunim retorik e për nji prirje me zbulue në vetvete e në tjerë vetit mâ të strukuna në skuta të vetëdijes dhe n’errsitë e mystershëme të nënvetëdijes.

Koliqi - Camaj - Maloki
Koliqi – Camaj – Maloki

Por të vijmë ke vepra qi kam nderin me ua parashtrue lexuesave të njerzishëm, ke “Djella”.
Romanx apo dituer poetik? Çanësimet e veprave vërtè origjinale janë përherë të vishtira. Auktori, pa u kujdesue për gjinitë letrare dhe tue lânë mbas dore mësimet e marruna në shkollë, e derdh landën në nji kallëp sui generis. Kjo tregon se, i rrëmbyem prej diçkahit të përmbrêndëshëm qi don të shpërthejë jashtë, kalon sipër modeleve të zakonshme edhe i shtjellon mendimet e ndiesitë në trajtën mâ t’udobët dhe të vetvetishme. Nuk lodhë menden për teknikë tregimtare. Argumenti i vlon në shpirt dhe lirohet prej tij tue përdorë herë prozën herë vargun. Natyrisht edhe proza, shpesh, ndjehet se âsht mbarsue me poezi. Por, tue e shqyrtue imët tekstin, vrehet se në prozë ai paraqet përshkrimet veriste me nji çiltëri guximtare dhe shfaqë mbresa e gjykime të mprehta dhe heraherë të përshkueme nga nji dell pesimizmi, mandej në vjershë ep nji synthezë lyrike, ku shfren e fisnikohet idhnija e zêmrës së turbullueme. Vargjet janë si ushtima e âmbëlsueme e ngjarjeve disi të zymta qi përbâjnë t’endëmen e tregimit.

Marrë nga muri i FB i Artan Kafexhiu

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.