back to top
22.5 C
Tirana
E diel, 12 Maj, 2024

“Engjëlli i vdekjes”! – Hodo Lleshi, i mbijetuari i kampit nazist – vdiq në burgun komunist – nga Nebil Çika

Gazeta

Burgu i diktaturës...
Burgu i diktaturës…

“Engjëlli i vdekjes”! – Hodo Lleshi,

i mbijetuari i kampit nazist – vdiq në burgun komunist

nga Nebil Çika

Një nga pjesëtarët e “grupit armiqësor” të babait, ishte edhe Hodo Lleshi, nga Borshi.
Ishte 23 vjeç kur e arrestuan, punonte në policinë e Sarandës, në prapavijë – sektori ekonomik.
Vinte nga një familje modeste ekonomikisht, por kjo nuk e pengoi t’i kundërvihej diktaturës komuniste.
Me moshën 16 vjeç u internua në Gjermani nga nazistët dhe mbijetoi…
U kthye në Shqipëri më 1945.
Por ndërsa i mbijetoi kampit nazist, nuk i shpëtoi dot burgut të komunistëve shqiptarë, nga i cili nuk doli dot i gjallë!!
Im atë, e donte dhe e vlerësonte shumë. Ishte djalë me karakter të fortë dhe i papërkulur. Si në hetuesi edhe në burg kishte mbajtur një qëndrim shumë burrëror.
Ka shkruar edhe një poezi për të.
I kishte ngelë pikë në zemër që Hodua nuk doli dot i gjallë nga burgu, mbasi e zuri shkëmbi në një galeri të minierës që u shemb në Burgun e Bulqizës.
E kujtonte vazhdimisht ndarjen, takimin e fundit me të…
Nga kampi i punës në aeroportin e Kuçovës, një pjesë e të burgosurve u transferuan në burgun e Bulqizës, që sapo ishte hapur.
Në mëngjesin e asaj dite, kur priteshin të lexonin emrat e të burgosurve që do të transferoheshin në Bulqizë, Hodua i thotë tim ati: “Po më doli emri, nuk do të dal i gjallë nga ai burg! E kam parë mbrëmë në ëndërr!”
Për fat të keq të tij e transferuan në Bulqizë. Kjo dhe ëndrra që kishte parë e bënë ndarjen e tyre edhe më shumë të dhimbshme.
-Takohemi për herë të fundit! – i kishte thënë babait. Megjithëse u mundova ta qetësoj, ishte i bindur se atje do të gjente vdekjen – tregonte im atë, dhe sa herë e kujtonte prekej shumë…
Dhe kështu ndodhi realisht!
Pas disa muajsh në burgun ku ishte im atë i erdhi lajmi nga të burgosur të tjerë që vinin nga burgu i Bulqizës se Hodua kishte ndërruar jetë, e kishte zënë poshtë shkëmbi në galeri ku kryenin punë të detyruar!!
Shokët e burgut qe kishin varrosur thanë se i kishin vënë në varr një shishe qelqi, me të dhënat personale që nëse dikur do të bëhej e munduar kthimi i eshtrave në familje, mund ta identifikonin, se siç dihet trupat e të burgosurve politikë të vdekur në burgje nuk u jepeshin familjeve!
Nga i gjithë “grupi armiqësor” i babait vetëm Hodo Lleshi nuk doli i gjallë nga burgu.
Siç thashë babai e kishte pikë në zemër.
Përlotej sa herë takonte familjarët e tij, e sidomos të motrën, Nafizenë me të cilën mund të fliste për të.
Nuk është se familja e tij pati ndonjë përndjekje politike të dukshme, pasi antikomunizmin e kishte ideal personal dhe jo familjar, por kur vinte rasti dhe donin t’iu prishnin punë, ia përmendin faktin që një pjesëtar i familjes se tyre “kishte vdekur në burg për tradhti ndaj atdheut!!”.
Ka një mbesë, vajzën e motrës, Lida Guhaçi, që ishte shumë e talentuar e mund të kishte bërë karrierë të madhe si këngëtare. Konkuroi në festivalin e 16 të këngës në Radio-Televizion dhe u përzgjodh të merrte pjesë në të. Por s’e lanë, pasi partia dhe pushteti në Borsh, njoftuan drejtuesit e RTSH-së që “daja i sajë kishte vdekur në burg i dënuar për tradhti ndaj atdheut…!”
Nga tregimet e babait për shokët e burgut më ka tërhequr gjithnjë vëmendjen Hodua për të cilin ai fliste me aq dhembshuri, sikur ta kishte vëlla, por edhe për faktin që pa në ëndërr me saktësi se çfarë do t’i ndodhte!
“I foli engjëlli i vdekjes, Xhebraili, në vesh!” – thoshte gjithmonë im atë.
I kishte ngelë në mendje takimi i fundit me të, ndoshta edhe për shkakun se ishte i vetmi që ia tregoi atë ëndërr profetike.
Hodo Lleshi është një nga mijëra personat e zhdukur nga komunizmi, pa një varr. Për shkak politikave, afateve të vëna nga qeveria nuk ka përfituar as statusin zyrtar të burgosurit politik.

Nga libri në proces i Nebil Çikës: “Biri i Armikut!”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.