back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

10 vjet pa Nik Pavacin… – nga Fritz Radovani

Gazeta

Nik Pavaci (1934-2012)
Nik Pavaci (1934-2012)

10 vjet pa Nik Pavacin…

nga Fritz Radovani

Në vitin 2012, mora lajmin e vdekjes së antikomunistit nderuem të Shkodrës Nik Pavacit, ish Kryetarit të Shoqatës së të Përndjekunve dhe të Persekutuemëve Politikë të Shkodrës.
E njofta shumë të ri, nga lidhja shoqnore me vllajn e Tij, Gjovalinin, kur ishim në bankat e shkollës pedagogjike në Shkodër, dhe jo larg me shtëpija njeni me tjetrin.
Të dy palët ishim shirokas të ramë në Shkodër. Në vitin 1956, na e kishim marrë maturën kur ngjau ngjarja ma e madhe mbas Luftës së Dytë Botnore në njenën nga republikat e nderueme të kampit të Lindjes komuniste, të okupueme nga BRSS, në Hungarinë Europjane, ngjarja që zgjoi nga zgjedha stalinjane komuniste “të gjitha demokracitë popullore”: Revolucioni i Hungarisë. Gazetat zyrtare shqiptare në faqet e para lajmonin “Kundër revolucionin…” dhe mbas pak ditësh Hrushovin e zemruem tue rrahë grushtat në podin e sallës së Kremlinit, dhe shumë shpejt mbas Fitores pakditore të Popullit Hungarez në Budapestin e Lirë, u veniten shpresat nga tanket sovjetike që rroposën Lirinë nën zinxhirët e tyne. Imbre Nagi u tradhëtue nga ambasada e revizionistit Tito, i rilidhun me KGB e Hrushovit… Amerika nuk u ekspozue në skenën hungareze tue lanë në “fuqi” Marrveshjen e Jaltës. Hungarezët shpejt rifilluen robninë sovjetike, gjykatat ushtarake e interrnimet në Siberi. Nuk shkon shumë kohë dhe dëgjohet se në Tiranë, Nik Pavaci dhe studentët e Liceut Artistik Ndrekë Bazhdari dhe Karlo Çefa, të tre nga Shkodra, janë arrestue me një akuzë si “armiq të Popullit”.
Nuk mund të percaktoj data për mungesë dokumentacioni, por Nana ime më tregoi një ditë se Roza Pavaci, Nana e Nikës, i kishte tregue se ia kanë dënue djalin për politikë dhe se Nika, ishte në spitalin e burgut në Tiranë. Për arsye të shndetit, e kishin “privilegjue” dhe e kishin çue një ditë në burgun e Burrelit. Ndreka dhe Karlo u dërguen ndër kampe pune dhe shfarosje, ku qëndrimi i tyne ishte shembullor.
Ky grup të rijsh nga Shkodra, i tradhëtuem, ishte arrestue dhe dënue se të tre kanë mendue se edhe Shqipnia një ditë duhet me ndjekë rrugën e Hungarisë, tue kërkue kjoftë edhe me sakrficën e jetës së Tyne, “Lirinë dhe Drejtësinë”, të dyja të përdhosuna nga regjimi diktatorial e terrorist i Enver Hoxhës… Grupi u quejt “kundërrevolucionar”, prandej edhe dënimet ishin të randa dhe me pasoja edhe mbas lirimit të tyne nga burgu.
Kujtoj që për Nikën më kanë tregue tre vetë se “shpëtimi i Tij nga vdekja kur Ai ishte në Burgun e Burrelit, asht konsiderue një “mrekulli nga Zoti”, mbasi lanja e Nikës në kohë dimni gjatë hetuesisë në një dhomë i zhytun deri në bel në ujë të pistë dhe pa asnjë ushqim përveç bukës së thatë, i kanë shpartallue mushknitë me një proces tbc…” për të cilin dr. Ali Spahija, bashkvuejtës, “nuk kishte asnjë shpresë jete”, ndërsa Lin Martini, më shpjegonte që “Nika kishte mbrrijtë edhe mos me njoh as shokët e dhomës… kur pranë Tij rrinte me orë edhe pa gjumë tue lutë Zotin për shpëtimin e jetës, At Pjetër Mëshkalla.”

Protesta ne Shkoder
Protesta ne Shkoder

Këta tre djelm, bashkë me familjet e të afërmit, edhe mbas lirimit nga burgjet, u përfshinë gjithë jetën në “luftën e kllasave”… mbetën puntorë për “kafshatën e gojës”.
Asnjëherë nuk kam dëgjua nga asnjëni emnin e denoncuesit të grupit! Kur pata pyetë Nikën një natë tue shkue në shtëpi për një njeri që “dyshojshe” mos i ka tregue ai, Nika më preu fjalën dhe më tha: “Fritz, unë e kam falë, mbasi atë e ka torturue me dorën e vet Hilmi Seiti në mënyrën ma shtazore… por edhe si katolik ai më ka kërkue të falun, thellësisht i penduem për vuejtjet që më ka shkaktue. Nuk due me zanë në gojë emnin e tij, prandej të lutem asnjëherë mos e thuej se tashti na janë rritë edhe fëmija…”.
Një ndër modelet qytetare e fetare të qytetarit Shkodrës ishte edhe Nika!
U zgjodh Kryetar i Shoqatës së të Persekutuemëve në Shkodër… Dy figura që kanë pasue njeni-tjetrin Ernest Perdoda dhe Nik Pavaci… të dy të smurë përjetsisht nga burgjet… Një ditë herët në mëngjes, sambistët e sigurimit komunist i nxjerrin nga një Grevë që Shoqata organizoi në Shkodër, dhe për disa ditë Nikës dhe Ernestit i kanë vazhdue në trup shenjat e shkopijëve nga rrahja mizore prej kriminelave të sigurimit shtetit.
Po a u tërhoqen ata burra nga Lufta për Liri, Demokraci dhe Drejtësi?
Jam i sigurt se edhe ndër varreza Ata nuk janë të qetë për si e lanë Shqipninë!
Për këtë jam shumë i sigurt!
Besoj, Shkodranët nuk e harrojnë Nik Pavacin, kur po zhvillohej fushata e vitit 1996, për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, në kinema Republika.., dhe mbas meje mori fjalën Nika… Sa filloi me folë për rolin e së Djathtës së Bashkueme Shkodrane, na u fikën dritat, dhe gjithë salla ushtoi: uuuuuuu. Nika çoi zanin dhe tha: “E dijshe se do të ngjasin kjo punë, prandej ju lutem mos u mërzitni dy minuta!” dhe nxorri nga xhepi dy qira dhe shkrepsen e vazhdoi fjalën e Tij. E njëkohësisht vazhdonin duertrokitjet!
Ata dy qira sot vazhdojnë me kenë të pashuem ashtu si nuk do të harrohet kurrë nga Shkodra dhe Shqiptarët dashunia e sakrifica e Tij për Liri, Demokraci dhe Drejtësi.
Kujtimi i i Nik Pavacit asht i përhershëm!
Melbourne, 12 Dhjetor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.