Elbasani – (sipas kronikanit osman Evlija Çelebiu)

0
13
Kronikani Evlija Celebi (1611-1682)
Kronikani Evlija Celebi (1611-1682)
Kronikani Evlija Celebi (1611-1682)
Kronikani Evlija Celebi (1611-1682)

Elbasani

(sipas kronikanit osman Evlija Çelebiu)

Në nëntor të vitit 1670, kronikani osman Evlija Çelebiu mbërriti në Elbasan pasi kishte përshkuar krahinat e Shqipërisë Jugore e kishte vizituar Gjirokastrën, Vlorën, Beratin, Durrësin dhe Kavajën. Por përshkrimi që ky udhëtar i huaj i bën qytetit të Elbasanit është pa dyshim pika kulmore e shënimeve të tij gjatë udhëtimit nëpër Shqipëri, duke e cilësuar këtë qytet si më madhështorin e Shqipërisë së kohës.
Ja një pjesë e shënimeve të udhëtimit që ka lënë E. Çelebiu.

“…Bëmë katër orë udhë mes për mes këtyre fshatrave derisa mbrritëm në çifligun e Hisir Mehmet Pashës, bash në të dalë të Elbasanit, ku edhe u zbritëm kuajve për pak kohë. Prej këndej i çuam fjalë përfaqësuesit të guvernatorit të elajetit të Rumelisë, Çorum Mustafa Pashës, se kishim mbërritur dhe kishim sjellë me vete dekretet perandorake për mbledhjen e trupave në mbrojtje të Manias. Përfaqësuesi mblodhi gjithë fisnikët dhe zyrtarët e lartë të Elbasanit, si dhe të zotët e zeameteve e të timareve (zeametet dhe timaret janë forma të administrimit dhe të pronësisë mbi tokën sipas regjistrimit osman) dhe doli përpara për të na pritur së bashku me një shpurë të madhe ushtarësh. Këta pastaj na shoqëruan me një vargan madhështor drejt një saraji të madh të qytetit, i cili u rezervohej bejlerëve. U mbajt një mbledhje e këshillit, ku u kënduan dekretet perandorake. E gjithë paria dhe zyrtarët e lartë i pranuan dekretet duke thënë: “Fjala e Padishahut është urdhër për ne…” e duke u shprehur me lutje e bekime. Pastaj anembanë qytetit u dërguan tellallë për t’i njoftuar të gjithë për mbrojtjen e Manias. Ata më kërkuan një afat prej dhjetë ditësh. Unë pranova, por ngula këmbë që të mos humbisnin kohë e doemos ditën e njëmbëdhjetë duhej të ishim gati për t’u nisur. “Fermani është i Padishahut”, – thanë përsëri ata dhe i hynë punës.
Na doli se ky përfaqësues i Çorum Mustafa Pashës ishte vetë nga Elbasani dhe e quanin Xhemali-zade, një zotni i qeshur dhe mendjemprehtë. Ai në çast na shoqëroi nga sarajet e pashait, te saraji i tij i madh, ku na vendosi mua dhe shoqëruesit e mij në konakë të veçantë për mysafirë, duke na shtruar edhe gosti plot e për plot tri herë në ditë. E kaluam sa s’ka më mirë me qejflinjtë e Elbasanit, si dhe bëmë kujdes që të shprehnim respektin tonë për njerzit e shenjtë të qytetit, si dhe të shëtitnim e të soditnim natyrën rreth e qark.

Nji nga Portat e Kalasë së Elbasanit
Nji nga Portat e Kalasë së Elbasanit

Kalaja e madhe dhe e lashtë e Elbasanit, nuse në këtë botë. Sikundër qyteti i Antepit është nusja e Anadollit, ashtu edhe qyteti i Elbasanit është nusja e Shqipërisë në Rumeli. Sipas kronikanëve latinë, ky qytet i lashtë u themelua nga Filip Greku, sundimtar i Kalasë së Kavallës, në kohën e Aleksandrit të Madh. Filozofë dhe magjistarë të panumërt kohësh të shkuara, zunë vend për të banuar në këtë qytet dhe e bënë të lulëzojë. Në fund, pasi qe sunduar nga qindra mbretër e mbretëresha, trevat e Rumelisë ranë në gjendje anarkie, kurse ky qytet ra në duart e dy bijve të Despotit Serb, të cilët quheshin Bania dhe Basanin dhe u sundua prej të dyve së bashku. Mirëpo të dy vëllezërit grindavecë nuk qenë në gjendje të bënin përpara, sepse ndërmjet tyre shpërthyen grindje e përleshje. Në fund, Basania u lodh e u mërzit nga këto grindje dhe shkoi e gjeti strehë te Sulltan Mehmet Fatih-u (Mehmeti II). Para syve të vetë sulltanit ai ngriti gishtin tregues drejt qiellit dhe bëri betimin “La ilahe Il’Allah” (pranoi monoteizmin islam) duke u kthyer kështu në fenë islame, ashtu siç e kishte këshilluar Ak Shemshedini.
Kur ndodhej udhës nga Shkupi për të pushtuar Shkodrën, Sulltan Mehmet Fatih-u dërgoi drejt Elbasanit një pararojë prej 40.000 ushtarësh nën komandën e Koxha Mahmud Pashës. Duke pasur si udhërrëfyes Basanian, tani me emrin mysliman Mehmet Bej, dhe pasi nënshtruan fshatrat rreth e qark (él-bes-), një natë ata hynë në qytet. Mehmet Beu e gjeti të vëllanë në gjumë dhe ia preu kryet, e kështu e fitoi qytetin e babait të tij me ndihmën e Mahmud Pashës e të osmanëve. Të gjithë të pafetë grekë e europianë të qytetit u shkuan në teh të shpatës. Sapo qyteti, krahinat rreth e qark (él) dhe popullsia e Vilajetit ranë në dorë (bas-) të Basanias, i quajtur edhe Mehmet Bej, qyteti i ripagëzua me emrin Elbasan (Dhé-Nënshtruesi, vura dorë zotëroj etj). Mirëpo, ai quhet Neokatër në greqisht, Terra Nuova prej latinëve dhe Valm prej shqiptarëve.
Udhëpërshkruesit latinë japin edhe shumë rrëfime të gjata për këtë qytet, por ne e dhamë historinë e tij në mënyrë të përmbledhur.
Kshtu pra, Basania, ose Mehmet Beu, u nis më të shpejtë t’i sillte sulltanit lajmin e mirë të pushtimit të qytetit prej tij. Sulltani e dëgjoi me kënaqësi atë lajm të mrekullueshëm dhe duke e uruar i dha Mehmet Beut të drejtën për ta qeverisur atë qytet që dikur kishte qenë i të atit. Sulltani, gjithashtu e autorizoi të priste monedha sermi (argjendi) me emrin e tij, duke shfrytëzuar minierën e argjendit, si dhe të nënshtronte krahinat rreth e qark. Atëherë, i bekuari Ak Shemshedin, Emir Buhari dhe Mulla Gjyrani u lutën për pushtimin pa vështirësi të këtij vendi, duke kënduar një Fatiha për qëllimin e shprehur prej Sulltanit dhe pak kohë më pas, gjatë sundimit të sundimit të Mehmet Fatih-ut dhe Sulltan Bajazitit II të Shenjtit, vërtetë ndodhi pushtimi i krejt Shqipërisë dhe i Hercegovinës.

Qyteti i 100 Minareve - Elbasani
Qyteti i 100 Minareve – Elbasani

Më vonë, sipas regjistrimit administrativ të Sulltan Sulejman Khanit, Elbasani u bë selia e Beut të një sanxhaku të veçantë në Vilajetin e Rumelisë. Për këtë has perandorak, Beut iu caktua nga Sulltani të sigurojë 201.964 akçe të ardhura. Elbasani ka 18 zeamete dhe 138 timare me një Allajbej e një Çeribash. Në kohë lufte, timariotëve u kërkohet me ligj të mbledhin një forcë prej 4.600 ushtarësh të zgjedhur e të armatosur. Sa here që Veziri i Rumelisë niset për luftë, me të shkon edhe Sanxhak-beu i Elbasanit. Kryegjykatësi (kadiu) ka një nivel page prej 300 akçe dhe mbulon edhe disa fshatra. Të ardhurat vjetore të Kadiut janë 10 qese, kurse ato të Beut janë 30 qese. Ndër zyrtarët e tjerë të lartë janë shejhulislami, nakibyleshrafi, fisnikët, nënkadiu i qytetit, inspektori i financës, tagrambledhësi, nëpunësi i vjeljeve të taksës për frymë, qahjai i spahive, komandanti i jeniçerëve, dizdari i kalasë me disa trupa garnizoni, pesë agallarë të kalasë, kryearkitekti, qahjai i qytetit si dhe shërbëtorët e pafe (kristianë) të cilët nuk paguajnë taksa. Rajatë e pafe qeverisen nga 20 kryepleq qyteti (portojoroz). Elbasani ka një administratë të fortë e të displinuar. Si rajaja ashtu edhe qytetarët e lirë myslimanë respektojnë autoritetet dhe u binden atyre. Sanxhaku i Elbasanit ka disa kaza, ndër to edhe Bashtovën e Myzeqesë në jug, Durrësin në perëndim etj. Gjithsej ky sanxhak ka nën juridiksion 526 fshatra. Shumë syresh janë përjashtuar nga taksat, kurse shumë të tjerë janë pronë shtetërore, kështu që bejlerët nuk mund të ndërhyjnë në punët e tyre.
Kalaja e Elbasanit gjendet në një fushë pjellore, e cila shtrihet nga veriu e jugu dhe përshkohet për një çerek ore. Kodrinat dhe malet përqark janë të mbuluara me vreshta. Ky ndërtim i lashtë, drejtkëndësh me strukturë të fortë gjendet në një luginë të gjerë në brigjet e lumit Shkumbin. Është 15 kut i lartë. Bedenat mbrojtës të jashtëm të kalasë janë ndërtuar me mjeshtëri dhe kanë 50 kulla. Ajo është ndërtuar nga të gjitha anët me hendeqe të thellë sa dy shtate burri bashkë.
Familjet elbasanase janë të përmendura për bujarinë dhe mikprijen e tyre karakteristike. Dyert e shtëpive të tyre janë të hapura ditë e natë, madje në qemerët e shumë portave mund të gjenden këto dy vargje arabe të shkruara me shkronja: xheli.

“Për ty agu i ditës është i bekuar me lavdi e mbrothësi.
Dera jote është e hapur për të gjithë nevojtarët”.

Në hajatin pritës të disa sarajeve, mund të hasen këto dy vargje të tjera:

“Nderi i shtëpisë varet nga i zoti.
Kurse nderi i të zotit varet nga bujaria e tij”.

Siç shihet nga këto vargje, si dhe nga mijra të tjerë si këto, të zotët e shtëpive në këtë qytet e kanë për turp të mbyllin dyert e të mbesin pa mysafirë ose të hanë bukë vetëm në prani të shërbëtorëve. Për këtë arsye nuk ka shtëpi pa mysafirë e pa udhëtarë. Ata nuk mërziten edhe kur këta të fundit vijnë me shërbëtorë e kuaj dhe qëndrojnë për gjithë muajin. Nëse qëllon që mysafirët të jenë këtu në fund të vitit, atyre u jepen rroba feste të përshtatëshme. Kam dyzet vjet që udhëtoj, por kurrë nuk kam hasur një dashamirësi si kjo, me përjashtim të Hizir Pashait, komandantit të jeniçerëve në Tripolin sirian, dhe të qytetit të Elbasanit.

Rruge ne Lagjen Kala - Elbasan
Rruge ne Lagjen Kala – Elbasan

Qyteti, i cili nga jashtë mureve i ngjan kopshtit përrallor të Iremit, ka 18 mëhalla me myslimanë dhe 10 mëhalla me të pafé (kristianë-shën.ynë) ku përfshihen grekë, shqiptarë dhe latinë. Nuk ka mëhalla me çifutë, frankë dhe armenë ose me serbë, bullgarë e vojnikë. Nga këto grupet e fundit, këtu vijnë për tregti, bujnë në hane dhe më pas largohen. Nëse këta vijnë me mendime që të zenë vend dhe këtu të banojnë, vriten menjëherë. Ky është zakon i lashtë. Mëhallat më në zë në Elbasan janë: Çaushli, Hurdhe, Gjedaa, Hasinedar, Sinan Balli, Lagjja e Re, Soufiler, Zeraat, Kala, Spahi (sot Spahikorre), Haxhi Sulejman, Haxhi Zade, Çeribash, Xhami Qebir, Kazan Bej, Zaranikë, Haxhi Hysen, Lagjja e Jevgjve, Mahmud Aga, Haxhi Iljaz (sot Haxhijas), Xhami Sherif, Iskënder Bej, Xhevari, Gjevan Bej, Sinan Aga, Dervish Bej, Tabakhane dhe Memi Nazar.
Elbasani ka 46 faltore nga të cilat më e vjetra është ajo e Sulltan Mehmet Fatih-ut, e ndërtuar sipër portës së kalasë, një godinë dy katëshe, me numër të madh besimtarësh që kryejnë ritet e faljes.
Brenda në kala, në mes të saj ndodhet xhamija e vjetër dhe e madhe e Sinan Pashës (Xhamija Mbret), ngrehinë një katëshe. Faqet e jashtëme të katër mureve të saj janë plotësisht të mbushura me vjersha, dyvargësha, kaside, Hadithe dhe njëvargësh të mbishkruara nga udhëtarë të ardhur prej Turqie, Arabie e Persie, secili me dorën e vet e me bukurshkrim. Po të mblidheshin të gjithë këto mbishkrime, do të përbënin 100 vëllime. Në këtë xhami kanë ardhur mijra vjershëtorë, të cilët janë munduar kush e kush të dëftejë mjeshtri më të madhe vjershërimi se tjetri, prandaj muret e xhamisë jashtëzakonisht të sheshta, të lëmuara e plot dritë janë të mbuluara me krijime artistike të panumërta. Madje, në pajtim me zakonin tim të hershëm për të lënë gjurmë në çdo fshat, a qytet, a vend-falje ku shkoja, edhe unë kuturisa të shkruaja një dyvargësh e ta nënshkruaja; “Kete-bèhu seyyah-i’alem Evliya, sene 1081” (E shkruar nga udhëtari nëpër botë Evlija, viti 1081 H/1670). Kronikanët e ndryshëm u kanë vënë emra të veçantë çdo qyteti, kurse këtë Elbasan e kanë quajtur “Shtëpia e Vjershëtorëve”.
Kjo xhami e Sinan Pashës brenda në kala, me hapsirën e dhe grigjën e madhe të besimtarëve për falje, ka një atmosfer hyjnore, por tani është e mbushur plot e për plot me galeta për ushtrinë osmane, e cila po përgatitet të sulmojë Kalanë e Kotorrit në tokat e Venedikut. Në të vërtetë, prej këtyre galetave, 100 kuintalë u ngarkuan në arabá (karro) dhe u dërguan në Durrës e prej andej në Mania, me anije për trupat osmane të atjeshme…”

***
Pjesa e mësipërme është shkëputur nga libri Şejahatnamesi (Përshkrime udhëtimi) i autorit Evlija Çelebiu, i cili në vitet 1660-1670 udhëtoi nëpër Rumeli dhe ka lënë shënime të vlefshme historike për vendet dhe popujt kudo që shkoi. Në kushtet e mungesës së dokumentacionit tjetër alternativ, ky libër duhet marrë në konsideratë për atë që na paraqet. Megjithatë, të dhënat e tij duhen mbajtur me rezerva sepse ky funksionar i lartë osman, për të treguar madhështinë e perandorisë dhe zhvillimin e provincave të saj, mund të ketë zmadhuar gjërat edhe me fantazinë e tij. Njëri nga kapitujt e këtij libri, i këtilluar “Shqipëria-200 vjet më parë” bën fjalë për gjendjen e popullsisë shqiptare në të katër Vilajetet.
Libri është përkthyer nga Salih Vuçiterna në vitin 1930.

Marrë nga muri Familjet e Mëdha Elbasanase

Mblodhi dhe përgatiti për botim Bukurosh Dylgjeri

Related Images:

Artikulli paraprakParathanëje e “Lyrës” – Et’hem Haxhiademi (1937)
Artikulli tjetërPikëllimi i Paskaj i nji Poeti – Jozef Radi bisedon me Poetin Gëzim Hajdarin 2004
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.