back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024

“E pashë atdheun lakuriq”, e Trifon Xhagjikes – esse nga Emi Krosi

Gazeta

Poeti pa varr Trifon Xhagjika
Poeti pa varr Trifon Xhagjika 

“E pashë atdheun lakuriq”, e Trifon Xhagjikes

esse nga Emi Krosi

Atdheu nuk është vetëm vazhdimësia e një fjale, apo një horizont “i hapur” pa skaj apo tejskaj, në vetëdije e Qenies Njerzore se i “përket dikujt” apo edhe askujt, ashtu si një beduin shkretëtire, që nuk ka atdhe, por janë endacake të përjetshmën në kërkim të një oazi për një varr… Atdheu është një pemë. Një rrap apo lis degëshumë, që hijëzon sinoret e lashta, një pemë malli, që herë cungohet nga stuhitë dhe herë cungohet nga erërat, herë gjethon dhe herë “digjet” nga rrufetë. Atdheu nuk është vegim, është qenie tokësore dhe një and e çdokujt që ka një përkatësi, pavarësisht gjuhës, kombësisë, apo kulturës që kanë mbartur në shekuj, sa kombe-popuj “pa atdhe” janë pjesë e një atdheut të huaj. [Tjetri/Yti] janë përemra por edhe sinomie të asaj që, çfarë është jotja dhe huaja, se ajo “jotja” përjashton tjetrën.
Apoteoza e atdheut është një himn, është një kult, një adresë apo “tatuazh”, një mision i (pa)kryer deri në pambarimësi. Atdheu është indentiteti i mirë apo i keq çdo njeriu, në çdo kohë dhe çdo epokë, ku njerëzimi ka mësuar, të flasë, të udhëtojë, të jetojë dhe të vdesë. Po veçoj atë thënjen e poetit dhe revolucionarit hungarez, Shandor Petefi: “Për dashuri jap jetën, për atdhe jap edhe dashurinë”. Atdheu mbi të gjitha!
 
I.
Ndihmomëni të qesh!
Nuk mundem,
nuk mundem,
nuk mundem!
E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm pa miq e shokë)
mundohej të këpusë një degë dafine
nga lavdia e shekujve.
Atdheun e dija të uritur!
Por sa i vogël qenka!
As një degë nuk e këpuste dot.
E mora për dore
ta rrit në zemrën time…
Vëllezër-
Po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!
 
Nëse jetët dhe vdekjet lidhen me atdheun, çdo kush beson në “profecinë” e të pasurit e një “çatie” që mund të ketë shumë emra, në paplotërinë apo në pamjaftueshmërinë e të qeni centrik, poliedrik, egocentric në qenësinë e përkatësisë tënde, tonën, të gjithve të asaj pjese dhèu që quhet Atdhe!
“Ndihmomëni të qesh” poezia e poetit të pushkatuar Trifon Xhagjika (kam fshirë vitin dhe “poeti” nuk ekziston) është një klithmë një thirrje e një njeriu që vuan që ka dhimbje, që është “sëmurë” në shpirt, nga metastaza e kancerit të heshtjes, si frymë azmatike, i ngërçon, të qeshurën, gëzimin, harenë rinore. Ai është një murg tibetian që mediton, në heshtje, diku në shkretëtirat e Tibetit, duke tëhollur orteqet e Himalajve dhe vetë Jetës në lartësi, ku mjegullat murgjashe, “hingëllijnë” me fatkobin e tij mjeran, të zgjedhjes apo të zgjidhjes, ashtu si një fshatari para Portës së Ligjit! Ndal i thotë Porta memece, sepse atdheu është gjykatësi polici, xhandari, ligji. Kjo kthimëthirrje në formë folje të emëzuar, i drejtohet turmës. Turma e trembur, e pandërgjegjshme është një “hiç” një formë abstrakte që lëviz brenda kuantetit të jetës me frymëmarrje dhe frymëdhënie të ankthtë. “Ndihmomëni të qesh”, si kryetemë poezia, është një kurth si një ngërç, një kumt që endesh thellësive si shpirtit si hijeguri.
 
“Nuk mundem,/ nuk mundem,/ nuk mundem..”
tre vargjet në formë përsëritëse nuk mundem, janë refuzuese ndaj qetësisë shpirtërore të qenit gazmend ndaj atdheut tënd. I supozuar si një sinor i ngulur diku, përtej përmasave, atdheu kërruset, vishet dhe xhvishet përtej mjegullës. Folja mundem me pjesëzën [nuk] e bën “më dyshuese” nxitjen e rrethanës së caktuar socio-kulturore, duke pranuar aspektin funksional si në rrafshin diakronik ashtu edhe në atë sinkronik, në “ngjizjen” poetike.
E pashë Atdheun lakuriq, atdheu formësohet si një njeri mashkull, sepse emri është mashkullore, por vetë atdheu si njësi tërësie, gjeografike, kulturore, historike, tërësore (nuk di si ta përkufizoj) s’është i zhveshur. Zhveshja është metaforë-akuzë ndaj të gjithve atyre, në kuptimin që i jep fund mashtrimit të madh social qindravjeçar-nënshtrimit të jetës ndaj idealit, moralit fals të edukimit të brezave njerzorë, me ndjenjën e sakrificës së jetës për hir të atdheut, revolucionit, idealit dhe himnizimit të këtij lloj, që kurdoherë është trajtuar e nënshtruar në funksion të logjikes, – si ekzistencë njerzore. Shqetësimi për ekzistencën e individit duke e vlerësuar atë në raport me tërësinë e rregullave shoqërore, kurdoherë duke e nënshtruar ndaj një pranimi shoqëror: asnjëherë individi nuk është vlerësuar prej të qenit i lirë, prej aftësisë për ta ruajtur këtë liri ekzistenciale, apo prej shqetësimit për tjetërsimin e saj. Individualja dhe ekzistenca e tij tek (vetëm pa miq e shokë) është e kuptueshme se për individin ekzistencial, krijohet gjithnjë një tension midis lirisë ekzistenciale dhe nevojës për pjesëmarrje në jetën sociale, ku individi shndërrohet në një objekt për gjykimin, vështrimin, kategorizimin nga të tjerët. Ndodh kështu, sepse qenia njerëzore që në fillim të jetës, rritet në shoqëri, edukohet dhe vepron në funksion të saj. Jeta sociale ngulit në jetën e individit përmasat e hapësirës dhe të kohës, bota sociale veçohet nga bota natyrore e megjithatë grupet që i imponohen si fuqi, imponojnë edhe mendësinë e varësisë e të strukturimit funksional ku çdo individ konsiderohet brenda dhe në funksion të qenies sociale, njësoj sikurse çdo objekt brenda dhe në funksion të botës. Intuitivisht, individi kap kontradiktën e gjendjes së vet dhe lëkundet mes të vepruarit dhe jetuarit ndryshe apo si të tjerët, ku të jetuarit për vete dhe për të tjerët, është fenomen shoqëror gati i gjithëhershëm, që e zhyt individin veprimet të përbashkëta shoqërore. Individi – poet mundohet, të këpusë një degë dafine (dafina është dru që vjen nga shëndërrimi i një vajze të bukur në pemë, për t’i shpëtuar Apollonit), dafina – vajzë, dafina-pemë, por metafora simbolizon një dege dafine (gjethe aromatike), për të nderuar lavdinë e shekujve.
Atdheun e dija të uritur! Në koijnenë e atdheut të uritur duket del si një përbindësh që “njeringrënës” se idetë lëvizin brenda strukturës poetike, si një formë e caktuar.
Por sa i vogël qenka! Forma i vogël, është një e vërtetë me vlerë artistike, duke aluduar se atdheut është shumë më i madh, është një hapsirë e pafunde idesh që të motivon dhe çmotivon, për të përligjur edhe synimin e kompleksitetit dhe koherencën e poezisë. Atdheu përtej murit, është përplasja e individit me muret sociale – dhuna e hapur dhe e fshehtë shtetërore ndaj individit, paragjykime, moral, institucione. “Atdheu i vogël”, pamundësia për t’i shpëtuar shoqërisë, marrëdhënieve me të, pasojave të tyre, do të thotë, të jetosh përtej murit të të vështruarit normal të botës, përpjekjet për të ndërtuar një rezistencë sipas vetes. Që të mund të jetojë duhet të kalojë nëpër hapësirat e kufizuara prej mureve sepse: As një degë nuk e këpuste dot. Në vargjet:
E mora për dore
ta rrit në zemrën time… të mbash një pjesë tënden në zemër është si një “himn” duket se përtej ligjërimit kemi një tjetër bosht: kundërvënien e poetit ndaj kulturës me ndihmën e shenjave. Shenjëzimi konveciaonal i Atheut mbetet si një “epërsi forme dhe përmbajtje” jo vetëm brenda konjukturave letrare por edhe jashtë , duke e parë formën e vazhdimësisë si real, në sistemin gjuhësor. Vargu
Vëllezër -/ Po e kërkuat Atdheun,/ e kam unë,
– i drejtohet një shoqërie, që nuk lejon as shembje apo zhvendosje. Individi (individët) duhet të kalojnë jetën nëpër hapësirat e shenjuara prej “mureve” sociale, ai që jeton jetën e vet, apo jetën siç i lejohet ta jetojë? Vëllezër, nëse jeton siç i lejohet prej shoqërisë, përse të mos jetojë një jetë të lejuar prej vetes së vet, tek e fundit, a nuk është kjo jeta e vet dhe jo e dikujt tjetër? A është jeta e vetja, apo pronë e shoqërisë e Atdheut?.
Ndihmomëni të qesh./ Ndihmomëni të gëzoj.
Vargu ndihmomëni të gëzoj është poeti duket si një sëmurë që po vdes. Kjo “vdekje poetike” lidhet me realitetin, por edhe me tablonë e jetës reale, si një vlerë ideore një një rrethanë të caktuar sociale e kulturore.
Atdheu është lakuriq! Risjellja e vargut të fundit nuk ka të bëjë me xhveshjen por me rikuptësimin e një vendi të “mposhtur” nga frika dhe mosekzistenca e lirisë. Fuqisë së lirisë është shpeshherë në proporcion të drejtë ose të zhdrejtë me mundësitë e vetëorientimit – thotë Sartri. Liria është qëllimësi dhe qëllimësia është specifika elementare dhe subjektive, si një zgjidhje paraprake njerzore e të qenit të lirë.
.
Familja Xhagjika - Pak kohë para rrënimit komunist
Familja Xhagjika – Pak kohë para rrënimit komunist
II.
Në poezinë tjetër “Ndërgjgje me katrorë të zeza”, poeti përshkruar ose rrëfen për ndërgjegje që flet dhe “fle” kundër Unit. Në raportin filozofik mes botës së objekteve dhe asaj të ndërgjegjes rezulton se bota e objekteve, e të fundmeve gëlltit botën e ndërgjegjes, e të pafundmes, ku e pafundmja e ndërgjegjes njerëzore, apo e pafundmja e qenies ekzistenciale, që buron nga një pikë e fundme dhe zhduket tok me ekzistuesin, ka cilësinë që është e vetmja që arrin të përfshijë brenda saj konkretësitë e pafundme të botëve.
Natë! Fjala natë si një kundërvënie e fjalës ditë, në dikotomoninë Natë-Ditë, nuk është nata reale por metaforë e errësirës profetike të ekzistencës të mundësisë së Dritës. Nata ka ngjyrë të zezë, se ajo shkruan me “ngjyrë” dhe heshtjen e saj të frikës.
Pa më shkruaj ti vetë./Ngjyra tënde është e zezë,
cilësimi i ngjyrës së zezë, mbiemër cilësor, i futur brenda kllapave në fjalinë e mëposhtme (nuk ka më të zezë se errësira tënde), ajo lloj nate është më e errët së vetë materiali i veshjes së natës si fjalë, “veshja e zezë” si mungesë e dritës, Diellit. Nata është Errësira, Hadi, Vdekja, që buron frikën që ka njeriu jo vetëm ndaj errësirë por edhe ndaj vdekjes, të metaforizuar në trupin e një fjalë të vetme: Natë!
Natë! Pa më shkruaj pra vetë nata duhet të ngjyrosë katroret e mendjes dhe të jetës njerzore,
me “ndryrësinë e saj” errësira, mallkimi, heshtja, por Drita – Letra janë të bardha. Bardhësia e letrës në një hapsirë të kufizuar (katrorë ndërgjeje) një vegim shkretëtinor, me kalorësit e zinj të erës ato që po vijnë me (veshjen e ferrit). Ndërgjeja është një katror i zi, pse i zi? Jo i bardhë, i kuq, i verdhe? Ndërgjegjja e pistë është e zezë dhe në (konteksin e kohës) ku poezia është shkruar, në përshkrimin që “këmbëngul” në një “mimetis” të dimensionit kohor.
në letrën time
(letra ime është e bardhë,
si ndërgjegjja e njerëzve
me katrore të zeza përreth)
Ulu pra, pranë tavolinës
Karl Jaspersi tregoi që përballë kësaj trysnie individi nuk është pa rrugëdalje. Ai rimori argumentin e njohur të stoikëve për lirinë e brendshme në funksion të qëndresës së brendshme, që mund të ndërtojë individi kundrejt imponimit të Uni-t social, duke krijuar një diferencë mes uni-t të brendshëm dhe uni-t që shfaqet për shoqërinë, ku të flasësh me veten dhe ndërgjegjen tënde në një natë, ku edhe vetë ndërgjegjja jote është “e pisët” e zezë, për të shkruar për fatin njerzor ose dhe një formë të ekzistencializmit dhe të abdurdit të botës jo të tipit Pol Sartër apo Kamy, por, sepse bota është me qëllime, ide, vlera por, duhet t’i projektojmë këto vlera dhe në kuptimin e jetës , sespe edhe liria qenka një “dënim” sepse duhet ta jetosh jetën sipas botëkuptimit që të përket ty, por Kamy që beson tek forma e ekzistencializmit thotë: “Ekzitojnë vetëm gurë, mish, yje dhe vlerat të cilat mund të preken” poeti i ndërgjegjes me katrorë të zeza dhe ekzistencializmi i tij për lirinë e errësirës apo errësinë e lirisë sociale, duhet të dritohet?
Për njerëzit ç’njerëzorë!… ky vargj është thelbi i lirisë. Njeriu është i lirë. Por liria është relative dhe jo absolute. Liria absolute është e drejta e “njeriut të fortë” për të sunduar. Për njerëzit çnjerëzore, është definiteti i lirisë absolute, sepse Liria dhe Drejtësia, sa rivale janë dhe bashkëudhëheqëse të parimit njerzor, ose në absolutizën ose humanitet. Jashtë ideve të ekzistencializmit (balancë mes drejtësisë dhe lirisë që bën të mundur komunikimin), hap hullinë e farës poetike të protestës, jo më si “profeci poetike” derdhur si narrativë e ndërgjegjes njerzore.
(letra ime është e bardhë/ ngjyra tënde është e zezë)…
riçpërsëritja e vargut po përtej ndrëgjegjes “të marrë”, lidhet me psiqikën e autorit, “si kënaqësi e fshehtë” si një dëshirë fillestare e ndaluar, e mbyllur në subkoishencë (nënvetëdije), duket si mungesë ose prani, në shtratin e nënvetëdijes, si modeli frojdian i psikikës, si pjesë e sistemit të forcave të kundërta.
Ulu, pra, shpejt/ pranë tavolinës ulu/ dhe shkruaj/ për fëmijët qena bij qenash!
Kontiuniteti që vargëzimi në formë “diktati” ulu, pra shpejt, në formë urdhëroreje për të shkruar ose diktuar vullnetin e lirë të letërshkruesit në mesnatë, e kapapulton me fjalinë: për fëmijët qenbijqensh duket si një “letërsi mesnate” më një vizion Oruellain, sepse “Ferma e Kafshëve” nuk është “protestë” ndaj lirisë së munguar, por protestë ndaj “shfrytëzimit” të kafshëve për qëllimet njerzore. Qenbijqensh, është protestë krahasimtare e njeriut me kafshën, por pa ndërgjegje. Kjo mjegullnaje dhe shkpërderdhje mes Oruellit dhe “murtajës” së Kamy-s, sepse reagimi i poetit është edhe reagimi i munguar kolektiv ndaj “murtajës” regjimit, që duket krejt e pashpresë dhe shumë pesimiste, ata qenbijqensh, nuk kanë ndërmend t’u japin “shpresë” njerzve, por i “kafshojnë tinëzisht” natën me ndërgjegje akoma më të zezë, sepse nuk kanë mundësi të arratisen përveçse tek “liria e cunguar” e fjalës së zezë në letër të bardhë. Liria është vetëm një fjalë, brenda dhomës, se jashtë bëhet pis.
Shkruaj! Formë dëshmie që “përtej murit” të vendosur nga hije dhe frika e turmës (shtetit), është ndërgjegja, por poeti rreket ta ridimensojë, sepse fillimi i një shprese “projektin e vetëdijes”, që padashur (e shndërron mendimin në një këndvështrim filozofik) jo vetëm të jetës dhe vdekjes, por edhe të ekzistenciales, lirisë, qëndresës dhe drejtësisë. Çudi edhe mua me duket se takohet poeti me Sartrin, që të dy “dialogojnë” në heshtjen e natës dhe brenda katrorëve të zeza të “murit” për hijen e “mortajës” që po shfaros racën njerzore jashtë.
Kurse unë,/ me zërin tim,/ do të thërras,/ sa qielli të copëtohet…
zëri që thërret është shpresa, që beson në diçka që të ndryshojë në mosfatin e tij jetësor të paktën fatin njerëzor, duke përmbushur, ose do të përmbushë, për të mirën e kësaj bashkësie ku është pjesë… duke shpresuar tek shpresa, se zëri do të copëtojë qiellin, sepse shpresa është pjesë njerëzore, që synon ardhmërinë, duke vendosur qëllimin e tij, përmbushjen nëpërmjet të meduarit, vepruarit, por shpresa është zhgënjyese, sepse zëri i tij qiellor ka mbetur një vegim… një dështim. Zëri qiellor është Zoti, (indirekt) sepse zëri nuk vjen nga Hiçi, por nga Qenia Njerëzore drejt fuqisë absolute jo të pushtetit njerzor, por të pushtetit Hyjnor. Copëtimi i Qiellit si një yllësi drite, elipsohet me letrën e bardhë, dritën, mendimet e lira, fjalët e humbura në ekzistencën, por që padashur (akoma nuk e ka humbur idenë e dështimit) sepse shpresa nuk është vetëm iluzion as lirikë dhe as poetikë, por një synim, mundësi, dëshirë, për të përmbushur, një mision. Zoti eksiton si vetë Qenia njerëzore. Pra vetëm Zoti mund ta shpëtojë “misionin” e poetit, fjalën e lirë dhe nga ndërgjegja e zezë diktatoriale. Liria nuk është vegim, por vendim i masave njerzore për të arritur deri tek qëllimi: shpresa jo si formë metafizike, por fizike, dëshira e syninit të lirisë.
“nuk mundem të shkruaj më,/ pena m’u thye në 1958”.
Ideja e mosshkrimit është përmasa njerzore e njeriut nën diktaturë, lënia e “gjurmës” së shkruar është vetë filozofia e Qenies dhe Ekzistencës mes lirisë, arsyes, llogjikës, “socializmi i zbutur” sartian, u zhbë, sepse vizioni Oruellian , është një dështim. Ndoshta veprimi që jep shpresë ishte një iluzion lirie, për vitin e kohës fizike, sepse raporti i njeriut me veten dhe synimin e tij, ishte vetëm një koncept metaforik.
Poezia në vazhdim: “Jam unë” përsëri poeti ka raporte të mira me natën. Krahasimi vetvetes me kalin e harbuar, në kërkim të lirisë dhe të hapsirave për të gjetur veten ashtu si kuajt që duan hapsirat e lira dhe janë të shkujdesur në pllajat me bar. Hapsira dhe harlisja apo harbimi, janë tiparet e moshë së re, kur ëndrrat “qorre” fluturojnë hapsirave pse jo edhe tek dashuria e “ndaluar”e poetit. Një i ri që kërkon veten, hapësirave është edhe kalë, një kalë madje që shkelmon, padrejtësinë.
Miq!/ Dëgjoni trokëllimat e kalit të/ harbuar?/ Jam unë!
Humaniteti i rremë si i Kierkegaard-it, kur jeton në një komunit të vogël, ndodh që edhe të bëhesh “viktimë” e efektit Benjanin Franklin, që të “edukosh” ata që të urrejnë, sepse qenia njerzore jeton në shoqëri. Ndikimi i kësaj bote të “jashtme” për të zotëruar vetveten, në një shoqëri të sundimit të ligjit të “shumicës”, ku individi humbet identitetin është kali turfulles, për të zotëruar veten, sepse qenia për të tjerët ose me të tjerët, si qenie sociale, në rolin që ka për veten dhe shoqërinë.
“Jam unë”
Herë herë
në orët e vona të natës
kur ndërgjegja fluturon për diku
unë eci.
Pa mëshirë,
shkelmoj,
si kalë i harbuar
rininë time
……..
Miq!
Dëgjoni trokëllimat e kalit të
harbuar?
Jam unë!
Trifon Xhagjika (1932-1963)
Trifon Xhagjika (1932-1963)
III.
Poezia në formë poeme “Kënga e verbër” ose kënga e Republikës , drejtohet me vargjet:
E shkreta ti, o Republikë/ u blatohesh të zotërve/ pa e ditur ç’janë.
“Republika” është boshti rreth të cilës mundi të mblidhte togje të tëra dialogjesh të tjera Platoni, duke fomësuar jo vetëm formën shtetare moderne, por edhe si një lloj filozofie, që ndan formën e (shtetit) nga substanca e saj (qeverisja). Fillimvargu me fjalën “shkretinë” jo për një hapësirë pa bimësi, por Republika është krahasuar me trupin e një gruaje, Republika femër-grua shkretane e shumë mbiemra cilësorë “negativë” si: e shkreta ti, e çmendura ti, gënjeshtarja ti, kusarja ti, e gjora, e pabesa të shoqëruar me pjesëzën [o]. Bazuar në këto cilësime individuale konkretizohen në edukimin e shtrembëruar, që iu rrëmben njeriut aftësinë per të bërë dallimin e fantazisë nga realiteti, pa iu nënshtruar autoriteteve dhe dhunës.
Dritën ta shuajnë në terr
e ditën ta ndezin;
bukën ta shtrojnë në sofër
e duart t’i presin;
në burim të çojnë
e gojën ta mbyllin.
Heidegerit, nuk i “shpëton” anonimiteti i turmës nën diktaturë dhe ndonëse, mbisunduese në sferën e publikes, të së përbashkëtës, jeta autentike mund të qëndrojë brenda disa limiteve të pranueshme, sepse akuza e drejtpërdrejtë e autoritetit të Republikës shtet, si institucionet e Republikës nuk janë në mbrojtje të kundërtiranisë, por janë vetë Tirania, ashtu si Republika romake që ra si pasojë e shumë njerzve ambiciozë, që prej shkekujve i kanë “kufizuar” ca rregulla të pashkruara, se rënia e Republikës romake nga tirania autoritare,- thotë Paul Krugman (analist amerikan) demokracitë janë buzë greminave, për shkak të lindjeve të tiranive të “reja” për pushtete. Por tiranitë kanë ngritur “kultin e individit” të fortë, në “emër” të një demokracie të rreme. Drita, terri, buka, sofra, burimi, uji, bashkë me togfjalëshin, [gojën ta mbyllin], nuk është vetë epilogu i Republikës së poetit, por është edhe epilogu dhe prologu i të gjithave Republikave sot në botë, ku “kundërshtarët” burgosen, dënohen, vriten. Republikat mbështeten mbi utopitë, mbi antihumanizmin, “njerëzit e republikës” flasin për shkatërrim të njeriut, vlerave, shoqërisë, të ardhmes nëse “rregullat” nuk bëhen si duan ata, apo intonleranca fjala e njeriut-kult, është fjala e Zotit, që duhet besuar dhe vlerësuar, se Ai është e vërteta, e ardhmja, e drejta, rruga e dijes, pse jo dhe rruga e drejtë e Zotit. Republika nuk ka vendin e kultit të Zotit, (Zoti vdiq), – thotë Niçja.
O njerëz të thjeshtë,
ju dua!
Mund t’ju shërbej
si ushtar, si shërbëtor besnik.
Veç me mua ejani,
t’ju rrëfejë të vërtetën
që ndrit.
T’u fala
si kristiani Krishtit,
po ç’më dhe?
 
Mënyra dhe momenti i kapërcimit të besimit nga vullneti njerzor në vullnetin e Zotit, lënia e vullnetin të individit, nga shkalla e veprimit për të kaluar njerën pas tjetrës etapat e jetës që e lenë të përjashtuar nga gjendja e paracaktuar prej zotit. Zoti dhe liria, në raport me qeniet e tjera, shfaqet si një shkëputje nga pasiviteti, dalje nga zinxhiri i “pësimit të shkaqeve”, ndërsa në raport me të tjerët shfaqet si përballje e individit të përveçëm ndaj shumicës, turmës, fuqisë Hyjnore Zotit. Në rrëfimin e Krishtit dhe antikrishti , për “besimin e rremë” të Republikës-shtet, se edhe Zoti e ka ferrin e tij, domethënë është dashuria e vet për njerzit, ose “Zoti vdiq e vrau mëshira e tij për njerzit”, as Zarathustra, personazhi ku Niçe i drejtohet njerëzimit nuk e beson. Në persisht njihet si (Zartosh) dhe në greqisht (Zotoastër). Zarathustra predikon të vetëm perëndi të Urtisë (Ahura Mazda), duke i sjellë njerëzimit, besimin në monoteistik, por edhe si praprijëse e “tre të mëdhatë” si Krishtërimi, Islamizmi, Induizmi. Këtë të Vërtetë, Volteri e “shkërmoqi” në teorinë tij, Republika duhet të bazohet në të drejtën e ndarjes së pushteteve, midis pushteteve ligjvënëse, ekzekutive dhe juridike. Iluminizmi Volterian, që udhëhiqte betejat jo për lirinë e shpirtit, por një vizion modern për botën, është koherente me poetin kur thotë: t’ju rrëfejë të vërtetën e mendimet e tyre, pa dhunë. Thënie e të vërtetave njerëzore që i ndrit, për të “mposhtur” injorancën dhe mbrojtur dinjitetin dhe lirinë e individit. Ishte një kumt i ardhur nga Seneka, mendimtari që “disiplinoi” Republikën e madhe të Romës, për dinjitetin dhe arsyen njerëzore, se arsyeja dhe dinjitetit njerëzor, do të thotë të jesh njeri, edhe që të jesh njeri, duhet të jesh i arsyeshëm!
Poeti tregon që “duhet të shemben rrënojat” e zemërimit që sjellin urrejtjen. Të gjitha veset e një Republike “të kapur” nga frika, totalitarizmi, kulti i individit, demokracia e rreme, heshtja, varfëria, mungesa e fjalës së lirë, e drejtësisë, e ligjeve juridike, civile. Njerëzit janë të verbër, të shurdhër, të gjymtë, kanë humbur çdo vlerë familjare, morale, sociale, fetare, një shoqëri të socializuar si shoqëria socialiste, janë ujqër që hanë njëri- tjetrin, Republika që hap varre, vret natën dhe “qan” ditën, që “mishëron” lirinë e botës si skllavëri dhe skllavërinë e shet për liri, apo lirinë e kamuflon si “degradim” të sjelljes njerëzore poeti klithmon:
Me këtë këngë të verbër/ të ngre në gjyq,/ në gjyqin e të heshturve./ Ç’të të këndoj më? Trishtimi po më mbyt.
Kjo nuk është vetëm nje elegji për Republikën e djeshme, por për të gjitha Republikat e të shkuarës dhe të ardhmes. Të gjitha Republikat kanë padrejtësi, çvlerësojnë vlerat dhe liritë njerëzore, mbysin zërat opozitare në mënyra të ndryshme në kohë dhe vendet të ndryshme.
Të gjitha Republikat janë shteruese të vlerave të tyre drejtuese dhe demokratizuese. Cili është rendi i ri i Botës së Re, në shekullin XXI??!
Poezia “Apologjia ime”
(Jetës)
…Marrëzi, dhe
mëkate
për jetën e tërbuar
se kur më ndal, o gjeneratë,
që vuan rrugës ndonjë natë,
më merr për të dënuar…
Niçe kishte paralajmëruar kohë më parë fenomenin e tjetërsimit social, kur kërkonte përmbysjen e tabelës së vlerave njerëzore dhe rishkrimin e tyre nga e para, sikurse Niçe, ndërmerr një aksion përmbysës për mënyrën e konceptimit të marrëdhënieve shoqërore. Ndërkaq, kjo është edhe një autopsi e ndërgjegjes sociale. Shumë e citojnë Niçen për thirrjen e tij, që thelbësisht rrëzon hierarkinë vlerore mbi individin, pasuar nga një konceptim ku nuk është më individi, që duhet të mbartë në shpinë atdheun, familjen, punën, shoqërinë, duke marrë vlerë prej shkallës së nënshtrimit dhe vënies së vetes në shërbim të të gjithë këtyre strukturave sociale, si kusht për të qenë i pranueshëm nga shoqëria, përkundrazi janë atdheu, familja, puna, shoqëria që marrin vlerë në funksion dhe në shërbim të individit ekzistencial, sipas asaj sa ndihmojnë lirinë dhe ekzistencën e individit. Formula filozofike se njeriu lind i lirë nga natyra e duhet të jetojë në liri, mbart këtë kuptim të lirisë individuale, duke iu drejtuar qenies njerëzore nga pikëpamja e lirisë, nga pikëpamja e shpirtit, jo nga pikëpamja e përcaktueshmërisë, kufizueshmërisë, përkatësisë, e qeniesisë. Ky është kumti social, moral, shoqëror dhe politik i poetit ekzistencialist, Trifon Xhagjika, nën pushtetit e diktaturës, për mbrojtjen e të vërtetës madhore: vlerës dhe përmasës së lirisë Njerzore!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.