back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 16 Maj, 2024

Dy lot e nji betim… nga Padër Anton Harapi

Gazeta

Muço Qulli dhe Cerçiz Topulli
Muço Qulli dhe Cerçiz Topulli

Dy lot e nji betim…

nga Padër Anton Harapi

Mbi eshten të dishmorve t’ Atdheut
Çerçiz Topullit e Mustafa Qullit.
 
Kjo kje ligjirata e përmotshme,
qi Redaktori i “Hylli i Dritës”, Padër Anton Harapi,
me nji shprehje të gjallë e tërhjekse,
të zgjedhun e të përmallshme,
majti ditën 14 Shtatuer 1936, në Shkodër, në Fushën e Çelës,
përpara arkivolave, ku ndrýheshin eshtent e ktyne fatosave të komit,
tuj u përcjellë prej gjytetit t’onë për Gjinokastër e Leskovik.
.
Dy lot nji betim... Anton Harapi
Dy lot nji betim… Anton Harapi

Ndalniu! Ku veni, o burra?!…

Çerçiz e Muço, dý fjalë ka me jú Shkodra kreshnike, ktu në log të kuvendit, para se të daheni.
Doni t’a lêni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, kû së parit pátë t’amblat rreze të diellit, kû, si filiza të shndoshtë, gzueshëm e rritët shtatin, atje, prej kah Shqypnija u qiti edhe u ndriti!
Le të lavdohen, po, për jú Gjinokastra e Leskoviku, vendet kû ju u lindët për jetë, por grimë ma pak s’do të gzohet me jú Shkodra, vendi, kû ju, nuk diqtë, por u lindtë për Atdhé.
Njimend se ato u dhanë tamblin e gjiut e u janë nana të natyrshme, por ju tashmâ, nuk jeni nierëz të zakonshëm, nuk jeni çëfardo shqyptarësh, ju jeni heroj, jeni burrat Shqyptarë; e si të tillë u priti e u mbajti, si të tillë, sod me gzim u përcjellë Shkodra, lama e nana e heroizmit t’uej.
Jo, nuk u lshon jú Shkodër lokja, ambël pa u puthë në të dyja faqet, thekshem pa u lmue të dý krahët, përmallshëm pá u derdhë dy pika lotsh, lot gzimi e pikllimi, mbí eshtën t’uej.
Eshten të pamort, u falem! Të pavdekshëm, po, pse ndër vêne t’ueja rueni nji visár të çmueshem, njat idé e cilla e patrandun do të jesë nder né dér sa të jetë Shqypnija.
E udha e mbarë u kjoftë!
Veç, o burra, qi, dekun, flitni; të metun, njalleni; të hupun, sod ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqypnís, deh, lshonie nji zâ, at zânin t’uej kumbues si të luâjve, diftoni djelmnís shqyptare shka u ushqei idealin, shka u mbajti karakterin, shka u bâni të padekshëm.
Diftoni, po, se ká e do të ketë Shqypní dér të kemi e të mbajm nji Zot mbí veti; ka, po, Shqipní dér të dalin Shqyptarë fatosa; ká e ká me pasë Shqypní der gjaku i juej i kërthnestë e i gjallë të vlojë në kujtim e ndër ndiesí të shqyptarve, dér qi në Shqypní, pá ndryshim krahine e besimi, të çmohen e të madhnohen themeluesat e Atdheut. Kemi pse të jemi e të mbahemi shqyptarë, dér shêjtë të ruhen besë e burrní.
Me tanë fuqín t’uej vigane m’i a bâni nji urim Shqypnís: m’i niellni të marë e përparim, paqë e ngallnim.
Por edhe ‘i namë, si rrfeja, m’i a lshoni kulshedres së ré, rrymve dërmuese, qi po e bréjn jetën shqyptare: atyne po, të cillt, thonë se po bashkojnë e na shkatrrojnë; lavdohen për dashní, e na qesin mnín e fitmen, duen të na msojnë e po na zhburrnojnë. Heu! ata mos kjoshin, e Zoti i vraftë njata, të cillt duen t’i lâjn shqyptarët pâ besë nder veti, duen t’i qesin moralit e karakterit, familjet e historijet.
Nuk po u pves kush jeni as kah po veni. Kûdo shkojshi, të bardhë kjofshi; kû ndêjshi, florî ndritshi. Ideali i juej më tregon se kush jeni, deka e juej më dishmon se kû dueni. Nuk më duhet gjâ kush u vrau, por knaqem, kah mârr me mend ata për shka ju rát preja e dorës mizore. Nuk mârr parasysh çë krahine kjét e çë besim patët, më mjafton të dij se besuet me nji Zot, e si kristal i kulluet rrodh ndër dej t’uej gjaku shqyptár.
Ju msyt Shkodrën për azil atdhetarizmi, për lamë veprimi, për strehë sigurije. Edhe Shkodra me knaqë u priti e u dha nderimin qi u përkitte: pa ndryshim u rreshtoi ndër fatosat të vet, ndër të dekunt e padekshëm, krahas me ‘i Dedë Gjo Lul e tjerë sokola.
Eh, moj Shkoder, moj mizore! Si s’u ngîne mâ nji herë me gjak? Dér kur mâ do t’m’i a kndojsh kangën dekës e shëmtimit? Shka âsht me tý, qi dán si të ngallnojshe mâ fort mbí dekë se mbí jetë, si të gzojshe má fort për të metun se për të gjallë? Me shka mâ mund do të shuhet ajo etja e yte, qi tash sá mot të rreshkë e të përvlon?…
.
Anton Harapi - Atdhetarizmi
Anton Harapi – Atdhetarizmi
Ti, mizore njimend, por fatose, pse si në djep t’and përkunde burrat e maleve, ashtû në prêhen t’and mlodhe, në votën t’ande rreshtove herojt e kombit. Mizore, po, por trimneshë, pse kurdoherë në dekë pae pshtimin; në therorí, fitimin; në burrní, forcën. Mizore po, por fisnike, pse nderë e burrní i pate gjithmonë për piri.
Zotní të ndritshëm!
Nuk due t’u ndali mâ. Keni udhë të gjatë. Merrni kto visare të çmueshme, e shkoni. Por para se të niseni, eni ktû, e mbí kta eshten, symbol ideali, forcë e bashkimi, t’i a shtrîjmë dorën shoqishojt, Toskë e Gegë, muhamedan e kristjan e me besën e burrave, me besën shqyptare të lidhemi për t’i a majtë shqyptarit të paprekun nji Zot të vërtetë, nji Atdhé të lum, për të ba Shqypnín e ré, të fortë e të madhnueshme, të dêjë për Skanderbén. T’i diftojm, po, botës, se shqyptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e kristjan, e njiherit shqyptarë të njimendtë.
Zoti i vërtetë e Atdheu le të na bashkojnë, Zoti e Atdhéu t’na mbajnë: Me Zot e me Atdhé të lumnojmë!
Hylli i Dritës, 1936, nr.9
Marrë nga Shkodra Daily 2 Maj 2014

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.