back to top
21.5 C
Tirana
E hënë, 20 Maj, 2024

Dy fjalë mbi zhvillimin e Gjuhës Shqipe! nga Genci Hoti

Gazeta

Genc Hoti
Genc Hoti

Dy fjalë mbi zhvillimin e Gjuhës Shqipe!

nga Genci Hoti

Për të disatën herë një stacion i digitalb-it trasmeton një emision mbi rolin që na kishte luajtur Klubi i Stambollit, në fund të shek. të XIX në zhvillimin e Gjuhës Shqipe. Kam rast t’u tregoj bashkatdhetarëve të mi se kjo është një gënjeshtër e madhe me G të madhe, për dy aresye:
Së pari ne kemi disa lloj fjalorësh të Gjuhës Shqipe, të cilët kanë një kohëekzistencë të tillë që janë të aftë të na tregojnë periudhat kohore se kur Gjuha Shqipe është zhvilluar në sasi dhe cilësi, çka ka shërbyer në zhvillimin e tillë të Kombit tonë. Këta fjalorë me përmbajtjen sasiore të fjalëve, që kanë ekzistuar në kohët respektive janë:
1635 – Fjalori i Frang Bardhit latinisht-epirotisht me 5000 fjalë latinisht dhe 2544 fjalë shqip (f. 13)
1702 – Fjalori At Francesco Maria da Lecce, O.F.M. Italisht-Shqip me 13.360 fjalë dhe shprehje italisht dhe 11.200 fjalë dhe shprehje shqip (f. 69).
1904 – Fjalori i Kostandin Kristoforidhit, Shqip-Greqisht me 11.675 fjalë (po aty).
1908 – Fjalori i “Bashkimit” me rreth 11.000 fjalë (po aty). Por në vetë këtë fjalor thuhet se me pjesën integrale dhe më Shtojcën, ky fjalor ka saktësisht 13.798 fjalë (f. VI).
1954 – Fjalor i Gjuhës Shqipe me rreth 25.000 fjalë (kjo shifër pranohet nga studiuesit, pasi fjalori nuk e ka).
1980 – Fjalor i Gjuhës së sotme Shqipe me rreth 41.000 fjalë.
Në bazë të këtyre fakteve rezulton që Gjuhë Shqipe të ketë disa faza zhvillimi dhe konkretisht:
1635-1702 (faza e shkollave shqipe me alfabet latin në popullatën shqipfolëse ku duket roli absolut i Kishës Katolike Shqiptare), 1908-1954 (faza e formimit dhe konsolidimit te shtetit shqiptar ku, përsëri, duket roli absolut i studiuesve Katolikë të Kishës Katolike) dhe pas 1954 deri me 1980, (faza e shtetit komunist, ku dallohet roli i shkollës bolshevike) nga ku rezulton se në fund të shekullit të XIX-të, kur ka ekzistuar Shoqata e Stambollit, të mos kemi asnjë tendencë zhvillimi të Gjuhës Shqipe.
Së dyti, me Kongresin e Manastirit (1908) kemi unifikimin e përdorimit të alfabetit të Gjuhës Shqipe ndër shkollat e popullatës shqipfolëse. Në këtë kongres u aprovuan dy alfabete latine: ai i Shoqatës “Bashkimi” të Shkodreës dhe ai i Klubit të Stambollit. Por asnjëherë nuk është thënë se pas një viti (1909) vetë Shoqata e Stambollit u tërhoq nga projekti i saj dhe alfabeti i “Bashkimit” triumfoi në betejën latine për vendosjen e alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Nga ana tjetër, nuk është thënë se Klubi i Stambollit ka qenë promotor i vendosjes së alfabetit latin në Gjuhën Turke me 1926, dhe rolin që kishte luajtur Bajo Topulli me Klubin e tij Xhonturk në atë proces. Kjo është arësyeja përse figura e Bajo Topullit u la në heshtje dhe u ngrit lart figura artificiale e Çerçiz Topullit, për të cilin do të flasim veçmas.
Gjuha Shqipe - Gjergj Fishta
Gjuha Shqipe – Gjergj Fishta

Diskutime rreth kësaj teme

Roland Sulaj: Gjithashtu i Nderuar më lejoni të jap edhe një informacion të mëtejshëm në lidhjen me gjuhën Shqipe. Shqipja përfaqëson një degë më vete në familjen e gjuhëve indo-evropiane. Shkruhet me shkronja latine. Gjuha shqipe përfshin gjuhën standarde ose gjuhën e njësuar letrare shqipe, e cila u miratua në Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes në vitin 1972, në Tiranë, dhe të gjitha dialektet, nëndialektet e të folurat që fliten nga shqiptarët. Gjuha shqipe ka dy dialekte kryesore: gegërishten dhe toskërishten. Fjalori i shqipes ka disa huazime nga greqishtja e lashtë, si dhe nga latinishtja; huazimet pastaj vazhdojnë nga gjuhët sllavo-jugore, greqishtja dhe turqishtja, si dhe nga italishtja e frëngjishtja dhe gjuhët tjera. Aktualisht gjithnjë vijnë duke u shtuar huazimet nga anglishtja. Vërtet ne kemi qenë të sunduar nga Perandoria Osmane për Pesë shekuj dhe normalisht disa fjalë janë huazuar me shqipen tonë ose disa të tjera kanë lënë gjurmë duke u përdorur edhe sot, por kjo absolutisht nuk e bën atë të vendosi mbi të drejtat e gjuhës tonë. Me lejoni të përmend këtu edhe librin e parë në gjuhën shqipe në vitin 1555 “Meshari ” i Gjon Buzukut për të theksuar se shqipja është ndër më të vjetrat në Ballkan.
Faleminderit dhe ju lutem me korrigjoni për çdo gabim të mundshëm.
 
Genci Hoti: Informacioni i juaj është formal dhe i krijuar nga shkolla e epokës komuniste. Unë këtë e di shumë mirë që nuk është i juaji, pasi që më 1961 në klasën e parë ma kanë thënë në këtë mënyrë. Por një studim i fjalorit të Frank Bardhit tregon se me të vërtetë kemi 2544 fjalë shqip më 1635, por po të heqim huazimet nga helenishtja, osmanishtja, latinishtja, sllavishtja, etj, do të mbeten vetëm 200 fjalë, të cilat pranohen të tilla sepse nuk i dihet prejardhja dhe jo se janë fjalë me prejardhje shqip. Gjuha shqipe nuk ka më shumë se 400 vjet dhe kjo duket nga fjaloret e mësipërm, por Gjuha Shqipe ka nevojë për një shpjegim filozofik, të cilin e ka dhënë emërmadhi Eqrem Çabej, të cilin shqiptarët duan ta harrojnë me qëllim. Karakteri mesjetar i Gjuhës Shqipe nuk është as turp dhe as çeshtje inferioriteti social në raport me popujt e tjerë ballkanikë. Gjuha Shqipe fsheh një sekret të vërtetë për filozofinë e gjuhës, por që manipulatorët e gjuhës nuk kanë qejf ta venë në dukje në mënyrë autentike dhe mundohen të sajojnë situata historike krejtësisht ireale dhe antihistorike duke e mohuar historinë reale të Kombit Shqiptar. Problemi shqiptar sot shtrohet: Jemi të prapambetur apo të pazhvilluar (përgjigjen e kësaj do ta tregoj në një rast tjetër). Gjendja reale e gjuhës së sotme shqipe tregon se ajo ka karakter monosilabik dhe është e lidhur me një vjetërsi përtej asaj që njeh Europa. Atëhere duhet zbërthyer fenomeni, të zbulohen ekuacionet e nevojshme dhe të bashkërendohet karakteri monosilabik i gjuhës me vjetërsinë e gjuhës shqipe. Në këtë rast do të rezultojë se e vetmja armë që kanë shqiptarët sot në dorën e tyre për të vërtetuar autoktoninë dhe vjetërsinë milionavjeçare është gjuha, por jo sipas interpretimeve që bëjnë të marrët e madhështisë shqiptare. Fakti që gegnishtja ngjason me helenishten e vjetër dhe me shumerishten shërben për të argumentuar se gjuha pellazgjishte është e imprenjuar në gjuhën shqipe dhe shërben për të lidhur fazat e imponimit social mbi Kombin tonë atëhere kur nuk kishte as shtete dhe as popuj. Ky problem nuk është dhe shumë i vështirë, por ai ka nevojë për një trajtim filozofik materialist jo bolshevik, problem ky tepër i vështirë për shkollën e sotme shqiptare.
 
Roland Sulaj: Zotëri, absolutisht nuk ju kundërshtoj, madje e kam vlerësuar shumë statusin tuaj dhe gjithashtu në komentin tim theksohet që në fillim “informacion shtesë” është tjetër gjë fakti e kemi ose e keni mësuar sepse jo të gjithë mund ta dinë këtë informacion. Mbështeta idenë tuaj dhe lartësova edhe më shumë gjuhën tonë.
 
Bardhyl Adem Selimi: A nuk ka luajtur rol psh Hasan Tahsini, Frashërllinjtë, etj?
 
Genci Hoti: Që ata kanë luajtur një rol pasurues në gjuhën shqipe nuk duhet diskutuar, por ajo ka ndodhur pasi nuk kane pasur asnjë informacion mbi punën e studiuesve katolikë dhe në këtë mënyrë kanë përsëritur punën e tyre. Psh thuhet që Sami Frashëri ka bërë gramatikën e parë të gjuhës shqipe, kur në realitet kjo gramatikë ka qenë që në vitin 1710, 1716. Por rezulton që Klubi i Stambollit i fundit të shek. të XIX të ketë qënë promotor i vendosjes së alfabetit latin në Gjuhën Turke me 1926, ku roli i Bajo Topullit nuk duhet lënë pas dore.
 
Sait Saiti: Si nuk paska ndodhë pasi nuk na paskërkan pasur asnjë informacion mbi punën e studiuesve katolikë. Po katolikët s’kanë ikë vetëm në Romë, Genci se s’kanë kenë të të njejtit mendim që ti ke sot për Perandorinë. Komiteti i Stambollit, por edhe Kristoforidhi para tyne, kanë pasë në krah ose përreth tyne edhe shkodranë, katolikë po ashtu. Se çka thuhet asht punë me u nda shapi nga sheqeri, por lobi ma i madh shqipshkrues ishte në Stamboll sepse ideja kombëtare nuk kufizohej deri te gardhi i famullisë. Vetëm kqyrja emrat pjesëmarrësve n’ato komitete dhe shoqëri.
Alfabeti latin për turqit u hyni prej armënve dhe popujve të Kaukazit, shqiptarët e Stambollit kanë luejtë pak e aspak rol.
 
Genci Hoti: Po të lexoni veprën e Sami Frashërit (Shqipëria çka qenë…) do të kuptoni se Klubi i Stambollit ka pasur një veprimtari vetëm në favor të otomanizmit dhe aspak të shqiptarisë. Ata muarën pjesë në Kongresin e Manastirit, vendosen për alfabetin e tyre dhe brenda një viti e tërhoqen si projekt. Kështu që roli i tyre në gjuhën shqipe është zero. Të paktën zhvillimi i gjuhës shqipe nga viti 1702 (11.000 fjalë) deri me 1908 (rreth 13.500 fjalë) e konfirmion pastër këtë zero. Se sa i madh ka qenë roli i Sami Frashërit për alfabetin latin të gjuhës turke duket në mënyrën se si e refuzuan turqit më 1927 sjelljen e eshtrave të tij në Shqipëri ku si justifikim sollën edhe faktin që Klubi i tij ishte marrë vetëm me këtë punë në fushën e gjuhësisë. Eshtë punë tjetër që këtë rol pas 1945, ja adresuan gjuhës shqipe. Koha e ekzistencës së Klubit të Stambollit, është 300 vjet pas shkollave të gjuhës shqipe në Kosove dhe Mirditë, kështu që është e pamundur ta konsiderojmë këtë klub si promotorin e gjuhës shqipe. Dmth kemi të bëjmë me një mashtrim ordiner dhe fallsifikim të fakteve historike. Gjuha Shqipe është vepër vetëm e Kishës Katolike dhe e kërkujt tjetër. Çdo pretendim mbi autoresinë e kësaj gjuhe është vjedhje e pastër dhe manipulim i fakteve. Pastej duhet të dini se deri më 1945, vëllezerit Frashëri nuk janë konsideruar pjesë e plejadës së Rilindjes, ata u vendosen pas këtij viti duke krijuar një histori të gënjeshtërt. Të paktën vepra e Sami Frashërit mbi Shqipërinë është vepra më antishqiptare që është shkruar ndonjeherë.
 
Sait Saiti: Numrat janë ndihmues për konstatim, por s’japin pasqyrën e plotë: Komiteti i Stambollit muer përkrahje nga nalt për kultivimin e gjuhës, dhe me ndodhitë e Lidhjes kur u pengue puna e Komiteti, ishte ingranazhi qe ai çoi në kambë që shërbeu si promotor i celulave kombëtariste në Bukuresht, Sofie, po prap Stamboll dhe Egjypt. Kjo jo sepse bashkëndanin axhendën, gja që mund tëmatet përmes alfabeteve të ndryshme që përdornin, por në nivel shtyse fillestare dhe nijeti ishin në të njejtën anë. Patjetër që për osmanizimin do të mendonin se ishin njerëz të lemë në realitet perandorak trekontinentsh, jo mes bunkerësh të mendësisë nacional-komuniste të veteimprovizueme si gjoja perëndimoro-katolikë. Porse prej mendësisë së Komitetit dhe deri me 1908, kishte kalu jo pak ujë nën urë.
Samiu i ndihu reformave të osmanishtes në kohë të vet, dhe kjo asht krejt temë tjetër me debatin e alfabetit latin dhe të turqishtes vite e vite mbasi ai vdiq. Asht realitet tek i cili pakkush asht në mbrendi këtej nga ne. Ashtu si i ndihu edhe ngritjes së ndërgjegjes kombëtare shqiptare dhe fakti që e mendonte se ndërgjegja e brishtë e kombit tonë do t’u rritte vetëm nën çadren mbrojtëse të shtetit mbrenda të cilit ishte atëhere e ban me kenë shumë ma realist se tana përrallat me mbret që mendojmë me shkrue me demek se po dekonspirojmë gja online.
Shihja fotot riatdhesimit të eshtnave të Frashërllinjve, sepse asht e kollajtë me u pa nëse çmoheshin ose jo si pjese e plejadës.
 
Sotir Bebi: Genc je brilant!!! – nuk i lun presja!!! Një e vërtetë e madhe – latinizimi i gjuhës turke, i shtyrë nga shqiptaret, dhe i fuqizuar nga Ataturku, i cili thuhet se ka prejardhje shqiptare!!! Latinizimi i turqishtes një faktor madhor ne zhvillimin e shtetit modern turk!!! Po këta akademikët e mëdhenj të socializmit nuk e përmendin asnjëherë mbështetjen e kishës katolike për gjuhën shqipe – një e vërtetë e pamohueshme!!! Venediku dhe Roma janë faktorët bazë të zhvillimit të gjuhës shqipe në shekuj!!!
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.