back to top
10.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

“Dua të mbaj gjallë kujtimin për një qytet që po vdes…!” Edmond Hasani

Gazeta

Mond Hasani
Edmond Hasani

“Dua të mbaj gjallë kujtimin për një qytet që po vdes…!”

ditar nga Edmond Hasani

***
B-analistët televizivë… janë pjesa më dembele, më hipokrite, më e felliqur, më e padobishme, më e dëmshme e shoqërisë shqiptare!
U zgjova me tmerr…
Isha bërë edhe unë B-analist!
Mirmëngjes!
10 janar 2014

Peshkopi - Viti i Ri 2014
Peshkopi – Viti i Ri 2014

***
Nëse shoku im i ngushtë, miku im i vjetër, e dashura ime apo komshia im, hyp lart politikisht apo zyrtarisht… unë do të pres deri sa ai, apo ajo të zbresë nga fiku që të pi një kafe me të për qejf…!
Nëse pacienti im, apo i afërmi i tij… më fut ca lekë në xhep natyrisht, si gjithmonë do i pi me ta! Nëse i shoqëruar me gruan time, admiroj një femër të bukur që kalon pranë nesh, edhe nëse gruaja më thotë se është një shoqja e saj, apo një kushërira e saj… unë nuk turpërohem nga respekti im për bukuritë që Zoti krijoi mbi dhe!!!
Nëse unë gaboj, si çdo vdektar i kësaj bote, nuk kam ndrojtje t’i kërkoj falje të dëmtuarit…!
Nëse unë vonoj t’i sjell ca lekë në banak… mos ma vini re, sepse banaku për mua është si një çadër plazhi… pranë detit dhe asaj… ku mezi pres të relaksohem dhe të hiqem i pasur!
Nëse lexoni një status pa adresë mos e vrisni mendjen të gjeni kujt i drejtohet! Nëse të drejtohet ty, mos ji aq… i (apo e) sigurtë!
Nëse do jetoja edhe një herë apo dy herë të tjera, pikërisht këtë jetë do të bëja!
Nëse mendoni se njerëzit ndryshojnë shumë nga njeri tjetri gaboheni…! Të gjithë jemi pak a shumë të njejtë në ëndrra, realizime, cinizma, egoizma, egzibicionizma… edhe në… fb, ndër të tjera!
Na ndryshojnë shpesh veç emrat!!!
10 janar 2014

Modiglani - nudo
Modiglani – nudo

***
“Një grua lakuriq është e armatosur…” – thoshte dikur Hygo! “Një grua me shpirt lakuriq është e çarmatosur…!” them un!
…E adhuroj lakuriqësinë femërore!
Një pianiste lakuriq në një pyll mes gjethesh vjeshte… një violiniste lakuriq ulur mbi një shkëmb në Jale… një piktore lakuriq duke vështruar modelin: një kuzhinier lakuriq… një poete lakuriq duke recituar Eseninin në skenën e Pallatit të Kongreseve… një amvisë lakuriq duke pritur që lavatricja të marrë ujë… një mësuese lakuriq duke korigjuar detyrat e nxënësve… një deputete lakuriq duke ngritur dorën pro në parlament… një police trafiku lakuriq duke vënë gjobën mbi xhamin e makinës, një fejsbukse lakuriq duke lexuar këtë status, një…. më fusin në mendime, në përfytyrime për gjenë më të bukur që Zoti me bujari shpiku: Xhveshjen e femrës!
…Por ashtu si shumë gjëra të bukura, që Zoti krijoi mbi tokë, ashtu krijoi dhe njerëz që e persekutojnë lakuriqsinë!
I tmerruar shpesh shikoj e dëgjoj lajme të tilla ku protagonistët e haberit protestojnë nudo për arsyet me idjote të mosarsyes! Kështu kam parë yje bukurie sfilatash apo mediash që protestojnë nudo sepse në Alaskë një tornitor kish vrarë një fokë!!!
Ca simotra të tyre ne Brazil kishin protestuar nudo sepse kisha katolike është kundër abortit!! Po kështu në një qytezë pranë San Sebastianit, në Pirenej, ca spanjolle të lezetshme kishin shetitur nudo për 20 minuta në rrugët plot dëborë, duke protestuar pse një gjuetar irlandez kish vrarë një dhi të egër në shkrepat e maleve Pirene! Nja gjashtë gra në Kapfenberg të Austrisë, protestuan nudo por me çadra ndër duar kundër indiferencës familjare së burrave të tyre që zakonisht flinin në bilardo! Një grup studentesh në Siatell protestuan nudo sepse nuk e besonin versionin zyrtar se Bin Laden rrëzoi kullat binjake!!!
Raste të tilla keqtrajtimi të lakuriqsisë femërore ka plot, por kulmi i këtij keqtrajtimi u bë dikur në Shqipëri kur figurës femërore të pikturës së famshme të Delakrua-së “Liria mbi Barrikada”, e cila në versionin origjinal ishte me flamur mbi barrikadë e gjoksjashtë përballë armikut, zyrtarët namuzli shqiptarë e veshën… si të ishte gruaja a motra e tyre!!!
Lakuriqësia është bërë për t’u admiruar! Nuk e fsheh dot! Në plazh mes qindra femrash të zhveshura mezi pres të zhvishet ajo e sapoardhura me fustan… le të jetë edhe e shëmtuar… ama mjaft që të zhvishet!!!
10 janar 2014

Mondi - Variant jete mbi mjegull
Mondi – Variant jete mbi mjegull

***
Oskar Uajlldin nuk e honeps… ama i jap të drejtë pisit kur thotë: “Për të rifituar moshën e rinisë, mjafton t’i përsërisësh çmenduritë që ke bërë!!”
Bravo… por, nëse unë nuk ndihem aq sa të përsëris çmendurite rinore, apo nëse tjetri në rini nuk është çmendur asnjëherë… si i bëhet hallit?!?!
10 janar 2014

***
Kush nuk e njeh hallë Shajen (Shahen) nga banorët e vjetër të qytetit?
…Të gjithë! Ajo ishte një figurë interesante e shkreta, fatzezë bashkë me të shoqin Remzi Verzivollin, një figurë misterioze për të cilin pak gjëra diheshin aso kohe!
Shaja e gjorë, si manjake legjendare pastërtie, për shumë vjet mbijetoi jo vetëm varfërinë dhe luftën e klasave… por edhe shpotitë dhe fyerjet që kalamajtë i benin asaj gjithmonë, kot fare!!
Remziu, i shoqi në rini kish studiuar për veterinari në Gjermani, Berlin… dhe ndërkohë luante edhe futboll! Kur mbaroi studimet, ky bir i Dibrës së Madhe u kthye në atdhe dhe autoritetet mbretërore të kohës e caktuan të punojë në Vlorë si specialist veterinarie! Aty, ky djalosh elegant, i gjatë, bjond si gjerman, binte në sy gjithmonë për hijeshinë e tij! Filloi të luajë futboll me Flamurtarin… ku dallohet si golaxhi qendërsulmues!!!
Ndërkohë… nisën të fryjnë erërat e këqija që paralajmëronin stuhinë! Fillon Lufta Botërore dhe lumturia personale e Remziut mbaron përgjithnjë! Mbarimi i luftës e gjen në kampin antikomunist… e për rrjedhojë ky intelektual, profesionist, sportist e atdhetar… izolohet bashkë me gruan Shajen, në Peshkopi ku nuk pa më një ditë të bardhë!!!
E kujtoj gjithmonë këtë personazh tragjik të qytetit tonë ashtu… plak i sëmurë, i urtë, i kërrusur nga jeta e ndyrë, gjithmonë i veshur me kostum të bardhë… (tani i kërkoj ndjesë) se ndoshta dikur edhe unë i kam vënë në lojë atë dhe hallën tonë Shaje… si fëmijë çapkën (apo rrugaç natyrisht) pa ditur asgjë për personalitetin e këtij burri fisnik që furtuna i përplasi aty ku ai nuk dëshëronte… duke i ndarë nga vendi ku ata ëndërronin të jetonin si njerëz!!!
Një tufë lule besoj se do ju a ve tek varri të dyve, tek ai varr ku sot, mbase… askush nuk shkon!!!
9 janar 2014

Mondi - Variant Munch
Mondi – Variant Munch

Agron Sharkaj
Mondi, në lidhje me burrin e halles Shahe, në vitin 1974, është festuar 50 vjetori i shkollës së Mesme Tregtare në Vlorë. Motra ime e madhe, Vjollca, që studionte atje, kur erdhi me pushimet e vitit të ri ka prurë një ftesë për Remziun, që të merrte pjesë në këtë ceremoni. Ka qënë nxënës apo mësues, unë nuk di të them, por mbaj mend, se kur erdhën në shtëpi motra dhe babai, që kishin qenë në shtëpinë e Remziut për t’i dhënë ftesën, flisnin për emocionet e mëdha që kishte shkaktuar tek ai njeri ajo “ftesë”.
Që nga ajo ditë unë e kam parë me një sy tjetër atë njeri… dhe halles Shaje nuk i thoshnim më “Sa vjeç je?”.
Unë i kam pasur shumë afër me shtëpi…

***
Derri u felliq fare që kur filloi të shoqërohet me njeriun!
Prandaj… unë ha veç bërxolla derri… sepse ashtu shijoj vdekjen e njerëzve të ndyrë!!!
9 janar 2014.

Elvis Presley (1935-1977)
Elvis Presley (1935-1977)

***
Është 8 janari… i Mbretit të rockut dhe Tiranit të grave: Elvis Preslit!
Sonte ai do ishte 79 vjeç… nëse nuk do të vdiste papritur me 17 gusht 1977, brenda një vaske banje!
Gëzuar idhulli im!!!

***
Zysha ime e dashur: Elsa Koleci Brahimaj!
Andej nga dimri i vitit shkollor ’77-’78, Ju më dhuruat një foto të mrekullueshme të Elvis Preslit… që ju e kishit dhe e keni aq në zemër!
Ishte më shumë se një kujtim i bukur!
Kaluan vite dhe një ditë plot diell të verës së vitit 1983, një oficer trap, në çastin kur po haja një drekë bajate në një repart të ndyrë… ma vuri re “Mbretin” në tavolinë… dhe pa e njohur fare e jo më të pyeste… ma rrëmbeu, e grisi, e shkeli me këmbë… siç na u shkelën ëndrrat akoma pa lindur nga “çizmja e kuqe”!
Zysh, të përqafoj sonte në këtë përvjetor aq domethënë për ne e për miliona fansa Preslianë!!!
8 janar 2014

 

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.