Drejt Evropës… rrëfim nga Ilir Seci

0
10
Pentagramet e arratise
Pentagramet e arratise
Ilir Seci
Ilir Seci ne Angli

Drejt Evropës…

rrëfim nga Ilir Seci

Tanë brezi jem e mbajnë mend sa e patëm andrrue udhëtimin e parë për në Evropë Perëndimore… Nji andërr jona e hershme, tunduese, pervëluese… nji andërr e shumicës së rinisë shqiptare të atyne viteve diktaturë, që mbas nji gjysë shekulli izolim kërkonte me aq dëshirë me e pa qoftë edhe njiherë të vetme Perendimin! Perëndimin, botën e mveshun me lloj-lloj misteresh per ne Shqiptaret e izoluem… Perëndim, që na shqiptarët e izoluem të “Fanarit Ndriçues” e paraftyronim si nji Hollywood të dubluem në italisht si filmat amerikanë që jepeshin prej “RAI-t”…
At andërr e ushqente asokohe në mshehtësi gjithsecili prej nesh…
Me hikë pa vizë, me u arratisë nuk u bana mbarë asnjiherë, nuk më qilloi me qenë aty kur ndodhi eksodi i marsit ’91, as má parë nuk qillova n’Tiranë në korrik të ’90-s, kur u msynë ambasadat… Kalimin e rrezikshëm të kufinit nën breshnitë e plumbave të kufitarëve të Enverit, e pata mendue gjithëherë si mundsinë má të mbrame…
Mbandej ndodhën ndryshimet e viteve ’90, në të cilat u përfshiva njashtu vrullshëm. N’at kohë lindën dhe shpresat se ma ne fund kishte me u ba mbarë edhe në vendin tem! Me ato shpresa u ushqeva deri në vitin e mbrapshtë ’97, kur rrethanat jetësore më shtërnguen me e konsiderue shpëtim udhën e emigrimit “Drejt Evropës!” Njashtu siç kish kenë sllogani aq i njoftun në Shqipni në vitet ’90… – “Drejt Evropës!”
Asisoji, unë studenti i “Dhjetorit ‘90”, student që me ashk të shpirtit kisha thirrë shesheve: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”, – u shtërngova me u nisë drejt njasaj Evrope aq të andrrueme tue kapërcye kusarisht detin, natën, njisoj si shumica e bashkëkombasve të mi, me lundër! Rrugë tjetër s’më kish mbetë… dhe mbasi mujta me sigurue pare borxh e me e marrë edhe njat udhë, nji mbramje fund-qershori e lashë Atdheun pa pasë as mundësi lamtumire, pa pasë as përmallim… sepse kisha edhe do halle tjera má t’mëdha, të cilat me peshën e tyne me banin me harrue çdo gja tjetër:
“Athue po mund e kaloj detin?! Athue po pshtoj pa u ndalë prej karabinierëve!? Me kalue e mos me u kthye mbrapsht?! Se kush e bánte prap at rrugë!?”
Kur njeri ikën n’at mënyrë s’ka fort gajle përmallimesh romantike, sepse romantizmi asht komoditet për udhëtimet me avion, me traget, me tren, me autobus, kur mbahet bileta në xhep e rrugëton si zotni… At fat, nuk e pata unë kur lashë Atdheun… pse ika natën me lundër… e fati e desht me mbrri shëndoshë e mire në Bari duke e kalue pa problem detin… Ndejta disa ditë aty, afër Barit te do njerëz të mi, deri sa vazhdova ma përtej udhën, me tren prej Barit në Milano… Me pikësynim, Anglia!
Ndala do ditë në Milano, Como e Chiasso deri sa gjeta lidhjet me vazhdue ma tutje në udhë teme “Drejt Evropës”…
Tanë ato ditë në Itali jam knaqë, dashamirënë dhe mikpritjen e të afërmëve të mi në Cassano delle Murge dhe në Como s’kam me ua harrue kurrë përjetë! U knaqa anipse drumtar, isha i pavizë e n’pikë të hallit… Mendojshe se mbasi e pata kalue detin Adriatik, e kisha lanë mbas vedit pjesën ma të vështirë të udhës teme…
Po, pak gja kisha pasë ditë!
Prej Milanos me autobus u nisa për në Val D’Aosta, prej kah mujshe me kalue kufinin për Francë. Udhëtimi me autobus prej Milanos deri në Aosta ishte nja dy orë e gjysë me ndalesa, nji udhëtim magjik sepse nga dritarja e autobusit mujshe me kundrue magjinë e Italisë së Veriut me Alpet madheshtore në sfond… Mbrritëm në Aosta dhe mbasditen e vonë bashkë me tre bashkëkombas të mi u nisëm për me kalue kufinin për Francë.     Mbasi u ngjitëm do orë të mira nëpër nji peisazh përrallor, kaluem mes pyjeve dhe livadheve të Mont-Blanit, në të dy shpatijet; hisen italiane edhe at franceze…
Kufini në Mont-Blan, na patën thanë se kalohej má lehtë nga posta dimnore pse verës atje nuk ka kufitarë… Aty ishte edhe pika má e naltë që jam ngjitë ndonjiherë deri më sot, në nji gur shenjues shkruhej se naltësia ishte 3437 metra!
Gjithkund kishte veç shkurre alpine që rriten në naltësi të mëdha, kishte shumë boronica, n’at vend pashë boronica ma shumë se në asnji vend tjetër. Edhe pse nuk mujta me i shijue njiqind përqind ato pamje të rralla që me ofronte ai rrugtim nga droja e ndeshjes me rojet kufitare, prap una i falenderohem fatit që pata mundësi edhe në kët formë me pa Mont-Blanin! Me soditë pamjet magjike që gjinden në kufinin mes Val D’Aosta’s dhe Bourg Sant-Maurice në Francë Dishroj ndonji ditë me u kthye dhe me i shëtitë ngeshëm ato vende!
Na u desht me ecë edhe do orë të mira për me zbritë nga kufini deri në qytetin Sant Maurice. Sant Maurice, qytet kufitar francez gjindet afër vendit ku asht martirizue komandanti legjionar Afrikan, komandanti me ngjyrë që në kohën e Romës nuk ndigjoi me masakrue besimtarët e kshtenë të Alpeve… Legjionari me ngjyre që nuk pranoi me vra katolikët u martirizue, duke u ba i pari shenjtor me ngjyrë në kishën katolike…
E njifshe kët fakt që m’u kujtue tek kaloja andej pari… Në mbramje vonë morëm nji tren që shkonte nga Saint Maurice në Lion e má përtej deri në Paris, tren që udhëtonte tanë natën… Udhëtarët vendas flejshin gjumë ndërsa unë, nga sikleti i udhës ndejta çuet gjithë natën e lume tue hamendësue fundin e asaj udhe që kishe marrë…
Ishte qershor 1997. Dita zbardhej shpejt, qysh në katër e gjysë të mjesit… Nga dritorja e trenit mujsha me pa fushat e pamata të Francës, pamje që më kujtonin “Të korrat në Arles”, të Van Gogut. Ishte fundqershor, dhe arat me grunë kishin nisë me marrë ngjyrën e artë dhe ngjasonin aq fort me tablotë e famshme të mjeshtrit hollandez… Aty ka ora shtatë e mjesit treni má në fund mbrriti në stacionin “Gare du Nord”, Paris… Edhe pak e mbrrija në destinacion…
Mos me u zgjatë, në Paris u takova me pritësit, ata që na e kishin marrë përsipër përcjelljen për në Angli… Pritësat më thanë se në mbramje kisha me u nisë me ta për në Kale (Calais), me veturën e tyne, mbasi nga na të tre veç unë isha për Angli, kurse dy tjerët mësynë Belgjikën… E lamë me u takue në mbramje kah ora tetë te po e njejta kafe… Kështu që dola me e pa Parisin, qytetin që kisha andrrue qysh se fëmi, kur kishe lexue Dymas, Hygoin dhe Balzakun… Eca e eca pa u lodhë sa mujta dersa erdh mbramja…
Kah mbramja u takova me shoqnuesit dhe u nisëm për Kale… Unë dhe dy përcjellësit e mi… Mbas disa orëve udhëtim me makinë mbrritëm në rrethinat e Kalesë, (Calais) dhe ndaluem te nji parking kamionash të randë që gjindej dikund mes fushës se shkretë… Aty shoqnuesit më thanë që duhej të mshehesha në nji zabel afër parkingut dhe të pritsha deri në oret e mjesit kur do të flejshin shoferët anglezë të mauneve për me mujte me hy mshehtazi në maune!

Ilir Seci ne emigrim
Ilir Seci ne emigrim

***
Asnjiherë, sa të jem gjallë s’kam me e harrue at natë, kur m’u desht me u mshehë si hajn në nji korije në periferitë e Kalesë, (Calais)… Zot o Zot, çfarë nate!
Shoqnuesit më thanë:
-Ilir shko e mshehu aty te ajo korija!
Ashtu bana, por nja nji orë mbasi shkuen shoqnuesit erdh duke më zanë nji kompleks i çuditshëm shqetësimi – çka po bajsha njaty vlla unë – çka dojshe aty në at orë të natës!? Qyqe vetëm midis fushës së shkrete në Kale, (Calais)?! Nji emigrant ilegal, pa vizë, pa letra, pa e ditë kush në botë se isha aty, nji numër – çfarë numri vlla – nji zero në hapsinën e nji bregdeti…!!
Erdh duke më zanë ajo gja, pse edhe kohë kishe boll…
“Çka lypsha unë emigranti ilegal n’at fushë të Francës!? Çka marren teme lypshe unë, qyqe vetëm midis fushës së Kalesë, pa e ditë me kand kishe të baj… Pa e dijtë kujt ia kishe besue jetën teme!?” Çka baj unë ktu mshefun në nji zabel francez, afër nji parkingu midis fushës së shkretë në Kale, (Calais), duke pritë me hy vjedhazi n’nji maune angleze e me dalë përtej në ishull!?”
…Dilema nisi me márrë terren në stomak ku do flutura ankthi u shtuen dhe nisën me fluturue rreth dritës së panikut… Mbas pak nji si angushti më kaploi zemrën dhe djersë të ftofta si në ballin e të dekunit má mbuluen ftyrën… As i ndiejsha fare ato djerse!? Rrekeheshin ballit si bubrreca të ftofta e të hueja sikur nuk vinin prej ballit tem!? Ndjeva nji nevojë të domosdoshme me ikë prej vendit ku më kishin thanë me u mshehë ata dy shoqnuesit… Sa ndrrova vend dhe dola në nji korije tjetër pak má përtej përballë gjithshka u fashit… As djersë as flutura në stomak… Rashë në paqe! Mendjen nuk mujsha me e hjekë prej atij ankthi që përjetova derisa ndrrova vend… Kurrë në jetë se kishe provue at ndjesi! As e kishe provue at ndjesi para, as e kam provue má mbas… asnjiherë! Shumë e habitshme!
Aty rreth orës 2 të mjesit, më rrejti lodhja e rashë dekun në gjumë… Mbas nja nji ore, dikund kah ora 3 e mjesit, ashtu i marrakotun – në nji makth má shume se gjumë – jam zgjue vrik se ndigjova do zana njerëzish që flitshin rusisht!? E njifsha mirë at gjuhë… Po kërkonin diçka!?
“Eh, grupe rivale trafikantësh – mendova me vedi… edhe pse më alarmoi fakti që rusët në fakt po kontrollonin vendin pëllambë për pëllambë! Kqyrën edhe te vendi ku me patën thanë shoqnuesit e mi me u mshefë!? Flokët m’u çuen përpjetë! Çfarë dreqin kërkonin rusët në një parking në periferitë e Kalesë, (Calais)!?
Pa pasë fort kohë me hamendësue ndigjova klithmat e nja tre arabëve që i gjetën ndër ferra… Arabë?! Të paktën ashtu m’u dukën nga e foluna, mbasi ata në gjuhën e tyne ngulmuen fort mos me shkue me rusët ndër makina… Rusët ishin nja nandë veta që kishin ardhë me tre makina… I përlanë algjerianët, duke i kapë nga kambët e duert i rrasën në makina të tre! Për tridhetë sekonda u zhdukën…
Ka ora 4 e mjesit erdhën shoqnuesit e mi… Më thirrën në vendin ku me patën thanë me u mshehë e mbasi pashë edhe tjerë njerëz me ta, dola… U mshehëm tetë veta në maune dhe dolëm në Angli, dikund në periferi të Londrës…

Pentagramet e arratise
Pentagramet e arratise

***
…Nji nadje herët, nja gjashtë muej mbasi kisha hy në Angli po merrsha trenin me shkue në punë, Victoria Line në Seven Sisters, Londër… Si përdita edhe at ditë mora gazetën “Metro”, gazetë falas e Metrosë së Londrës… E merrsha përditë, jo pse ishte falas, por pse ishte gazetë e mirë, mjaft e pasun me informacione… Atë dite artikulli në faqen e parë më shtangu…
“Arrestohet një rrjet rusësh që rrëmbenin emigrantë ilegalë për trafik organesh në Kale, Francë”… Artikulli tregonte hollesisht se si nji rrjet trafikantësh rusë gjuanin pikërisht parkingjet e kamionëve për Angli dhe rrëmbenin emigrantë ilegalë! Emigratët ilegalë ishin pre e lehtë… askush s’e dinte që ishin aty… asnji dëshmi, asnji provë me kallzue që ata kishin kalue asajt! Duke e lexue at artikull ndjeva që me rrshqitën në ftyrë e qafë ato sumbullat e djersës si at natë në Kale,(Calais)… Njisoj si ato djersët e ftofta bubrrecore që as e dijshe kah më vijshin… Kisha pshtue për fije t’penit at natë qershori…

Related Images:

Artikulli paraprak“Ku humbën të gjithë burrat!…”… poemë nga Robert Martiko (kushtuar at Pjetër Meshkallës)
Artikulli tjetërDy ballo për një muzg… nga Anissa Markarian
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.