Dinjiteti i një vdekjeje! nga Mimoza Leskaj

0
15
Mimoza Leskaj dhe i ati i saj...
Mimoza Leskaj dhe i ati i saj...
Mimoza Leskaj
Mimoza Leskaj

Dinjiteti i një vdekjeje!

nga Mimoza Leskaj

Njeriu me trup të shkurtë, me dy sy jeshilë e të vegjël, me një ecje të qetë prej burri të mençur, që i hidhte ato hapat ashtu ngadalë edhe nga pleqëria edhe nga sëmundja që e kish lodhur aq shumë kohët e fundit, është im atë.
Ngado që shkelte këmba e tij, kudo që ulesh të bisedonte, bënte vetëm miq. Ndodhte që deshën edhe armiqtë e tij, ose së paku ndershmëria dhe puna e tij bëri që ata ta respektonin të detyruar nga kjo.
Nuk është e lehtë të flasësh për babanë tënd! Asaj jete të mbushur me mundime të shumta, do t’i duheshin faqe të tëra librash!
Gjithnjë e kam parë me admirim tim atë. Çdo ditë të jetës së tij e kam dashur baras me ditët e jetës time, por ajo që më ka bërë t’i kushtoj më shumë vëmendje pas vdekjes së tij, që është fiksuar në sytë e mi dhe do jetojë së bashku me mua në kujtesën time, është vdekja e tij!
Ishte e para herë në jetë që ndeshja në kthetrat e vdekjes, ashtu ballë për ballë dhe fati kish zgjedhur pikërisht vdekjen e njeriut tim më të dashur, më të afërt, rrugëtarin e jetës sime; vdekjen e tim eti!
Gjashtë shkronjat e kësaj fjale, janë si të thuash të pranishme qysh sa njeriu del nga kërthiza e nënës, por nuk mësohemi dot kurrë me të dhe i trembemi sikur asnjë nga ne nuk do ta prekë. Pak kohë, para se të arrinte ai momenti i dhimbshëm i ndarjes nga jeta, vëreja se fytyra e tij e ëmbël zbehej përditë e më shumë. Zemra më dridhej dhe nuk kisha fuqi më t’i lutesha zotit për të, që ta mbante akoma në jetë! Sëmundja e ligë në atë trup të munduar, kishte kohë që kthetrat e saj të pamëshirshme i kishte ngulur mirë, dhe unë ndjehesha e pafuqishme për të bërë diçka. E shikoja me dhembshuri dhe më duhej ta përgatisja veten, se si në fund të fundit do të më duhej të jetoja pa të!
Të jetoja pa dashurinë dhe ledhatimet e tij, pa fjalët e ngrohta dhe qortimet, pa ato mijra ditë të jetës së tij të mundimshme, që më tregonte plot ngjarje me lot ndër sy.
Nuk kisha parë kurrë më parë çdo të thoshte takim me vdekjen! Pa ja ndarë sytë për asnjë çast vështroja sekondat, minutat, orët të cilat ishin bërë tashmë shumë herë më të fuqishme nga ne. Ndërsa jashtë dielli i marsit ngrohte mbasditen e fillimit të pranverës, brenda në dhomën e errët vdekja tashmë ishte bërë zotëruese në çdo cep të saj. E shihja e mbytur në trishtim atë trup që dergjej brenda atyre mureve dhe pyesja veten:
-Si është e mundur të mos e dëgjoj të ankohet. Si është e mundur që ata sy të vegjël e plot jetë, nuk e demostronin aspak atë dhimbjen e madhe fizike që ndiente brenda tij? Si është e mundur ta presësh vdekjen aq qetësisht, pa gulçuar dhe pa iu trembur kthetrave të saj. Kisha ngrirë e tëra, ndërsa rrija përballë atij njeriu që kish dhënë tërë jetën për ne.
Duart nuk i ndahja asnjë çast nga duart e tij tashmë të zvogëluara, ato duar që një jetë të tërë kishin sakrifikuar, e punuar me nder për të na rritur.
Zakonisht njeriu buzëqesh dhe jep kurajë kur ndihet mirë, por të buzëqeshësh dhe të japësh kurajë në minutat e fundit të jetës… Ohh mos më thoni që është e lehtë: përkundrazi, do forcë, do shpirt, do dashuri dhe këto i shihja aty para njeriut tim më të dashur, të shtrirë mbi atë krevat të heshtur. Ishte një qetësi e shurdhët! Nuk e desha atë qetësi! Doja të bëja zhurmë, të thërrisja sa kisha në kokë, që ishte akoma herët për ty – babai im; por sytë e tu të mbyllur nuk më lanë, sytë e tu të lodhur nga e gjithë ajo dhimbje e jetës që të shoqëroi.
.
Mimoza Leskaj dhe i ati i saj...
Mimoza Leskaj dhe i ati i saj…
Heshta, o heroi im! Heshta, për të mos ulëritur, pata frikë se e trembja vdekjen dhe e largoja… unë, pikërisht unë që kam luftuar si luaneshë për një ditë jete më shumë për ty! Ç’absurditet vetëm ta mendosh! Ndoshta për këtë jeta e ka një kuptim më të madh akoma, por kuptimin e saj e njeh vetëm kur takohesh me absurdin e saj, me të kundërtën e saj! Vdekja dhemb! Ajo e do qetsinë e saj, madje kërkon dhe t’i japësh leje për të hyrë duke qenë dhe e sjellshme me të…
-Të lutem eja mos u vono. Do të t’ulem në gjunjë të t’përgjërohem, eja, hyrë dhe bëje sa më shpejt ritin tënd të mallkuar! Eja mos u vono më! Oh, ku je në absurdin tënd! Por ja që ndodh, të ulesh pranë saj dhe ta bësh dhe mike e madje t’i zgjasësh dorën e ta presësh atë, teksa shpirti të pikëllon gjak, me qetësinë më të madhe, si të mos ketë ndodhur asgjë, asgjë në këtë heshtje të mallkuar, asgjë përveç një qetësie varri ku dhe fryma ka frikë se bën zhurmë…
Ledhatoja papushim ato duar të cilat gjejnë fuqi t’u përgjigjen duarve të mia si për t’u thënë: Këtej e tutje dua të jesh e fortë, këtej e tutje, do ia dalësh e vetme me duart e tua, këtej e tutje do të t’shoh nga lart dhe do të ruaj, siç të kam ruajtur në tokë… dhe një fije e hollë buzëqeshje ia ndriçoi fytyrën e zbehtë prej atyre orëve të gjata agonie.
Në fund, u dëgjua një zë që me butësinë dhe dhembshurinë e sfidoi vdekjen:
-Moza?
-Oh, ja ku jam babushi im i shtrenjtë, pranë teje pa u ndarë asnjë çast nga takimi me vdekjen. E hidhur plot, por gjithë dinjitet, sepse njeriu që gjatë jetës nuk e ka humbur për asnjë çast dinjitetin e tij, nuk e humb atë, as në takimin fatal me vdekjen!
Mëngjesi zbardhi pa depërtuar dot në shpirtin tim të zhytur në errësirë. Tashmë nata gjendesh në sytë e mi, dhe lindja e diellit nuk sillte dot dritë atë mëngjes. Një rrugë e gjatë e përshkruar lotësh të pafund, nën kujtimin e ditëve dhe jetëve të shkuara.
Sa herë kam ndeshur dhembjen tënde, lotët e tu për të afërmit e vdekur në mërgim. A kishe menduar vallë, se të priste i njëjti fat i tyre? Ajo tokë e munduar që të lindi dhe të rriti me njëmijë mundime, ajo tokë që të ofroi veç hidhërime, ajo tokë që ti i dhe aq shumë, tani është kaq e largët. Mbase më në fund do ta keshë gjetur qetësinë që kurrë nuk e pate në jetë, por që qetësisht fale vetëm dashuri. A e gjen dot se çfarë më mungon më shumë? Ajo dora jote e stërmunduar mbi flokët e mi! Ohh, sa shumë më mungon ajo dorë ledhatare! Po një ditë do të takohemi dhe do të rend si e çmendur drejt asaj dore për të mbetur aty përjetsisht, o i shtrenjti im!
Dallgët zhurmojnë sa herë përplasen te këmbët e mia, dhe mua më pëlqen të mendoj se ti tani je një dallgë ku ne takohemi çdo ditë, themi ato gjërat tona të vogla, përkëdhelim me ngrohtësinë e shpirtit çastet kur zbraztësia bëhet e rëndë. Thonë që të ngjaj shumë, dhe mbase është e vërtetë. Por s’do mundem kurrë të bëj atë çka bëre ti në jetë, madje një ditë s’do të jem e aftë të vdes kshtu, siç e bëre ti, i qetë, i heshtur, i ëmbël e përplot me dashuri…
Nuk do të jem e aftë jo, sepse pakkush e ka forcën tënde!

Marrë nga muri i Fb, 18 tetor 2017

 

Related Images:

Artikulli paraprakDine Dine, një zë nga thellësitë e terrorit komunist – nga Promovimi i Librit “Mbi Varkën e Karontit” në UET
Artikulli tjetërMerrni mbrapsht dekoratën time zoti President, ky vend… nga Ilir Demaliaj
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.