back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Dinastia e Baronëve Sina dhe ndikimi i saj në Vjenë, Austri nga Pjetër Logoreci

Gazeta

Stema e Familjes së Baronëve Sina
Stema e Familjes së Baronëve Sina

Dinastia e Baronëve Sina dhe ndikimi i saj në Vjenë, Austri

nga Pjetër Logoreci

Ndërsa së bashku me ish presidentin Alfred Moisiu po vizitonim bustin e Aleksandër Moisiut të vendosur në Vjenë, vërejta që rrugica Moissigasse (ku ndodhej busti, vepër e skulptorit të talentuar durrsak Qazim Kërtusha), kryqëzohej me rrugicën Sinagasse. Mbiemri Sina ishte i njohur për mua pasi miku im Gaqo Qyfeku, gjatë një takimi në Tiranë, më kishte treguar për disa familje të emigruara nga Voskopoja, të cilat ishin shumë të njohura në Austri, ndër to edhe Familja SINA.
Menjëherë mendova se nuk ka qenë e rastësishme që zyrtarët e Bashkisë së Vjenës i kishin vendosur ato dy emra së bashku. Idea e tyre është historikisht dhe gjeografikisht funksionale, pasi të dy këto figura (Moisi dhe Sina) kanë lidhje me Shqiperinë.

 

Kryqëzimit i Rrugicave Moissigasse dhe Sinagasse në Vjenë
Kryqëzimit i Rrugicave Moissigasse dhe Sinagasse në Vjenë

Me qëllimin e evidentimit dhe të ndriçimit të figurave të rëndësishme me origjinë nga trevat shqiptare, që patën aktivitet në Austri/ Vjenë, të cilët ishin të njohur në mbarë botën e përparuar dhe atë shqiptare si: Karl Gega, Aleksander Moisiu, Gjergj Pekmezi, Kolë Rrota, Federik Shiroka… etj, dëshiroj të sjell për lexuesin shqiptar informacione mbi prejardhjen dhe aktivitetin e një ndër familjeve më të famëshme në xhiron financiare, tregtare e industriale në Austri, të Familjes SINA.

Portret i Baronit Gjergj Sina
Portret i Baronit Gjergj Sina

Të njohim familjen Sina…

Në mesin e “Patrizëve” më të pasur të Vjenës, qendrës së perandorisë së fuqishme Austro-Hungareze, vendosej edhe familja me origjine nga trevat shqiptare SINA. Historia e dinastisë së kësaj familje fillon me zotëruesin e madh të tokave, financuesin dhe ndërtuesin më të rëndësieshëm, ajkën e Perandorisë Austro-hungareze nën Franc Jozefin I, Freiherr Simon Georg von Sina (1753-1822)1).
“Familja Sina ka ardhur nga Voskopoja, vendi i origjinës së tyre, që sot është një fshat po me këtë emër në Juglindje të Shqipërisë, ndërsa dikur ishte një krahinë e begatë nën perandorinë osmane… Këtu përshkoheshin rrugë të rëndësishme tregtare që e kthyen Voskopojen në një qendër të rëndësishme ekonomike dhe kulturore, me disa kisha, biblioteka si dhe me shtypshkronjën e saj. Qyteti ishe një qendër e Aromunëve…, të cilët tradicionalisht ishin nga zanati tregëtarë, udhëheqës të karvaneve me mallra apo ustallare lëvizës…”, shkruan zonja J. Ecker në studimin e saj mbi familjen Sina.

Quartieri i ashtuquajtur i "Grekëve" në Vjenë
Quartieri i ashtuquajtur i “Grekëve” në Vjenë

Njohja e familjes SINA, jashtë kufijve të perandorisë osmane (Shqipërisë), fillon me Simon Gjergj Sinën të vjetrin, i cili nga çereku i tretë i shekullit të 18, vendosi kontakte tregtare me Vjenën. Ndër dokumentat e pakët që janë gjetur, ka paqartësi për kohën e lindjes së Simon Sinës, filluesin e historisë së suksesëshme të kësaj dinastie, paqartësi të cilat vijnë nga periudha kohore nën Perandorinë Osmane si dhe vendndodhja administrative ku u lindën dhe filluan aktivitetin e tyre personazhet e kësaj familje.
Për të kuptuar qartë arsyet e lëvizjes së familjes Sina nga vendlindja duhet ti referohemi një studimi të autorit Max Demeter Peyfuss, i cili është marrë me studimin e prejardhjes, lëvizjes, kulturës, dhe aktivitetit të Vllehëve të pasqyruara këto në librin e tij “Çeshtja Vllahe”:
“…fiset e vllehëve, kanë lëvizur rregullisht në grupe të mëdha për arsye politike apo ekonomike, duke krijuar koloni të mëdha në vendbanimet shqiptare të Maqedonisë. Ato filluan të qarkullonin në të gjithë Ballkanin si tregëtarë, transportues e shoqërues malli. Në shumë qytete të Gadishullit Ballkanik ata njiheshin si mjeshtra artizanë, ndërtues shtëpish, argjendarë. Në Shqipëri fiset vllehe gjindeshin të përqendruar në zonën e Myzeqesë, në qarkun e Përmetit dhe në Korçë…”
Lëvizjet dhe aktiviteti tregtar i Vllehëve filloj të lulëzoje sidomos pas Paqes së Beogradit të vjetit 1739, me aktivitetet e tyre tregtare drejt Selanikut, Serbisë, Hungarisë deri në Vjenë, ku krijuen edhe baza të mëdha për magazinimin e mallrave me shumicë. Për familjen Sina, kjo lëvizje u kushtëzua veçanërisht pas trazirave, plaçkitjeve dhe zjarrvënieve që ndodhen në Voskopojë në shtatorin e vitit 1769, por edhe më vonë me shkatërrimet e vitit 1788, për të cilat u bë përgjegjës Ali Pasha.

Georg Sina ( i Riu)
Georg Sina ( i Riu)

Për të mbrojtur aktivitetin e pasurinë e tyre, ato u detyruan të largoheshin drejt zonave perëndimore të gadishullit. Simon Sina (i vjetri) pas vendosjes në Nish në vitin 1782, u martua me Irene Czippe, me të cilën pas një viti pat një fëmijë: Gjergj Sinën (1782-1856). Gjergji ishte 10 vjeç kur i vdiq nëna dhe kur i ati vendosi të transferohej me familje në Vjenë.
Shumë familje të larguara nga Voskopoja në atë kohe u vendosën në Vjenë, ku ju bashkangjiten komunitetit grek që gjindej në qytet. Edhe pse ishin shtetas të perandorisë osmane, bashkësia ortodokse e vllehëve nga Voskopoja filloj të shihej nga popullsia e Vjenës si: “grekët”. Quartieri ku ishte vendosur komuniteti grek i asaj kohe ishte në qendër, nga pjesa verilindore e qytetit të Vjenës dhe vendasit shpreheshin për të ardhurit me humor: “Ballkani fillon sapo mbaron zona e Rennweg-ut…” (atëkohe një lagje periferike e Vjenës).
Sipas studiuesve, Simon Sina i Plaku, fillimisht njihej si bashkëpronar i disa shoqërive tregtare të mallrave me shumicë, por në vitin 1798, ai krijoj firmën e tij për tregtimin e mallrave si dhe një bankë tregtare, e cila u muar fillimisht me aktivitetet dhe lëvizjen e parave të bizneseve të tija. Kjo periudhë, quhet si “koha e artë” e rritjes së pasurisë së dinastisë dhe rreshtimit të familjes në serën e patricëve të qytetit. Ndërkohë, në vitin 1802, Simon Sina martohet për herë të dytë me Katharina de Gyra me të cilën pat një djalë (1804), Johann Sinën (1804-1869).
Pjestarët e familjes Sina, ruajtën traditën e vendit të tyre, atë të trashëgimit të emrave dhe po të vërehet, ato kanë përdorur për fëmijët pasardhës emrat e gjyshave të tyre, si psh: Simon Gjergj Sina (Plaku), Gjergj Simon Sina, Johann Simon Sina, Simon Gjergj Sina (i Riu), Gjergj Simon Sina (i Riu).

Baroni Simon Gjergj Sina (i Riu)
Baroni Simon Gjergj Sina (i Riu)

Punën në Vjenë, Simon Sina e filloj me importin e pambukut me shumicë nga Maqedonia, ku dërgonte në këmbim pëlhurë dhe punime metali apo qelqi. Ai ishte i pari tregtar që futi në kufijtë e Perandorisë Osmane si mjet këmbimi (pagese) monedhën Taler me figurën e Maria Therezës, që ishte mjeti zyrtar i pagesës i Perandorisë Austro-hungareze. Një vështirësi e madhe për punën e përditëshme të bizneseve të tij ishte statusi i shtetësisë së tij, pasi ai ishte shtetas i Perandorisë Osmane. Për këtë, shpesh ai detyrohej të përdorte për blerjet e objekteve të mëdha (shpijave), emra të personave nga rrethit familjar i gruas së tij. Meqenëse ishte zotërues i madh tokash në pjesë të ndryshme të Europës (Hungari, Rumani, Serbi) dhe tregtar me pasuri të madhe, në vitin 1818 familja e tij mori statusin e Aristokracisë Hungareze, që e lehtësonte shumë në aktivitetin e tij tregtar. Simon Sina (Plaku) vdiq në moshën 69 vjeçare në vitin 1822, duke lënë pas një pasuri dhe një karriere të pashoqe.

Pallati madhështor i Dinastisë së Baronëve Sina
Pallati madhështor i Dinastisë së Baronëve Sina

Në numrat e tjerë të kësaj gazete do të keni mundësinë të ndiqni dhe shkrime të tjera për dinastinë Sina dhe projektet gjigande në infrastrukturën dhe jetën ekonomike të Austrisë, që vazhdoi burri më i suksesshëm i kësaj familje: Gjergj Simon Sina.
Vjenë, 7 qeshor 2015

Shënime:
1)Freiherr – titull nderi per aristokratet, i barabarte me titullin Baron, Kont.
Referencat: A. Deak, M. Peyfuss, J. Ecker
Të gjitha fotot e shkrimit janë në pronësi të Pjetër Logorecit.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.