back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 26 Prill, 2024

“Diktatura shuan edhe yllin më të shndritshëm” nga Qëndrim Morina*

Gazeta

Qendrim Morina
Qendrim Morina

“Diktatura shuan edhe yllin më të shndritshëm”

nga Qëndrim Morina*

Mendime rreth romanit “193 kafazet” të Rezart Palluqi

Ishte e pamundur,
që Ylli  të ndrinte në një kafaz.
Kjo, sepse Ylli nuk është nga ata tipa
që kënaqen vetëm duke mbushur barkun,  
por kryesisht mendjen.
Ndërkohë që kjo për Diktaturat,
përbën një tmerr moral dhe shpirtëror.
Ajo është mësuar që popujt
t’i detyrojë të gjunjëzohen përpara saj.
Nuk është e rastit pra, kur autori konstaton se,

“Vetëvrasja është më njerëzore sesa të bërit luftë”.

Rezart Palluqi - Romani "193 Kafazet"
Rezart Palluqi – Romani “193 Kafazet”

E them pa asnjë grimë teprice, se romani 193 kafazet i Razart Palluqit, mund të qëndrojë plot dinjitet përkrah kryeveprave të letërsisë botërore.
Duke lexuar romanin e tij të, ri, “193 kafazet”,  jo vetëm që kuptova jopërjashtimin e të së tretës, por edhe konfirmimin e kundërthënies. Mora vesh që nganjëherë kundërthënia që ekziston të shpie në jokundërthënie. Atëherë lind pyetja mjaft logjike: pse ekziston parimi i jokundërthënies?!
Në këtë rast përgjigjen më të mirë do të na e japë Palluqi, nëpërmjet një shprehjeje të tij, vendosur në faqen e parë të romanit. Ajo thotë: “Je sllav i përjetshëm nëse nuk mund të bësh dialog”.
R. Palluqi këtu na jep një tjetër fytyrë të së vërtetës. Nuk është ajo që shihet me një kokë e dy sy, por që nëpërmjet një metafore,  tregon se që të rrekësh “jetën perëndimore”  duhet të zbulosh edhe anën tjetër të medaljes. Është ana tjetër e medaljes ku shkëlqen fytyra e diktaturës. Kjo medalje, rrezaton në kraharorin e atyre burrave, që i lëpijnë bythën drejtuesve të sistemit diktatorial.
Një tjetër gjë shumë e dhimbshme dhe larg horizontit të së mirës, është  edhe jeta  jonë e mjeruar kulturore. Në roman, Palluqi na e jep këtë tablo të tmerrshme rreth gjendjes së atëhershme dhe të sotme të librit kur ai thekson, se “një diplomë kuzhinieri”, si në rastin e personazhit kryesor të 193 kafazeve, Yllit Xixa, vlen më shumë sesa vetë poezia, ngaqë kjo e fundit, nuk të jep bukë. Shumë reale, mjaft goditëse dhe tejet fataliste…
Palluqi e kap personazhin e tij, Yllin për veshësh. Ai e vjel kohën, duke na i mbushur kokat tona me vizione dhe ide që të çojnë drejt rrugezgjidhjeve të mëdha. Na dhuron sytë e mprehtësisë, na ndriçon në monopatet e errëta, me qëllim që NE të dalim nga qorrsokaku ku jemi futur.
“Diktaturat janë të pathyeshme kur ato martohen me artin” –  thekson Palluqi.
Diktaturat ekzistojnë, jetojnë por duhet edhe të vdesin, do të thoshte me plot gojën, mendja e lirë e njeriut. Por në hapësirën shqiptare, gjërat janë njëqind herë më të ndërlikuara se sa mendojmë. Si mund të vdesin diktaturat, kur ato martohen me artin, dhe piqen si gështenja të kalbura në furrën e popullit?!
Duhet kohë, por edhe mençuri, e guxim, që ato të shuhen në horizont.
Diktatura është e vërteta. Por Diktatura mund të jetë edhe e pavërteta.
Nuk ka injorancë më të madhe, kur e kundërshton  Diktaturën, ndërkohë që  ajo është e pranishme dhe e gjallëruar, në çdo cep të jetës dhe shpirtit tonë.
Asnjëherë nuk mund të jetë e vërtetë dhe jo e vërtetë në të njëjtën kohë.
Mirëpo, kur Diktaturat, kapen mbas artit, ato janë në gjendje të shuajnë edhe yjet më të shndritshëm.
Sipas Palluqit, përballja me Diktaturat është e domosdoshme, madje mjaft jetike. Përndryshe Shqipëria, apo vende të ngjashme me të, nuk do ta shohin kurrë dritën e shpirtit dhe mendjes së lirë, por do të jetojnë si zogj krahëkëputur në kafaz.
Drita Jone është futur në një “kafaz” dhe po nuk u nxorr prej andej, ajo do të jetë e  dënuar me burg të përjetshëm.
Një vend nuk është me fat nëse ka shumë njerëz, por nëse ata njerëz refuzojnë të keqen dhe lejojnë dritën të marrë frymë. Por si mund të ndodhë kjo, kur njerezit, e ushqejnë të keqen vetë, herë me vetëdije, herë me pa vetëdije?
Palluqi, si ylldashës,  tregon sesa e vështirë  është të jesh i tillë, në një vend ku  diktatura e dhuna kanë zëvendësuar drejtësinë dhe lirinë.
Idetë që jep autori nuk janë vetëm fjalë por janë edhe objekte të mendimit dhe erudicionit të tij të gjerë.
Kë merr dhuna me vete?
Ylli na jep fakte se si u shua dhe iu ndal drita, aty kur u lartësuan kriminelët.
Ai u dogj shpirtërisht.
Edhe vdekja e “natyrshme” nuk do ta vriste atë kaq egër, sa vdekja mentale e cila është e barabartë  me dy vdekje.
Palluqi e mbrujti Kryepersonazhin e tij, Ylli Xixa me tri koncepte:
-Plagën e babait të vrarë barbarisht në Diktaturën hoxhiste.
-Shthurjen e tij seksuale me vajzën e ish shefit të sigurimit hoxhist,
-Alergjinë e tij ndaj simboleve, që shërbejnë si fuqi skllavëruese ose vetizoluese për njeriun.
Ishte e pamundur, që Ylli  të ndrinte në një kafaz. Kjo, sepse Ylli nuk është nga ata tipa që kënaqen vetëm duke mbushur barkun,  por kryesisht mendjen. Ndërkohë që kjo për Diktaturat, përbën një tmerr moral dhe shpirtëror. Ajo është mësuar që popujt t’i detyrojë të gjunjëzohen përpara saj.
Nuk është e rastit pra, kur autori konstaton, se “Vetëvrasja është më njerëzore sesa të bërit luftë”.
Diktatura të shpie në Vetëvrasje
Njerëzit  mund ta shmangin jetemarrjen duke e rrëzuar diktaturën.
Që të dyja variantet janë të hapura. Tekefundit, kjo mvaret më shumë nga qasja dhe interesi i shtypësve dhe të shtypurve.
Mendoj se Romani “193 kafazet” i Rezart Palluqit e ka shkelmuar fort barkun e kohës së mbushur me krime të padënuara. Tani, na mbetet veçse të presim, se si do të reagojnë barku i saj, ndaj këtij provokimi të rrallë, sa artistik, aq edhe moral. Sidoqoftë, ky roman e ka fituar betejën ndaj së keqes hoxhiste. E megjithatë, Lufta njeh shumë beteja, kështu që fitorja e një beteje, nuk e vulos kurrsesi, fitoren e saj përfundimtare…
Prishtinë, 1 dhjetor, 2015

*Qëndrim Morina – Student i fakultetit filologjik të Prishtinës

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.