back to top
17.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

Dhimba e kartmonedhës 1000 lekshe! – nga Jozef Radi

Gazeta

Kisha e Vaut të Dejës
Kisha e Vaut të Dejës – nga mbas

Dhimba e kartmonedhës 1000 lekshe!

nga Jozef Radi

A ke n’dorë nji 1000 leksh të gjelbërt?! Kqyre pak me vëmendje o përdorues, pse asht parja ma e përdorun sot në Shqpini! Vlen diku te 8 eurot o 9 dollarët, e n’zhargon t’popullit që s’din me i lexue si duhet ndryshimet tash e shtatdhetë vjet, ende e quejnë dhetëmijë lekçi i vjetër!!
Prandej të them o qytetar: kqyre kët kartmonedhë të blertë sa herë ta marrësh n’dorë, pse duhet me e kuptue se s’asht thjesht lek, po pse mbrenda saj ka diçka të trishtë, të dhimbshme, diçka kriminale që asht ba edhe lek, bile për dreq s’asht nji po dy krime bashkë… S’ka pare n’botë ku t’jetë shkrue krimi, e jo ma dy krime bashkë, veç kjo parja shqyptare e blertë, kjo pare e bardhë për faqen tonë t’zezë…
.
Kisha e Vaut të Dejës nga para
Kisha e Vaut të Dejës – nga para
Tash po ju kallzoj ma hollsisht pse ideatorët e djeshëm të krimeve i kanë njaq për zemër t’zezat e tyne… Pra ata kërkojnë që krimet e tyne t’jetojnë ndër duert tona e me pa se ne jena njaq të paditun sa mos me i kuptue djallzinë cinike të shpirtit të tyne, me na detyrue që me gjurmat e krimeve të tyne me ble bukën e fmijve tonë, me shkue edhe në film, me hupë në autobuz, me ble djathë t’bardhë dhie, me mbushë celularin, me pague dritat, me shlye gjobat, me ble bile edhe fiq bash me njat paren e blertë e t’bukur, e që s’besoj të mos e ketë përdorë kush… Kohnat e fundit bile asht edhe moderue, asht ba paksa ma e tejduktë ma delikate edhe krimet. Në njënin krah të kartmonedhës asht Pjetër Bogdani, nji nga katër B e Mëdha të priftnave të kulturës e te gjuhës shqipe, Ai i “Çetës së Profetënve” që s’rreshti për fe e gjuhë shqipe, që hordhitë tatare e zhvarrosën dhe eshtnat ua hodhën qenve, po si hordhi s’po ua xamë për t’madhe, e po e quejmë se gjithçka asht në rregull.
.
Kartmonedha 1000 lek (model i vjetër)
Kartmonedha 1000 lek (model i vjetër)
Po në krahun tjetër, ah n’at krahë të mbasmë kartmonedhe, duket nji si shpi pa ndonji kuptim t’spikatun… E vërteta e saj asht e hidhun. Asht pjesë e nji kishe t’hjedhun n’erë prej zogjve të dreqit në maj të 1969, ishte nji kishë 800 vjeçare, ndoshta ma e vjetër se Notre Damme! Sot ajo s’asht ma, sepse e rrafshuen me tokë, ju mendeni me e kqyrë sa e hijshme ka qenë!! Ky asht krimi i parë i kartmonedhës së blertë: hjedhja n’erë e saj… Krimi i dytë asht djallëzia e atyne që e kanë hartue monedhën e re. Edhe ata në nji farë mënyrë e kanë hjedhë për s’dyti n’erë! Pse ata s’kanë vue në pamje pjesën e vërtetë të kishës së lashtë 800 vjeçare të stilit gotiko-roman, po nji shtojcë e saj, që n’fakt edhe pse asht projektue prej Kol Idromenos, asht relativisht e vonë, e shekullit të XX, e relativisht e pabukur, ose ma drejt e shëmtuet, e vendosun jo fort në harmoni përballë magjikes së lashtë: Kishws së Shën Mërisë së Vaut të Dejës!!
Kjo e ban edhe ma të trishtë këtë kartmonedhë me krime të dy dhe trefishta, dhe lekun ma të përdorshëm po edhe ma të trishtëshqiptar…
Prandaj o njerëz, kqyreni me dhimbë sa herë ta përdorni kët kartmonedhë të blertë, e të mos harroni se duert e përgjakuna të krimeve e djeshme janë njaty. Ata që të vrasin natën e të qajnë ditën, janë njaty… e s’gjejnë paqe pa e dëshmue edhe në të përditshmen tonë, se krimet e tyne janë në ledhe e nën mundin e duerve tona…!!
.
Kartmonedha 1000 lek (model i ri)
Kartmonedha 1000 lek (model i ri)

 

..

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.