12.5 C
Tirana
E premte, 1 Mars, 2024

Mbeshtet RadiandRadi

spot_img

Dëshmorët e Luftës së Lumës, nëntor 1912 – nga Izet Duraku

on

|

views

and

comments

Izet Duraku
Izet Duraku

Dëshmorët e Luftës së Lumës, nëntor 1912

nga Izet Duraku

Lufta e Lumës –
Një nga faqet më të lavdishme
që bënë shqiptarët!
 
Ndonëse ekziston një listë e dëshmorëve të kësaj lufte, madje një pjesë e tyre janë shpallur si të tillë, lista e plotë e tyre ende nuk është hartuar. Nuk është hartuar gjithashtu as lista rrëqethëse e humbjeve njerëzore shkaktuar nga masakrat e ushtrisë serbe më 1913, për të cilat janë shprehur të tmerruar publicistë shumë të njohur të kohës, si Leon Trocki, Leo Freundlich, Dimitrie Tucoviq, etj.
Në vetëdijen e popullit nuk ka pasur asnjëherë mëdyshje për pranimin e humbjeve. Edhe pas shumë vitesh nuk u deformua kurrë thelbi i ngjarjeve. Pushtuesit serbë gjithnjë u emërtuan prej kësaj vetëdije të kthjellët si ndër pushtuesit më mizorë, krimet e të cilëve ashtu të papërfytyrueshme dhe çnjerzore do të ishte e vështirë për t’i treguar plotësisht.
Por regjimi që u vendos pas Luftës së Dytë Botërore në aleancë me botën komuniste sllave, nuk kishte shumë dëshirë të fliste për konfliktet me serbët. Nuk donte të fliste as për Pavarësinë e Shqipërisë. Në një radiogram urgjent për sekretarin politik të qarkut të Kukësit, Abaz Shehun, më 20 Nëntor 1946 nga Komiteti Central i Partisë Komuniste Shqiptare, Pandi Kristo, urdhëronte prerë duke mos lënë vend për hamendje: “Dita e 28 Nëntorit duhet të festohet pak!”
.
Genocidi ndaj shqiptareve 1912
Genocidi ndaj shqiptareve 1912.
Në kushtet e bashkëpunimit të ngushtë me serbët në periudhën 44-’48, të përmendje Luftën e Lumës dhe të rënët e saj ishte një herezi, që vazhdoi edhe gjatë periudhës së miqësisë me Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1952, teksti i Historisë së Popullit Shqiptar, iu nënshtrua recensioneve, vërejtjeve dhe shqyrtimeve të hollësishme të Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik, e cila këmbënguli që në tekst të futej krahas ekzistencës së shovinizmit të fqinjëve edhe ekzistenca e shovinizmit shqiptar ndaj sllavëve. Nga pushtetarë të ndryshëm, në disa relacione të kohës, populli i Lumës karakterizohej si shovinist. Në këtë frymë, Seit Bushati, instruktor i KQPPSh-s nënvizonte në relacionin e tij të janarit të vitit 1952 se “në disa krahina të Kukësit, si në lokalitetin e qendrës ka shovinizëm. Thonë: Nuk bëhet mik shqau, gjithmonë jemi vra me to, etj. Urrejtja nuk është për regjimin, por edhe për popullin.”
Vetëm pas 50-vjetorit të Pavarësisë, kur regjimi ishte vetëpërjashtuar nga kampi socialist, pati një rikthim për të vlerësuar figurat kombëtare dhe me këtë rast, ndonëse jo në atë nivel që e meritonin, u nderuan me dekorata dhe mirënjohje edhe një sërë figurash nga rrethi i Kukësit.
Në këtë vijë në vitet 1963-1969, u shkruan historikët e fshatrave ku u bënë përpjekje për të veçuar kontributin e luftëtarëve të shquar që dhanë jetën për liri dhe pavarësi. Por edhe më vonë, paranoja e regjimit ndaj serbëve nuk u hoq. Kjo frikë bënte që edhe në tekstet e njohura të epikës historike që lidhen me Luftën e Lumës, fjala serb të zëvendësohet me fjalën e papërcaktuar hasmi. Luma e hasmi po lufton… ka hy hasmi në Prizren, etj, etj.
Në kushtet, kur vetëm në vetëdijën popullore u ruajt e paprekur kujtimi për ngjarjen duhej të mblidheshin dëshmi të plota rreth përmasve të saj duke përfshirë edhe të rënët, siç janë mbledhur një pjesë prej tyre falë kujdesit të studjuesve të pasionuar. Në kuadrin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u shtua më tëpër vëmëndja shtetërore dhe kësaj periudhe i përkasin nxitja për të përgatitur edhe dokumentimin e qëndresës ndaj pushtimit serb.
Përmasat e Betejës së Lumës në të gjitha fazat e shtrirjes së saj kohore prej 9 nëntorit – 6 dhjetor 1912, duke përfshirë përplasjet, ndeshjet spontane e të organizuara, pritat, përleshjet dhe luftimet masive e të përgjakshme, nuk mund të kuptohen pa numrin e martirëve të vrarë në zjarrin e luftës. Duhet të falenderohen të gjithë ata që ndihmuan në përpilimin e dokumentacionit të nevojshëm historik për shpalljen dëshmorë të të rënëve të kësaj beteje.
.
Nji monument Kulturë në Krahinin e Kukësit
Nji monument Kulturë në Krahinin e Kukësit
Në vitin 1984, Nazif Dokle ka botuar broshurën “Dëshmorët e rrethit të Kukësit me të dhëna sintetike për 140 dëshmorë prej të cilëve 20 të rënë kundër pushtuesve serb e turq. Ndërsa në vitin 1987, u shpallën edhe 71 dëshmorë prej të cilëve 69 të rënë kundër serbëve. Tre vjet më vonë ai ribotoi broshurën e sipërpërmendur me 211 dëshmorë të Kukësit dhe Hasit prej të cilëve 89 i përkasin paraçlirimit, ku shumica janë të rënë kundër serbve. Nuk duhet harruar as kontributi i Naim Manit në librin “Jehona e Topojanit”, etj.
Veçanërisht këtu dua të përmend kontributin e dr. Shefqet Hoxhës dhe të mësuesit të ndjerë Xhafer Kovaçi që ndër të tjera ka botuar listën e vetme të banorëve të Përbregut të masakruar nga serbët më 1913. Mbështetur në të dhëna dokumentare dhe në dëshmitarë okularë, Dr. Shefqet Hoxha në veprën e tij “Luma në luftrat për liri” ka përcaktuar 118 dëshmorë të kësaj beteje, 81 prej të cilëve të identifikuar me emër dhe me vendin e rënies. Ndërsa Xhafer Kovaçi përmes monografisë së tij “Tërthorja”, i shton këtij numri edhe 34 dëshmorë të tjerë midis të cilëve edhe 28 të identifikur me emër dhe vendrënie kryesisht nga Morini dhe Bardhoci.
Numri i përgjithshëm shkon kështu në 152 dëshmorë që përfshijnë hapësirën ku u zhvilluan luftimet prej Morini deri në Reç të Dibrës.
Megjithatë, në këtë gjeografi të rënësh mungojnë fshatrat që mbetën përtej kufirit politik, të caktuar nga fuqitë e mëdha në vitin 1913. Në këtë kumtesë nuk përfshihet asnjë e dhënë rreth të rënëve të fshatrave Vërmicë, Shkozë, Dobrusht, Zhurë, Vlashnje, Postlisht, etj, që u ekspozuan të parat ndaj vërshimit të ushtrisë pushtuese dhe që kishin një potencial të konsiderueshëm njerzor e luftarak. Kërkimet e mëvonshme do ta shtojnë numrin e dëshmorëve në përgjithësi dhe do ta plotësojnë më mirë listën e të identifikuarve edhe me të rënë të tjerë veçanërisht në Tejdrine, por edhe në Rrafshë të Lumës.
Mësuesi i pasionuar Xhaferr Kovaçi në monografinë e tij “Tërthorja”, botuar në vitin 2006, është ndalur gjerësisht në masakrat e vitit 1913, në Tërthore, për të cilat kontributi i tij ka një rol të dorës së parë dhe, sigurisht, do t’i referohen gjithnjë studiuesit e mëvonshëm. Nga 23 të pushkatuarit në breg të Drinit nga fshati Morin, Xhaferr Kovaçi identifikon 8 prej tyre, si dhe e pasuron listën e të rënëve edhe me tre të tjerë të varrosur në Qafën e Zhurit. Atij i takon merita edhe për identifikimin e 8 të rënëve të tjerë nga fshati Gjegjan në përpjekjet tek Uki i Vjerrë dhe ura e Gjegjanit.
Ndërkohë edhe në veprën “Luma në luftrat për liri”, ekzistojnë dëshmi të hershme, që tregojnë se stuhitë e kohës, duke u shtresuar njëra mbi tjetrën, kanë shuar pjesën më të madhe të emrave të të rënëve në këtë betejë. Në vitin 1972 dy dëshmitarë nga Brekia, Zaim Dafku dhe Vesel Dafku shprehen: “Prej qafës së Dules e deri në kodër të Dushkes mbi Prizren janë vrarë 30 e ca vetë prej Bajrakut të Topojanit. Ndër këta kanë qenë edhe Bajraktari Zaim Hamza, Hamdi Aqifi (Breki) dhe Abaz Abdullah Dafku”. Pra nga beteja e Qafës së Dules mbeten të paidentifikuar më shumë se 27 të rënë të tjerë.
Ndërsa një dëshmitar më i hershëm Sali Faslia nga Mëhola në vitin 1959, i cili përshkruan hollësisht përpjekjet në breg të Shejës, tek Boka e Kuqe, dëshmon se andej lumit të Lumës, në Tërthore, qenë vrarë Bajram Ramadani, Përbreg dhe 14 bardhocas. Ai thekson se në Përbreg ishin treguar trima Sulo Agushi, Veli Agushi, Maliq Mehmeti, Adem Kamberi, etj.
Nisur nga këto të dhëna të pjesshme mund të ndërtohet dhe harta e përpjekjeve më të përgjakshme, ku vendin e parë sigurisht e ze Qafa e Dules me 37 të rënët e saj, 10 prej tyre të identifikuar.
Varret atje në Qafë, kanë mbetur ashtu siç i ndërtuan të parët. Atyre u takoi barra e rëndë të luftonin dhe të hapnin shumë varre. Madje u shuan edhe dhjetra familje. Varret atje në Qafë të Duhles dhe kudo ku janë presin që dikush prej pasardhësve të kujtohet më së fundmi për t’i rregulluar siç e meritojnë martirët. Më shumë së sa nderojmë të kaluarën, kështu shpëtojmë shpirtin tonë.
Në fshatin Bresanë të Opojës më 4 nëntor 2012, pikërisht 100 vjet më vonë, u ngrit një memorial në nderim të të vrarëve nga ushtria serbe. Shembulli i Bresanës në Opojë nxit që pllaka të tilla përkujtimore të vihen në çdo fshat të Opojës dhe të Lumës. Në aktivitetin që u zhvillua në Bresanë, studiuesi Sadik Mehmeti konstatoi me dhimbje dëmet e mëdha që i janë shkaktuar kujtesës kolektive të shqiptarëve prej pushtimit një shekullor serb. Mjaft njerëz në vitet e pushtimit por edhe më vonë druheshin të flisnin për ngjarjen e kobshme të ndodhur në Livadhin e Kasës. Sigurisht, nën pushtim kujtesa, mund të shuhet më lehtë për shkak të dhunës, por edhe në liri kjo kujtesë mund të dëmtohet, në rast se nuk ekziston klima e favorshme për freskimin e saj.
Nisur nga lista e të rënëve është e udhës të kujtohemi se krahas varreve, pllakave përkujtimore, përmendoreve, të rënët duhet të dekorohen me ndonje urdhër a medalje. Kjo natyrisht nuk do të kushtonte aq shumë, por fare pak vëmendje ndaj gjakut të tyre të derdhur, që ata të mos mbeten kokrra të papërfillshme rëre.

 

Related Images:

Jozef Radi
Jozef Radihttps://www.radiandradi.com
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...
Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.