back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 23 Maj, 2024

Delegatët e Kuvendit të Vlorës sipas një pjesmarrësi në rolin e gazetarit…

Gazeta

Deklarata e Pavarsisë 1912
Deklarata e Pavarsisë 1912

Delegatët e Kuvendit të Vlorës

sipas një pjesmarrësi në rolin e gazetarit…

(nga Vasil K. Dilo
i datëlindjes 1868,
pra 44 vjeç në atë kohë)

Firmatarët e Pavarsisë - studio e Arben Morinës
Firmatarët e Pavarsisë – studio e Arben Morinës

Studiuesit shqiptarë të të gjithë kohërave nuk kanë marrë për bazë gjendjen shoqërore të popullatës kur ka ardhë puna për të përcaktuar mënyrën praktike të formimit të Shtetit të Shqiptarëve, por i kanë dhënë rëndësi formalizmit numerik të njerëzve duke treguar me këtë se edhe vetë ata qëndrojnë në këtë pozicion.
Ky fakt tregon se shqiptarët gjithmonë duan të krenohen për pjesmarrjen në një ngjarje edhe pse nuk kanë luajtur asnjë rol konkret. Fjala bëhet për pjesmarrësit ne Kuvendin e Vlorës, të datës 28 Nëntor 1912, ku sipas historianëve shqiptarë kanë qenë 40 firmëtarë dhe, një ditë me pas, 80 delegatë, dikush thotë 78!!! Numri i fundit tek asnjë studiues nuk është njësoj.
Tani kam rastin të tregoj se kush ishin delegatët sipas një broshure (të gjetur në arshivën e Av. Dr. Vasil K. Dilo-s) me titull “Dokumenta Historike për t’i shërbyer histories tonë kombëtare, të botuar nga Lef Nosi, viti i I-rë – prill 1924 – Nr. 4, marrë nga “Përlindj’ e Shqipnies (i jap rëndësi këtij dokumenti, pasi as unë dhe asnjë nga ata që kanë shkruar për këta delegatë nuk kanë qenë atë ditë në Vlorë, – kështu që i duhet besuar një pjesmarrësi). Do ta citoj fjalë për fjalë dhe të jetë lexuesi ai që duhet të bëjë diferencën. Sipas kësaj broshura emrat e delegatëve janë këta:

Shpallja e Pavarsise (foto1913)
Shpallja e Pavarsise (foto1913)

Nga Berati: Z.Z. Eljaz Be’ Vrioni, Hajredin Be’ Cakrani, Xhelal Be’ Skrapari, Dut Karbunara, Taq Tutulani e Sami Bej Vrioni; ky i fundit pritet të vinjë. (nënvizuar nga avokati dhe anash është shënuar: 4 + 2)
Nga Dibra: Z. Myfti Vehbi Efendiu (anash është shënuar 1)
Nga Durrësi: Z.Z. Abas Efendiu, Mustafa Agai e Jahja Efendiu, i cili pritet të vinjë; e Z. Dom Nikollë Kaçorri nga ana e Arqipeshkopit të Durrësit për të gjithë shqipëtarët katholikë që ndodhen nën urdhënin e tij. (nënvizuar nga avokati dhe anash eshte shënuar: 3 + 1)
Nga Elbasani: Z.Z. Shefqet Be’ Daiu, Lef Nosi, Qemal Beu e Midhat Be’ Frashëri. (nënvizuar nga avokati dhe anash është shënuar: 3 + 1)
Nga Gjinokastra me telegrame: Z. Z. Aziz Efendiu, Veli Efendiu, Elmaz Efendiu. (anash është shënuar 3 + 0)
Nga Ipeku: Z.Z. Rexhep Beu, Bedri Beu, Salih Xhuka e Mid’hat Be’ Frashëri; këta Z. Z. janë edhe delegatët e Gjakovës, të Plavës e të Gusinjës. (anash është shënuar 4)
Nga Kruja: Z.Z. Abdi Be’ Toptani e Mustafa Asim Efendiu. (anash është shënuar 2)
Nga Lushnja: Z.Z. Kemal Beu, Ferid Be’ Vokopola e Nebi Efendi Sefa. (anash është shënuar 3 + 0)
Nga Ohri e Struga: Z.Z. Zyhdi Beu, Dr. Myrtezai e Nuri Efendi Sojlliu. (anash është shënuar 3 + 0)
Nga Sh’Jaku: Z.Z. Xhemal Beu, Ymer Beu e Ibrahim Efendiu. (anash ështe shënuar 3 + 0)
Nga Tirana: Z.Z. Abdi Toptani e Murat Be’ Toptani. (anash është shënuar 2)
Nga Vlona: Z.Z. Ismail Kemal Beu, Zyhni Efendiu, Aristidh Ruci, Kjazim Kokoshi, Jani Minga e Ekrem Beu. (nënvizuar nga avokati dhe anash është shënuar: 4 + 2)
Nga Kollonia e Shqipëtarëvet të Bukureshtit: Z.Z. Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja, Dhimitër Beratti e Dhimitër Ilua; ky i fundit pritet të vinjë. (anash është shënuar: – 4)
Pas vërtetimit të kartave Z. Salih Xhuka mori fjalën e tha që, duke qenë që Korça ndodhet sot e qarkuar nga ushtëria e nuk munt të dërgonjë delegatë e duke qenë që atdhetaria e Korçës asht e njohun e që ndodhen ndë mest tonë zotërinj Korçarë që janë të njohun për atdhetarien e tyre, kërkojmë që të pëlqehen si përfaqsonjës të Korçës Z.Z. Pandeli Cali, Athanas Floqi e Spiro Ilua. Mbledhja me plotësien e zanavet e pëlqeu e e poltisi këtë vendim. (anash është shënuar 3)

Flamuri i Pavarsisë në Vlorë
Flamuri i Pavarsisë në Vlorë

Z. Mustafa Asim Efendiu kërkoi që edhe për Shkodrën që ndodhet në shtet ma të keq se Korça, të pëlqehej si përfaqësonjës z. Luis Gurakuqi, i cili ka qenë edhe në të tjera mbledhje kombëtare përfaqësonjësi i saj e që asht edhe një nga nisjatoret e mbledhjes së sotshme. Kuvendi prap me plotësie zanash e poltisi e pëlqeu z. Luis Gurakuqin për përfaqësonjës të Shkodrës. (anash është shënuar 1)
Nga Përmeti erdhi telegrami me të cilën thohet se në qoftë se delegati i tij z. Veli Be’ Klisura nuk ka arrie në Vlonë, të zaan vendin e tij Z.Z. Syreja Bej Vlona e Mid’hat Bej Frashëri. (anash është shënuar 2)
Erdhi edhe një telegramë nga Z.Z. Hamdi Beu e Mustafa Barotçiu me të cilën thonë se po vijnë edhe ata si delegatë t’Ohrit e të Strugës” (anash është shenuar 2) (f. 119-120).
Poshtë listës avokati (Dr. Vasil K. Dilo) ka shënuar me pendë: 37 – 14 (bëhet fjalë për datën 28 nëndor 1912).
Kur bëhet fjalë për ardhjen e delegatëve të rinj, të nesërmen 29 Nëntor 1912, shkruhet: “Si delegate të ri erdhën Z.Z. Mehmet Pashë Derralla, Isa Be’ Buletini, Ajdin Be’ Draga, Dervish Be’ Ipeku nga Kosova; Sami Be Vrioni nga Berati; Dervish Be’ Elbasani e Mahmut Efendi Kaziu nga Peqini; e me telegrame u emënua Ismail Beu nga Gramshi e nga Tomorrica (anash avokati ka shënuar 8)… Z. Azis Efendiu kërkoi që z Meksi të njihej si delegat i Tepelenës e z. Lef Nosi kërkoi që të njihej si delegat i Dibrës z. Sherif Efendiu. Mbledhja i pëlqeu me plotësimin e zanavet që të dy (anash avokati ka shënuar 1- 2 dhe në fund të faqes si përmbledhje 46 – 16)” (f. 123). Pra gjithsejt, me gjithë të përsëriturit, bëhen plot 62 delegatë.
Lexuesi të bejë diferencën dhe do të kuptojë se çfarë është sajuar me listën, me emrat dhe krahinat e Shqipërisë të botuara pas 1945 në librat e historisë, qoftë dhe libra shkollore.

Qendresa Shqiptare dhe Pavarsia
Qendresa Shqiptare dhe Pavarsia

Marrë nga muri i fb i Genc Hotit, 9 shtator 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.