back to top
11.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Brenga e nji motre… nga Dine Dine

Gazeta

Dine Dine 2011
Dine Dine 2011

Brenga e nji motre…

nga Dine Dine

Në nderim te Hana Bajraktari – Dine

Me 15 Janar, u largua nga kjo jetë një prej atyre grave që, për ata që e njohën nga afër e jetuan me të, la nje brengë e një trishtim që vetëm koha mund ta shlyej sadopak. Lindur në Maqellarë të Dibrës në një familje të njohur patriotike që tërë jetën ia kushtuan kombit, ajo do të vuante pasojat duke i paguar një haraç të rëndë. Gjyshi i saj Dine bej Maqellara luftoj heroikisht kundër Serbëve, Bullgarëve, Malazezëve, Maqedonasve me një përkushtim atdhetar që e përjetësoi në histori. Edhe populli që është dëshmitari më i pagabueshëm, i këndoi këngë nga më të ndryshmet për mos ta lënë që emrin e tij ta mbulonte pluhuri i harresës.
Po citoj vetëm dy vargje, që për mungesë njohurish nuk janë përmendur në librat për familjen Dine.
Dine beg Maqellara/ Kush i del përpara/ Bakllava me arra…
Babai i saj Fiqri Dine, vazhdoi bashkë me të vëllezërit Dilaver, Hasan, Esat e Fuat Dine, denjësisht rrugën e të atit. Kjo ishte edhe arsyeja që shtëpia e Dineve në Maqellarë u bë shkrumb e hi tre herë rradhazi nga Sërbët, Bullgarët dhe së fundi Italianët (gjenerali Diaz) të cilët i propozuan t’ia paguanin shtëpinë trefish me flori, vetëm e vetëm që të bënte një farë kompromisi, gjë që u refuzua kategorikisht.
Shkurtimisht, bija e ish Kryeministit që iu kundërvu edhe regimit komunist, me të gjitha fuqitë, sigurisht që do të vuante pasojat. Pasoja që do të shkaktonin plagë që as melhemi kohë s’do t’i shëronte plotësisht. Në Vlashuk, në lulen e rinisë, në moshën 24 vjeç, një sasi e madhe dheu bie mbi trupin e djaloshit Skënder Dine, vellait të Hanes, duke e lënë pa jetë. Pas kësaj fatkeqësie një atak ne zemër i merr jetën të ëmës, Rukies që s’mundi ta durojë dhimbjen e “lofkës së nanës”. Më pas i ati në emigracion. Pas tij vëllai tjetër Mithati po në emigracion. Para dy muajsh, gjithashtu mbylli sytë vëllai tjetër Xhelali, gjë kjo që e dërrmoi plotësisht edhe u bë shkak edhe për vdekjen e saj të parakohëshme .
Që nga viti 1946 “shëtiti, familiarisht të gjitha kampet e internimit nga ai i Beratit, fabrikes tullave (Tiranë), Valiasit, Turanit, Tepelenës dhe së fundi Savrës, Gjazës edhe Grabianit. Në këto kampe provoi punën e rëndë e poshtëruese që në moshë të njomë.
Në internim martohet me të birin e patriotit e nacionalistit të njohur Muharem Bajraktari, Gencin, me të cilin pati dy djem e një vajze. Edhe Genci familjarisht përjetoj si rrallëkush në Shqipëri, kampet e punës dhe burgjet nën regjimin komunist.

Hana Dine - Bajraktari
Hana Dine – Bajraktari

Ashtu si pak njerës, Genci e Hana të dy burrë e grua qëndruan me dinjitet e stoicizëm deri në këto momente që shkruajmë këto pak rreshta në kujtim të tyre.
Nuk qenë të pakët burrat e gratë që u sakrifikuan nën sundimin shovinist Sërbo-Sllav të Enver Hoxhës, por gratë, veçanërisht paguan një haraç të jashtëzakonshëm.
Të detyruara me punë çnjerëzore, e në këto kushte të përkushtuara të rrisin e të edukojnë fëmijë me dinjitet në rrethana anormale, ato janë heroina të vërteta.
Nga vetë natyra, Hana ishte një altruiste e rrallë. Ata që jetuan pranë saj e në të njejtat kushte e që e njohën nga afër në derte e halle, në vështirësi e në ato gëzimet e pakta, s’mund të harrojnë lehtë devotshmërinë e saj ndaj të afërmit, shokëve e miqve kudo që ndodheshin e kudo që e kerkonte nevoja.
Dëshira e saj për t’u sakrifikuar e për të bëre vetëm të mira ishte një ndjenjë e lindur. Një shëmbull vetëm sa për ilustrim: disa muaj pasi hyra në burg më vdiq nëna. Duke e ndjerë thellë humbjen e nënës, ajo m’u bë një nënë e dytë. Si rrallëkush më ndoqi hap pas hapi në burgjet e Spaçit, Torovicës, Qafë Barit e së fundi në atë të Tiranës. Tani që ajo s’gjëndet midis nesh, ndjej një dhimbje e kam një plagë në shpirt që s’më le të qetë edhe për një çast, që asnjëhere s’munda që mirësinë e saj t’ia shpërbleja me një farë përkushtimi që e meritonte si askush tjetër.
Kjo pra ishte Hana, vajza e xhaxhait, ose me mirë të them motra ime, që tërë jetën u sakrifikua pa u ankuar një herë. Në heshtje ajo tërë kohën gëlltiste fatkëqesitë, mungesat, varfërinë, privimet që jeta ia kish sjellë me bollëk. Pa ekzagjerim, jeta e saj mund të krahasohet me një simfoni plot ngjyra e nuanca të trishta që zgjati jo pak, por plot 45 vjet. Jeta e saj dhe e të tjerëve që pershkuan të njejtin kalvar, qe një dramë makabre, që ua kalon edhe tragjedive të famëshme të antikitetit. Një jetë e mbushur me trishtim e dhimbje. Një jetë që e detyroi të përballontë me dinjitet e krenari verfërinë e tejskajëshme padrejtësinë më elementare, përbuzjen e thellë, dhimbjet e padurueshme, humbjet e njëpasnjëshme, por që gjithsesi, qëndruan në këmbë pa u lëkundur.
Gjithmonë në heshtje e me burrëri ajo sfidoi të keqen e privimet. Ajo do të jetë shëmbull i nënave, motrave, shoqeve që jetuan një jetë që u dhuroi vetëm fatkeqsi e dhimbje, por që e sfiduan krenarisht. Kështu e dhimsur e njëkohësisht burrërore, me një sens humori që shpesh shfaqej e ndriçonte edhe në errësirën e plotë, tepër e ndjeshme, nganjëherë si fëmi, e dashur, e ndershme, e papërtuar, e dhënë pas të gjithve: kështu do të kujtohet edhe nga vëllezërit Tomor e Sazan e kështu do të mbahet mend ajo edhe nga bashkëshorti e famijët e saj, dhimbjen e të cilëve nuk jam në gjëndje ta shpreh në këtë shkrim.
Ndonëse me shumë vonesë, me këtë rast dua të falenderoj me shpirt zonjën Fatbardha Mulleti (Saraçi) për dedikimin që u ka bërë këtyre martireve me librat e suksesshëm që ajo i titullon “DHIMBJE”.
Hana Bajraktari Dine u nda nga kjo botë per të gjetur qetësinë e amshuar në paqe. E rrethuar nga miq, shokë, e dashamirës që ishin të panumërt, e respektuar dhe e nderuar nga të gjithë. Lutemi me gjthë zemër që shpirti i saj të gjejë paqen, që aq shumë iu nevoit në ketë jetë.

Eugjen Merlika: I bashkohemi me gjithë zemër lutjes së mikut tim, Dines, për shpirtin e Hanës sonë të dashun, edhe se mendoj se ajo ka shkue drejt e në Parajsë, mbasi Purgatorin e Ferrin i kaloi në këtë botë, të cilën e përballoi me dinjitetin e mbiemnave që mbante si bije e si nuse, mbiemna të cilëve ajo, me sjelljen, seriozitetin, ndershmëninë, përkushtimin familjar, fisnikërinë e ndjenjave i u shtoi prestigjin dhe vlerën.
Ngushëllimet tona ma të përzemerta Gencit e Zonës, Rremit e Turit me nuset e tyne, Tomorrit e Sazanit me familjet e tyne, vetë autorit të shkrimit e familjes së tij, por edhe gjithë atyne miqve e shokëve, kryesisht shoqeve të së ndjerës që jetojnë ende, për të cilat e tëe cilët humbja e saj, ashtu sikurse e secilit a secilës prej nesh që na bashkoi kalvari i përbashkët i një jete të gjymtueme nga diktatura, asht humbje e të gjithëve.
Le të mblidhemi përsëri idealisht, megjithëse të shpërndamë në të gjitha anët e globit, ne kazermat apo fushat e kampeve t’internimit e ta ngushullojmë njani tjetrin për humbjen e motrës sonë të shtrenjtë, si dikur, me bindjen e dëshirën, për të ruejtë deri në fund tëe ditëve tona, dashamirësinë e respektin për njani tjetrin, ndjenja të linduna në një kohë të vështirë që, fatkeqsisht, përcaktoi fatin tonë. Eugjeni e familja

(Dielli, 25 janar, 2013)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.