back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Biografia e Harry T. Fultz (29 Dhjetor 1888 – 30 Dhjetor 1980)

Gazeta

Harry T. Fultz - Shkolla teknike e Tiranes - “Learå©ning by doing”
Harry T. Fultz – Shkolla teknike e Tiranes – “Learå©ning by doing”

Biografia e Harry T. Fultz

(29 Dhjetor 1888 – 30 Dhjetor 1980)

Harry T. Fultz lindi në qytetin Salem të shtetit Indiana. Fillimisht ai u diplomua në kolegjin Wabash në Indiana, e më pas në universitetin teknologjik “Amarou”, në fushën e mekanikës.
Deri në 1922, ai punoi si pedagog në institucione të ndryshme arsimore në Amerikë. Gjatë kësaj periudhe pati një shkëputje 2-vjeçare (1917-1919) për shkak të shërbimit ushtarak.
Në 1922, Kryqi i Kuq Amerikan e caktoi profesorin e arteve mekanike, 34 vjeçarin Harry T. Fultz, Drejtor të Shkollës Teknike, Tiranë. Nëpërmjet punës së tij, Shkolla Teknike tërhoqi vëmendjen e opinionit të kohës si shkollë me cilësi të larta. Pedagogjia e tij në punë si drejtues mbështetej në moton “Learning by doing” (të mësuarit përmes praktikës) të cilën ai e zbatonte vetë i pari. Me kultin e punës u lidh edhe emri i revistës së shkollës “Laboremus” (Të punojmë). Si pedagog i shquar ai diti të verë një rregull dhe disiplinë të jashtëzakonshme në shkollë, të rrënjosë dashurinë për punën, bazuar në të famshmin prakticitet amerikan. Si inxhinier me aftësi të rralla diti të ndërtojë një shkollë me një përgatitje akademike e teknike të cilësisë së lartë.
Veprimtaria e Harry Fultz është një ndërthurje e shkëlqyer e ideve pragmatiste, shpesh herë të gërshetuara edhe me elementë te edukatës, të pedagogjisë së punës ku fjala ka një unitet me veprimin, ku pasioni për punën shkrihet me profesionalizmin e lartë, përballë një personaliteti të madhërishëm të mësuesit bashkëkohor, të shkrira në një. Ai solli në vendin tonë traditën e përvojën më të mirë të shkollës amerikane, zbatoi metodat e reja të mësimdhënies dhe të mënyrës së të mësuarit, vuri në jetë dhjetra projekte, gjithçka në shërbim të përgatitjes e formimit të teknikëve të rinj.
Kujtimet e ish-nxënësve të tij janë vlera dokumentare që flasin për një model të shkëlqyer të mësuesit demokrat, i cili shquhet për nivelin shkencor, aftësitë e veçanta organizative në vënien në lëvizje të organizmave të shkollës. Ato janë dëshmi e një përvoje dhe intuite të thellë psiko-pedagogjike, e një ndjeshmërie të situatave të nxënësve e përpjekje maksimale për t’iu gjendur pranë si mësues e prind në çfaredo rrethane.
Misioni i tij përfundoi më 1933, pas 11 vjetësh duke lënë një mesazh për brezat e shkollës “Përpiqu ta bësh vendin të denjë për të jetuar në të!”
Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai punoi 4 vjet në Departamentin e Shtetit dhe në agjensitë e tjera qeveritare të SHBA.
Nga maji i vitit 1945, deri në nëntor të vitit 1946, punoi në misionin diplomatik të SHBA në Tiranë dhe në ambasadën Amerikane në Romë deri në pranverë të vitit 1947.
Në pranverë të vitit 1947, u caktua Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare, një rezidencë kryesisht pë studentët e huaj në Universitetin e Chicagos dhe qëndroi në këtë post deri sa doli në pension në vitin 1962. Gjatë këtyre viteve punoi gjithashtu sekretar i Bordit Panamerikan të Arsimit (1947-1962).
.
Kryqi i Kuq i të Rinjve Amerikanë në vitin 1921
Kryqi i Kuq i të Rinjve Amerikanë në vitin 1921

Historiku

Gjithçka lidhet me vitin 1921, kur Kryqi i Kuq i të Rinjve Amerikane themeloi, sipas dëshirës dhe nevojave të vetë shqiptarëve Shkollën Profesionale Shqiptare, të parën dhe të vetmen në llojin e vetë për një kohë të gjatë. Ndër vite ajo do të njihet si Shkolla Teknike e Tiranës.
Kryqi i Kuq i të Rinjve Amerikanë ndërtoi një program model për asistencën teknike, duke synuar ngritjen e një instituti si “Robert College” edhe në Shqipëri.
“Për suksesin e qëllimit të shkollës do të vë në dispozicion gjithçka të vlefshme që kam…” shprehej me pasionin e tij të veçantë Xhon Krol, një nga ideatorët e krijimit të shkollës.
Që Shkolla Teknike e Tiranës të bëhej një institut i klasit të parë, drejtimin e saj duhet ta merrte përsipër një person me përvojë, “një njeri entuziast, me gjykim të shëndoshë, personalitet të përkryer dhe iniciator”. Ky do të ishte Harry Trevlin Fultz, asokohe 34 vjeç, profesor i Arteve Mekanike në Universitetin e Çikagos, profesor i mësimeve pasuniversitare në Kolegjin e Arsimit, i diplomuar gjithashtu për shkencat si edhe nga instituti i teknologjisë “Armour”.
Tetor 1922: Harry Fultz mbërrin në Tiranë. Ai do ta drejtojë Shkollën Teknike deri në vitin 1933. Talenti si pedagog dhe administrator, optimizmi i pashtershëm ishin vendimtare për ekzistencën, gjallërimin dhe rritjen e shkollës. Fultz-i së bashku me Çarls A. Hollingshed, një ndër anëtarët e parë të personelit mësimor dhe pedagogë e instruktorë të tjerë amerikanë e shqiptarë, me vetëdije të plotë ju përkushtuan nxënësve dhe çështjes së arsimit në Shqipëri.
Shkolla Teknike u jepte nxënësve njohuri të posaçme teorike dhe praktike me një gamë të gjerë programesh profesionale. Ajo kishte një central elektrik që i jepte dritë qytetit, shtypshkronjen e vete. Ajo ndërmerte projekte ndërtimi, zhvillonte veprimtari të shumta sportive e kulturore dhe publikonte gazetën e njohur “Laboremus”. Cilësia e programeve ishte e tillë që të diplomuarit e shkollës pranoheshin në universitetet më të njohura të SHBA-së dhe Europës.
Në vitin 1921, u regjistruan 32 nxënës.
.
Kryqi i Kuq i të Rinjve Amerikanë në vitin 1921
Kryqi i Kuq i të Rinjve Amerikanë në vitin 1921
Në vitet 1932-1933 u regjistruan 500 nxënës; u diplomuan 150 maturantë, shumica të punësuar në organet shtetërore apo sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit. Kështu, Shkolla Teknike e Tiranës luajti një rol të rëndësishëm për edukimin e të rinjve me ndjenjën e patriotizmit, të disiplinës, me dashurinë dhe respektin për punën. “Perpiqu ta bësh Shqipërinë vend për të cilin vlen të jetosh!” – tha Harry Fultz.
Shkolla u shtetëzua në vitin 1933, si rrjedhojë e influencës së madhe në shoqërinë shqiptare së bashku me shkollat e tjera të huaja në Shqipëri.
Në vitin 1947, shkolla mori emrin “Politeknikumi 7 Nëntori” duke ruajtur profilin e saj teknik. Ajo vazhdoi të përgatisë specialistë në fusha të ndryshme të ekonomisë përmes programeve të lëndëve akademike të gërshetuara me programet e punëve praktike dhe veprimtarive jashtëshkollore. Imazhi pozitiv i Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë qe ngulitur thellë në mendjet e njerëzve, pavarësisht përpjekjeve për ta diskretituar apo minimizuar rëndësinë e saj. Kjo u reflektua hapur pas vitit 1990, në kohën e ndryshimeve të mëdha demokratike.
Në vitin 1992, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan “Harry Fultz” u themelua në SHBA me kryetare zonjën Johan Fultz Khontos.
Qëllimi i këtij fondacioni ishte mbështetja e shkollës për të ecur në traditat e Shkollës Teknike në Tiranë, në të njëjtën rrugë që ndoqi Harry Fultz; formimi i plotë i të rinjve dhe kontributi i tyre në zhvillimin Shqipërisë moderne.

http://www.harryfultz.edu.al/harry_t_fultz.html

 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.