back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Biografi e Kasem Trebeshinës në dosjen 1338 e Sigurimit të Shtetit

Gazeta

Kasem Trebeshina - Dosja formulare (Sigurimi i Shtetit) Nr. 1338  -
Kasem Trebeshina – Dosja formulare (Sigurimi i Shtetit) Nr. 1338 

Biografi e Kasem Trebeshinës dosja 1338 (Sigurimi i Shtetit)

Sekret – Ekzemplar i vetëm
Tiranë, me 16.02.1980
.

Vërtetim biografik i komplikuar*

Bërë për seksionin e grupimeve, kërkuar nga punëtori operativ Subì Kaso.
Është kërkuar të vërtetohet: Kasëm Trebeshina, biografia e tij.
Janë vërtetuar: Kasëm Trebeshina, i biri Hysniut dhe Hatixhesë, lindur në vitin 1925, në Berat, nga një familje e pasur, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar, i martuar, me arsim të mesëm, i papunë, banon në lagjen Nr. 9, blloku 50 vjetori, pallati 4, shkalla 3, apartamenti 24.2
I përmenduri, gjatë okupacionit ka qenë partizan, pas çlirimit oficer ne ushtri. Në vitin 1948, u çmobilizua nga ushtria dhe u dërgua në B. S. për studime. Mbasi qëndroi atje dy vjet, kthehet dhe emërohet me punë aktor në Theatrin Popullor. Në vitin 1953, arrestohet dhe me vendin të Gjykatës së Qarkut të Tiranës Nr. 67, datë 25.06.1954, është dënuar për agjitacion e propagandë kundër pushtetit, në bazë të nenit 72 të kodit penal, (është dënuar – e prishur me stilolaps) me tre vjet heqje lirie. Mbasi dolli nga burgu u internua në Vlorë, Gramsh dhe Shijak. Në vitin 1965, vjen në Tiranë dhe këtu ka punuar në Bibliotekë Kombëtare, më vonë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” korrektor, prej këtej në bonifikim dhe që nga viti 1975, qëndron i papunë.
Në lagje karakterizohet si një njeri që nuk merr pjesë në asnjë aktivitet shoqëror.
.
Kasem Trebeshina gjatë Luftës
Kasem Trebeshina gjatë Luftës (foto e dosjes 1338)
Babai i tij Hysen Trebeshina, ka lindur në vitin 1888, në fshatin Vinokash të rrethit të Përmetit, i cili është shpërngulur nga fshati prej shumë vjete para çlirimit dhe ka jetuar në Fier. Atje është marrë me punë të ndryshme dhe në vitin 1970, ka vdekur.
Nëna e tij ka qenë shtëpiake dhe ka vdekur.
Gruaja e tij Zyrdije Hysen Shehu, ka lindur në vitin 1925, në fshatin Luzat të rrethit të Tepelenës, nga një familje e pasur, e cila ka punuar në Komisionin e Planit të Shtetit, dhe aktualisht punon në fermën “17 Nëntori”.
Djali i tij, Artani, punon në Kombinatin e Autotraktorëve.
Vajza e tij, Tatjana, është martuar me Faruk Adnan Zarshati, i cili punon nëpunës. Për të kaluarën e tij nuk dihet gjë nga burimet tona.
Vëllai i tij Myzaferi, gjatë okupacionit ka qenë partizan, pas çlirimit oficer, më vonë ka punuar në pushtet me funksione si kryetar komiteti, e të tjerë. Aktualisht është kryetar i Frontit të Rrethit të Fierit, është anëtar Partie.
Vjerri i tij, Hysen Shehu, gjatë regjimit antipopullor të Zogut, ka punuar tagrambledhës në rrethin e Fierit, njëkohësisht ka pasur edhe toka të tija në Fier. Gjatë okupacionit u lidh me lëvizjen Nacional-çlirimtare. Pas çlirimit ka punuar sportelist në hotel dhe para disa vitesh ka vdekur.
Vjerra e tij është nga fshati Klos i Fierit, e cila ka qenë dhe është shtëpiake.
Vëllezërit e gruas së tij: Feim Shehu ka punuar nëpunës në spital civil, aktualisht është në pension. Qemal Shehu oficer në organet e Punëve të Brendëshme, aktualisht është në pension, është anëtar Partie. Njazi Shehu, ka qenë partizan, është anëtar Partie, Eqerem Shehu punon nëpunës në Institutin Bujqësor.
Dajat e gruas së tij, Bilbil dhe Sherif Klosi, i pari ishte anëtar Partie dhe ka vdekur, dyti ish drejtor i Spitalit Civil Nr. 1, aktualisht është në pension.
Djali i vëllait të tij Fatos Trebeshina është oficer në Drejtorinë e Punëve të Brendëshme të Tiranës.
Familja e tij gjatë okupacionit ka qenë e lidhur me lëvizjen Nacional-çlirimtare, aktualisht në lagje nuk marrin pjesë në problemet shoqërore të lagjes.
Të dënuar, të arratisur dhe jashtë shtetit nuk del të ketë njeri. Për hollësi të pyetet rrethi përkatës.
Të dhënat janë marrë nga oficeri i M. P. Brendëshme. V. B., burimi A. L. dhe J. B., i pari e njeh prej kohësh, i dyti ka banuar në një lagje me të. I fundit është nga një vend me gruan e tij.
 
Punëtori Operativ – Myslym Bano (firma)
Shefi i seksionit – Besim Kaiku (firma)
Zv. Drejtori i Punëve të Brendëshme – Lahedin Bardhi (firma)
 
Daktilografoi: N. M.
*Vertetimi biografik është në faqet numër 8-9, të dosjen 1338.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.