Beteja për Tiranën – (Refleksion në Kohën e Rilindjes)
nga Prof. Romeo Gurakuqi
17 nëntor 1944, është dita e parë e procesit afatgjatë të imponimit politik dhe ushtarak, të eliminimit të elitës së qytetarisë kryeqytetase, të krijuar në kohën e Shqipërisë së parë shtetërore dhe njëkohësisht, është dita e startit të një “qytetarie të re”, të përbërë nga komponentë partizanë, që po zaptonin pasurinë dhe lirinë e popullsisë pararendëse tiranase. Duke qenë, se “qytetaria e re” ishte partizane dhe me prejardhje nga zonat rurale jugore të vendit, ndërkohë që në pararendje qytetaria tiranase ishte nga e gjithë Shqipëria intelektuale urbane (nga Tirana vetë, Shkodra, Korça, Gjirokastra Berati, Vlora, Elbasani, Durrësi, Gjakova, Prizreni, Dibra, Preveza, etj.), mbi kryeqendrën e Shqipërisë ndodhi gradualisht një proces ndryshimi thelbësor në kulturën qytetare, cilësinë e elitës drejtuese, gjuhën e folur dhe mentalitetin e shoqërisë së re të kryeqendrës së Shqipërisë. Nga një qytet i paqtë, Tirana u shndërrua në një qytet të frikshëm, të dhunshëm dhe pa gëzim. Dita e parë e lirisë, në vend që të ishte një ditë gëzimi për të gjithë, ka qenë një ditë tmerri: “Çlirimtarët” u sollën si “të Tërbuarit” sankylotë. Batalioni Special i UNÇSH-së, i cili kishte marrë detyrën e ruajtjes e disiplinës së trupave dhe zëvëndësimin e Forcës Policore në Tiranë, sapo qyteti të çlirohej tërësisht, filloi kontrollin shtëpi për shtëpi, vendosi një represion të egër ushtarak me shtetrrethim, bëri në pak ditë 800 arrestime kryesisht politike (shih: PRO.WO 204/10960, Sekret/ Majori Thornton, 22 nëntor 1944, Situata në Tiranë). Në agimin e lirisë së kryeqytetit, me 17 nëntor 1944, këto forca ekzekutuan 39 intelektualë të elitës së Tiranës:
.
1.Lorenc Rasha nga Shkodra,
2.Akil Sakiqi, nga Dibra diplomuar në Liceun e Korçës dhe në një Akademi Ushtarake në Itali;
3.Nazmi Uruçi nga Dibra, i diplomuar në Liceun e Korçës dhe në një Akademi Ushtarake në Itali,
4.Fahri Dabulla, nga Gjirokastra i diplomuar ne Oxford për financë.
5.Hamit Greblleshi, nga Tirana, i diplomuar në Akademinë Ushtarake në Stamboll,
6.Hasan Dine, nga Dibra, i diplomuar në një Akademi Ushtarake në Itali.
7.Haziz Blloshmi, nga Librazhdi, i diplomuar në Akademinë Ushtarake në Vjenë,
8.Faik Shkupi, nga Shkupi, i diplomuar si ushtarak në Itali,
9.Mehmet Dado, nga Mati, ushtarak i diplomuar në Itali,
10.Boris Belevksi, nga Rusia, i ikur nga regjimi sovjetik në vitin 1924, ish oficer në Garden Mbretërore të ish Mbretit Zog I,
11.Aleks Mavraqi, piktor,
12.Selman Shtjeni, nga Mati, kalorës në Garden Mbretërore,
13.Bajram Cuka, nga Mati, komandant xhandarmarie në Durrës,
14.Muharrem Liku, nga Tirana, i shkolluar në Stamboll,
15.Anton Fekeqi nga Shkodra (kosovarë Shkodre), ushtarak, i diplomuar në Grac, Austri,
16.Kapllan Deliallisi, deputet i Shijakut,
17.Jakup Deliallisi, kryetar i komunës së Shënavlashit,
18.Shefqet Deliallisi, Sekretar i Ismail Qemalit,
19.Isuf Allamani, drejtor i Fermes Xhafzotaj, i diplomuar për agronomi në Milano,
20.Selim Kelmendi, oficer nga Kosova,
21.Ndue Pali, oficer nga Mirdita,
22.Minella Toçi, nga Durrësi, biznesmen,
23.Seluadin Korça, nga Korça, i biri i të famshmit Hafiz Ali Korça,
24.Subi Topulli, oficer nga Gjirokastra,
25.Ismail Agë Petrela, figurë madhore e Tiranës, ishte ai që ngriti flamurin kombëtar për herë të parë në Tiranë,
26.Muntaz Kokalari, nga Gjirokastra, noter,
27.Vesim Kokalari, nga Gjirokastra, botues.
28.Syrja Kokalari, nga Gjirokastra,
29.Nebil Çika, lindur në Prevezë të Greqisë, i arsimuar në Stamboll për gazetari,
30.Muharrem Lleshi, qytetar tiranas, zejtar,
31.Rifat Tershana, nga Dibra e Madhe, oficer rekrutimi,
32.Reshat Stërmasi, oficer nga Tirana,
33.Lluka Xhumari, nga Durrësi, biznesmen,
34.Selim Brahaj, nga Sauku teolog,
35.Rakip Kalenja, nga Mallakasta, oficer i diplomuar në Itali,
36.Ali Panariti, nga Korça, tregtar,
37.Jorgji Mema, nga Elbasani, mësues,
38.Abdulla Saraçi, nga Tirana, oficer madhor i diplomuar në Itali.
Jeta e elitës e këputur në mes në “Ditën e parë të lirisë.”
.
Pas 17 nëntorit 1944, nga Tirana për të gjithë Shqipërinë, u ndërtua një regjim brutal dhe për pjesën e civilizuar të shoqërisë shqiptare nuk ka pasur ditë të vërteta gëzimi për lirinë e ardhur në vend në një mënyrë të çuditshme. Regjimi që u instalua nga komunistët rezultoi edhe më represiv se sa ai që kishin ndërtuar Italia fashiste dhe posaçërisht Regjenca shqiptare në kohën e mbisundimit të ëehrmacht-it. Objektivi kryesor i komunistëve ishte marrja e pushtetit dhe shkatërrimi i bazës humane të rezistencës intelektuale kundër ardhjes së tyre, që u përvijua gradualisht në shoqërinë shqiptare. Pushkatimet pa gjyq dhe proceset gjyqësore kundër “armiqve” kanë qenë të drejtuara kryesisht kundër klasave të kamura, të qytetëruara dhe të ditura të shoqërisë së mjeruar shqiptare. Përveç procesit të hakmarrjes, objektivat e komunistëve, në procesin çlirimtar dhe në periudhën që vijoi, kanë qenë ato të ndryshimit të strukturës shoqërore dhe ekonomike tradicionale, përmes konfiskimit të pronës private, përfshirë edhe tjetërsimin e pasurisë intelektuale, pothuajse të të gjithë elitës drejtuese pararëndëse në kryeqytetin e vendit.
Mbërthimi i modulit nacional-çlirimtar ekstremist në kufizat e interesave komuniste jugosllave, shkatërroi çdo alternativë të kapërcimit pa tronditje të periudhës tranzitore të luftës, duke e kthyer periudhën në fjalë, në një vijë ndarjeje ndërmjet dy epokave të evolucionit shtetërorë, social, politik dhe kulturor, të vendit më të prapambetur dhe më divers nga pikëpamja e strukturës së brendshme, në gjirin e Europës së re të lirë.
Ndërkohë nuk dua të rri pa thënë edhe disa fjalë për ditët që paraprinë “çlirimin” dhe për nderimin e sinqertë për partizanët që ranë duke luftuar për lirinë e vertëtë të kryeqytetit dhe të atdheut të tyre: “Beteja për Tiranën, në Tiranën qytet, ka qenë një rrethim i gjatë me pak shkëmbime luftarake, ndërsa beteja e vërtetë ka qenë ajo e zhvilluar me kolonën armike, që u përpoq të hynte në Tiranë. Njësitë e trupave britanike të Long Range Desert Group, një njësi sulmi e trupave elitë britanike, në një sulm të koordinuar, arritën të kryenin shkatërrimin e autokolonës gjermane në rrugën Elbasan-Tiranë, para hyrjes në kryeqendër. Kësaj beteje iu bashkëngjitën edhe forcat e UNÇSH-së, që bashkarisht ndalën dhe i detyruan të ktheheshin mbrapsht trupat gjermane, ndërsa aeroplanët e Balkan Air Force, përmes zbritjeve dhe bombardimeve nga kuota të ulëta, i shkatërruan mjetet e blinduara të transportit ushtarak gjerman, duke i shkaktuar një përqindje të lartë humbjesh. Tirana shpëtoi kësisoj në kthesat e Krrabes. Në Betejen për Tiranën, e para dhe e fundit betejë frontale e UNÇSH-së humbën jetën 127 partizanë, sakrificën e të cilëve duhet ta nderojmë. Ato që erdhën pas tyre, në të vërtetë abuzuan me gjakun e derdhur për liri.
17 nëntori është një kohë për refleksion të thellë, të drejtë dhe të ndershëm, që Shqipëria Zyrtare nuk arrin ta bëjë as pas 75 vitesh, si një qeveri mirëfilli europiane…
.
Marre nga muri i Fb. i Prof Romeo Gurakuqit, 17 nentor 2020
.