back to top
23.5 C
Tirana
E premte, 24 Maj, 2024

“Bazat e Kanunores së Këshillës së Naltë” alias “Statuti i Lushnjes 1920” – Kushtetuta e Parë Shqiptare – nga Kevin Haxhiu*

Gazeta

Kevin Haxhiu ne shtepine muze te Kongresit duke treguar figuren e Bajram Haxhiut
Kevin Haxhiu ne shtepine muze te Kongresit duke treguar figuren e Bajram Haxhiut

“Bazat e Kanunores së Këshillës së Naltë” 

alias “Statuti i Lushnjes 1920” – Kushtetuta e Parë Shqiptare

nga juristi Kevin Haxhiu*

Shteti Shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912 do të kishte vetëm në vitin 1914, ligj themeltar të shtetit, pra një kushtetute, e cila quhej “Statuti Organik”. Ky Statut për nga renditja e Kushtetutave shënon të Parën Kushtetutë në historinë e shtetit Shqiptar, por kjo është vetëm për nga renditja pasi ky Statut u hartua dhe u vendos nga një organ ndërkombëtar i huaj, pra nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit – (KNK). Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1913, Traktati i Fshehtë i Londrës – (TFL) 1915, Konferenca e Paqes në Paris 1918, si dhe vendet fqinje përbënin rrezik për pavarësinë dhe integritetin territorial të Shtetit Shqiptar ndaj dhe u organizua Mbledhja Kombëtare e Lushnjes, e njohur në histori si Kongresi i Lushnjes 21-31 Janar 1920. Në këtë Kongres u morën vendime tepër jetike për shtetin shqiptar të cilat sanksiononin qartë sovranitetin e plotë të shtetit shqiptar. Pas vendimeve të Kongresit të Lushnjes Shqipëria ishte e lirë dhe jo më e rrezikuar për t’u copëtuar territori i saj nga fuqitë e mëdha. Shqipëria tashmë kishte institucionet e saj të ligjshme, demokratike, sovrane si dhe ligjin themeltar të shtetit kushtetutën e cila u emërtua “Bazat e Kanunores së Këshillës së Naltë” por që njihet ndryshe si “Statuti i Lushnjes-1920”. Statuti ose Kushtetuta e parë e shtetit Shqiptar është “Bazat e Kanunores së Këshillës së Naltë” e njohur ndryshe si “Statuti i Lushnjes 1920”. Ky Statut përfaqëson kushtetutën e parë Shqiptare për faktin se ky ligj themeltar i shtetit u hartua dhe u miratua nga një Mbledhje Kombëtar siç ishte Kongresi Kombëtar i Lushnjes (21-31 Janar 1920) ku delegatët që merrnin pjesë në këtë mbledhje të rëndësishme për fatet e Shtetit Shqiptar ishin përfaqësues të zgjedhur nga populli shqiptar në çdo Prefekturë të Shqipërisë. Statuti i Lushnjes ishte i përkohshëm, pasi Statuti përfundimtar do të miratohej nga Asambleja Kushtetuese. Statuti i Lushnjes qëndroi në fuqi rreth dy vite pasi më pas Këshilli Kombëtar (Parlamenti) në dhjetor 1922, do ta zgjeronte këtë statut dhe statuti i ri do të emërtohej “Statuti i Zgjeruar i Lushnjes”. Statuti i Lushnjes kishte një përmbajtje të shkurtër vetëm me 6 nene si dhe ishte i përkohshëm, por ai ka vend të veçantë në historinë e së drejtës kushtetuese në Shqipëri. Në Nenin 1 të këtij Statuti, sanksionohej detyrimi i Këshillës së Naltë që të jepte aprovimin për çdo vendim që paraqitej nga qeveria dhe të vërtetuar nga parlamenti.

Shtёpia e Kongresit tё Lushnjёs
Shtёpia e Kongresit tё Lushnjёs

Në Nenin 2 parashikohej një e drejtë për Këshillën e Naltë që në kohë krize qeveritare të zgjidhte një kryeministër për formimin e qeverisë së re dhe ky vendim do të hynte në fuqi pasi të pëlqehej nga parlamenti (Senati). Në Nenin 3 sanksionohej se në rast se të zgjedhurit e kryeministrit për të qënë ministra në qeveri nuk do të pranoheshin për tre herë rradhazi nga Senati atëherë Këshilla e Naltë kishte për detyrë të mblidhte Mbledhjen e Kombit. Në Nenin 4 sanksionohej se edhe në rast kundërshtimesh midis Këshillës së Naltë dhe Senatit kjo e para nuk kishte të drejtë që të shpërndante Senatin. Si Këshillën e Naltë po ashtu edhe Senatin i shpërndante vetëm Mbledhja e Kombit. Në Nenin 5 parashikohej se në rast dorëheqje te një prej anëtarëve të Këshillës së Naltë atëherë tre anëtarët e tjerë vazhdonin detyrën, por në rast se dorëheqjen e jepnin dy anëtarë atëherë Senati kishte të drejtë të zgjidhte dy anëtarë të tjerë. Në Nenin 6 dhe të fundit të këtij Statuti sanksionohej forma qeverisëse e shtetit, pra ndryshe nga Kushtetutat e tjera të cilat zakonisht formën qeverisëse e sanksionojnë në Nenet në fillim të tyre. Forma qeverisëse parashikonte se me ardhjen e mbretit në fron atëherë Këshilla e Naltë njihej pa ndonjë vendim si e rrëzuar. Në një kohë shumë të shkurtër në vetëm pak vite shtet i pavarur (1912) Shqipëria nisi të përparonte përsa i përket hartimit të legjislacionit. Kushtetuta për Shqipërinë ishte një arritje madhore për faktin se Shqipëria kishte kaluar një pushtim shekullor osman si dhe pas shpalljes së pavarësisë në 1912, shqiptarët përsëri ishin përballur me rrezikun për copëtimin e territorit nga fuqitë e mëdha në favor të vendeve fqinje por të gjitha këto plane grabitqare morën fund pas vendimeve të Kongresit Kombëtar të Lushnjes, ku përfaqësuesit e zgjedhur prej shqiptarëve si delegatë ia dolën të ngrinin themelet e institucioneve sovrane të shtetit shqiptar mbi ligje dhe rregulla. Zhvillimi i legjislacionit në Shqipëri duket tepër qartë që në vitin 1920, ku shteti shqiptar do të kishte për herë të parë një kushtetutë të miratuar nga një Mbledhje Kombëtare. “Statuti i Lushnjes – 1920”, në vitin 1922 u zgjerua dhe statuti i ri u emërtua “Statuti i Zgjeruar i Lushnjes” por edhe ky i fundit ishte në fuqi përkohësisht pasi Statuti përfundimtar do të vendosej nga Kuvendi Kushtetues. Forma qeverisëse që sanksionohej në “Statutin e Lushnjes – 1920” dhe “Statutin e Zgjeruar të Lushnjes-1922” ishte e njëjtë Monarki por që vendin e Mbretit përkohësisht e zinte Këshilli i Naltë. “Statuti i Lushnjes – 1920” dhe “Statuti i Zgjeruar i Lushnjes – 1922” përbëjnë arritje madhore si dhe përfaqësojnë themelet e historisë të së drejtës kushtetuese në Shqipëri.

Kevin Haxhiu
Kevin Haxhiu

*Kevin Haxhiu – jurist, i diplomuar në drejtësi (bachelor) në fakultetin e drejtësisë – Universiteti i Tiranës. Tema e diplomës: – “Statuti i Lushnjes 1920 (Kushtetuta e Parë Shqiptare) dhe zgjerimi i tij në vitin 1922”.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.