Avokati i Budallait – nga Gjergj Hani

0
5
Padesyllaret
Padesyllaret
Gjergj Hani
Gjergj Hani

Avokati i Budallait

nga Gjergj Hani

Sot do flas për vehte! Nuk do t’i referohem përgjithësimeve të pabaza, duke thënë “ne”, por do të them “unë”. Kjo për të evituar keqkuptime të mundëshme, e për të mos fyer shumicën, që natyrisht është e vetëdijshme e për së mbari.
Por do të thoni ju: “E kujt i plasi by…(reku) se ç’thua apo ç’mendon ti?! Kjo është e vërtetë e qëndron, por meqënëse mosçarja e by…(rekut) është “sport kombëtar” e reciprok ndër ne si popull, kam vendosur ë flas ashtu kot, siç di të bëj vetëm unë, për t’i bërë qejfin vehtes!
Pra që thoni ju; (që s’thatë asgjë) sipas hesapit tim, punët po shkojnë keq e mos më keq, por kjo për fajin tim, kuptohet! Pasi unë e nisa keq që në fillim, e keq po e bitis, duke krijuar këtë rrëmujhane ku s’e merr vesh i pari të dytin, e as qeni të zotin. Megjithëse më duhet ta pranoj se nuk arrij ta kuptoj, se kush është qeni e kush i zoti i qenit! Por nejse, kjo nuk ka rëndësi, se tek e fundit aq tru kam e nuk mund t’i di të gjitha! Që thoni ju, (që vazhdoni të mos thoni gjë) 25 vjet më parë, mua më kishte vajtur thika aty ku nuk mbante më! Isha bark-thatë e brekë-grisur për gjynah të Zotit, e një ditë të bukur, nga zorrët e mia të thara e përmes brekëve të mia të grisura, doli një si rënkim, a si zë (as vetë s’e mora vesh ç’ishte, e as sot nuk e di) që kërkonte një copë bukë më shumë e po të ishte e mundur, edhe ndonjë palë brekë nuk do të ishte keq. Kështu mendova atëhere, e dihet, që kur fillojnë e kërcasin zorrët e thara, brekët e grisura nuk i ndalojnë dot! Nejse, tek dëgjoja zërin tim, që kërkonte t’i plotësoheshin disa kërkesa primare që synonin të qetësonin zorrët e thara e të mbulonin by…(rekun) që i kishin dalë petët fare, pra ndërkohë, se nga m’u fanepsen ca tipa me pardesy të bardhë e më thanë: “Bravo për kurajon! Ti po kërkon lirinë e ne do ta japim! Të them të drejtën, në fillim shtanga pasi nuk e dija se ç’ishte liria. Nuk kisha jetuar kurrë me të, dhe nuk besoja se e njihnin as të parët e mi. Se po ta kishin njohur, do më kishin folur për të qartë e thjesht, siç flitet normalisht për dikë, apo diçka që e njeh. Por ata, kur më të rrallë binte fjala mbi lirinë, çuditërisht ulnin zërin e picërronin sytë, a thua se kërkonin diçka që s’dukej gjëkundi, larg në horizont, e fillonin të artikulonin ide pa lidhje, ashtu siç bën njeriu kur përpiqet të flasë për diçka që nuk e ka parë kurrë. Por pardesytë e bardha me thanë se ata e dinin se ç’ishte liria, dhe se unë do ta kuptoja me kohë! Meqënëse m’u duken goxha sojllinj, nuk pyeta shumë se kush ishin, nga vinin, e ku kishin ndërmend të më çonin?! Se që thoni ju (edhe pse këmbëngulni të mos thoni asgjë) kur je zorrë-tharë e brekë-grisur, nuk është se ke mundesi t’i lejosh vehtes “lluksin” e të menduarit. Mua më bindi fakti, se pardesyllarët dopio pet kishin mbledhur nga pas (gjithmonë pas) shumë nga ata të sërës sime, që ishin mbledhur pas berihajit, e mes ulërimave për bukë e brekë, kishin filluar – nën sugjerimin e pardesyllarëve – të hidhnin edhe fjalë të padëgjuara deri atëhere si, liri-demokraci. Dukeshin aq të bindur se e dinin seç ishin liria e demokracia, sa ishin kail edhe të vriteshin për to. Ndaj tentuan të sulmonin vilat e atyre që ua kishin mohuar lirinë e demokracinë, por pardesyllarët “zemërdhembshur” nuk i lanë të vriteshin e të vrisnin, (paçka se mua më kishin thënë gjithë jetën se: “Liria fitohet me gjak”) e i kthyen nga rruga!
.
Padesyllaret
Padesyllaret
Goxha ujë ka rrjedhur nga ajo ditë (nga ndonjëherë edhe gjak) dhe unë mësova se ç’ishte liria, ashtu siç më thanë pardesyllarët. Gjërat ndryshuan, dhe unë nga eksperienca në liri mësova shumë rreth saj. Mësova se liria është mundësia që të jepet të bësh ato gjëra q ëderi dje nuk i bëje dot. Si për shembull: Unë sot jam i lirë që të zë një copë tokë ku ta gjej, e me miq a me para (nëse kam) të ngre aty ku më pëlqen vilën time, apo edhe një pallat! Unë sot jam i lirë të kem makinë, dhe e kam, (edhe pse të vjetër) dhe po pata lek për naftë, jam i lirë të dal me të dhe t’i zë rrugën tjetrit! Natyrisht, ja zë rrugën kur ma ha syri dhe e kam nën vehte. Se po pashë ndonjë benz me xhama të zinj, unë ia hap rrugën se e di që edhe ai është i lirë të më fusë një dru të mirë, ose po pati para shumë, edhe një koqe plumbi e të shkoj si qeni në vreshtë. Unë e di nga eksperienca se polici është i lirë të më ndalojë në rrugë, dhe me apo pa të drejtë është i lirë të më kërkojë para! Se infermjerja e spitalit publik është e lirë të më kërkojë para për një gjilpërë që duhet të ma bëjë falas! Se doktori është i lirë të ma marrë shpirtin (ose të ma lerë të ikë shpirtin) po nuk i dhashë para! Se gjyqtari është i lirë të deklarojë një fajtor pa faj, e një pa faj fajtor! Se politikani është i lirë të gënjejë e të ndërrojë partite si mbreti gratë, kur ia do interesi! Se një kriminel ordiner është i lirë të vjedhë e të vrasë e të bëjë karrierë në politikë etj, etj! Pra liri kemi shumë, e unë habitem kur dëgjoj aleatët tanë perëndimorë, të na thonë se ne nuk kemi liri! Pa dyshim që gjëra të tilla i thonë nga zilia, – pasi unë kam qënë në vendet e tyre – dhe kam parë se ata nuk e kanë gjithë këtë liri! Atje nuk je i lirë të ndërtosh ku do ti! Nuk je i lirë të ngasësh makinën si do vetë e t’i zësh rrugën tjetrit! Atje polici nuk është i lirë të të verë gjobë se ashtu i pëlqen atij! Atje, politikanët nuk janë të lirë të pasurohen brenda një mandati, e kështu me radhë! Pra u pëlqen apo nuk u pëlqen aleatëve tanë, ne kemi më shumë liri se ata!
Por për mua këtu fillon problemi!
25 vjet më parë, unë kërkoja veç pak bukë e një palë brekë, e pardesyllarët më rrasën edhe lirinë, pa më thënë që do të ishte kjo që është! Se, po të mos i kishin dhënë lirinë vehtes të më gënjenin, unë nuk e di se çdo të kisha zgjedhur! Ndoshta do të isha kënaqur me pak bukë me shumë e me një palë breke të arnuara (siç i kam sot) dhe do te kisha refuzuar gjithë këtë liri që po më merr shpirtin! Nejse, me leverdis ta mbyll këtu këtë muhabet që thoni ju (qe edhe pse deri tashti nuk thatë asgjë, tashti do të ngrini zërin e do të thoni se ky nuk e do lirinë, demokracinë, e ku ta di unë ç’tjetër) me fjalët e Faik Konicës: “Mëmëdhe të kam dhjerë s’të kuptova asnjëherë…” Dhe po e akuzuat atë se nuk e deshte lirinë dhe Shqipërinë (po nuk besoj se do ta bëni) atij nuk i plas by…(reku) fare, se ka vdekur.
.
Marrë nga muri i Fb 14 korrik 2015
 .

 

Related Images:

Artikulli paraprakTërhiquni nga kandidimi përballë Ramës… – Letër e hapur e Ismail Kadare drejtuar Lulëzim Bashës!
Artikulli tjetërDom Simon, t’mbajtë Zoti nderën se ja rrite Shkodrës vlerën… nga Gjosho Vasija
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.