back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Aster – tregim nga Lili Kristuli

Gazeta

Lili Kristuli
Lili Kristuli

Aster

tregim nga Lili Kristuli

Nuk e di ç’të veçantë pati ai mëngjes. Di se u zgjova dhe kuptova që isha një grua pothuajse e lumtur.
Nuk ka asgjë të gabuar apo të pavend në jetën time. Kam të njëjtin bashkëshort, prej vitesh, mendoj se duhemi, kam një punë që më pëlqen.
Megjithatë, atë mëngjes, ishte pikërisht ajo fjalë e padëmshme – pothuajse – që më hapi një humnerë para syve.
Ajo që dukej si një çarje e vogël në strukturën e jetës sime të përditshme, shpejt u zgjerua, u thellua, e vuri në dyshim të gjitha siguritë e mia.
Të njohurit tanë thonë se burri im është një bashkëshort i mrekullueshëm. I vëmendshëm, me vetëbesim, i përgjegjshëm. Plotësisht e vërtetë kjo, e mund të shtoj akoma: psh. se si planifikon çdo gjë me përpikmëri. Vizitat, qokat, orën kur do shkojmë e sa do rrimë, dhuratat, që duhet të jenë proporcionalisht me sebepin. Planifikon fundjavën, pushimet, kur do nisemi, çdo marrim me vete.
I përpiktë. Nuk i lëviz as presja në ato që bën e thotë.
Askujt nuk mund t’i përshtatet vetëm një përkufizim. Kurse për tim shoq kjo është e mundur. Ai është përpikmëria vetë.
Tashmë i di përmendesh çdo fjalë, çdo lëvizje të tij.
Kur kthehet në shtëpi, heq këpucët, çorapet i vendos sipër tyre, të palosura. Vesh pizhamet, pasi i jep një të shtrirrë me dorë mbi shtrat.
Bën zapping me telekomandë në tre kanale, gjithmonë të njëjtët, sheh pesë minuta secilin prej tyre. Gogësit, për të shprehur mosaprovimin për ato që ka dëgjuar e ulet në tavolinë.
Pasi ka ngrënë, më kritikon “me dashamirësi” gjellën që kam përgatitur, më shpjegon se si duhet ta kisha përgatitur. Unë aprovoj. Gjithmonë aprovoj. Kështu ai, i vetëkënaqur shtrihet në divan. Me pizhame.
Kur shoqet e mia më thonë, gjithë nerva, se burrat e tyre shtrihen mbi divan pa u zhveshur, i kam zili.
Unë do ta doja një bashkëshort normalisht të papërsosur. Është e tepër përsosmëria e tij
Këtu është problemi: ndajfolja-tepër-që më sjell në mendje se jam një grua pothuajse e lumtur…

Liljana Kristuli - Thagmat e Likes
Liljana Kristuli – Thagmat e Likes

Marrë nga Muri i FB Lili Kristuli, 10 janar 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.