back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Arlinda Guma: Romani, një tërheqje fatale, joshje drejt temave të ndaluara.

Gazeta

Autorja Arlinda Guma
Autorja Arlinda Guma

Arlinda Guma:

Romani, një tërheqje fatale,

joshje drejt temave të ndaluara.

Në një intervistë Arlinda Guma,
që e sheh veten larg asaj që e quan “estrada letrare shqiptare”
dhe ‘premton’ madje që nuk do të botojë më pas këtij libri.
“Gjithçka këtu është e kapur dhe kjo është hera e fundit që botoj.
Nuk dua të bëhem pjesë e estradës letrare shqiptare…
e këtij palaçollëku që shndrit nga zgjyra, bërrylat dhe mediokriteti”

Arlinda Guma - "Bulevardi Yjeve"
Arlinda Guma – “Bulevardi Yjeve”

Si lindi ky roman? Mund të bësh një film me mënyrën se si formëzua ky roman. Tharmi lindi nga një poezi e shkruar nga unë, tetë vite më parë. Gjatë luftës në Afganistan, një foto bëri xhiron e botës, ajo i ishte shkrepur një bariu të vogël afgan, i cili qante pranë trupit të deles së vrarë nga një bombë.
Ajo foto më trazoi shumë atëherë. Prej saj shkrova një poezi të shkurtër, me titull “Demokracia Amerikane”. Poezia shkoi automatikisht nga blogu im, në një blog tjetër, shumë të frekuentuar nga komentues pasionantë, dhe aty mua më quajtën “antiamerikane”. Shqiptarët mund ta përballojnë si burrat antishqiptarizmin, por te antiamerikanizmi nuk përmbahen dot… atje ata nuk falin!
Tetë vite më parë, kur unë e shkrova atë poezi, vendi ynë ishte në kulmin e idilit dashuror me Amerikën, të mos harrojmë se sapo ishte shpallur pavarësia e Kosovës dhe Bushi ishte pritur si Jezu Krishti gjatë vizites së tij në Shqipëri. Njerëzit i puthnin duart dhe i jepnin fëmijë të vegjël t’i mbante në krahë sikur Bushi të ishte yshtës.
Për vite të tëra unë nuk iu riktheva më asaj poezie, edhe pse mbetet një nga më të mirat e mia. Kaluan pesë vite, erdhi një ditë e vitit 2013. Unë punoja te zyrat e Delegacionit të Bashkimit Europian. Bashkë me një kolegen time franceze, Odile Chavaneau, gjendeshim në një nga restorantet e Tiranës; ishte pushimi i drekës, dhe ndërsa po bisedonim, unë i citova asaj një varg nga poezia. Nuk mbaj mend cilin varg, por mbaj mend që i fola për subjektin dhe për foton, e cila ishte bërë shkas për ta shkruar. – E di që ka ndodhur vërtet diçka e tillë? – ma ktheu ajo, ndërsa filloi të më rrëfente për një bombardim tragjikomik gjatë periudhës kur ajo kishte punuar në Afganistan. – Ngjan si skenarët e filmave të Woody Allen-it, – i thashë unë, – nuk di nëse duhet të qaj apo të qesh… Dhe pastaj, pa u menduar fare shtova se do shkruaja diçka për ngjarjen e porsarrëfyer. Ajo më vështroi një çast, si të ishte penduar që ma kishte treguar. Kuptohet, punonim në një mision diplomatik, ku na ndalohej të shprehnim çdo lloj qëndrimi personal mbi gjeopolitikën, qëndrim që mund të binte ndesh me politikën e istitucionit ku punonim. (Ky është rregull për të gjitha organizatat ndërkombëtare.) Gjatë kohës që punoja në atë istitucion nuk më lejohej as të shkruaja nëpër gazeta, kështu që hezitimi i koleges sime ishte në njëfarë mase i përligjur.
Në ditët që erdhën më pas, unë e rrotulloja ndonjëherë fjalën te ngjarja që ajo më rrëfeu, por dukej se kolegia ime rezervohej të më tregonte më shumë detaje për bombardimin. Nuk njiheshim shumë atëherë, ndërsa sot ajo është bërë mikja ime më e mirë. (Ajo tani punon në zyrat e Komisionit Europian në Bruksel, dhe kur e pyeta nëse mund ta përmendja në këtë intervistë, ajo më tha: -Po, mund të më përmendësh, edhe pse unë nuk kam asnjë meritë që ti u tregove e mprehtë dhe transformove në një roman të tërë një anektodë aq surrealiste.)
Gjatë atyre ditëve, diçka brenda meje ziente. Kisha një grishje të madhe të shkruaja për atë ngjarje… një tërheqje fatale mund të them, besoj se u ndodh të gjithe autorëve kjo joshje drejt temave të ndaluara. Ishte një subjekt nga ata të mëdhenjtë, një tragjikomedi ashtu siç është vetë ekzistenca e njeriut.
Por romani ka edhe një tharm tjetër, Déjà vu-në… për të cilin nuk dua të flas shumë në këtë intervistë, prej frikës se mos ia dëmtoj trajtesën artistike.

Duket se në këtë roman flitet për një botë cinike dhe indiferente… A është romani një reflektim i juaji mbi situatën e sotme globale? Sigurisht që është një reflektim i imi mbi situatën globale. Besoj se kjo kuptohet që nga titulli ironik: “Terma humanitarë si fjala bombardim”. E si mund të jetë humanitar një bombardim?
Për muaj të tërë unë u vërtita në dilemën, nëse duhej të shkruaja mbi këtë subjekt. Një qëndrim jodiplomatik, për një nëpunëse që punonte në një mision diplomatik do të thoshte telashe. Por tërheqja ishte më e fortë, kështu që fillova të shkruaja, duke i gjetur vetes gjithfarë justifikimesh… si ato të tipit: – Unë mund ta shkruaja njëherë, pastaj edhe mund te mos e botoja fare… Këto jusifikime as mua vetë nuk më bindnin, por më duhej të qetësoja një zë brenda vetes, që më tërhiqte vëmendjen vazhdimisht.
Gjëja më e mirë që më ndodhi më pas, është se në kohën kur e mbarova së shkruari, unë nuk punoja më në një mision diplomatik, kështu që isha e lirë të isha sa të doja jodiplomatike.
Më duhet të theksoj këtu që botimi u mundësua nga Martin Camaj Gesellchaft, në Mynih, Gjermani, dhe unë i falënderoj me mirënjohje drejtuesit e saj që besuan në letërsinë time. Në veçanti përkthyesin Hans Joachim Lanksch, i cili ka bërë shumë për letërsinë shqiptare dhe gjithashtu falënderoj zonjën Erika Camaj, bashkëshorten e Martin Camajt. Martin Camaj ishte një poet fare jashtë klaneve letrare shqiptare, dhe duket sikur, që andej nga përjetësia e tij skrupuloze, ai ështe duke i ndihmuar joklanorët e tjerë.
Ju thatë se flitet për një botë cinike. Mund t’ju them se nuk ka vetëm cinizëm në këtë roman, subjekti tjetër i tij ka një histori interesante dashurie, të bukur, ashtu siç janë të gjitha dashuritë e idealistëve.

Martin dhe Erica Camaj
Martin dhe Erica Camaj

Ku ndryshon “Terma humanitarë si fjala bombardim”, nga “Bulevardi i Yjeve”? Romani “Bulevardi i Yjeve” është i gjithi një fiction, kur e shkrova, unë nuk e dija si ishte një çmendinë, ndërsa “Terma humanitarë si fjala bombardim” është një fiction i ndërtuar mbi një ngjarje të vërtetë, pasi bombardimi ka ndodhur në realitet. (Për hir të fiction-it e kam zhvendosur ngjarjen në Afrikë.)
Personazhi i romanit te dytë, punon në një istitucion ndërkombëtar. Pra, unë e njoh mirë skenën në të cilën kam vendosur ngjarjen, njoh mirë edhe nacionalizmat pikante që ngrenë krye brenda një misioni shumëkombësh, që sfondi i përmbajtur europian i të cilit përpiqet pa rezultat t’i sheshojë. Në roman ato janë pjesët më groteske e më ngacmuese.
Në romanin “Bulevardi i Yjeve” unë nuk jam përzier emocionalisht me personazhet, kam mbajtur një qëndrim të ftohtë, gati të pamëshirshëm (por të domosdoshëm), madje mund të them se shumë lexues zhgënjeheshin kur u përgjigjesha se unë nuk isha asnjë nga personazhet e “Bulevardit të Yjeve”. Ata donin të më shihnin mua patjetër në një nga personazhet e tij. Ndërkohë që në lidhje me romanin “Terma humanitarë si fjala bombardim”, mund t’iu them lexuesve të mi se mund të më gjejnë te personazhi kryesor H.. Jemi shumë të ngjashëm unë dhe H.-ja.
Në letërsi autori mund të jetë ose mund të mos jetë në një personazh. Nuk ka ndonjë kusht për këtë. Autori është si një stilist, gjatë gjithë kohës i duhet “të luajë” me aksesorët, p.sh, ti mund t’i shkulësh zemrën një sentimentali bie fjala, dhe t’ia qepësh atë “një njeriu prej bore”… e zemra mund t’i rrijë për bukuri, pasi ngjyra e saj mund t’i shkojë edhe me shallin “njeriut prej bore”… E gjithë kjo varet nga “qepja”, se sa mjeshtërore është ajo.
Kur e pyetën Floberin se kush ishte Madamë Bovaria, ai u përgjigj: – Madamë Bovaria jam unë!
Personazhi im H., i cili është një nëpunes humanitar, dëshmitar i bombardimit tragjikomik, kërkon të shkruajë një artikull në “The New York Times” për të denoncuar masakrën, dhe unë i kam përcjellë (apo “qepur”) atij gjithë dilemat e mia, nëse duhej ta shkruaja apo jo këtë roman. As ai nuk e ka të lehte e as unë… por të dy arrijmë ta shkruajmë; unë romanin dhe ai artikullin…

Arlinda Guma - “Terma humanitarë si fjala bombardim”
Arlinda Guma – “Terma humanitarë si fjala bombardim”

Pse duhet të lexohet romani “Terma humanitarë si fjala bombardim”? Çfarë do të gjejë lexuesi aty? Kjo është një pyetje shumë e vështirë, e cila më kujton ato pyetjet që të bëjnë gjatë intervistave të punës: – Më thuaj, përse duhet të të punësoj?
Unë zakonisht përgjigjem me një batutë të tillë: – Edhe unë e pyes veten përse duhet të më punësoni… Pastaj i kërkoj me mirësjellje intervistuesit të kalojë në një pyetje tjetër, sepse një pyetje e tillë të deyron t’i bësh marketing vetes… dhe mua më duket e tmerrshme të filloj të flas mirë për veten.
Nuk më pelqen marketingu, aq më pak ai i tipit “I can fly to the moon”. Më duket një nga gjërat e shumta të pahijshme të kapitalizmit. Kështu që, shumë kortezisht, do t’ju kërkoja edhe juve të kaloni në pyetjen tjetër…

Kujt do t’i “ngecë në fyt” ky roman? Nuk di, nuk e kam shkruar me qëllimin që t’i ngecë në fyt ndokujt, por ndoshta mund të mos përtypet mirë prej nëpunësve të organizatave ndërkombëtare, ata të cilët nuk kanë kurrë një mendim për çfarë ndodh përreth tyre.
Kur e shkrova këtë roman, nuk mund të parashikoja që tema do të tingëllonte aq aktuale edhe me bombardimet në Siri. Po si është e mundur të mos kesh asnjë mendim kur sheh në rrënojat e një spitali të bombarduar një foshnjë të vdekur? Epo në djall të qenit politikisht korrekt, unë nuk dua të jem korrekte pra, unë e kam një mendim; romanin tim! Të qenit politikisht korrekt po e merr në qafë botën. Po i bën njerëzit të mos mendojnë.
Ne shqiptarët e kemi patur gjithmonë në krah shtetin më të fuqishëm në botë… dhe kemi një mirënjohje të përligjur ndaj tij. Por, imagjinoni sikur ato që ndodhin tani në Siri, të ndodhnin në Shqipëri? Përfytyroni sikur, pasi të na bombardonin mirë e mirë, shtetet fqinje të na mbyllnin edhe kufijtë. Këtu kuti im i së drejtës çorientohet…
Duket sikur njerëzimi nuk ka evoluar shumë, që në çastin kur, për të luftuar të keqen na duhet të bombardojmë, e me bombardimin vriten dy të këqinj dhe dy milionë të pafajshëm.
Unë shkrova këtë roman, por a bëra mjaftueshëm? Përgjigjja që më jep ndërgjegjja ime kur shoh trupat e fëmijëve të vrarë nën rrënoja, është “Jo!”… pastaj dorëzohem dhe i them vetes se shkrimtari vetëm këtë “armë” ka në dorë, fjalën…
Për të vazhduar më tej me shkrimtarët nacionalistë? Edhe ata mund të mos ta përtypin një temë të tillë. Ata që laj-thaj i nxjerrin ujë të zi temave me ilirë e pellazgë. Nuk është ndonjë meritë të kesh patur prejardhje “të lavdishme”, mendoj se vetem popujt e paemancipuar mburren me këtë. Them se se ka jetë edhe përtej këtyre temave. Bota do të ishte një vend më i mirë, nëse do ta konsideronim të gjithë globin si shtëpinë tonë.
Edhe me tej, me kritikët e vetëshpallur letrarë, aq qesharakë, të cilët të çpojnë sytë nëpër televizione, e që shkruajnë me gjuhë hartimesh dhe me gabime të tmerrshme drejtshkrimore.
Gjithashtu edhe gazetarët me koeficient përtokë inteligjence, që bëjnë vitrinën e librit duke reklamuar libra të lehtë.
Sigurisht që ky roman kërkon lexues të kultivuar dhe inteligjentë. Unë nuk e kam kompromentuar ndonjëherë artin tim për pará.
Që të jem e qartë me lexuesin e kësaj interviste, unë nuk pres asnjë vlerësim nga maskarada letrare shqiptare. E vetmja dëshirë që kam është që romani të mbërrijë te lexuesi im, vetëm kaq. Gjithçka këtu është e kapur dhe kjo është hera e fundit që botoj. Nuk dua të bëhem pjesë e estradës letrare shqiptare… e këtij palaçollëku që shndrit nga zgjyra, bërrylat dhe mediokriteti.
Me këto që permenda nuk është se i bëra ndonjë shërbim letërsisë së mirë, atë ka kohë që e kanë nxjerrë në ilegalitet, dhe, si të flas, si të mos flas, fondet e Ministrisë së Kulturës do vazhdojnë t’u jepen militantëve dhe injorantëve… Politikanët do vazhdojnë të dalin para kamerave, gjoja sikur i dashurojnë librat dhe sapo të fiken projektorët do t’i hedhin tutje… Ndërsa televizionet, së bashku me gazetaret mendjelehta të vitrinave të librave, do vazhdojnë t’i drejtojnë shikuesit drejt letërsisë mediokre…
Ç’mund të them më? Gjendja është alarmante, por aspak serioze.
http://www.mapo.al/2016/10/gura-roman

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.