back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 6 Dhjetor, 2024

Arka e Lokes – nga Elida Rusta

Gazeta

Arka e Gjyshes
Arka e Gjyshes

Arka e Lokes

nga Elida Rusta

Sot, ndërsa isha t’ue pa témé bijë tuj rrmue mes gjánáve t’mia, fija e kohës m’u kthye mbrapsht, me risjellë në mendjen témé atë ditë të paharrueme, ku gjithçka nisi me nji dvetje “Gjyshe, a mundem me e çilë arkën tánde?”
Kjo ishte kërkesa e nji fmije të vogël drejtue gjyshes së vet, në Tropojën e viteve tetëdhetë.
-Po, – veç ban kujdes, njashtu si i gjen gjánát, njashtu ke me i vu prap n’vend t’vet!
Ndihesha e lumtun, sepse ishte hera e parë që kureshtja jémé do të shuente ándjen e vet përtej pragut të njasaj arke, e cila padyshim mund të konsiderohej si kasaforta e asaj kohe, edhe për faktin se aty mes tjerash, strukeshin t’mshehtat e nji jete.
Ajo ditë nisi nën frymën e perfeksionit, në t’cilën merrte jetë nji prej ándrrave t’mia má t’bukura!
Si me thanë, unë sapo isha emnu “ministre e thesarit” prej gjyshes témé dhe ndërsa gatitesha me bá inventarin, zemra rrihte si e tërbueme.
Isha i pari njiri të cilit i ishte dhánë ky privilegj, sepse për mue, t’hulumtuemit e njasaj arke ishte bá fiksim i përditshëm.
Gjyshja, çili syzen e komedinës së vet prej ku qiti nji çils të vogël dhe e lëshoi n’dorën teme që dridhej prej peshës së emocioneve.
Futa çilsin te brava dhe hapa kapakun e arkës me vështrimin e mprehtë të syve të unshëm, ndërsa nji aromë e kandshme livandet nisi me rrokë krejt odën.
Me ándje të madhe fillova hulumtimin e mistereve të ngujueme mrenda barkut të arkës.
.
Elida Rusta
Elida Rusta
Ma i pari vend ku i ngula sytë, ishte nji grumbull peshtahash të formave dhe ngjyrave të ndryshme, njeni ma i bukur se tjetri.
I mora në dorë nji nga nji dhe nisa me i pá.
Peshtahi i parë, ishte i mbushun me ngujore, gjylpana, e rrakela pejnash shumëngjyrëshe.
Peshtahi i dytë ishte i mbushun me stoli arit dhe sermit, t’punueme me mjeshtri të madhe prej dorës së argjendarve të qytetit të moçëm të Raguzës, ose siç njihet sot Dubrovnik, ku edhe ishte ble pjesa ma e madhe e pajës së nusnisë, së gjyshes.
Peshtahi i tretë me stilolapsa dhe letra të shkrueme n’gjuhë shqipe dhe italiane.
Peshtahi i katërt mbante plot pulla të bukura të táná llojeve.
Te peshtahi i fundit që çila, gjeta gjanat vetjake të gjyshit, të cilin s’pata fatin me e njoftë.
Disa parfuma, dy brisqe rrojet, nji aparat fotografik t’vjetër, disa stilolapsa dhe nji kravatë.
Padyshim, kohën má të madhe të asaj dite ma morën fotografitë, që ishin shumë si për nga bukuria ashtu edhe nga veçantia, ku secila foto vlente sa njimijë fjalë.
Fotografitë e vjetra ishin má të bukurat, sidomos ato të kohës së Italisë, dukej prej çehres së ftyrës së personazheve, që njerëzit ishin fort má të lumtun nën sundin e pushtuesit fashist, se sa nën qeverisjen e komunistit Enver.
Táná fotot ishin të vendueme simas nji kriteri logjik.
Fotot e rinisë së babës me hállat e me mixhën kur ishte ushtar, fotot e rinisë së gjyshes edhe ato të gjyshit xhandar i kohës së Zogut, fotot e dasmave, fotot e mia dhe të vëllaut, fotografi njerzish të njoftun dhe jo.
Aty ishin edhe fotografitë e periudhës së aksionit, ku ém atë si shumë tropojanë të tjerë kishte shku me ndërtu t’zezën e vet…
Padyshim që fotot má të bukura ishin të koleksionit, ku spikat’te bukuria e fmijve të vegjël të veshun me tesha kombtare të cilët paraqiteshin të qeshun e me lule ndër duer, rrugicave karakteristike të qytetit tonë të bukur që dikur quhej Kolgecaj.
N’fund, nuk mund të mungoshin fotografitë e të vdekunve që përcillnin n’mue nji trishtim të pashpjegueshëm. Me to dora e fotografit, me t’madhe mjeshtri kishte ba t’pavdekshme çastet e fundit, para se i shuemi me u dá përjetë prej gjakut, shokve, miqve dhe dashamirve të vet.
Gjyshja rrite e ulun mbi divan me sytë e drejtuem kah unë, nën nji të heshtun që thehej hera-herës veç prej ndonji kërkese.
-Hiqe doret at fotografi!
-Pse, kush asht ky?
-Nji njeri që s’na duhet gja, as mu as ty!
Ju luta me m’diftu se kush ishte ai njeri, por tuj kenë nji grue me karakter të fortë, pavarsisht dashnisë dhe marrëdhanieve shumë të mira që ekzistoshin mes nesh, nuk më kallzoi asgjá mbi personazhin që gjindej n’at fotografi, e as mbi shumë fotografi të tjera që çuditnisht, nji dorë i kishte curatë me gërshanë.
Mesa duket, detyrën që kryen me sukses aplikacioni i sotëm “bllok” e fejsbuku na ka vu në dispozicion, asokohe e kryte ma s’mirit gërshana…
Mbasi kryva tuj pá táná fotografitë, u zhyta si t’isha nji minatore në barkun e baules së madhe, prej ku nisën me dalë çarçafa, msalla, peceta e shtroje tradicionale.
Vemendje të veçantë gjyshja i kushtoi çarçafit të dekës, i karakterizuem prej ngjyrës së bardhë.
-Ban kujdes, se njaty poshtë n’cep t’baulës janë teshat dhe çarçafi i dekës!
I qita jashtë me kujdes dhe vazhdova má tej me hulumtimin e arkës, prej ku dolën katër shishe, nji e mbushun me bash rakiet, nji me voj ullinit, nji me voj peshkut – për djegie, dhe ma e çuditshmja ndër ta, voji i akrepit!
Ishte nji shishe me ngjyrë të kuqe, mrenda t’cilës lundrote nji akrep i pájetë, i mbytun në helmin e vet.
Tuj e pa me sytë e fmisë me vite n’mend historia e dreqit të ngujuem n’shishe prej nji femne e u tutsha se po del.
Kështu vazhdoi për disa orë, nji ndër aventurat ma t’bukura të jetës témé, hulumtimi i “Kutisë së Pandorës”, e cila ishte e mbështjellun plot mister dhe magji e ruejtun prej nji çilsi të vogël të çuditshëm dhe prej barit të tejës…
.
Sunduku i andrrave...
Sunduku i andrrave…
Ps. Fjala peshtah – Deri tani e quajnë fjalë e hyrë nga turqishtja [peshtahta] e me burim prej persishtes. Por turqishtja shpesh në vend të fonemës (f) përdor atë (h) dhe fjala në fakt duhet të artikulohet Peshtafta. Dihet se këto kutiza përdoren për dhurata të çmuara si unaza, vëthë, varse etj. Vetë kutia është e mbështjellë me një cohë prej tafta. Ndaj fjala është e formuar nga [pesh+tafta] dhe pesh = pshe, fshe. Ngaqë kutia mbulohet me tafta ajo emërtohet për këtë shkak e [pshe(h me) tafta] = pshe-tafta = pesh-tafta = peshtaf. Folja pesh = pa sheh = pshe = fsheh.
.
Marrë nga muri i Fb i Elida Rustës, 20 prill 2019
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.