back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Abdullahu ynë, ç’bëhet? – satirë nga Faik Konica

Gazeta

Faik Konica me perkushtim Vasil Panit
Faik Konica me perkushtim Vasil Panit

Abdullahu ynë, ç’bëhet?

satirë nga Faik Konica

Këtu e nj’a dhietë viet më parë, isha duke hyrë në Shqipëri me udhë të Sërbis. Në Zibefçe – emëri i kufirit – zbritmë. Me një herë na rethuan zaptienj e mehmurë me fytyra të kungullta e t’egëra, e duke na përmbledhur përpara, posi dhën, na kallnë në një katua, ku, pas pakë, na suallnë edhe plaçkat e vogëla që kishim. Pastaj, me një “tullumbë” plot me ujë të fenikuar zunë të na lagin e të na çpëlajnë. Në protestime t’udhëtarëve të qullur, të ndotur e të zëmëruar, një “bashmehmur” thosh me rëndësi: “Irade var. Karantëna nun nëzamnamesënë idshra idiorëz!”. Do me thënë, në gjuhë shqipe: “Kemi lejë të viedhim udhëtarët, se diku ka dalë kolera!”. Kolera kish dalë tre viet më parë… në Turqi, dhe Turqia kish urdhëruar karantinë për ata që vijin nga jashtë. Kolera kish shkuar, urdhëri kish mbetur. Si na lagnë e na “qëruan”, na shpunë në një shtëpi të drunjtë e aty na lanë gjer të nesërmen. Tre a katër rrogosë, e nj’a dhietë ndenjëtore të kalbura: aty duhet t’a shkojim natën. Ishim nj’a dymbëdhietë veta, nër të cilët një Frënk me të shoqen, edhe gruaja e një ish-ministori bullgar në kabinet të Stambullofit, pshatarake me një bark si kade e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të piekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit. “Zonja ish-ministoreshë”, në mënyrë bullgare, kthehej në pshat të saj në “Maqedoni” bashkë me të birin e saj gjashtëmbëdhietë vietsh e me një vajzë dy vietsh. Nuk më bie nërmëntt në kish shërbëtore. Kjo katundare e shkretë e shihte me frikë të qasurin e natës: jo vetëm nuk kish kamare për gratë, por s’kish as vënt për të fietur. Çoj pra fialë te mehmurët, që ish gati të jipte një lirë për të gjetur vënt për të fietur; po, nga që kish thënë këtë me zë të fortë dhe sicilido kish dëgjuar, Turqtë nukë deshnë të duken se janë njerës të ergjëndit. Pra, e mira grua u shtrëngua të rrijë tërë natën më këmbë. Për të shkuar kohën, diali i saj, i cili dinte pakë frëngjisht, nisi të flasë me mua. Më thosh që, sikur të veja në Bullgari, do t’më mirjin për pakryetar (anarkistë), se në Bullgari si duket të gjith’ata që i lënë leshërët të gjata i marin për pakryetarë. Një Turk që hiqte çibukun këmbëkryq afër nesh, e që kuptonte pakë zuri të qeshë: “Ojlemë? Hajr, hajr: uzun saç birakan felesofdur”. D.m.th., kush i ka leshërat e gjata është filosof! Ashtu, duke dëgjuar gomarërira të tilla, e pashë të gdhirët. Me mëngjes, erdhi, që të na shohë mos kishim kolerën, mjeku, i veshur vetëm me këmishë të natës e me brekë. Zonja frënge, duke parë këtë Turk aqë çuditërisht të veshur, zu të skuqet nga turpi, e burri i saj u qas të më pyesë në ish zakon në Turqi të dalin ashtu përpara botës. Thashë se, me të vërtet, moda e lartë në Turqi është të dalin përpara botës me këmishë të natës. Si e pa mjeku se s’ishin të sëmurë – do me thënë si e lozi lodrën që loste që nga tre vjet për të zhveshur udhëtarët – nxuarmë të paguajmë “visitën”, e zotëria e tij u hoq i kënaqur. Aherë na qitnë nga kësolla e na shpunë në “jumryk” që të na vështojnë plaçkat dhe “pasaportin”.

Faik Konica në Boston (në foto edhe Gjon Milli)
Faik Konica në Boston (në foto edhe Gjon Milli)

***

Me të parë se kisha libra, një “mehmur” u mvrejt dhe më tha: “Puna jote ësht’e ligë; ne këto libra nuk i kuptojmë; do t’i dërgojmë pra në Stamboll, e ti do të presh këtu. Dale të shohim ç’ke tiatër”. Zura të bie në çdo farë mendimesh; më kishin shkruar se një fjalë nga an’e Valiut te kryetari i kufirit do t’më kish çliruar edhe nga të tilla punë edhe për pasaport që s’kisha; ç’ishin këto tani, e ç’më duhej të lëja vëndet e lira që të vete të bije në duar t’egërsirave? …Isha duke menjtuar ashtu, kur mehmuri më thotë me një zë t’egër t’i rrëfej pasaportin: si s’kisha, i rrëfeva “nufus-tesqerenë”. – “Bu ne? – tha duk’e marë, – Para etmez!”. Po me të parë emërin t’im u habit: “Hata-olldu” – thiri, e me një herë, libra, plaçka e gjithë ç’kisha i mblodhi, e, duke më rrëfyer udhën, më shpuri tek kryetari i jymrykut. Këto u bënë në më pakë kohë se sa duhet për t’i shkruar, aqë shpejt sa s’pata kohë të marr vesh. Atie, mehmuri më kërkoj prapë ndiesë, duke thënë se kishin shkruar për mua, e se, sikur të më kish njohur, as do të kish hapur plaçka as do të kisha ndënjur me të tierët. Turku përpara të cilit isha, ish një Anadollak në mënyrë të vietër, do me thënë njeri-baba e i mirë, i egër po e ngave në fe, po në të gjitha të tierat i urtë. Më priti fisnikërisht, e duke pirë kafenë që, si në pralla magjish, erdhi menjëherë, po shikoja këtë fytyrë të gjerë me miekër të gjatë e me një palë sy gjithënjë si të hapura këtë çast nga gjumi. Po hiqte çibuk, duke menjtuar. Zumë të flasim. I thashë se, në mes t’udhëtarëve, ndodhej edhe e shoqia e një ish-ministori në kabinet të Stambullofit, e cila hoqi shumë në kësollë të karantinës. Si e pashë, Anadollaku ynë kish një mendim të math për Stambullofin, se me të dëgjuar këtë emër, çoj e thiri zonjën e i dha një ndënjëtore (në funt të kamares). “Vaj, vaj, biçare kadën!” vente duke thënë. Mierisht, gruaja e shkretë kish një vajzë dy vietsh, e cila ia dha të qarit. “Artek senda… Gjel” – thret Anadollaku më në funt, e, shërbëtorit që vien, “nxirre këtë jashtë”, i thotë.

Abdullah Henry Quilliam (1856-1932)
Abdullah Henry Quilliam (1856-1932)

***
Kish rënë fjala përmi Europë (Avropa), – kur, menjëherë, Anadollakut i qeshi buza, e duke lënë çibukun, më pyeti me interest: “Bëzum Abdullah ne ollijor?” – Abdullahu ynë ç’bëhet? Mbeta një çast, i habitur. Ç’do të jetë ky Abdullah? Pa fjalë, nonjë i njohur e që ndodhet n’ato vise ngaha vij. Po t’i rrëfej se nukë di ç’ësht’ Abdullahu, do t’më marrë për njeri të humbur… Iu përgjigja, pra: “Shumë mir’ është. Ju dërgon selam”. “Falem nderies, – tha Anadolloku i mierë, sa-do-mos i habitur, – Po ay s’më njeh: si më dërgoj selam?” Eh dreq, rashë në grackë! po shpejt e mora veten, e: “Vërtet, i thashë, nuk ju njeh, po më tha që sa Turq të mirë të gjej udhës, t’u thom selam nga an’e tija”. Në këto fjalë, u kënaq shumë. Po mua s’më jipte dorë t’i zgjat fjalët përmi Abdullahun, zura pra të flas për të tiera. Lumtisht, erdhi edhe koha për t’u ndarë, e e lashë Anadollakun duke hipur në tren t’udhës-së-hekurtë. Në qerre ku hipa unë, hynë edhe dy veta tierë: Njëri, kryepolici i kufirit; tiatëri, mjeku, po këtë herë i veshur. Vejin gjer në Shkup. U hap fjala menjëherë, e kryepolici nukë më çuditi pakë duke nxierë një librë turqishte për të mësuar frëngjisht! Një njeri i policës turke të mësojë gjuhë të huaja! Dhe nuk dinte pakë fjalë.“Ne, – më tha, – kemi nevojë të mësojmë gjuhë të huaja, që të dimë se ç’thonë Avropada për ne!”. Në këto e sipër, zuri të qeshë si një njeri të cilit i bie nërmentt një gjë për t’u gëzuar, e më pyeti: “Bëzum Abdullah ne ollijor!” – Abdullahu ynë ç’bëhet? Me të vërtet dita nisi liksht për mua! Ç’është ky Abdullah që s’më lë në paqe, i vërtetë mundim, e vërtetë persecution! Isha i shtrënguar të gjej një udhë për të shpëtuar nga Abdullahu. “Po ngaha e njihni Abdullahun?”, i thashë, – “E kush nuk e njeh Abdullahun t’onë? Ay ka bërë aqë punë të mbëdha”, m’u përgjigj kryepolici. Do me thënë, thashë me vete, Abdullahu unë s’ësht’ një mik i veçantë i këtyreve, po qënka një njeri botërar, homme public. Mirë “Vërtet, vërtet. Ka bërë, ka bërë. Po jo dhe punë aqë të çuditshme”- u hoth polici; – “Ne demek! Abdullahu ynë i ktheu Inglizët me mijëra n’islamësi. Abdullahu ynë ësht’ njeri i math”. E, duk’e lënë të flasë, menjtohesha: Domethënë, Abdullahu ynë qënka një njeri që ka vajtur t’islamësojë Inglizët. Mirë. Po nga ç’vent është? Këtë të kuptojmë. “Ka kthyer e do të kthejë. Abdullahu ynë është njeri me mënt, thashë. Po do të kish bërë edhe më tepër punë sikur t’a dinte më mirë inglishten”. – “Po s’i s’e ditka? më tha polici. Abdullahu ynë është Ingliz. Si e dini, e si e di gjithë bota, ay u bë musliman kur ish njëzetepesë vjetsh”. E prisha punën pakë, e, kur përpiqesha t’a ndërtoj, qëndroj treni në çast, e hyri një mylazim në kamare t’onë. Me të mësuar se vija nga Perëndimi: “Allah ashkëna, – thirri duhe u qasur, – bëzum Abdullah ne ollijor?” Për dashuri të Perëndisë, Abdullahu ynë ç’bëhet?” “Për atë flisjim, – thashë – Evropa e tërë Abdullahun ka në gojë”. – Hamd ollsun, tha mylazimi. Inshallah e kthen Evropën e tërë”. – “Inshallah. Po kam frikë se mos vonojë sadomos ajo dit’ e madhe”. – “S’vonon, – thotë polici, – s’vonon. Siz korkmainiz. Japar bëzum Abdullah!”. “Mutllak japar bëzum Abdullah”, tha mjeku – “Uallaha japar bëzum Abdullah, – tha mylazimi – Po në sa vjet, pas mëndies s’uaj?” më pyeti, pas pakë. “Në nj’a pesë-dhjetë vjet, Inglizët do të jenë të gjithë muhamedanë”, thash unë. “Ne demek? – i a bëri polici. On senede japar bëzum Abdullah!…” D.m.th.: Në dhjetë vjet e mbaron atë punë Abdullahu ynë. “Në Shkup, – më thotë mylazimi, – mos harro, në u pjeksh me Ferikun, t’i zësh në gojë Abdullahun t’onë, se edhe atij shum’i k’ënda Abdullahu ynë!”.
Udhëtimi u mbarua. Pashë Shkupin. Vajta në shumë vise të Shqipëris: e, kudo që gjeja një Anadollak, e para fjalë qe: “Bëzum Abdullah ne ollijor?”; aqë sa, më në funt, zunë të më tingëllojin në vesh nat’e ditë ato fialë. Zura të shoh Abdullahun n’ëndër, herë nën fytyrë të nonjë hoxhe që, me çallmë të gjelbër të lartë sa një minare, falej duke kënduar; herë, nën fytyrë të nonjë shehu të hipur me një kalë të zi e të rrethuar prej Arapësh me kama të zhveshura… U bë nevojë, për shëndetin t’im të largohesha sa më shpejt nga një qark i tillë; punë q’e bëra papritur. Mësova më tutje se “Abdullahu ynë” ish një Ingliz i Mançesterit i kthyer n’islamësi, e besonj të jet’ ay që, sot për sot, u bë “Sheh-Islam” i Inglizëve e për të cilin u bë fjalë, më sipër, në këtë numër t’Albanies. Kur u ktheva, shkova prapë me atë udhë me të cilën kisha ardhur. Në Zibefçe, treni qëndroj vetëm pesë minute: pra, mezi pata kohën të përshëndoshem me efendijtë. Por kur u ngrit treni, kryepolici më briti menjëherë: “Bëzum Abdullaha selam!”.

Amaneti i Konicës për Nolin...
Amaneti i Konicës për Nolin…

Sqarime:
Mehmurë – turq. mehmurë, nëpunës osman
Ujë i fenikuar – përzierje e acidit fenik me uthull dhe kolonjë, përdorej dikur si antiseptik.
Jymryk – turq. gjymryk, doganë.
Nüfus teskere – turq. çertifikatë lindjet.
Ferik – gjeneral divizionit.
Abdullah Henry Quilliam (1856-1932) – avokat anglez nga Liverpool-i, i cili u kthye në besimin islam dhe bëri prozelitizëm duke patur njëfarë suksesi. Me vdekjen e tij pasuesit pothuajse u shpërndanë.
*Revista “Albania”, tetor 1903. Titulli origjinal i shkrimit është: Kuitim.
http://gazetadielli.com/abdullahu-yne-cbehet 21 shkurt 2015

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.