back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 1 Nëntor, 2024

Rrëfenja të mamës sime – nga Fatmira Allmuça

Gazeta

Sali Mumajesi
Sali Mumajesi
Rrëfenja të mamës sime
nga Fatmira Allmuça

“…Gjyshi im ka vdekur afro 100 vjeç dhe e ka njohur mirë gjyshin tënd Sali Mumajesi. Me ka thënë se ishte zotni i vërtetë dhe nga të gjithë Mumajest, ishte burri ma i veçantë, ndaç si paraqitje e ndaç për burrnì…” – më thotë Luli, qeraxhiu i një pjese fare të vogël të një shtëpie, trashëgimi nga gjyshi…
Kjo më bëri të kujtoj fjalët e mamës: “N’se baba yt asht burrë me karakter, mos e harro që krahasù me të jatin asht veç nji kopje e zbehtë… Gjyshi yt, ishte njeri me veti t’rralla: I zgjuet, xhentil, me zemër t’madhe e karakter t’fortë. Aq i ven’osun e me karakter ishte, saqe vetëm gjasht’ muj para se me vdek’, u konfrontu’ me arm’ me njenin në dyqan. Aj që kishte hi n’dyqan, ishte oficer me grada dhe ma vonë murrme vesht se ishte vllau i Shefqet Peçit. Nuk e di se ç’i tha e Sala hapi syrtarin e tavolinës ku ishte ulun e për pak e vrau. Po të mos ishte kenë për nji mik, kush’ri, nga Zelt që ia kapi dorën Salës, aj oficer itesh do ishte i dekun… Na pamë vetëm nji burr’ të zverdhun dyll’ që i lypte t’falun Salës n’gjuj… e Sala qe i tha: “Mos t’shof ma k’tu, se nuk të ban derman njeri!”
Nat’ koh’ Sala nuk ishte mir’ me sh’net e na u gzume që nuk nolli Hamiti aty se, nuk kishte me përfunu mir’ historia…
N’dyqan të tij gjejshe qumësht dallnyshje: që ke krypa, sapuni e vojgurit e deri ke manifaktura. Tana mallnat vijshin nga Italia e Arabia. Xhixhibanos, hurmat e Arabis, as që kishin t’krahasume me k’to që bleni ju sot. Nuk mund të hajshe me shum se 2-3 cop’. Sheqeri i hapun i kuq edhe me kubikë e peta. Amëlcina çdo lloji. Copat prej taftaje lloj-lloj ngjyrash e stofnat angleze. Ishte gjymert i modh. Kur vijshin katunart me blè e s’kishin lek, i thojshin se kishin prè vaden e martesës e t’i bimë paret n’vjesht kur t’shesim qingjat. Ai i jepte veresie e mante shënim n’defter të dyqonit. Kur vdiq Sala, e para gjà qi bani Hamiti, ishte djegja e defterit…
Kur e pytme: “Pse e bani?” – tha: Ma mir mos me i dijtë borxhlitë…!! Dhe kishte pasë të drejtë. Vetëm njeni erdhi me prù paret mbas vdekjes së tij dhe Hamiti nuk ja murri.
Sala m’ka trajtù si vajzën e vet. I shkëlqenin sytë kur i nimojshe t’shoqen, vjehrrën teme. I hekuros’she rrobat kom’tarçe. Veshja komtar’çe i shkonte shum se ishte burr i gjat’, me trup të drejtë si filiz e me sy bojqielli (ti i ke gjà shum me formën rrum’ullake të ftyrës e me xhymertllik…) Mante brekushe stofi bojkafe e xhaketë, me shallin të lidh kryq për qafe. I pastër, akull, nuk i binte as “qimja”. Meqënese isha bijë tregtari e ja “dijshe” dyqonit, na trajtoi si ortakë n’dyqon. Me Hamitin nuk vente njeri. Ishte martù për dy her se me grun e parë, Ijen e Lemes që ishte prej Gjuzërakeve, kishte vetëm i gocë, Lemen. I kishin vdek 11 kalamoj e kishte p’shtu’ veç Lemja… At’her gruja e parë e kishte detyrù me zor me u martù, për me pasë trashëgimtar çun, e Hamiti leu i pari. Hamitin, në fakt e ka lind e ama, por e ka rritë Ija e Lemes. Kur jom martù, baba jem me dha nji radio Fanola e të dy, plaku me Ijen e Lemes kan kërcy me ma ba qejfin. Ishin çift simpatik, të dy të gjatë e të drejtë. Nana e Hamitit ishte e shpisë s’mir’, prej fisit Vyshka, por ishte e shkurtë… Kur vijshin katunaret me blè e nijshin kangët, pytshin a ka hì noj “xhin” në radio… Sala qeshte dhe i thoshte se “punonte” me vojguri. Mu m’vite keq, por aj m’thote se asht v’shtirë me ja shpjegu atyne. Hamiti asht rritë mir’. Mendoj se ushqimi i mir’ e ka p’shtu me i rezistù furtunave t’jetës e sidomos burgut. Dy herë ka qindrù n’birucë… Nji vjet n’birucë, vetëm me dy k’pucët që i vente: nji nën krè e nji ner vedi… Ah, çfar kanë hjekë i shkreti…
Mumajest jan’ kenë t’pasun. Kan pa pas pronat që fillojshin kah shpiat e Kursit, aty ku itesh e ka shpinë Piro Mani e përfshihej edhe tan toka ku asht nërtù Uzina Traktori. Sala ka pas han, përveç dyqanit si edhe shpinë e madhe dykatshe me tullë që e kishte dhanë për shkollë. Aty asht ken shkolla “Ali Kukaleshi” e që në fakt, ishte shpia qi na u dha na kur u martumè, por qe shkolla nuk e lironte mà… Asht bà gjyq, m’as vdekjes së Salës nga nona e Hamitit për pjesën e vet e nga Hamiti për pjesën tonë, por Bashkia e asaj kohe nuk e liroi që nuk e liroi shkollën. Sala ka pa pasë edhe nji Mulli Vojit.
Sala, fill pas martese, me dhuroi nji varg të madh me dupje florinit. Lemja u bà keq e filloi me bà shamatë… Që n’ato kohna tironcet femna ishin “t’forta”, se na shkodrant, kurr nuk ja thejshim fjalën bab’s. Kur pyta Hamitin, se pse ishte ajo shamatë e m’tha për dupjet… fill i hoqa prej qafet e ja dhaç Lemes… Nuk dù asgja me sherr, i thaçë. Salës ju mbushën sytë me lot e m’tha: Ti do jesh pjestare në pronat e mia, isoj si f’mijtë e mi… Nuk jam lakmitare! – i thaçë. I pastë rahmet shpirti.
Sala ishte i javashtë n’muhabet e kishte nji bisedë t’amël e me shum zgjuarsi. Kishim kojshi poetin Lasgush Poradecin. Aj vinte me pi kafe e me bà muhabet me “zotni” Saliun siç e quante ai Salën. Rrinin gjatë në biseda dhe njiher’ m’asi iku Lasgushi, Sala qeshi e tha: “…asht i kandshëm e vëzhgues i hollë. Më tha që nuk e kuptoj pse ju Tironcit kur shani dikë, i thoni “qen e bir qeni” …qeni asht kafsha ma fisnike dhe e don të zotin…” dhe vazhdoi: E di që ka të drejtë… dhe qeshi nën buzë. Edhe ti Mira e ke mbërritë Lasgushin. A e mban men’ edhe ti, qe Lasgushi ka majtë qen gjat’ gjith’ kohës…
Sala me pat diftù që Hamiti, kur ishte i rì, para se m’u martù për herën e par’, kishte të drejtën me “prishë” lek sa të donte, por i jati nuk i nepte lek n’dorë. Hamiti, kishte pas qejf me shkù ke honi i Hamz Files qe gatùnte me nam. M’diftonte Hamiti, vete ma von’ që shkonte me shokë e kushrinjtë e vet e i qeraste të tanë. Hamz Filja i shkrunte në defter. Shkonte Sala n’fund të mu’jit edhe e pyste: sa ka shpenzu djali jem, e pagùnte me napolona flori. Kosi i Hamz Files paska pasë ken’ me nam se u xente n’tasa t’vogjël xingatoje e u hante me pirun. E përmys’shin tasin e kosi nuk delte prej tasit. E mban men’ tasin e vogël, xingato jeshil që Hamiti e përdorte me heqë mjekrën?! Aj asht tasi që e ka ru’jt si kujtim që prej asaj kohe. Hamiti asht ken’ nxanës shumë i mir’ dhe e patne zgiedhë me shkù n’Itali me ba shkollën, por Sala nuk e là se e donte ta kishte krah e i kishte thanë se: “Nuk kishte nevojë për asnji send, se kishte pasuninë e vet. Hamiti e kishte pishman. Kishte pas dashtë shum’ me shkù ne shkollë…
M’ka diftu që kishte pas’ n’klasë Beqir Ballukun. Kur kishte shkù i jati me pyt si shkonte djali në shkollë, msu’si i kishte pa than: “Jepi zanat, se asht shumë i trash’ për shkollë…” E përnjimend, ku u ba ministër, u martù me nji vajz të mrekullueshme prej Beratit qi un e kam pas shumë shoqe, Nasiben. E merrte me makinë gjithanej e i hedhte dorën n’qafë sapo hypshin n’makinë, por, aj vetë asht ken i trashë…
Kur ishte Hamiti ushtar në Cërrik t’Elbasanit, ishte n’grupin e punës. Punojshin si skllevër, tuj hap kanal a llogore aq të ngushtë, sa i baheshin brrylat gjak… Un që e kam ndjekë gjithanej Hamitin, e kam pa me ito dy sy se çfarë torturet kan hjek ushtarët që ishin të deklasum ose kulakë siç e qujshin babën tan’. E megjithatë Hamiti, mbas asaj pune torturùse jepte mësim për ushtar’t e tjerë që ishin analfabetë. Njiherë i kishin rreshtù n’rresht se do shkonte Beqir Balluku. Sa e kishte pa Hamitin, ishte ndalë e i kishte pa thanë “o Kuq”, po ti k’tu dhe e kishte pa rrokë për qafe. Se bab’s tan’ i thojshin “kuq” masi qi ishte bjond e shum’ i bardhë saqë nuk u nxinte kurr’ prej di’llit, por vetëm u kuqte. Për nja dy javë e kishin trajtù mirë Hamitin e manej “harrun” prep…
Mbaj men’ nji rast tjetër. Kur shkova me e takù Hamitin ushtar, se kush i tha, që t’erdhi familja e aj kthen krytin. Ç’më kanë pa sytë, nuk munem me e diftù. Un ishe larg e nuk nijshe, por shifsha Hamitin që vrapote e bante barkas e ma pas vrapote prep e prep barkas. Nuk mbaj men’ për sa kohë, por di që vrapova në komandë e i bërtas oficerit: çfarë bani k’shtu!!?? Me e poshtnù nji njiri para familjes së vet!!?? Un do ta baj çashtje ma nalt i kyt punë, nuk e laj me kaq!!! Edhe n’ato kohna që ishin kriminelë e injorantë, me kërku’n falje!… Jam ken’ e vendosun e nuk jam tremb para vështirsinave…
…Kjo është një pjesë e rrëfenjave të mamasë sime, që e shkrova, mbasi, që në mëngjes, kur po përshkroja sheshin për të mbërritur në punë, ndërsa në mendje kisha Gjyshin tim, n’at çast një rè e zezë sikur fluturonte për të “depërtuar” në dritën e shndritshme të qiellit, që të krijonte idenë e parajsës, aty ku dhe e përfytyroj un gjyshin tim e që, padyshin janë takuar edhe me tim atë…
…Deri në rrëfenjën e radhës, ju uroj ditë të qetë, miq… edhe një gjë tjetër: historitë/ rrëfenjat janë të besueshme, kur shkruhen kohë ma mbas dhe aq më tepër nga njerëz të paanshëm e jo të gjakut tënd! Është kjo një arsye më tepër, pse i vlerësoj rrëfenjat e mamasë sime…

Fatmira Allmuça, 29 janar 2020

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.