back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 30 Prill, 2024

Patriarku Jakov Xoxa i letërsisë shqipe nga Ndriçim Kulla

Gazeta

Jakov Xoxa në Myzeqe...
Jakov Xoxa në Myzeqe…

Patriarku Jakov Xoxa i letërsisë shqipe

nga Ndriçim Kulla

Edhe njerëzit e Myzeqesë në romanet e Xoxës
përshkruhen si njerëz biblikë.
Ka shumë motive biblike në jetën e njerëzve të romaneve të tij,
 jo sepse Xoxa imiton Biblën, por sepse të tillë ua bënte jetën
njerëzve të saj ajo tokë biblike që ishte Myzeqeja.
Lumi i Vdekur ishte për ata njerëz
baras me legjendën e përmbytjes së botës,
por që atyre u rrinte gjithmonë si rrezik aty pranë.
Në këtë tokë biblike këta njerëz qenë të destinuar
të jetonin edhe eksode biblike,
edhe rikthime, edhe vuajtje biblike… n. kulla

Shkrimtari Jakov Xoxa (1923-1979)
Shkrimtari Jakov Xoxa (1923-1979)

Për shkrimtarët tanë të mëdhenj është bërë zakon që të quhen patriarkë, një emërtim ky që e ka origjinën nga patriarkët biblikë. Në këtë kuadër, kujt i shkon më shumë titulli “patriark” se atij shkrimtari të madh të letërsisë shqipe, që mban një emër patriarku biblik, pra Jakov Xoxës. Madje Jakov Xoxa ishte një shkrimtar i lindur dhe i formuar në një tokë biblike, që ishte vendlindja e tij Myzeqeja. Vendi i zhvillimit të ngjarjeve të romaneve dhe tregimeve të Xoxës është Myzeqeja. Të përshkruaje Myzeqenë si shkrimtar ishte një sfidë e ngjashme me atë të shkruesve të Biblës. Myzeqeja, si Myzeqeja e Madhe e romanit “Lumi i Vdekur”, ashtu dhe Myzeqeja e Vogël e romanit “Lulja e Kripës”, ngjanin, e para me botën e përmbytur të Noes, ndërsa e dyta me tokat e kripura në breg të Detit të Vdekur. Këto tablo biblike kanë lënë gjurmë në të gjithë veprën e tij letrare.
Edhe njerëzit e Myzeqesë në romanet e Xoxës përshkruhen si njerëz biblikë. Ka shumë motive biblike në jetën e njerëzve të romaneve të tij, jo sepse Xoxa imiton Biblën, por sepse të tillë ua bënte jetën njerëzve të saj ajo tokë biblike që ishte Myzeqeja. Lumi i Vdekur ishte për ata njerëz baras me legjendën e përmbytjes së botës, por që atyre u rrinte gjithmonë si rrezik aty pranë. Në këtë tokë biblike këta njerëz qenë të destinuar të jetonin edhe eksode biblike, edhe rikthime, edhe vuajtje biblike. Jeta në këtë tokë e kishte bërë myzeqarin një njeri me durimin e njeriut biblik, me spiritualizmin e njeriut biblik. Dhe Jakov Xoxa ishte prototipi i njeriut biblik myzeqar.
Në Bibël Jakovi është i treti hebre me të cilin Zoti bëri një marrëveshje, duke e quajtur “Izrael”. Zoti kishte bërë një marrëveshje për Myzeqenë edhe me Jakov Xoxën. Megjithëse ky mund të mos e ketë kuptuar që në fillim. Jakov Xoxa në rini, ashtu siç ishte prirja e kohës, u lidh me idealet e majta që nga ana filozofike kishin një bosht ateist, por ai nuk u bë një shkrimtar ateist, përtej cipcs së detyrueshme të ideologjisë zyrtare që duhet të kishin librat e tij. Te Jakovi luftuan dy njerëz, njeriu me bindje komuniste dhe njeriu biblik myzeqar. Jakovi në rininë e tij kishte besuar sinqerisht te ideali i majtë komunist, edhe për arsye se në atë kohë komunizmi shihej si i identifikuar me antifashizmin. Jakov Xoxa do të ishte një luftëtar antifashist me armë në dorë në Luftën e Dytë Botërore.
Megjithatë ai ishte i vetmi nga shkrimtarët partizanë që nuk bëri një libër vetëm për luftën partizane, siç bënin shumë të tjerë që në këtë rast bënin personazh veten me emër të ndryshuar. Këtë nuk e bëri jo thjesht për modesti, por sepse e ndaloi ai njeriu biblik brenda tij. Jakovi ishte një njeri shumë mistik, kjo gjë kuptohet nga e gjithë vepra e tij. Përshkrimet e tij kanë misticizëm të thellë, të cilin ai përpiqet ta maskojë, me mënyra të ndryshme, duke krijuar personazhe që e venë në lojë tablonë mistike të përshkruar, por këto të gjitha janë truke për të gabuar censurën.
Jakovi, në këto përshkrime, asnjëherë nuk harron që t’i përmendë Zotin dhe shenjtorët, qoftë me gojën e disa plakave dhe pleqve, të cilëve për vetëmbrojtje u kundërve dikë që i ve në lojë, por ky i fundit është shumë i zbehtë dhe skematik si personazh, i pafuqishëm për të bindur lexuesin në krahasim me të parët.

Romani "Lumi i Vdekur" i Jakov Xoxes
Romani “Lumi i Vdekur” i Jakov Xoxes

Xoxa është i vetmi shkrimtar në romanet e të cilit ka predikime të gjata të priftërinjve, ku lexuesit gjoja i krijohet përshtypja se qëllimi është të vihet në lojë feja sipas ideologjisë zyrtare, por në fund lexuesi mbetet me përshtypjen se ka marrë pjesë në një meshë të së dielës dhe në predikimin e saj. Ndonëse me bindje ortodoks, Jakovi nga vetë natyra e Myzeqesë ka prirjen të bëhet evangjelik.
Jakovi mund të quhet edhe si më romantiku nga shkrimtarët shqiptarë të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore. Në romanet e tij të vëllimshme ka tablo shumë romantike të natyrës dhe dashurisë së të rinjve. Jakovi edhe kur ia nis duke përshkruar natyrën e transformuar nga regjimi komunist në kooperativat bujqësore, siç ishte detyrimi për shkrimtarët e kohës, rrëshqet në përshkrimin e natyrës ideologjikisht neutrale, nëse mund ta quajmë kështu, të natyrës myzeqare.
Jakovi është i pari shkrimtar shqiptar vepra e të cilit është gjithëkombëtare. Edhe këtu ndikoi përvoja myzeqare e tij. Siç dihet në Myzeqe, në vitet tridhjetë ishin strehuar mijëra familje shqiptare të ardhura nga Kosova, nga ku i kishin dëbuar serbët. Në Myzeqe, Jakovi u njoh me këta shqiptarë të ardhur nga larg dhe i adhuroi ata. Ndoshta edhe sepse ata u përshtatën shumë shpejt me tokën biblike myzeqare. Në kohën kur Kosova ishte një temë e ndaluar në Shqipëri, në vitet gjashtëdhjetë, ai shkroi dhe botoi një roman ku personazhet kryesore ishin një djalë nga Kosova dhe një vajzë myzeqare, Adili dhe Vita te “Lumi i Vdekur”.
Kjo gjë e ka bërë Jakovin shkrimtar shumë të njohur dhe të dashur në Kosovë. Vepra e tij e plotë në tetë vëllime u botua në Kosovë, në vitet shtatëdhjetë para se të botohej në Shqipëri. Në Prishtinë një rrugë mban emrin e Jakov Xoxës.
E vetmja gjë që e dallon Jakov Xoxën nga patriarkët, është se ai jetoi pak, vdiq i ri, në moshën 56 vjeç. Sikur të kishte arritur të tetëdhjetat si patriarkë të tjerë të letrave shqipe, imagjinoni se çfarë vepra të tjera të mëdha do të kishim pasur prej tij. Ndoshta do të kishim pasur edhe shumë përkthime, se Jakovi kishte një diplomë të gjuhës frënge nga një universitet i huaj.
Një tjetër gjë që mund ta kishim pasur nga Jakovi, nëse ai do të kishte jetuar më gjatë, ishte që ai të kishte shkruar më shumë poezi. Në shumë faqe të romaneve të tij ka prozë poetike. Shkrimtarët e tillë shpesh i janë kthyer poezisë në pleqëri dhe kështu mund të kishte ndodhur edhe me Jakovin nëqoftëse do të kishte jetuar më gjatë.
Nëqoftëse Jakovi do të kishte jetuar më gjatë, ai do të kishte qenë 67 vjeç në 1990. Do të kishte pasur kohë që në të shtatëdhjetat të shkruante disa nga ato libra që i kishte pasur në mendje në kohën e regjimit komunist, por nuk mund t’ i shkruante dhe botonte dot. Me siguri që do të rishkruante disa nga romanet e tij, ashtu siç do të kishte dashur t’i kishte shkruar, pa autocensurë. Por edhe aq sa jetoi, ai i bëri vend vetes si patriark në letrat shqipe.
Marrë nga http://www.mapo.al/2016/10/patriarku

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.