back to top
3.5 C
Tirana
E mërkurë, 10 Dhjetor, 2025

2 dhjetor 1945 – “Mitra” e zgjedhjeve të manipuluara – nga Klodi Stralla – dhe një histori e jetuar e asaj dite

Gazeta

Zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945
Zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945
“zgjedhjet e lira, me votë universale, direkte dhe të fshehtë…”
rrëfim mbi zgjedhjet e dhjetorit 1945

Si sot, 80 vite të shkuara u bënë zgjedhjet e para mbas ardhje në fuqi të komunistëve, të cilët përmes këtyre “zgjedhje të lira me votë universale” kërkonin të legjitimonin pushtetin e dhunës së ushtruar, e që si maskë në këto zgjedhje do të përdornin Frontin Demokratik, ndërsa me ligj kishin përcaktuar se: “Përfaqësuesit e popullit për në Asamblenë Kushtetuse do të zgjidhen me anë zgjedhjesh të lira, me votë universale, direkte dhe të fshehtë…”
Për ta afruar paksa lexuesim e sotëm në 80 vitet e shkuara po rrëfej kujtimet e nënës sime për ato zgjedhje: “Ishte dimën. Burrin e kisha në burg. E mbetun pa familje, me nji grup të njoftunish në Tiranë e kishim vendosë me votue, e mos me e hjedhë kokrrën (votimi bahesh me kokrra metalike) te kutia e caktueme për Frontin Demokratik, po te kutia tjetër, ajo e opozitës, mbasi me ligj, zgjedhjet ishin “direkte dhe të fshehta” (po a ka liri e fshehtësi me komunista?!). Ishte Dhjetor në të hyme. Vesha pallton edhe dola. Te komisioni u paraqita vetëm. Firmosa dhe mora kokrrën… Nuk pata asnji hezitim. Mbas perdes e hodha kokrrën te kutia e pambështjellë me beze të kuqe … Kur kokrra ra mbrenda, e kuptova se në fundin e asaj kutie kishin vu teneqe dhe zhurma, bani që krejt komisioni po më kqyrte sikur t’kisha vra kend. Pata nji ndjesi të keqe. Isha 21 vjeçe, dhe me at kokërr kisha thanë të vërtetën teme: Nuk i doja e s’do t’votoja kurrë për ta! Krahas shikimeve prej bishash, disa e mbajtën shënim emnin tem. Mbas disa ditësh kur shova në takim me burrin e mora vesh se e kishin lajmërue edhe atë që e kisha në burg: “E kishe gruan kapedane, i kishte thanë me ironi polici i burgut – votoi kundra nesh! Dhe ju mendoni se ne harrojmë!!!”
Mbas do vitesh ajo grue do të arrestohej e do të dënohej 10 vite burg, e as te ai dënim s’do t’linin pa ja kujtue kokrrën e hjedhun te kutia me teneqe…
Këto ishin “zgjedhjet e lira, me votë universale, direkte e të fshehta…” të komunistave dje… po edhe sot!
jozef radi, 2 dhjetor 2025

Zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945
Zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945
2 dhjetor 1945 – “Mitra” e zgjedhjeve të manipuluara
nga Klodi Stralla

Ndonse komunistët u instaluan në pushtet që në nëntor 1944, atyre u duhej edhe aspekti ligjor i mbajtjes të mëtejshme të tij. Kjo detyrimisht kërkonte organizimin e zgjedhjeve. Për këtë: Qeveria provizore e Enver Hoxhës hartoi Ligjin “Për Zgjedhjet “, nr. 24 dt. 28.10.1945, sipas nenit 3 të të cilit: “Përfaqësuesit e popullit për në Asamblenë Kushtetuse do të zgjidhen me anë zgjedhjesh të lira, me votë universale, direkte dhe të fshehtë”. Në letër lejohej edhe pjesëmarrja e kandidatëve jashtë Frontit Demokratik, votues ishte, drejtpërdrejt, çdo shqiptar mbi 18 vjeç, përfshi edhe gratë.
Mbi bazën e këtij ligji u zhvilluan zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, që qysh atëhere treguan se Partia Komuniste, që vepronte në prapaskenë (deri në nëntor 1948, qëndroj në ilegalitet!), duke u fshehur pas Frontit Demokratik, nuk kish ndërmend të zbatonte në praktikë ato që shkruante në letër.
Manipulimi i zgjedhjeve që zen fill 70 vjet më parë u bë praktikë e rëndomtë jo vetëm gjatë regjimit komunist, por edhe në këto 35 vitet e pluralizmit fiktiv.
Asambleja Kushtetuse e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, e shpalli Shqipërinë “Republikë Popullore” në 11 Janar 1946 (sipas modelit stalinist) dhe vetë u shndrua në Kuvend Popullor, organ legjislativ, që zvendësoi Këshillin Antifashist Nacional Çlirimtar (KANÇ) të kohës të luftës dhe shndërroi qeverinë e përkohëshme në qeveri legale, si organ ekzekutiv që ushtroi veprimtarinë e saj gjatë legjislaturës 25.03.1946 – 21.01.1950.
Për kuriozitet historik po ju paraqes deputetët e Asamblesë Kushtetuse të dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945.

Qarku Berat – Andrea Sahatçi, Baba Fejzo Dervishi, Gaqo Tashko, Kahreman Ylli, Liri Belishova, Rahman Uruçi, Rrapi Gjermeni, Selaudin Toto, Ibrahim Karbunara, Xhoxhi Blushi, Zylyftar Veleshnja

Qarku Durrës – Eleni Terezi, Enver Sazani, Jorgji Shuli, Met Seseri, Muharrem Kokomani, Myslim Peza, Nako Spiru, Shefqet Beja, Spiro Moisiu

Qarku Elbasan – Aleksandër Xhuvani, Kadri Hoxha, Kadri Musaj, Kiço Ngjela, Kostaq Cipo, Mustafa Xhani (Martaneshi), Petraq Popa, Ramadan Çitaku, Sami Baholli, Sulejman Spahiu, Zihni Muço

Qarku Gjirokastër – Bajram Sinoimeri, Bedri Spahiu, Islam Radovicka, Kadri Baboçi, Lefter Konomi, Manol Konomi, Mihal Jorgji, Omer Nishani, Qirjako Harito, Sejfulla Malëshova, Shefqet Peçi, Siri Shapllo, Thoma Papapano

Qarku Korçë – Koço Tashko, Kol Kuqali, Kristo Themelko, Medar Shtylla, Naxhije Dume, Pandi Kristo, Pëllumb Dishnica, Petro Papi, Sali Mborja, Skënder Luarasi, Xhelal Rusi, Ymer Dishnica

Qarku Kukës – Abedin Shehu, Mehmet Shehu, Rahman Përllaku, Refat Spahiu, Salih Mani

Qarku Peshkopi – Dali Ndreu, Et’hem Bajrami, Faik Shehu, Haki Fejzo, Haki Stërmilli, Haxhi Lleshi, Irfan Majuni, Nexhmije Hoxha, Sulejman Baholli

Qarku Shkodër – Arif Gjyli, Bardhok Biba, Beqir Gjylbegu, Bilal Parruca, Fadil Paçrami, Gjin Marku, Gjovalin Luka, Halil Zeneli, Hysni Peja, Kol Prela, Konstandin Boshnjaku, Mark Ndoja, Nesti Kerenxhi, Riza Dani, Tuk Jakova, Zef Haxhija, Zija Dibra

Qarku Tiranë – Abdyl Këllezi, Beqir Balluku, Enver Hoxha, Gogo Nushi, Ollga Plumbi

Qarku Vlorë – Bilbil Klosi, Hasan Pulo, Hysni Kapo, Liri Gega, Manush Myftiu, Sezai Agalliu, Shefqet Musaraj, Spiro Koleka.

Ndryshime në përbërjen e Kuvendit Popullor – Vdekur gjatë mandatit
– Shefqet Beja 1947 – Pushkatuar
– Bardhok Biba 07.08.1949 – Vrarë, Mirditë
– Riza Dani 1947 – Pushkatuar
– Baba Fejzo Dervishi 18.03.1947 Tiranë
– Haki Fejzo 04.10.1949 Tiranë
– Ibrahim Karbunara 1947 – Pushkatuar

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.