back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

“1984” – paralajmërim drithërues për racën njerëzore! – nga Klodi Stralla

Gazeta

George Orwell - 1984 - Roman
George Orwell – 1984 – Roman

“1984” – paralajmërim drithërues për racën njerëzore!

nga Klodi Stralla

70 vjet nga botimi i një libri të pavdekshëm

Për herë të parë emrin e Xhorxh Oruellit e kam dëgjuar 48 vite të shkuara, kur bashkëstudenti im i degës së fizikës, Fatos Lubonja, më solli një libër të vogël në frëngjisht të titulluar “La farme des animeax” (Ferma e kafshëve) dhe më kërkoi që ta lexoja dhe të nesërmen t’ia dorëzoja, sepse duhet ta rivendoste përsëri aty ku e kishte marrë, në Bibliotekën e Udhëheqjes. Mandej jam njohur me të mbas viteve ’90, veçanërisht me librin e titulluar “1984”, që është botuar edhe në gjuhën shqipe.
Ajo që më ka bërë veçanërisht përshtypje ishte thellësia e jashtëzakonshme e njohjes prej tij e regjimit totalitar. Ndonse ai nuk kish jetuar asnjë ditë në Rusinë e Stalinit apo Gjermaninë e Hitlerit, përvoja e tij si pjesëmarrës në Luftën e Spanjës, e bëri atë të bënte analiza të tilla të mprehta të realitetit, që nuk i gjen as tek shkrimtarët apo gazetarët më të mirë që e kanë jetuar atë sistem si pjesë e tij.
Ai u bë pjatalarës dhe endacak, për të treguar me vërtetësi padrejtësitë e jetës së përditshme në Francën dhe Anglinë e paraluftës, u bë dëshmitar okular i minatorëve britanikë në krizë, u bë luftëtar anti-fashist në kujtim të Katalonjës (Lufta civile spanjolle) dhe anti-stalinist në “Fermën e Kafshëve”, deri në rolin e arkitektit anti-totalitarist në romanit e famshëm “1984”
Klodi Stralla
.
George Orwell (1903-1950)
George Orwell (1903-1950)
Jeta e një libri është disi e ndryshme nga ajo e një qenieje njerëzore, sepse jeta e librit mund të zgjasë me shekuj, madje mund të jete edhe e pavdekshme.
Kanë kaluar plot 70 vjet kur revista e njohur “Times” botoi për herë të parë romanin, me një titull të veçantë – “1984”, një roman që i kushtohet Totalitarizmit që, pasi e përfundon së lexuari, të le mbresa të pashlyera, ku gërshetohen ankthi, frika e pasiguria për fatet e së ardhmes të njerëzimit. Autori i saj – George Orwell, është një shkrimtar dhe veprimtar anglez, që ndonse nuk jetoi në një shoqëri totalitare, si ajo që përshkruan në roman, e ka pasqyruar atë shumë më me vërtetësi se autorët që jetuan në to mbi një gjysmë shekulli.
Ngjarjet zhvillohen në një të ardhme imagjinare, në Airstrip One (dikur Anglia), një provincë e supershtetit Oceania dhe kanë për personazh qendror Uinston Smith, një burokrat të nivelit të ulët. Aty shoqëria sundohet nga një Parti e vetme që kontrollon gjithçka e gjithkënd, që nga lindja deri në vdekje, e kësisoj përjetëson sundimin. “Vëllai i Madh” (Big Brother) është lideri i Partisë që sheh, dëgjon dhe kontrollon gjithçka. Në çdo vend ka telekamera dhe përgjues të cilat fiksojnë çdo gjë, lëvizjet e dyshimta, mendimet kundërsistemit apo dashuritë të cilat janë të ndaluara. Nëpërmjet rrëfëmit, shkrimtari na dëshmon një tjetër aspekt të jetës, atë të kontrollit të qeverisë, masmedias dhe manipulimit të mendimeve, ndjenjave deri tek tjetërisimi si qenie individuale. Romani të lind dëshirën e menjëhershme për rebelim dhe më pas, të fut në skuta të errëta ku rebelimi do të ishte mendimi i fundit – Kontrolli i plotë i një kombi të tërë nëpërmjet politikave totalitare qenka në të vërtetë i mundur, dhe është kjo ndjesia më e tmerrshme gjatë leximit të këtij libri. Madje, në këtë shoqëri edhe “2+2=5” është një barazim i mundshëm, që Orëelli do jua ngulisë gjatë në mendje.
Kryevepra distopike e George Orwell është një paralajmërim për racën njerëzore, simbol i një jetë pa identitet e personalitet, që ndonse u shkrua 70 vjet më parë duke nënkuptuar regjimin sovjetik stalinist, mbetet aktual edhe në ditët tona, edhe për vendin tonë, ku kontrolli i shoqërisë dhe jetëve njerëzore mbetet ambicia më e dëshiruar e gjithë sundimtarëve.
Ja si i thotë Uinstonit, hetuesi i tij O’Brajan: “Nuk do të ketë të qeshura veç të qeshurës së triumfit mbi armikun. Në doni një imazh të së ardhmes, përfytyroni një çizme ngjeshur në fytyrën e dikujt… përjetësisht…”.
.
Marrë nga Muri i Fb i Klodi Strallës, 21 janar 2019
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.