back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Një vaj për Laver Bariun nga Flutura Açka

Gazeta

Laver Bariu & Flutura Açka
Laver Bariu & Flutura Açka

Një vaj për Laver Bariun… 

nga Flutura Açka

Sa herë shkoja në jug, Përmeti, edhe pse duket xhepth i rrugës nacionale, më shtynte ta bëja kthesën në të majtë, jo vetëm se është ndër të rralla qytete shqiptare ku ende s’ka prekur (aq) vandali lokal, por edhe sepse jetonte – ndonëse gati i harruar – një prej njerëzve më të rëndësishëm të muzikës shqiptare, dhe mbase një ndër klarinetistët më të vyer të kësaj bote të gjallë…
Laver Bariun e kam takuar disa herë, i dija madje lëvizjet e përditës së tij, i kisha mësuar nga biseda të gjata me të renë e tij, Nadjan, një grua që është kujdesur me një përkushtim të vyer me vite mjeshtrit tonë. Që të takoje Laver Bariun, artistin e vetëm në botë që jeton(te) në të njëjtën rrugë që mbante emrin e tij (pasi qysh në të gjallë e kishte siguruar biletën e përjetësisë, siç ndodh vetëm me gjenitë), duhet të flije një natë më parë në Përmet, të zgjoheshe herët dhe rreth ores 8 të mëngjesit të ishe në barin përballë pallatit të tij. Aty, ‘noprani’ më simpatik në botë, burri fin në veshje, me një elegancë admiruese për moshën, me një kujdes të pakrahasueshëm në sjelljen me femrat, e kishte pirë pothuajse kupën e parë të vogël të rakisë. Raki dhe kafe, prapë raki e prapë raki. Të puthte dorën, të përqafonte. Po të ishte në orë të mira, edhe këndonte e ty, por kur i flisje për klarinetën, një shtjekë të syrit bulonte një lot, që i tretej pa rënë në sy dhe shenjonte me gisht diku në krahëror, ku diçka e rëndë nuk e lejonte të kishte mjaftueshëm frymë të merrte edhe një here në dorë klarinetën. Kur ngatërroja ndonjë note nga kënga që këndonim, më kthehej e me të qeshur e me atë zërin melodi të tij, thoshte: Po e prishe, moj lanete!
Laver Bariut, ikonës sonë, i cili vdiq sot i varfër, iu vodh muzika, iu shpërdorua, u fye ndonjëherë se paskërkësh kënduar njëditëzaj për Enverin. Laveri Bariu u harrua së gjalli. Po të kishte jetuar diku tjetër me muzikën e tij shqiptare, do të kishte qenë ndër burrat më të pasur të këtij dheu, dhe jo duke vjedhur Atdheun, por duke i dhënë atë muzikë, që mahniti çdo të huaj që e dëgjoi, dhe që nuk e lexoi kurrë në guidat shqiptare se ç’gjeni rronte ende diku në qytete jugore shqiptare.
Ngaqë nuk mundem dot prej largësisë t’i hedh një grusht dhe e t’i çoj një tufë lule, po i përcjell këtë vaj personal, duke i thënë se do të më marrë malli për të…
marrë nga muri i fb i Flutura Açkes 26 janar 2014

Album i Laver Bariut
Album i Laver Bariut

Merita Ndreko
Të lumtë, e dashur Flutur!
Ke bërë një elegji magjike për një nga korifejtë e muzikës shqiptare!!! Të kam zili që e ke pasë mik! Ndonëse asnjëherë nuk pata rastin ta takoja, një ditë të bukur të fillimviteve 2000, falenderoj fatin që me mundësoi të inicioja dhe të ndikoja direkt akordimin e Pensionit të Posaçëm Shtetëror për jetë Gjeniut të artit shqiptar! Falenderoj Hyjninë që më bëri vegël të një mekanizmi për të mos e lënë me pensionin mizerabël! Eshtë pak… shumeë, shumë pak për të shpërblyer veprën e tij madhështore, por ligji shqiptar (shumë dorështrënguar për vlerat e vërteta) kaq jep!
Qofsh përjetë i paqtë në Amëshim Laver Bariu! E lumtur parajsa për mrekullinë e muzikës që krijove! Ne, njerëzit, të përkohshmit, jemi të lumtur dhe e falenderojmë që ishe mes nesh, që na la muzikën tënde të papërsëritshme e të pakrahasueshme, at gurrë të vërtetë shpirti që e mbajmë si ilaçin e çmuar për të shëruar plagët e për të gëzuar momentet e lumtura të jetës sonë!!!
U prehsh në paqe i madhërishmi Laver Bariu!!!
marrë nga muri i fb 26 janar 2014

Klarinetisti Laver Bariu
Klarinetisti permetar Laver Bariu

Skedë e shkurtë biografike Laver Bariu (1929-2014)

Në moshën 85 vjeçare u nda nga jeta një prej ikonave të muzikës popullore shqiptare Laver Bariu. Mjeshtri i klarinetës ndërroi jetë pasi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Laver Bariu lindi në Përmet më 2 maj të vitit 1929, ndërsa është i njohur në vend por edhe jashtë si krijuesi i Sazeve të Përmetit. Ai mund të cilësohet si i fundit prej mjeshtave të traditës së sazeve të Shqipërisë së Jugut.
Në Mars të 2001, për meritat e tij dekorohet nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Mjeshtër i madh i punës”. Në vitin 2001, me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit të Përmetit, Ai u shpall “Qytetar nderi” i Përmetit, krahas Vëllezërve Frashëri, Odhise Paskalit dhe Mentor Xhemalit.
http://time.ikub.al

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Ju faleminderit Flutura dhe Merita për fjalet e zemrës që hodhët mbi kujtimin e Mjeshtrit Laver.
    Kush e kishte takuar edhe njëherë të vetme mjeshtrin, nuk do ta harronte kurrë. Edhe pa e takuar ai kishte zënë vend në gëzimin dhe çastet e vështira të jetës,- me muzikën e tij, me klarinetën e tij, me talentin e tij të pakrahasueshëm. Si gazetar e kisha takuar disa herë, në festivale, në pregatitjet për të udhëtuar jashtë me ansmblin folklorik të Përmetit, por edhe para ndonjë gote me rakinë e mirë të këtij qyteti që mbrunë përherë dashuri dhe talente, njerëz të mirë sa më s’ka. Dhe mbi të gjitha vlerësimet që bëjnë shokët dhe miqtë e tij, të njohur dhe të panjohur së bashku me muzikën e tij mbetet dhe Njeriu i mirë Laver Bariu.
    U kujtoftë përherë me respekt!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.