Vrasja e 22 marsit të vitit 1919, ngjarja që tronditi
jo vetëm Mirditën e Kapedanëve, por mbarë Kombin
Plot 101 vite më parë, pikërisht më 22 mars të vitit 1919, në një pritë të pabesë rrugës së vjetër mes Spitenit dhe Zejmenit në Lezhë, vritet zëvendës kryeministri i Shqipërisë, Preng Bib Doda, kapidani i mirënjohur i Mirditës. Në fakt Kapidan Preng Bib Doda nuk ishte thjeshtë një zëvendëskryemimistër i rradhës, por një udhëheqës me histori të spikatur atdhetare, luftëtar i paepur në shërbim të kombit, për të cilin është folur dhe shkruar pafund. Vrasja e tij siç edhe përshkruhet në shkrimin e mëposhtëm, vjen si një kombinim intrigash mbështetur dhe nga qarqe ndërkombëtare që kishin interesa të forta në atë kohë.
Vrasja e Preng Bib Dodës shoqërohet me një veprim burrëror prej Tij, pasi në momentin që kupton pritën, ngrihet në këmbë dhe u kërkon vrasësve të qëllonin atë, por miku nuk pritet në besë, duke nënkuptuar konsullin anglez që ndodhej me të në veturë. Siç edhe përshkruhet në këtë shkrim vijues, Kapidani u vra bashkë me disa të tjerë që e shoqëronin, ndërkohë konsulli anglez shpëtoi duke marrë plagë të lehta. (shënimi A. Ndoja)
.
Si sot 101 vite, vrasja e Prengë Bibë Dodës
(Marrë nga Enciklopedia e Mirditës)
Në Luftën Ballkanike Shkodra zbrazet prej ushtrisë turke dhe merret në dorëzim nga fuqitë ndërkombëtare në pranverën e vitit 1913. Në atë kohë në Lezhë emërohet si nënprefekt Gjeto Coku, një prej parive të Bregut të Matës. Prengë Kolë Brunga prej Blinishtit të Mirditës, i lutet Prengë Pashës t’i gjente një punë të përshtatshme. Prenga me një letër rekomandimi e dërgon te Gjeto Coku, i cili e emëron xhandar në Shëngjin.
Prengë Kolë Brunga bën një faj e si dënim i merret pushka prej postkomandantit Pjetër Lleshi. Pas kësaj ngjarje ai e quan veten të koritur dhe nën ndikimin e zakonit, për të larë shtrenjtë turpin që iu bë, e vret nënprefektin. Familja e Gjeto Cokut këtë vrasje ia vesh Prengë Pashës, mbasi vrasësi kishte qenë i rekomanduar prej tij, kurse Prengë Pasha s’ka pasur as më të voglën dijeni për çfarë do të ndodhte.
Me 22 mars 1919, Prengë Bibë Doda në fillim kishte dashur të udhëtonte për në Shëngjin me anë të detit. Sa herë që dilte në Shëngjin, zakonisht shoqërohej prej malësorëve të Shkrelit që banonin në rrethet e Shëngjinit, të cilët e përcillnin Pashën deri përtej Drinit. Atë ditë, me 22 mars, Komanda italiane thërret në mëngjes Sadri Zekën prej Shkreli, banues në Shëngjin. Kur ky paraqitet në Komandë, i thonë që të vinte pasdite, me qëllim që ta pengonin t’i dilte përpara Prengë Pashës. Kur Sadriu shkoi në pijetore për të pritur kohën që të paraqitej në zyrë, Prengë Gjeto Coku, i biri i Gjeto Cokut të vrarë, vjen në pijetore…
Ndërkohë aty vjen edhe komandanti italian që e njofton se Pasha ishte nisur për tokë. Prengë Gjeto Coku niset menjëherë në vendin e pritës për t’i dalë përpara Pashës. Sadri Zeka menjëherë lajmëron Mano Begun, kryetarin e Bashkisë, i cili telefonon në Shkodër për një veturë, për ta nisur Sadri Zekën që ta priste Zëvendëskryeministrin, por kur vetura mbërriti, puna ishte kryer.
Kur kalojnë urën mbi lumin Mat vetura qëllohet nga prita. Prenga ngrihet në këmbë dhe bërtet: “Më vritni mue e mos qitni mbi të huejt se asht kundra zakonit tonë!”. Në veturë ndodhej edhe ndihmëskonsulli anglez. Me Prengën u vranë edhe Zef Ugashi, Ndoc Bardhi dhe Nexhipi. U plagos ndihmës konsulli anglez Eden dhe Hamëz Koçi prej Shkodre. Vrasja jepet me hollësi në një artikull të gazetës “Populli”:
“Me 23, ditë t’marcit ka shtatë sahati, ndërmjet Spitenit dhe Zejmenit, ndolli vrasa e shëmtueme e Shëndritësis së Tij Prengë Bibëdodë Pashës, tue ardhë prej Qeveris t’Durrcit. Karabiniert e Itales, mbas lajmit që u kje dhanë, atë natë shkuen e bartne trupin e Prengë Pashës, t’Zef Ugashit, t’Ndoc Bardhit e t’Nexhipit e t’shituemin, Vice-Korcullën e Inglizit e Hamz Koçin prej Shkodre e me automobile i çuene n’Lesh. Gjindja qi nganë n’poterë t’pushkëve, Prengë Pashën e gjetne ene pa marue, veç fjalë s’mund epte, edhe s’ngiati e diq. Zef Ugashin e gjetne t’forte e me gojë, e ma se nji sahat ka rrnue, por pa i dynun prej andej edhe ai maroi. Dy tjetër i kanë gjetë t’dekun. Të hanën me 24, kjo ploimë u përhap në katër anët. Ali Fehmi Begu, Prefekt i Krahinave t’Shkodrës e Nënprefekti i Lezhës, Zef Shantoja, dërguene letrat për Mirditë për me lajmue Derën e Gjomarkajve për këtë ndodhi t’vajtueshme, e n’shumë vende tjera. T’marten ia mrrini prej Durrcit, nji kushri i Prengë Pashës, Kapidan Marku i Gjonit. S’bashku me të erdhën edhe z. Fejzi Bej Alizoti, Ministër i Financave, çue prej Qeveris s’Durrcit e Kolonel Lodi prej anës s’Komandës Rregjnore Italiane n’Durrcë. Kapidanat e Mirditës ia mrrinë n’Lesh t’mërkurrën, me 26 n’agim t’dritës, me 50 vetë prei Mirdite, të cillët e panë Princin e vet t’përgjakun e t’shëmtue prej njerëzish që patne briet n’kupë t’qiellës se jena shqyptarë, por kët emën e paskan bajtun kot, se burri veç për fjalë t’shekullit se ban kët ploimë, tu e ditë se kush ia vrau t’anë e se pse. Atëbotë Kapidanat ene Mirdita e panë me zemër t’plasme, se mirfilli paska prenue nji yll i Derës s’Gjo Markut.
Me 8 sahati frangjisht, ia mrrini prej Barbullushi, Gjenerali i Itales De Negri. Masi u renduene ushtria e oficerat n’rreshtim nderimi e mirditasit i bajnë trupat; filloi daullja e Itales vajin për Princin e Mirditës, e tu u sjellë rrotull Lezhës, kur mbrritën te kisha e Shën Nkollit, pranë mëkamet e vajtueshme. N’fushë të kishës ishte gatue lteri, para tij rreshtue trupin e Prengë Pashës e t’Zef Ugashit. Trupi i Ndoc Bardhit kje nisë për Mirditë qysh përpara, e i Nexhipit çue me automobile. Afër trupave t’rreshtue rrishin Kapidanat e Mirdita rrotull ktyne.
Oficerat e ushtria italiane. Vendi tjetër ishte mbushë me njeri. Meshën e dha Dom Nikoll Kimza, Mkamtari i Ipeshkëvis s’Lezhës, tu i nimue At Severin Lushaj, famullitari i këtij qyteti. Ku sot 452 vjet iu dha mesha e dritës ma t’madhit shqyptar, Skënderbegut, m’at kishë e m’at truell ju dha dhe Preng Bibë Dodës, Princit t’Mirditës. Mbas meshet bani nji bisedë t’flakët e t’shtëngueshme zoti Fejzi Bej Alizoti. N’e mram, edhe trupin e Preng Pashës dhe të Zef Ugashit i qitën n’automobil, tuj u dhanë Kapidanave e mirditasve automobile të posaçëm e u nisne për Shkodër, ku mrrinë kah 11 sahati frangjisht. Si kaluene Urën e Bahçallëkut, Shkodra e diftoi se kush kishte kenë Prengë Bibë Doda, se m’rrugë e m’i rrugë vlojte njeri i panjihshëm, tu i kallxue me nji heshtim t’përvajshëm se ç’zii e mnershme i kish ra të gjithë vendit marë. Kjo mori popullit s’u nda kurkund e shum’ ma tepër u shtuen kur sosen n’Saraje t’Pashës, kullat, e valë e brimë përshkoi e ther zemrat e Shkodrës, sikur plumet kishin përshkue ther zemrat e atyne tre trupave qi m’at sahat hijnë aty t’dekun.
.
Vrasja e Preng Bibë Dodës asht nji dam i madh fort për Shqypni, tue e pas dashtë si vogjlia si paria e gjithë komit t’ynë. E njimend sa fjalë e punë kishte Shqypnia për t’mkamun e përparim t’vetin, pa ju pranue Preng Bibë Dodës as s’u fillote e as s’u marote. E fjala e tij n’popull ishte nji urdhën qi pak kush e thete, se kur folte përnjimend, gja për dije s’i shkojte e pranej populli e nigjojte. Aristokracia ase Paria Shqyptare dijen e tij e t’rrafmen me shekull si mbrendë si jashtë gjith nduersh e kish provue e pikërisht për kë arsye prej Tij si në punë t’vshtira merreshin gjithherë drejtime kshillimit. E sot ke i njeri kaq i nevojshëm, as vogjlia as Paria Shqyptare ma nuk ka. Vrasë rrëngçare edhe asht për Shqypni, prej t’përpjekunash qi kombi ynë ka me komb e Mretni si t’afra si t’largta, se të gjitha e kan pas njoftun. E pranej anmiqt e Shqypnisë shumë mirë e dijshin se në gjyqe e t’parruga Preng Bibë Doda mujtë me u kundërshtue, sidomos me miq t’fort qi kishte pas e sot edhe i kishte. Ndër ma t’parat miç qi pat di njifet Franca. E njimend kjo Mretni fisnike prej ma t’shumëve leqe e rreziqe, qi anmiqtë i ngrehne për me e hupë, qysh se kje i vogël e pruejti dhe e pshtoi, e për me i diftue se do t’i dilte zot gjithherë, Mbret Napoleoni III n’vjetë 1868 dërgoi veçilin e vet, Korculën e Francës për ta majtë në krezmim. Me kujdesin e Korculit të Francës, Gabrielit Aubaret, e për shej t’kumarisë e t’porositmit t’Napoleonit, i çoi famullit t’vet shpatën e florinit qi Preng Pasha e ka. Miku i dytë i Preng Bibdodës kji Ingliterra, Mbreti i së cillës, Eduardi VII, n’vjetë 1904, fort u përkujdes për të. E njimend, tuj u marr vesht Eduardi me Sulltanin, Abdyl Hamiti e xuer prej Kastamunit dhe e pruni n’Stamoll, prej t’cillit Kryeqytet s’ngiati e ja mrrini n’Shqypni. I treti mik i Tij kje Italia, se mbreti i saj, Viktor Emanueli III, tu e njoftë Preng Bibdodën se përnjimend ishte shejtuar n’të gjithë fiset e Shqypnis e priti si nji Princ Europet e u përkujdesue ndër t’pvetuna tu i dhanë besën e për pajtim t’shpis vet e për dobi t’Shqypnis mbarë, tue e nderue dhe n’vjetë 1914 me nishanin “Il Grand Cordone della Corona d’Italia.
E sod Shqypnia kët njeri kaq t’njohun e t’nderue e me miq kaq t’fortë, mjerisht s’e ka. Prengë Pasha maroi, por emni i tij jeton e vjetë e kohë kan për t’kalue e nuk do të harrohet. Me dekën e Tij, ora e Shpis Gjomarkut dekë nuk ka, se sikur prej kësaj Dere fisnike kanë dalë njerëz të përmendun në histori qi m’vjetë 1511, edhe sod e mbrapa, dielli i saj ka me shnritun nëpër fise t’Shqypatrve. Ta din pra, Shqypnia e gjithkush Preng Pashën e desht, miqtë qi e nderuen e për të u përkujdesën, se Dera e Gjomarkut as me Preng Bibëdodën nuk ka fillue, as me dek tij s’ka me marue.
Munella (pseudonimi i Dom Nikollë Kimzës).
.
Marrë nga “Prengë Bibë Doda i Mirditës,- Dritëhijet e një burrështetasi” i Nikollë Lokes
http://pirustinews.com/2020/03/22/vrasja-e-22-marsit-te-vitit-1919-ngjarja-qe-tronditi-jo-vetem-mirditen-e-kapedaneve-por-mbare-kombin
.