back to top
20.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Vallzimi që ndrroi rrugën e jetës time, dhjetor 1957 – nga Filip Guraziu

Gazeta

Filip Guraziu
Filip Guraziu

Vallzimi që ndrroi rrugën e jetës time, dhjetor 1957

nga Filip Guraziu

Adoleshenca mund të përkufizohet edhe kështu: “Mosha në të cilën shoku dhe shoqnia përbajnë, mbas dashunisë familjare, gjanë ma të shtrejtë në jetë!” Së paku, ky asht konceptimi i im, rezultat i eksperiencës së jetës. Shokët e fëminisë në Shkodër (Ndoku, Viktori, Bepi, Franko, Franci, Tonini) ishin edhe shokët e adoleshencës së parë; me ta ndajshe eksperiencat e para në jetë, gëzimet e para, sukseset e para, shqetësimet e para po edhe sekretet e para. Na bashkonte mendimi politik, na bashkonte aktiviteti sportiv, na bashkonte besimi dhe ndihma reciproke. Ndihesha fatlum në shoqninë e tyne dhe kurrë nuk mendojsha se ndojherë kishim me u nda, por… jeta të ballafaqon me të paprituna…!
Në Shtator të vitit 1957, në moshën 14 vjeçare, isha nxanës i vitit të dytë në Gjimnazin “29 Nandori”, Shkodër. Më përfundimin e semestrit të parë mësimor dhe me rastin e vitit të ri, drejtoria e shkollës kishte planifikue nji mbramje vallzimi me pjesëmarrjen e gjithë nxanësave të vitit të dytë. Jo vetëm për mue, por për të tanë nxanësat ky lloj aktiviteti ishte nji risi, dhe natyrisht e përjetojshim me emocione… U mundova me u veshë sa ma mirë për mbramjen e vallzimit; pantallona tip kilot (si punë brakeshash në fund) dhe xhup leshi me fyt, i punuem prej nanës). Shkova pak me vonesë, mbramja kishte fillue: Në palestren e shkollës kishin vendosë në të tana anët banka si ato të mencave ku ishin ulë nxanësat; djelmtë dhe vajzat ishin grupue në pozicione të ndryshëm kurse në qendër ishte vendi i orkestrës, fizarmonikë dhe kitarrë. Megjithse muzika kishte gjallni, fillimi i mbramjes ishte i “voktë”, mbasi asnjeni nuk po merrte iniciativën me shkue deri te grupi i vajzave për me i kërkue të drejten e vallzimit. Sapo “ma guximtarët” e thyen akullin dhe filluen me vallzue, menjiherë mbramja mori “hov” dhe vendi pothuej nuk mjaftonte ma për të gjithë ato çifte valltarësh. Vallzova edhe unë, kjo lloj eksperience me jepte kënaqësi, e të gjithë ishim të gëzuem.
Mbas do kohe, nji shoqe simpatike e klasës me të cilën kishim qenë së bashku qysh në fillore dhe kishim miqësi familjare me iniciale Ç. M. më dha me kuptue se donte me vallzue me mue. Vallzuem së bashku me ritmin e nji tango dhe në nji moment partnerja e vallzimit më thotë me za shumë të ultë dhe me shumë emocion: “Filip, kam diçka shumë me randësi me të thanë, por ma parë due me m’dhanë fjalën se njeriut të gjallë s’ke me ia tregue, sepse po fole e ma qite bisedën, jeta e ime rrezikohet…!”
Mbasi u përbetova me sinqeritet, shoqia e klasës vazhdoi me lot ndër sy: “Sigurimi i Shtetit, nëpërmjet U. S. më ka ngarkue detyrën e raportimit për të tana bisedat që ban ti Filip! Rueje vedin dhe më ruej edhe mue! Po fole, më more në qafë!”
U ngriva prej bisedës, megjithatë gjeta forcë me e falnderue me gjithë zemër shoqen besnike për ndihmën që më dha, tue e sigurue se do të isha tepër i kujdesëshëm.
Atë moment për mue mbramja mbaroi! Nuk vallzova ma dhe pak ka pak, e mos me ra n’sy për ndryshimin e gjendjes time shpirtnore u largova prej aktivitetit! Shkova në shtëpi i dërmuem shpirtnisht, ngjarjen e mbajta mbrenda vetes, atë natë nuk mbylla sy…
Ajo bisedë kishte ndryshue çdo gjà mbrenda meje, nuk isha ma Filip i djeshëm, nuk kisha ma entuziazëm, deri shokët m’u dukshin ndryshe, edhe qyteti kishte ndryshue, shkolla s’ishte ma ajo e para…
Pyetshe veten pse ky ndryshim në psiken time? A thue prej frigës?
“Altroego” prej thellësisë së shpirtit më dha përgjigje: “Jo, nuk asht friga, sepse ti nuk ke ba asgja kundër pushtetit e nuk ke ndërmend me ba asgja, por asht “neverija”; neverija që të shkakton politika e ndytë e “lufës së klasave”, neverija që ndin dhe të futet në stomak, në bark, në gojë e gjithkund dhe të pshtjellon deri psikën kur ballafaqohesh me llomin, me intrigën, me shpifjen dhe me krimin.
Kjo neveri e neveritshme kishte shkërmoqë fillin e entuziazmit të adoloshencës së parë…!
.
Treshja e 17 Nëntorit të Tiranës dhe e basketbollit shqiptar: Bujar Shehu, Vaso Shaka e Filip Guraziu
Treshja e 17 Nëntorit të Tiranës dhe e basketbollit shqiptar: Bujar Shehu, Vaso Shaka e Filip Guraziu
Të nesermen vendosa: “Do të largohem prej Shkodrës, axha Tonin dhe Dila në Tiranë më pritshin me krahë hapë! Do ta provoj: vend i ri, jetë e re, shpresë e re!”
Atë mbramje mblodha shokët për komunikimin e vendimit tim, tue i tregue thelbin, por jo bisedën dhe personin.” Duhet ta dini, iu drejtova, se jam dhe jemi të survijuem prej agjentave të Sigurimit, unë po largohem prej Shkodrës, ju tregohuni të kujdesëshëm, evitoni qëndrimin në grup! Nuk pat asnji diskutim, heshtje e plotë, lajmi i bllokoi…!
Fati më ndihmoi, Tirana ndryshoi rrjedhën e jetës time, atje gjeta nji atmosferë krejtë tjetër… (ishin vitet e liberalizmit, pro politikës hrushoviane)
Dy vite mbrapa, në 1959 u shpalla Kampion i Spartakiadës së Parë Kombëtare Sportive të Shkollave të mesme në basketboll që u zhvillue në Shkodër dhe po atë vit në Shtator, u nderova me Medaljen e Artë të Spartakiadës së Parë Kombëtare Sportive (të rritun) si lojtari ma i dalluem në sportin e basketbollit.
Falë “vallzimit fatal” jeta e ime ndryshoi… dhe ritmi i “vallzimit të ri” më tërhoqi me forcën e tij…, por… por, Zig-zagu i “luftës së klasave” më doli përpara gjatë tanë jetës e deri sot që po shkruej këto rreshta!
 .
(Pjesë prej librit “Dromca kujtimesh” i dërguem për botim)
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.