back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Udha e peshkaqenëve nuk të çon në Europë – nga Yzedin Hima

Gazeta

Yzedin Hima
Yzedin Hima

Udha e peshkaqenëve nuk të çon në Europë

nga Yzedin Hima

-Për ku jeni nisur, o shqiptarë?
-Për në Europë.
-Po pse po i bini nga Afrika…?!
Dialog
.
Në pritje të prejës...
Në pritje të prejës…

Natyrisht, duke mos njohur veten, duke mos e ditur se sa larg kishim shkuar në drejtim të kundërt me Europën, nuk e dinim se rruga për tek ajo do të ishte kaq e gjatë dhe do të plakte breza. Europa po na duket një ëndërr utopike, një imazh, një mirazh. Brigjet e saj nuk po duken gjëkundi, ndonëse qytetarët shqiptarë, sidomos politikanët shqiptarë, me fjalë janë europianistë të thekur, ndërsa me vepra u ngjajnë stërgjyshërve të tyre, që koteshin në divanët otomanë plot limonti, privilegje e intriga. Shpesh, kur dërgata nga Brukseli u “nxjerr” para fytyrës pasqyrën për të parë veten, idhnohen, ose bëjnë sikur. Me ç’duket Europa nuk na pranon nëse nuk sillemi e nuk veprojmë si europianë. Politikanët tanë janë mjeshtra për të mashtruar turmat në Shqipëri, por kjo “mjeshtëri” nuk u pi ujë me Europën. Le t’i hedhim një sy vetes.

Po si mund të jemi europianë, kur politikanë mjaft të rëndësishëm shkojnë në zonën e tyre elektorale dhe nuk begenisin të ulen për një kafe e për t’u njohur me një mësues me përvojë, me një mjeshtër të gurgdhendjes, me një mjeshtër të pemëtarisë, me një arkeolog, me një publicist a poet, por drejt e te i forti i qytetit?! Kjo sjellje është tejet e neveritshme për njerëzit normalë. Me këtë sjellje këto monstra politike i japin mesazhin qytetarëve se shefat e tyre sot dhe nesër do të jenë të fortët. Nuk ka pshurrje më të madhe që i bëhet shetit ligjor, për të cilin këta broçkullisin në tribunat e TV-ve.
Me këto takime dekurajojnë qytetarët, policinë dhe çdo institucion. Ka kohë, që gangsterët në qytete bëjnë pritje populli, pikërisht nga pushteti që u është deleguar nga polikanët tanë me shprit skllavi e frikacaku e mendje diabolike. Institucionet thjesht pozojnë si të tilla.
Kjo sjellje mund të ishte efikase në viset ku sundonte veziri Ali Pashë Tepelena, e jo në trojet që pretendojnë t’i bashkohen Europës.
Po si mund të jemi europianë, kur zgjedhim deputetë kriminelë, njerëz të hurit e të litarit, injorantë të pashpirtë?! Në cilin parlament europian e kanë marrë këtë “përvojë” politikanët tanë qesharakë?! Ndoshta në Europën e mesjetës! Po si mund të jemi europianë kur zyrat dhe institucionet publike i kemi mbushur me injorantë, njerëz pa asnjë lloj ekspertize dhe hiçvlera shoqërore, vetëm e vetëm se ata na kanë dhënë votën dje dhe do t’na e japin nesër?! Po si mund të trajtohet habitati njerëzor si çiflig i njerës apo tjetrës parti?!
Po si mund të na pranojë Europa kur shërbimet tona janë shitur te peshkaqenët për tridhjetë vitet e ardhshme?! (Nuk është çudi, që edhe ne të na ketë privatizuar dikush, por që ne ende nuk e dimë)
Po si mund t’na pranojnë në Europë, ku gangsteri vrapon në korsinë e politikanit dhe politikani në korsinë e gangsterit e mafiozit, biznesmeni në korsinë e horrit, horri e vrasësi në korsinë e parlamentarit dhe të qeveritarit?!
Europa patakset tek shikon “vrapimin” tonë drejt saj me këtë vendosje dhe na tregon reformat. Ne sërish i deformojmë ato në përpjekje për t’ia hedhur Europës, por, në analizë të fundit, shohim se nuk ia dalim dot. Ia kemi hedhur vendit, ia kemi hedhur turmës që na voton, ia kemi hedhur vetes. Nëse ndjek udhën pas peshkaqenit, kurrë nuk arrin në brigje të qeta.
Po populli, ku është populli?!
Për shkaqe historike, kulturore, tradite, ekonomike, ai është strukur thellë, por tepër thellë, në turmë…
Marrë nga muri i FB, i Yzedin Himës, 31 korrik 2017
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.