Toponimet latine në trevën e Martaneshit – nga Lutfi Alia

Profesor Lutfi Alia

Profesor Lutfi Alia

Toponimet latine në trevën e Martaneshit

nga Lutfi Alia

Me pushtimin romak në vitin 167 p.e.s, Iliria përjetoi situata të rënda, si i përshkruan Polibi, historiani grek bashkëkohës i ngjarjeve, të cilit i referohen historiani romak Tit Livi dhe historiani grek Straboni. Krahas pasojave të luftave me romakët, një tjetër dramë iu shtua ilirëve gjatë luftës romako-maqedone. Tit Livi shkruan, se pletori romak Paul Emili (Paulus Lucius Aemilius), kur mori vesh lidhjet e ilirëve dhe epirotëve me Perseun e Maqedonisë, organizoi dy fushata ndëshkimore, njerën kundër ilirëve, që e udhëhoqi i birit i tij Maksimi, ndërsa vetë u drejtua e shkretoi Epirin e Vjetër, ku rrafshoi 70 qytete dhe mori njëqind mijë robër – skllevër, që i dërgoi në Romë.
Gjatë pushtimit shtatë shekullor, administrata e rreptë romake, krahas represionit dhe taksave të rënda, iu imponoi ilireve përdorimin e latinishtes si gjuhë zyrtare, çka ndikoi, që ilirishtja të huazojë shumë terma latine, madje i përdorën dhe në toponominë vendase.
Në shekujt I-VI e. s, me përhapjen e krishtërimit në Iliri, popullata vendase përvehtësoi dhe përshtati shumë fjalë nga gjuha latine e kishës, ashtu si u krijuan edhe toponime në gjuhë latine me prejardhje fetare.
Ndikimi i gjuhës latine në toponomine e shumë trevave shqiptare është i dukshëm, por nuk duhet nënvlerësuar fakti, se shumë nga toponimet, janë përkthime në latinisht të emrave të lashtë ilirë.
Dëshmi e ndikimit të kulturës romake në popullatën e Martaneshi, janë toponimet me origjinë nga gjuha latine, të pranishme në këto troje, ndër të cilët më tipike janë:
.
Kishë ortodokse në Dioqezën e Kunavise, në thellësi të maleve.

Kishë ortodokse në Dioqezën e Kunavise, në thellësi të maleve.

Toponimet – Origjina latine e emrit

Kunavia – Emëri i treves i formuar nga bashkimi i dy emërave latine: Cuna + via = Cunavia – rruga e djepit, emër që ia dhanë romakët, pasi e pushtuan në shekullin II para erës sonë. Emëri latin Cuna do të thotë djep. Ky emërtim, përkon me historinë e kaherëshme të kësaj treve, që ishte djepi i lashtë i Ilirisë, si me të drejtë e cilësojnë N. Ceka dhe . Papajani. [Neritan Ceka, Lazer Papajani: Rruga në luginën e Shkumbinit në kohën antike, Monumentet 1971, 1, f. 43].
Nga shekulli I p.e.s e në vazhdim, Kunavia – Χουναβία, përmendet në vepra historike, në kronika, në letra dhe dokumentat e administratës të Republikës dhe të Perandorisë Romake. [Zosimus: Historia Nova, Libri II, p. 33. A cura di Fabrizio Conca, Biblioteca Universale Rizzoli, Milano 2007]
Në shekullin II erës sonë, Perandori Traiano (98-117 e.s), i organizoi trojet ilire në Provincë Autonome dhe Kunavia rezulton principatë. [Cassio Dione: Historia Romana. Traiano. Libri LXIX - LXXIII, Harvard University Press. 1978]
Farlato dhe Koleti në veprën madhore “Illyricum sacrum” theksojnë se emëri Kunavia është në gjuhë latine dhe jo përkthim i emërit të lashtë Kandavia [Daniele Farlato et Jacopo Coleti. Illyrici sacrii: Ecclesia Diocletana, Antibarensis, Dyrrhachiensis et Sirmiensis, cum earum suffraganeis, Anno 1751-1819. Tomo 7, faqe 408]
Thallóczy, Jireĉek, Sufflay, theksojnë në mënyrë kategorike: Emri origjinal është në gjuhë latine: Chunavia, i përdorur në antikitet e në mesjetë, për treven dhe dioqezën: “Chunavia Regio et Diocesis Albaniae”, e shtrirë për gjatë pjesës së sipërme të luginës të lumit të Matit. [Acta Diplomata Res Albaniae Mediae Aetatis, Vol I. Annos 345-1343. Vindobone 1913. f. 265]
Balleja – Latinisht: Ballǽus - pllajë e gjerë. [Gaetano De Gregorio. Elymioti. Storia degli Elimi di Sicilia, Poggioreale. 2011].
Ballǽus, është forma latine e emrit me origjinë nga greqishtja e vjetër, Ballaios – Balleios. Stefan Bizantini, gjeograf bizantin, në veprën “Ethnika”, shkruan se emri grek Balleios (βάλλεισς) do të thotë “Pllajë e gjerë”.
Bardheta – Mali Bardheta në fshatin Val, emërtim i lashtë i lidhur me fiset ilire të Parthinëve. Sipas historianit Stephan, parthinët quheshin bάρϑóι – bardhoi, pra Parthinë është varianti latin i emrit iliro-shqiptarë – të bardhët. Parthinët janë e njejta popullatë, që në shekullin II e. s, Ptolomeo, i quan me emërin albanët dhe kryqendrën Albanopolis.
Batra – Mali – Batrus, vend që rrëshqet, vend me shkarje dheu, leranë, vend i pjerrët që shëmbet.
Belik – Formë e shkurtër e emërit latin Umbilicus – kërthiza. Toponimi Belik, është përdorur në shumë vende të tjera europiane, me kuptimin qendra e trevës, e qytetit e fshatit. Në Belik të Martaneshit, në antikitet dhe mesjetë zhvilloheshin Conventus (kuvendet).
Bixa, Biza – Bisa – përrua i madh.
Fushë Bixa (Biza) – Fusha e përroit të madh.
Boka – Bucca – bocca: goja, hapsira, guva (përdoret për gropa, ose guva dheu). Toponimi Boka e Kuqe, në fshatin Gjon.
Deliçia – Delizia: vend argëtimi. Në Delicia të fshatit Peshk, në arat e Lenajve buzë lumit, ndodhen themelet e një ndërtese kulti, por ende të pa eksploruara.
Funari – Funarum: vendi ku përpunohej gjineshtra dhe ku prodhoheshin litarët dhe tërkuzat me fibra gjineshtre. Në Martanesh janë tre toponime me emrin Fnaret (Funarum). Emri Tërkuza, është me origjinë nga latinishtja: Tricuspis, që do të thotë gërshetimi i tre tufave.
Gjineshtra – Ginesteae Cytisus scoparius.
Grrona – Gronda, grunda: Vend i lugët, ku mblidhen dhe rrjedhin ujrat e shirave. Toponimi Grronat e Kronzës etj.
Gurëzak – Përkthimi në shqip i toponimit latin Petrosa. Në mesjetë në Petrosa, ishte famullia e famëshme e Shën Nikollës, e përmendur ne shekullin XIV në letrat e Papa Gjoni XXII.
Hidri – Hidrus - Vend me ujë, me lagështirë. Emri latin është me origjinë nga greqishtja: Hidros – vend me ujëra, pra me të njejtin kuptim si ne latinisht Lagjia Hidri, Kroi i Hidrit, Kisha e Hidrait etj.
Kota – Cota: gur i fortë – Lagjia Kotaj në fshatin Gjon.
Kostenia – Costa: Brinja (vend brinjë, i pjerrët, si është fshati Kostenjë)
Lena (fshati) – Lena – vend i ajrosur
Luçana – Luciana: Vend i ndriçuar. Ky toponim, mund të jetë me origjinë dhe nga Luçina emri tjetër i hyjneshës Diana, e cila nderohej nga banorët e kësaj treve.
Mali Bafurkut – Bifurca – bifurcum: i bigëzuar, i ndarë më dysh, mali me dy maja.
Mali Greta – Creta: Emri Greta me origjinë nga emri latin Creta – argjila.
Mali Kaptinës – Caput: kryet: Mali i Kaptinës, maja më e lartë e vargmalit në jug të Martaneshit.
Mali Platun – Platunum – Rafshnalta, në veri të Malit të Kaptinës.
Mana – Mali i Manës në Val. Manna është emër me origjinë Biblike, do të thotë “buka e zbritur nga qielli”, si e quajti Abrahami. Shën Jeronimi, kur e përktheu Biblën nga greqishtja e vjetër dhe nga hebraishtja, i dha formën latine Mana.
Mansi – Mansiones – bujtinë. Historianët e antikitetit tregojnë, se rreth kështjellave (Castrum) dhe në Civitates, romakët krijonin qendra të banuara, ndërtonin stacione Mansiones – bujtina, ku udhëtarët pushonin dhe kalonin natën. Romaket ngrinin dhe Mutatio – stacionet postare, që ishin dhe vendi ku këmbenin kuajt. [Carl Grimberg. Historia Universal de Roma. Tom III. f. 58-62]. Toponimi Mansi e ka origjinën nga mansiones. Në Martisin e lashtë, romakët kishin ngritur Mansiones, prej nga e kanë origjinën toponimet e shumta si: Mali i Mansit, Lagjia Mansit, Arat e Mansit, Përroi i Mansit, Shpella e Mansit, Kodrat e Mansit, Xanat e Mansit, ashtu si dhe mbiemëri i familjes fisnike dhe i vëllazërisë të kapedanit Pal Mansi (Shekujt XIII- XV).
Merkuri – Mercurius, emëri latin i hyut grek Hermes, i biri i Zeusit dhe hyjneshës Maia
Muçila – Mucilo: Rezervuar i vogël uji, që mbushet dhe zbrazet periodikisht.
Mullias – Molendinum: forma shqip mulli. Lagjia Mullias.
Neshta – Nestum: vend me bollëk
Perval – Pervalis: Vend banimi i shtrirë në luginë
Qafa e Prushit – Emëri Prush – Prushi rrjedh nga latinishtia Prusus, emër të cilin latinët e kanë huazuar nga greqishtia e vjetër – Προυσός, që do të thotë qyteti i lashtë.
Qyteza e Valit – Civitates: Fortesat ilire me fshatrat përreth, në periudhën e Republikës së Romës, formonin civitates, nga e ka origjinën dhe emëri shqip Qyteza.
Shpella Benës – Benna. Në gjuhën latine dhe në gjuhën kelte do të thotë zgavër, guvë. Toponimi Shpella e Benës në malin e Snoit.
Shullani – Soleluna: Të ndriçuara nga dielli dhe nga hëna, shpate mali në fshatin Val.
Ternova – Terra nuova, toka e re. (Fshati Ternova)
Vali (fshati) – Vallis, Vallum – luginë. – Vallum: Quheshin edhe fortifikimet e ngritura në lugina dhe të rrethuara me mure mbrojtëse.
Vada – Vadum, ndarja në pjesë të vogla e rrjedhës së ujit për vaditje.
Vija – Via: rruga, kanal uji (vija e ujit) etj, etj.
Xixulla – Emëri latin Xixulla është me origjinë nga greqishtja e vjetër Xixullos, që u huazua nga latinët, në formën Xixulla, që do të thotë vend i erës së ftohët, vend i freskët.
Termi me origjinë nga gjuha latine Via – rruga, përdoret nga malësorët martaneshas në kuptimin vija e ujit – kanali i ujit, pra që në ato kohë të largëta dhe në ditët e sotme, kanalet e ujit për vaditje, banorët e kësaj treve, vazhdojnë t’i quajnë vija e ujit.
E lidhur me vijën e ujit dhe me vaditjen, banorët përdorin termin vada e ujit, ndarja e vadës, ku fjala vada me origjine nga latinishtia Vadum, do të thotë, ndarje në pjesë të vogla të rrjedhës së ujit, për vaditjen e bimëve.
.
Shkëmbi i Shëmitrit (verdha), para sheshit ku ishte katedralia e Shën Mitrit, në shek. e XIV u konsakrua me emrin e Shën Gjon Pagëzorit dhe Shkëmbi i Kuq, ku u flijuan qindra gra dhe vajza të Kunavisë në vitin 1415 (bardhë).

Shkëmbi i Shëmitrit (verdha), para sheshit ku ishte katedralia e Shën Mitrit, shek. e XIV u konsakrua me emrin e Shën Gjon Pagëzorit
dhe Shkëmbi i Kuq, ku u flijuan qindra gra dhe vajza të Kunavisë në vitin 1415 (bardhë).

Në antikitetin e vonshëm dhe në mesjetën e herëshme, në trojet tona, u krijuan toponime të reja, të lidhura me emrat e shenjtorëve dhe të martirëve të krishtërimit të kishave ilire-arbërore, madje emrat e rinj fetarë u shqipëruan dhe u përdorën si emra trevash, fshatrash, lagjesh, arash, kodrash e malesh etj, për pasojë disa fshatra humbën emrat origjinale dhe morën emrat e shenjtorëve të kishave, te ipeshkvive e të katedraleve të dioqezave sufragane, ndër të cilët po rendis:

Shëngjergj – Sanctus Georges.
Shënmeri – Sanctus Maria
Shëngjon (Gjon) – Sanctus Johannes.
Shënpremte – Sanctus Veneranda.
Shumilli, Shmili – Sanctus Mëhilli.
Shënkoll, Shinkoll – Sanctus Nikolla.
Shëndre – Sanctus Andrea.
Shëmitër - Sanctus Demetrius.
Shëndoi, Snoj, Ndoj – Sanctus Antonio.
Shëlleshi – Sanctus Alexandrus.
 
Kjo shpeshtësi dhe shtrirje e gjërë e toponimisë së krishterë në trevat shqiptare, tepër e rrallë në vendet e tjera ballkanike, dëshmon se populli ynë, besimin e krishterë e përqafoi, e perceptoi dhe e zbatoi në gjuhën amëtare, në gjuhën iliro-arbërore.
Kjo kulturë shprehet dhe në trevën e Martaneshit, ku ende ruhen shumë toponime të lidhura me fenë e krishterë si:
-Në fshatin Peshk: Shën Mitër (Shemitrina – Shkëmbi i Shemtrinës), Shëne Premte (Arat e Shenepremtes, ku dikur ngrihej kisha e Shën Veneranda), Shën Martini, Martinida, Kroi i Kishës, Kisha e Dedës, Arat e Kishës etj.
-Në fshatin Lena: Shënkoll (Shën Nikolla), Gurra e Murgut.
-Në fshatin Val: Shëlleshi (Shën Aleksandri). Mali dhe Fusha e Shëlleshit.
-Në fshatin Gjon: Shumili (Shën Mëhilli), Kroi i Shën Gjergjit, Shën Gjoni (më pas u shkurtua në emrin Gjon), Fushë Kisha, Kroi i Fushë Kishës etj.
-Në fshatin Kostenja: Kroi i Krishtit, Kisha e Hidrait, Shënkolli, etj.
Emri i fshatit Peshk, është formë e shkurtuar e emërit Peshkopata.
Nga shekulli IV e.s, deri në fund të shekullit XVIII, Kunavia ka qenë Dioqezë shufragane dhe këte fakt historik, banorët e kësaj treve, e përjetësuan duke e quajtur Peshk, pikërisht fshatin Martis në qendër të trevës, ku dikur ngrihej madhështore katedralja e Shën Gjon Pagëzorit, kryekisha e Ipeshkëvisë së famëshme të Kunavisë.
Emri Peshk, është forma e shkurtuar e emërit Peshkopata – Ipeshkëvia.
Kjo praktikë është ndjekur dhe në treva të tjera të vendit tonë, si në Dibër, ku emri i qytetit Peshkopia, dëshmon se ka qenë qendër Peshkopate, ashtu si fshati Peshkëpia në Vlorë, fshati Peshkëpi në Pogradec dhe fshati Peshkëpi në Sarandë – qyteti i 40 shenjtorëve.
 
 

 

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook