back to top
25.5 C
Tirana
E premte, 24 Maj, 2024

Teatri dhe Rozafa e lashtësisë – Opinon Behar Gjoka

Gazeta

Teatri Kombëtar - Para barbarëve...
Teatri Kombëtar – Para barbarëve…

Teatri dhe Rozafa e lashtësisë

Opinon Behar Gjoka

Shembja e Teatrit Kombëtar, që në fakt ishte dhunim dhe përdhosje, në emër të shtetit ligjor, ngjau natën e 17 majit 2020 dhe, u realizua nga “cuba” të veshur si policë, pa numër identifikimi, si makth vijues, me imagjinatë të përndezur, më shpuri larg në kohë dhe hapësirë, gjer në humbellat antike. Kredhur, në mjegullazën e prishjes, me gjasë të përdhunimit, por edhe të shpresës se Teatri ende është aty, si frymë dhe pëshpërima të mjeshtrave, mendja rendi larg. I zhytur, madje deri në drojë, në zhgjëndrra të frikshme, vetiu m’u fanit imazhi i Rozafës, kështjellës së Shkodërloces, që në kohën mitike, muret e ngrituar ditën, rrëzoheshin natën. Një legjendë hyjnore, për mbijetesën dhe provën e mbetur gjallë në muret e kështjellës, një akt që vjen prej lashtësie. Domethënia e legjendës së kështjellës së Rozafës, pavarësisht trajtimeve dhe shqyrtimeve, të derisotshme, sërish interpretimi, i pranisë dhe engimës që bart, mbetet i hapur, mbase në fillim të fillimit…
Teatri iku, na la, ngrefoset zemërueshëm pushteti… Teatri është, ulurasin rrënojat, që dëshmojnë se si e shkyen barbarët e shekullit të ri, skifterët e Sandër Lleshit, që në parlamentin shqiptar, këto ditë e legalizoi të drejtën, jo ligjore që policia të paraqitet në protestë pa numër identifikimi… Teatri ra, teatri mbeti… Tre vllaznit e legjendës, rrekeshin më kot, që të gjenin shkakun, madje të ngujuar në ekstazën e mosbesimi, dhanë besën, se e vlente që të blatohej një sakrificë a një kurban, që muret të mbaheshin në këmbë. Në muret e kalasë, thotë legjenda, muroset Rozafa, nusja më e vogël, më e bukura dhe, që ka një foshnjë për gjiri… E besojmë apo jo, është tjetër rrethanë, ndonëse kështjella ngrihet mbi Barabanën e moçme, Bunën e sotme. Nëpër mote ka patur shpjegime të shumta, të ndryshme, përjashtuese dhe kundërvënëse, se është vetëm se një legjendë… Kështjella është aty, e paepur nga koha dhe pushtimet… Rozafa, kështjella e saj, qe murana e fundme, e qendresës së Gjergj Kastriotit, tashmë në frymëzim të qendresës së heroit, ajo ra përkohësisht në duart e zaptuesve, në vjetin 1479…
.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit
Në vetëdijen tonë, por edhe më gjerë se kaq, kështjella e Rozafës, legjendare dhe hijerëndë, barti nga koha në kohë, dy pandehma, që gjithsesi mbeten të pashpjegueshme: E para, pse muret e ngritura ditën, prishen natën? E dyta, që muret të mbaheshin në këmbë duhej një kurban, një sakrificë madhore. Rozafa e legjendës, nuk i bishtnoj fjalës së dhënme, u muros, që muret të qëndronin në këmbë… Në vetëdijen tonë, të thyer dhe përthyer, në motet e pushtimit, prej të tjerëve dhe vetes, erdhi si pranim dhe mohim, madje erdhi si përmbysje dhe tjetërsim. Koha historike e dy shekujve, në skenën shqiptare, ofron skena makabër dhe tmerri, që nuk të besohet se kanë ngjarë, kohëra kur shkatërrimi mbrohet nga shteti ligjor…
Teatri u rrëzua, sepse shembjet janë bërë normale, sepse zhurma na pëlqen, tashmë na është bërë ves, shembja e botës së vjetër, e mbi gërmadhat e saj ngritja e botës së re… Sa ironike, pandemia e koronavirusit, ka zbehur ekzsitencën e jetës, e jo më të botëve, me tërci e vërci. Në Shqipëri, të etur për të fituar, lëshohen me lukuni të ndërtojnë në fushë, në mal, madje edhe në taracat e kullave… Moda e re, e kullave që gërvishtin qiellin, është kthyer në gjakim pasionant i ndërtimit dhe pushtetarëve. Kullat, simbas tyre, tregojnë zhvillim dhe moderniteti, ndonëse në anë të kullave varfëria dhe uria uluret. Ma mirë të shembësh se sa të ndërtosh, madje më mirë të ndërtosh që të shembësh. E paligjshmja është e ligjshme, e ligjshmja është pengesë që duhet kapërcyer, tashmë u bë rregull në demokraturën tonë. Rolin e mbrapshtë të ligjeve e ka shprehur qartë Balzaku, kur shkruante: “Ligjet janë rrjetë merimange përmes së cilës merimangat e mëdha kalojnë ndërsa ato të vogla zihen në kurth”. Këtu përmbysen mitet, jo ligjet.
Përmbysja e mitit të Rozafës, pra që të shemben muret, në skenën shqiptare, zbulohen në disa momente: Në shekullin e kaluar, në vitin 1967, në Shqipëri shkatërrohen kisha, xhami dhe tyrbe, pra shtëpitë e besimit, duke humbur kështu udhën e besimit, udhën për te zoti. Ky makabritet nuk ka ndodhur askund në botë, së paku në kohët moderne, në emër të shtetit të diktatorit Hoxha. Ai moment, përçudnues dhe shpërfytyrues, ende vërtitet midis nesh, si një kryemëkat, që nuk ka lutje dhe falje, që ta lajë, endet si një fantazmë në kërkim të qenieve humane. Në vitin 2006, nga Berisha kryeministër i kohës, shembet mbikalimi që pati ngritur Rama si kryebashkiak, te Zogu i Zi, pa hyrë në përbërësit teknikë, duhej të mbetej apo të zhdukej, dëshpërimisht, u bart psikologjia e shkatërrimit të pronës së përbashkët, miliona euro shkuan në Lanë, para të taksapaguesve shqiptar. Me 17 maj, natën, ashtu si tërmeti me 26 nëntor 2019, hajnisht dhe me shpejtësi rrufe, shembet Teatri Kombëtar dhe Teatri Eksperimental, nga Veliaj, kryebashkiak dhe Rama, kryeministër shtatëvjeçar. Duke shembur Teatrin, jo vetëm është ngritur temperatura konfliktuale, jo vetëm politika i përçau artistët dhe qytetarët, por policia ka marrë një revansh antidemokratik, që rreh dhe dhunon protestuesit në shkelje flagrante të ligjit. Kuptohet, se shembjet e shekullit të ri, pra të mbikalimit dhe teatrit, e materializojnë përmbyesjen e mitit të Rozafës, për të dhunuar dhe asgjësuar kundërshtarin, si dhe dëshmojnë papërgjegjshmërinë e sjelljes me pronën e përbashkët. Megjithatë, duke shembur teatrin, kemi humbur edhe rrugën e qytetërimit, si vend i NATO-s dhe aspirant për të hyrë në Europë. Rozafa, u sakrifikua që muret të ngriheshin, e prandaj kështjella është aty ende. Kurbani i shkatërrimit, vetëm sa tjetërson dhe shkatërron perspektivën e qenies dhe rolin përtrimës të vlerave kulturore. Pasi humbëm udhën e Zotit dhe të qytetërimit, në çfarë shtigjesh do të endemi?
.
Marre nga Muri i Fb i Behar Gjokes, 21 maj 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.