back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

“Rrajët lëvizin” modernizmi në dramën e Ernest Koliqit – nga Dr. Leka Ndoja

Gazeta

Drama Moderne - Anton Pashku & Ernest Koliqi
Drama Moderne – Anton Pashku & Ernest Koliqi 

“Rrajët lëvizin” modernizmi në dramën e Ernest Koliqit

nga Dr. Leka Ndoja

Cikli “Krestomancia e historiografisë”

Letërsia shqipe e shek. XX-XXI

Ernest Koliqi vdiq para “globalizmit”, si filozofi që sheshoi në një farë soji
kufijtë etnikë, e që sot influencon letërsinë bashkëkohore.
Kam një farë intuite dhe besimi, se shkrimtari i sotëm,
qoftë edhe ai i lindur në një ambjent emigrantësh,
do ta kishte të vështirë të shkruante etnikisht për një grup nostalgjik
e një tradite nën erozionin e kësaj paqetësie globale.
Sigurisht elementët etnikë do ta ndihmonin të ngrinte një “plot” disi të veçantë për lexuesin.
Përgëzime për analizën që duhet të kthehet në një prezantuese efikase,
që libri i Koliqit të merret e të lexohet në ditët e sodit me kuriozitet.
Kontribute të tilla janë të domosdoshme se shërbejnë si ato guidat
për te ngjallur kuriozitetin intelektual të vizitorëve/lexuesve.
Artan Kafexhiu, 27 korrik 2022

Miti i Odiseut

Teoria e transmigrimit, sipas së cilës shpirti nuk vdes dhe transferohet në një trup tjetër si një filozofi panteiste, është vënë në funksion të ndërtimit dramatik të personazhit të Izës, bijës së shkrimtarit të vdekur në mërgim. Kthimi i saj si simbiozë e shpirtit të të atit shkrimtar të vdekur në dhe të huaj me, si një porosi apo amanet i mbajtur nga vajza për të parë plangun e shtëpisë ashtu si Odiseu që nuk e njohu fillimisht Itakën e ndryshuar ashtu edhe shpirti i shkrimtarit në sytë e së bijës Izës, mezi e njehson shtëpinë nga transformimi dhe humbja e shkëlqimit të dikurshëm që e ka bërë të mezi dallueshme.

Arketipi i kthimit në Itakë

Edhe personazhet janë bërë arketipí të personave të ndryshëm të veshur me atë ideologji të kohës së komunizmit duke u bërë përfaqësues të mendimeve të shprehura në publik kundër shkrimtarit të mërguar. I ati i Izës ashtu si edhe Iza e bija e shkrimtarit në dramë përmban shumë elemente autobiografike të Ernest Koliqit. Që nga përshkrimi i shtëpisë në Shkodër me rekuizitën e shtëpisë dykatëshe të familjes që përshkruhet me hollësitë më të vogla, që nga lulet e pemët e myshqet deri tek aromat e tyre, të cilat i japin dramës një ton elegjiak edhe romantik.
Këto prekin ndjenjat e vajzës dhe e tejkalojnë rolin e një misionareje të saj, ajo përfshihet edhe vetë në këtë peisazh e përkujtesë dhe mishërohet nga e shkuara në të tashmen. Pa pasur ekzigjenca të tjera përveç atyre të përmbushjes së detyrës, ajo s’pretendon rikthimin e pronës nga amaneti i nostalgjisë për t’iu prehur në paqe shpirti i shkrimtarit që vepron në dramë si aktant përcaktues ndonëse i pashfaqur, por ajo e le të hapur kthimin e kurdohershëm na atë parajsë atërore kujtimesh, burim i një situate të mërgimtarit të brengosur, nga pengu i së shkuarës jetëdhënëse.

Miti i Eneas

Më fort nostalgjia e Koliqit në këtë dramë afrohet me atë të Eneas së larguar nga Troja e djegur kujtimet e të cilit janë bazë e një rindërtimi të një atdheu të dytë në brigjet Lavinje të Lacios për të themeluar një plang të ri, duke lënë babanë në atë Trojë të djegur nga rrethuesit e pashpirt.

Miti i Hamletit

Iza është e thirrur nga një amanet Hamletian si intertekst, struktura e dramës e ka këtë element në bazë të saj pra amanetin. Ajo e rimerr detyrën e pakthyeshme e të vështirë të besuar në trashëgimtaren e shkrimtarit, vajzën Iza, e cila është e njoftuar për duruar edhe sharjet ndaj veprimtarisë së të atit, kur kishte ndofarë pushteti si ai i Hamletit por ndonëse nuk është helmuar nga i vëllai miti i helminit shpirtëror përcillet tek vajza me një forcë hamletiane por hakmarrja e tij është rikujtesa përmes transmigrimit, hakmarrja e shkrimtarit është rikthimi në ishullin nga u përjashtua dhe pozitën e tij e kanë rrezikuar të tjerët ndonëse pa një Penelopë, si mungesë sintagmatike.

Studiesi Leka Ndoja
Studiesi Leka Ndoja

Kthimi si ritual shëlbyes e rimishërim

Ekspedita e Izës kërkon të konfirmojë karakterin e tij, si një lehtësim të dytë për të dëgjuar me veshët e saj të drejtën morale të të atit. Shkrimtarin e ka brerë dyshimi për qendrimin e tij prandaj e përball me personazhe kundërshtues vajzën që mbledh kujtime të të atit pa i paragjykuar kumtet e personazheve, të formuar në një kohë diktature dhe me opinione të deformuara për realitetin. Verifikimi i udhëpërshkrimit politik dhe etik është filli moral që e përshkon dramën, është një mbrendi. Ndërsa drama si pjesë e teatrit është moderne ndonëse me një pamje, ajo shpreh ankthin e krizës së subjektit në kontakt me personalitetin e shformuar nga faktorë të jashtëm por edhe artistikë.
Vënia në skenë e kësaj vepre artistike ndonëse nuk ka veprim dramatik dialogon me një tragjedi kolektive. Gjithsesi personazhi kryesor në këtë vepër është Pjerin Sinadini ndonëse i kurrëshfaqur.
Pjerin Sinadini dhe Virgjili
Personazhi i papranishëm i Pjerin Sinadinit e shoqëron bijën Izë në Shkodrën purgatoriale pasi qyteti sapo ka kapërcyer “Ferrin”, si shpirt përcjellës virgjilian. Virgjili në “Komedinë Hyjnore” të Dantes, e shoqëron poetin në dy kantikat e para: “Ferri” dhe “Purgatori”, ndërsa Pjerin Sinadini rivishet nga autori, me një reminishencë të një personazhi modern të teatrit të absurdit si Godoja, në dramën “Duke pritur Godonë” të Samuel Beketit (1953), ku Vladimiri dhe Ekstragoni e përmendin dhe e presin pafund.
Interaktanti i papranisë, është një krijim që të befason me guximin artistik të një krijuesi që vjen nga proza e lartësuar e Koliqit për ta theksuar një burim të gjinisë së poezisë dhe dramës, drejt kësaj thirrjeje tregimtare të autorit.
Për këtë arsye vepra mjaftohet me një gjetje nostalgjike danteske, duke krijuar një sfond për sekuencat e qendrimeve të njohura pa i futur në ndërveprim dramatik, duke nënvizuar së shumti gjendjet dhe situatat paradoksale të një krize, që me hijet e saj ve në dyshim edhe bazën e konfliktit, me rënien e kontrasteve dhe të besimeve të mëdha sociale dhe idealistike. Por të gjitha këto sekuenca vishen me tisin purgatorial të shpirtërave të që e kanë kapërcyer cakun e jetës.
Në gojën e Izës, mjaft debate të lëna pezull sikur fashiten ose rihapen në mendimin autorial, pengje të një veprimtarie që njeh te arti, ritualin e rrëfimit duke u përsiatur në këto problematika për të shenjuar një paanësi kritike transindividuale, për t’u vetëqortuar apo argumentuar në veprimet politike e njerëzore të një shoqërie në lëvizje, duke mbajtur një raport të peshuar mbi atdheun e subjektet e tij.
Një frymë tolerimi të çliruar nga mëkatet, dhimbjet e revanshet danteske i lehtëson dialogjet e Izës me pushtuesit e shtëpisë atërore, duke pranuar pasojat e diktaturës në terma të filozofisë kristiane.
Këto koncepte e funksione të veprimtarisë së autorit në një stil autobiografik u janë veshur Izës, së bijës së Pjerin Sinadinit dhe në mendimet e Ndrekës kujdestarit të shtëpisë së Sinadinëve edhe në mendimet e shfaqura te Shuku.
E shoqja e Shukut paralajmëron Shukun, për një punë të pagrat në fushën e letrave me kthimin e demokracisë. Kjo profeci e Koliqit në vitin 1965, kur e shkroi dhe botoi dramën e ka burimin në realitetin e viteve ’30 të Shqipërisë, por edhe e përvojave të emigracionit intelektual, sidomos në Itali dhe SHBA të mirënjohura nga autori si editor i revistës “Shejzat”.

Në revistën “Shejzat”

Tema e rënies së mureve ideologjike pa luftë, si një idealizëm i autorit që gjithsesi merret me pasojat ekzistenciale të përplasjes mes dy kampeve lindje-perëndim, që në veprën teatrore merret e mirëqenë dhe e kryer.
Zgjidhja e dramës pikëzohet në rimishërimin, në konceptin e Nirvanas, në kalimin e shpirtit artistik nga shkrimtari i traditës Pjerin Sinadini te Shuku, i cili ndjen në shpirt rrënjët e traditës, burimin nacional të shkrimtarisë, si një atu e shkrimtarit të mërguar që përcillet për t’u bërë e përjetëshme si rrymë artistike. Shukut i hapen shenjuesit e traditës në trajtë arome jaseminash, që e dehin dhe i japin vijueshmërinë e motivit për të shkruar.
Ringjallja e traditës si temë, e ka ushqyer krijimtarinë e Koliqit në këtë rikthim të mbramë të tij te arti i madh sikundër te vëllimet me tregime të tij. Kjo dramë është edhe porosia e fundit artistike e Koliqit.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Artan Kafexhiu
    Ernest Koliqi vdiq para “globalizmit”, si filozofi që sheshoi në një farë soji kufijtë etnikë, e që sot influencon letërsinë bashkëkohore.
    Kam një farë intuite dhe besimi, se shkrimtari i sotëm, qoftë edhe ai i lindur në një ambjent emigrantësh, do ta kishte të vështirë të shkruante etnikisht për një grup nostalgjik e një tradite nën erozionin e kësaj paqetësie globale. Sigurisht elementët etnikë do ta ndihmonin të ngrinte një “plot” disi të veçantë për lexuesin.
    Përgëzime për analizën që duhet të kthehet në një prezantuese efikase, që libri i Koliqit të merret e të lexohet në ditët e sodit me kuriozitet. Kontribute të tilla janë të domosdoshme se shërbejnë si ato guidat për te ngjallur kuriozitetin intelektual të vizitorëve/ lexuesve.

    Vrethee Lnika
    Artan Kafexhiu ne esene “Shkrimi si profeci” bazohem te kjo dramë eliotiane nga forma me 1 akt – botu te Rilindja e Kosovës me 1996. Dan Muslu kryeredaktori ma kumtoi se më takonte shpërblimi javor – po mos qe lufta në mes. Aty takoheshim me dajën, Prof. Ramadanin që ishte bashkëpuntor i rregullt.

    Artan Kafexhiu
    Vrethee Lnika Great job, Lekë! I hasa disa nga librat e tu në Adrion???
    E di që në Kosovë i paguanin bashkëpunëtorët, kurse në Tiranë, shkrimet e mija shfaqeshin në faqen e parë të gazetës pa një dyshkë??

    Vrethee Lnika
    Artan Kafexhiu fisi a fis – po ti ishe junior, merrte R. Sokoli, e di mirë!

    Artan Kafexhiu
    Vrethee Lnika Unë e kam bërë ‘për sevap’ intelektual!! (qesh)

    Jozef Radi
    Artan Kafexhiu mandej na le targën mu e Lekës!!!???

    Gentiana Kone
    Përgëzime për k’të analizë të përkorë që ngjall dëshirën me e pa në skenë këtë vepër artistike. Bukuria dhe thellësia e mendimit dhe gjuhës së Koliqit bën që faktori kohë të kapërcehet pa mund e vepra pa dyshim do të kishte një kumbim aktual. ☘️

    Vrethee Lnika
    Faleminderit, e vu me sukses në skenë regjisorja Rozi Kostani në Akademinë e arteve, me 16 shtator 2018!

    Jozef Radi
    E lexova me kënaqsi sepse e njoh mirë kët mënyrë pune të trajtimeve të tua!!! Në prezantim te faqja eme kam me thanë diçka ma shumë

    Vrethee Lnika
    Me e permendë e vumjen në skenë se duhesh update shkrimi, se Rozi ka shku bash në shtëpinë e Koliqëve me u frymëzu, dhe un kam qenë që kur qe gjallë Kardinal Koliqi që bana kronikën e TVSh. Profecia e tij e përmbushun pasi aty në katin e dytë banonin 3 familje oficerash sigurimi (Kam punuar në “Degën e Punëve të Përbrendëshme” tha banori që kish marrë dhe vajzën e djalin në atë shtëpi në Gjuhadol) nga Gjinokastra, që i pata xhiru sinkron – me Naun Laskun me kandid kamera, ishte edhe prof. Bardh Matraxhiu e At Zef Pllumi dëshmitar. Te dhoma e Ernestit që shihte nga perëndimi ishte dhe soba e emalueme italiane e tij ku pati dhe skrivaninë e famshme.

    Jozef Radi
    Vrethee Lnika me këto detajet e imta… ma merr shpirtin krejt!!!

    Vrethee Lnika
    Jozef Radi modernizmi merret me perpunimin e miteve si “Uliksi” i Janes Joyce-it prandaj asht kjo qasje me e perfshi ne kete rryme dhe analizen e tekstit.

    Artan Kafexhiu
    Vrethee Lnika Tani po kaloj në diçka me praktike. Ka qënë një interviste e daja Himit, ndoshta 92-93 (kam qënë atje, në Atdhe) në TVSH për M. Koliqin.
    Koliqi shprehet në intervistë kur dikush e pyet të flasi për veten, se është më mirë me pyet Brahim Sokolin. Ai më njeh ma mirë. E kështu shkojnë tek daja.
    Siç dihet daja ka qënë i fortë për batuta, e me kthy tregimin në metafora humoristike, e kështu bën kur flet për mikun e tij.
    Nuk di a i ka mbijetuar kohës kjo intervistë?

    Vrethee Lnika
    Artan Kafexhiu intervistat e dokumentareve jane ruejt edhe kronikat. Duhet me gjete autorin e dokumentarit se mund ta kete ne arkive personale së paku me kasetë VHS. Ka ndërru teknologjia e transmetimit – deri me 1993 ishte sistemi me Ampex, pastaj hyri Betacam deri me 2003 tani janë Hitech Digitale. Nëse ka pasë transmetim në Beta ka shpëtu. Konvertimi asht cashtje që zgjidhet – për Beta i konvertojnë në Shkup po ka dhe privat. Gjejmë autorin. Unë e kam intervistu te shpia e Cuk Simonit. Kur u emnu Kardinal në Shkodër dhe në Romë.

    Artan Kafexhiu
    Vrethee Lnika – S’di ç’të them, por mbaj mënd në atë kohë, që të njohurit e mi në TV, me thonin se situata ishte kaq kritike për materiale për reporterët e TV, sa detyroheshin të ripërdornin të njëjtën “tape”, duke fshirë reportazhin paraardhes, ose që nuk konsiderohej kritik.
    Kam edhe një intervistë timen në atë kohë, por në profesionin tim, industrinë e ushqimit e situatën e industrisë së bukës. Periudhë krize në atë kohë. Se kam gjetur më.

    Vrethee Lnika
    Xhirimet në tape fshiheshin – por nëse hyn në Arkivin e Programacionit – ka shpëtu. Duhet viti dhe autori se kështu i regjistrojnë te skedari.!

    Artan Kafexhiu
    Vrethee Lnika Nuk i mbaj mend në të dyja rastet. Kanë kaluar tre dekada!!

    Vrethee Lnika
    Do pyt Kujtim Dracini i her se ishte korrespondent i Shkodrës.

    Vrethee Lnika
    Letërsi dhe “sallator”.
    Diskutimet për letërsinë fiction/ non fiction duhet të shihen ndamas për lehtësi studimi jo “sallator”. Letërsia e kujtesës asht nji seksion i letërsisë non fiction. Kjo nuk e zhvlerëson non fiction-in psh Dos Passos, Sollzhenicin, Kapucinski, Eko, Bloom.
    Prandaj të selektojmë së pari veprat letrare fiction – se dhe Visari e H. Gjoka s’e kanë shumë të konturueme nga aktiviteti letrar.
    Psh Lazër Radi ka ficton “Apologjinë et retë të Sokratit” – , Kuteli “Tat Tanushin e Bubutimës”, Arshiu “Kanali dhe sidomos poezitë multilinge “Meridiana”, Trebeshina: “Odin Mondvalsen”, selektu si Krestomanci Tribale, Qendra Tiranës, Qendra e Prishtinës me Dramat e Anton Pashkut, dhe romani “Oh”, si dhe Qendra e Diasporës.
    Tradita do interpretu me teoritë e reja te receptimit, dhe sistemit letrar apo semiosfera letrare. Teoritë janë si skela për Kantierin e interpretimit te veprës – pastaj ato flaken – patën rekomandu poststrukturalistet. Me llafe nuk mbërrihet në kupolën e Shën Pjetrit.
    L. Ndoja

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.