back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Prej Radio Londrës te Filip Logoreci – tragjedia e 23 vjeçari të pafajshëm

Gazeta

23 vjeçari - Filip Logoreci
23 vjeçari – Filip Logoreci

Prej Radio Londrës te Filip Logoreci

tragjedia e 23 vjeçari të pafajshëm

Djali shkodran Filip Logoreci 23 vjeçar i gjymtuar nga komunistёt vdes nё burgun e Shkodrёs.
Filipi, ishte djali i shtatë i familjes së Logorecve, që sapo mbaroi gjimnazin ra viktimë e sigurimit komunist, tuj e burgosë për ndёshkim të asaj çka i vëllai, Antoni fliste çdo natë në Radio Londra kundër regjimit. Çdo ditë e ma shumë ia shtërngonin prangat djaloshit të ri, tuj i kujtue “trillimet” e të vёllaut kundër partisë derisa gjymtyrët ju gangrenizuan dhe doktori i burgut “u detyrue” me ja kёput cung, tuj e lanë pa krahë, e pa njenёn kambë që ja “griu” tuberkulozi i kocave.
…Kur kapterri i burgut hapi derёn, terri i birucёs sikur u thinj nga nji rreze e zbehtë drite. Të gjithë sa ishin aty lёvizën frigshëm mbi shtrojet e zhelueme të vendosuna mbi dyshemenё e lagun. Heshtje. Ndigjohej vetëm ndonji dihatje e randë e mbytun në erë urine e djerse, që ishin të përhershme si terri…
Cili është Filipi, ulëriti gardiani me ton brutal prej komunisti fanatik jugor. Ngrehu të marrësh ushqimin që tё solli familja…
-Ai nuk mund të ngrihet, zotni komandant, u ndigjue nji za qi dridhej… Ai asht shumë i smunë e ka ra në kllapi prej ethesh… Kapterri hodhi mbi çimento me zhurmë tasat e ushqimit tuj mallkue e sha me bezdi…
Zef Staku, nji djalë rinok shkodran, qi i madhi Zot ja kishte “dёrgue” të smunit 23 vjeçar, tue i shёrbye si vllaut, u mundue me i vue në buzё pak lang mishi sjellë me sakrifica prej familjes. Edhe pse ishin 13 vetë, në qeli zotnonte nji heshteje mortore. Kërkush nuk bzante tue respektue orët e fundit të jetës të shokut të vuejtjeve. Në shpi t’Filipit, t’amёs Marijes, e cila rrinte me orë të tana mbas dyerve të randa të burgut me marrё ndoj lajm për të birin, kishte fillue me ja pushtue shpirtin nji ndjenjë shkretnimi, e zemra në krahnor po i rrahte si e tёrbueme.
-Qyqja unë, filloj me mendue drithshëm, tue qitë nji psherëtim të randë prej shpirtit… A thu m’ka gjetё gja djalin… Kumbona i kishës së fretenve lajmroj orёn tre, por tingllima e saj, nanës iu duk vajtueshëm.
-Zef, nanës, mi ço fjalë! – pёrshpёriti nga buzët e shpirti i plasun, ndër grahma i burgosuni… – I thuej qi e du shumë… nanës!
Tue lshue nji pikë loti dhe kryet rrzue në prehnin e vllaut të vuejtjeve qi e shtërngonte në gji… Larg u ndien kumbonët, ndërsa Zefi përshpёriti në heshtje lutjen e fundit për shpirtin e shokut tё vet.
Dera u hap furishëm e heshtjen e përmortshme të qelisë e prishi ardhja e kapterrit, i cili tuj mbështjell me thasё trupin e pajetë të Filipit ju kërcnue me urrejtje të tjerve:
-Njikshtu si “ky”, keni me dalë edhe ju t’tjerët prej ktu…
Njё histori reale e ndodhun ndёr birucat famkeqe tё burgut tё Shkodrёs, nga kujtimet e mia pёr axhёn tem Pjetёr Logoreci
.
Marrë nga muri i Fb i Agustin Mirakës
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.