back to top
15.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

“Pishtar i Demokracisë” edhe për antikomunistët e para dhjetorit 1990

Gazeta

Presidenti Nishani - Dekorimet e 14 janarit 1990
Presidenti Nishani – Dekorimet e 14 janarit 1990

Presidenti Nishani “kalon kufirin”…

“Pishtar i Demokracisë” edhe për antikomunistët e para dhjetorit 1990

Presidenti Nishani ka bërë një hap të konsiderueshëm në vlerësimin e historisë antikomuniste të Shqipërisë. Ai ka thyer “rregullin” e deritanishëm, ku “Pishtarë të Demokracisë”  janë konsideruar studentët e  “Lëvizjes së Dhjetorit 1990″ e dhjetra veprimtarë të tjerë gjatë edhe pas kësaj periudhe.
Sot në një ceremoni të organizuar në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës, Kreu i Shtetit Shqiptar… në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për sakrificat, përpjekjet mbinjerëzore dhe rezistencën e paepur kundër diktaturës së pashpirt komuniste dhe simboleve të urryera të saj, u akordoi dekoratën “Pishtar i Demokracisë” disa prej drejtuesve dhe organizatorëve të demonstratës antikomuniste të Shkodrës më 14 janar 1990 si: Dedë Kasneci, Gjergj Beka, Rini Monajka (pas vdekjes), Tonin Dema, Nikolin Thana, Gjovalin Rrolba, Ndoc Liqëjza (pas vdekjes), Flamur Begu (pas vdekjes), Kolë Margjini, Klaudio Daka, Aldo Perizi, Kolec Hublina, Viktor Martini, Pjerin Veli dhe Gjovalin Zefit (pas vdekjes).

Presidenca e Republikës së  Shqipërisë
Presidenca e Republikës së Shqipërisë

Presidenti Nishani në fjalën e rastit theksoi se: “Dëshiroj të shpreh kënaqësinë time që më jepet rasti në pozicionin e Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Shtetit të organizoj një ceremoni të tillë në kujtim, vlerësim dhe në nderim të burrave, por edhe të një lëvizjeje, e cila prezantoi në mënyrë publike, pas një të kaluare të gjatë të dhunës, të diktaturës së regjimit komunist, jo vetëm dëshirën, jo vetëm synimin, por edhe gatishmërinë edhe për të sakrifikuar për parimin që është më i pazëvendësueshmi dhe më i pamposhturi për individin, njeriun, shoqërinë, botën dhe për njerëzimin… siç është liria.”
“Kam mundësinë që t’u ofrojmë atë që është minimumi për sakrificat e bëra, që është respekti. Është minimumi, por është domosdoshmëri. Është domosdoshmëri, por është edhe përgjegjshmëri. Është përgjegjshmëri, por është edhe detyrë. Është detyrë, por është edhe nder për institucionet shtetërore jo vetëm t’i kujtojmë herë pas here, por edhe t’i nderojmë këto kontribute jo vetëm për parimet e tyre, për idetë e tyre, për vizionin… se si e shihnin Shqipërinë, sistemin, zhvillimin, por për të gjithë shqiptarët jo vetëm në Shqipëri.” – theksoi Presidenti Nishani.

Pjesmarrësit në dekorimet e 14 Janarit 1990
Pjesmarrësit në dekorimet e 14 Janarit 1990

“Demonstrata e 14 janarit, e cila ka hyrë tashmë në historinë e Shqipërisë, mbartte mbi vete shumë elemente: rrugëtimin e gjatë të vuajtjeve, sakrificave, të persekutimit, të dhunimit të lirisë, të së drejtës, të jetës, edhe urrejtjen për padrejtësisë, për krimet, për kufizimet, për pamundësitë, por mbartte mbi vete edhe qytetarinë. Dhe duke mbajtur mbi vete qytetarinë, nuk kishte gjë më normale se sa ajo të lindte dhe të përçohej nga Shkodra. – vuri në dukje më tej Kreu i Shtetit.
Duke folur për diktaturën makabre dhe të pakrahasueshme me asnjë tjetër në Evropën Lindore, Presidenti u shpreh se natyrisht ishte një fat i keq që në tërë këtë “Perandori të së Keqes”, Shqipëria ishte vendi i fundit që arriti të dalë nga ajo agoni shumë e gjatë dhe në të këtë kontekst vuajtjesh dhe sakrificash, Demonstrata e 14 janarit në Shkodër, ishte ashtu “siç e keni quajtur ju: Shkëndija e Parë e Lirisë, e cila do të çonte në çlirimin përfundimtar dhe të vërtetë të Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
Ky 25-vjetor i rënies së regjimit komunist në Shqipëri na ngarkon të gjithë ne shqiptarëve, institucionet e shtetit në radhë të parë, por edhe çdo individ, shoqatë që të nderojmë e të kujtojmë me respektin më të lartë shtetëror dhe shoqëror përpjekjet e gjatë dhe vuajtjet e mëdha që u kaluan si dhe momentin e rrëzimit të saj diktature, nënvizoi Kreu i Shtetit duke shtuar se: “Si President i Republikës, jam angazhuar dhe do të jem i angazhuar posaçërisht në këtë vit që të organizoj evenimente me profil të lartë shtetëror në nderim të 25-vjetorit të rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, për ta kulmuar pastaj me dhjetorin e këtij viti, se atëherë iu dha edhe goditja përfundimtare atij regjimi vërtet makabër dhe çnjerëzor, i cili na mori pronën, besimin, lirinë, dhe tentoi të na merrte edhe dinjitetin.”

Presidenti i Republikës - Bujar Nishani
Presidenti i Republikës – Bujar Nishani

“Ndaj sot një nga detyrat tona në rrugën e gjatë drejt Evropës, është që mos harrojmë çfarë kemi humbur, çfarë kemi vuajtur, çfarë kemi sakrifikuar, dhe natyrisht kjo nuk përbën asnjë gjest hakmarrjeje apo revanshi, përkundrazi, përbën një detyrim që duke mos harruar, por duke i kujtuar, të mos lejojmë në asnjë rast, madje as provokime për të na i ridimensionuar dhe për na motivuar se sa shpejt, të sigurt e të qëndrueshëm duhet të ecim në këtë rrugë të mbarë që kemi nisur prej shumë vitesh. Por besoj se në këtë rrugë simbolet e kurajës, e rezistencës, e papërkulshmërisë janë të pazëvendësueshme dhe “Demonstrata e heshtur”, por me shpirt të madh revolte e 14 janarit ishte një orientim i mirë, ishte nisja e kësaj rruge dhe na detyron që pavarësisht nderimit ceremonial që mund t’i bëjmë një pjese të këtyre njerëzve sot, si fenomen, si ide, si simbol, si platformë, ne duhet që ta mbajmë atë vazhdimisht në kujtesë.” – u shpreh Presidenti.

Rini Monajka (1950-1997)
Rini Monajka (1950-1997) dekoruar Mbas Vdekjes

Ka pasur vlerësime  e dekorime te shumta per atntikomuniste  te me para dhjetorit ‘90 por “Pishtari i Demokracisë” ishte i lidhur kryesisht me lëvizjen studentore dhe themelimin e PD-së, gjë që e bënte të veçantë kete nderim  te Presidenit  për protagonistët e revoltes së parë antikomuniste pas vitesh të tëra diktature në Shqipëri…
7 shkurt 2014
http://www.gazetaminerva.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.