back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

“Nuk do t’ju lë të më pini…” nga Pirro Dollani

Gazeta

Dude Dollani
Dude Dollani

“Nuk do t’ju lë të më pini…”

nga Pirro Dollani

Në kujtim të tim eti, Dudë Dollani,
me rastin e 46-vjetorit të vdekjes,
.
Çdo njeri ka Shembujt e vet në jetë. Njëri prej Shembujve të mi është mësuesi im i gjuhës shqipe në gjimnaz dhe, që prej asaj kohe, shoku dhe miku i shtrenjtë Pirro Dollani.
Integritet – Dinjitet – Vullnet – Ndershmëri – Inteligjencë – Aftësi – Mirësi – Thjeshtësi – Shpirtësi – Fisnikëri – Punë e Gëzim: këto virtyte i bashkon në Një ky Mësues e Shembull Jete për mua.
Ndër të tjera, ai luftoi si rrallëkush vite me radhë ndaj një sëmundjeje shumë të rëndë dhe e mposhti!
Mësues dhe Shembull i Madh i tij ka qenë dhe është Babai, Dudë Dollani – Njeri me Shpirtin, Dramën dhe Filozofinë e një Heroi të Vërtetë.
Titulli i këtij statusi është titulli i një tregimi që Mësuesi im ka shkruar për Atin e vet, për këtë Hero, dhe që ia bashkangjit Kujtimit që i bën Atij që sot, më 13 dhjetor 1972, ka 46-vjetorin e ndarjes nga jeta.
Ju ftoj ta lexoni. I flasin shumë – drejtpërsëdrejti dhe simbolikisht – çdo njeriu dhe çdo kohe: dje, sot, nesër.
Kristaq Jorgo
.
Pirro Dollani me të atin Dudë Dollani
Pirro Dollani me të atin Dudë Dollani

***

Këtij njeriut të mirë, të urtë, të ditur, poliglot e fisnik, i cili që nga dita kur doli nga burgu në 1957, e deri disa vite para se të largohej nga kjo botë, punoi si llustraxhi rrugëve të Durrësit ngaqë pushteti popullor ia mohoi edhe të drejtën e punësimit.
Ishte shkurti i vitit 1955, kur katër burra të armatosur shpërthyen derën dhe hynë brenda në dhomën ku flinin shtatë fëmijë, nga mosha 3 deri në 11 vjeç, në një të ashtuquajtur krevat, një kompesatë dhe një dyshek mbushur me lecka. Nuk ishin as hajdutë e as terroristë, por forcat e policisë. Jorgji Gallani me familjen e tij banonte në një pallat italian. Kishte dy dhoma të vogla, që ishin larg njëra-tjetrës, në një korridor të përbashkët, ku jetonin edhe pesë familje të tjera, të gjitha me një banjo.
Njerëzit e armatosur në vend që të shpërthenin derën ku flinin prindërit, shpërthyen derën e këtyre fëmijëve, të cilët, të tmerruar, u bënë grusht rreth motrës 11-vjeçare. Prindërit, me të dëgjuar zhurmën, dolën nga dhoma dhe u sulën drejt dhomës së fëmijëve. Aty ndodhi skena që atyre fëmijëve të mitur u shkaktoi një traumë të tillë psikike që vetëm vdekja do t’i shpëtojë prej saj. Si një tufë ujqish të uritur mbi prenë e tyre, policët iu sulën të atit. E shtrinë për tokë dhe e goditnin pa mëshirë atë burrë 57-vjeçar e tejet paqësor. Pasi e rrahën mirë e i vunë prangat, e ngritën në këmbë. (Ku vallë e gjenin gjithë atë forcë për t’u hakmarrë në një mënyrë të tillë çnjerëzore?!)
Ndërkohë nëna mundohej të mos qante, por hera-herës i shpërthente papritur ndonjë ngulç ngashërimi. Pa i dhënë mundësi t’u thoshte fëmijëve një fjalë, e tërhoqën zvarrë, ndërsa ai mbante kokën e gjakosur e të përlotur mbrapa si për t’u dhënë lamtumirën e fundit.
Ditët që erdhën u mor vesh se e kishin arrestuar për veprimtari armiqësore. Faji i vetëm: kishte punuar për dhjetë vjet si përkthyes në organizatën amerikane, U.N.RR.A., që sillte ndihma në Shqipëri. Sapo kjo organizatë u larguar nga vendi, një pjesë të punonjësve shqiptarë i arrestuan. Koha që kaloi në hetuesi, ishte një ferr i vërtetë. Dita e hetimit përfundonte ose kur i pandehuri humbiste ndjenjat dhe ashtu pa ndjenja e të gjakosur e kthenin në qeli, ose kur nuk arrinte të duronte më dhembjet dhe detyrohej të pranonte gjithçka që e akuzonin.
Gjatë kohës së gjykimit, që i ngjante një farse, pasi të pandehurit nuk kishin avokatë e vendimet merreshin në Komitetin e Partisë, të gjithë u akuzuan si bashkëpunëtorë të amerikanëve, paçka se ishin të caktuar në atë punë nga pushteti komunist. Edhe pse dënimet ishin të rënda, të dënuarit u ndjenë të lehtësuar kur përfundoi gjyqi. Tani të paktën do t’u shpëtonin torturave çnjerëzore të hetuesve të pashpirt.
Mbas disa ditësh i nxorën nga qelia të gjithë, të prangosur dhe të lidhur së bashku, për t’i nisur në një burg, në veri të vendit, ku do të punonin në një minierë. Kur Jorgji po i afrohej kamionçinës, njëri nga policët që qëndronte pranë derës për t’i ndihmuar të hipnim, i futi poshtë krahut një pako të vogël. I burgosuri e vështroi si për t’i thënë se ç’është, por polici vazhdoi të merrej me të burgosurit e tjerë. Pasi hipi, zuri vend mbi një dërrasë që shërbente si stol dhe shtrëngonte fort krahun e prangosur që të mos i binte ajo pako misterioze, ndërsa vriste mendjen se çdo të kishte brenda e kush ia kishte sjellë. Rruga ishte gjithë gropa dhe kamionçina herë pas here dukej se do të rrëzohej. Brenda kundërmonte një erë urine, përzier me të vjellura. Udhëtimi zgjati afro 7 orë. Kur arritëm në kamp, i rreshtuan para një barake të gjatë që do të shërbente si kapanon. Bënë apelin dhe u hoqën prangat nga duart dhe këmbët. Pastaj i futën brenda dhe u caktuan vendin në një minder të gjatë dërrase, që do t’u shërbente si krevat.
Jorgji u ul në vendin që i caktuan dhe si në gjysmë fshehtësie filloi të hapë pakon. Nga shtrëngimi ishte bërë petë. U habit kur pa dy paketa cigare “Dajti”. Në njërën prej paketave ishte shkruar: Nga Mihali. “Nga Mihali?!” – përsëriti i habitur ai. “Nuk ka mundësi. Kjo pako duhet t’i përkasë ndonjë të burgosuri tjetër. Polici gabimisht ma ka dhënë mua” – mendoi ai. “Edhe emri Mihal do të jetë një rastësi, pasi miku im i quajtur Mihal e di më mirë se kushdo tjetër që s’e kam futur kurrë duhanin në gojë.” Por shkrimi filloi t’i ngjasonte atij të Mihalit. E la pakon mbi dërrasën ku ishte ulur dhe e zuri trishtimi.
“Pse vallë ma ka çuar këto paketa? Ndoshta ka menduar se burgu do t’më thyejë e do t’më bëjë që të kërkoj ngushëllim në këto cigare të flamosura? – thoshte me vete.
Lotët i mbuluan faqet, por s’kishte arsye ta fshehte fytyrën, pasi pjesa më e madhe e të burgosurve kishin kohë që qanin. Mendoi jetën e mjerueshme që do të kalonin fëmijët, tani të braktisur nga kushdo. Çfarë do të hanin? E shoqja e tij nuk kishte punuar asnjëherë ngaqë ishte e sëmurë. Kush do të kujdesej për këta fëmijë të gjorë pikërisht tani që familjes së tij do t’u vihej edhe nofka “armik i popullit”? Në ato çaste u tundua të hapte paketën e të ndizte një cigare, por menjëherë tha me vete “Jo! Jo! këtë gjë s’duhet ta bëj, se atëhere ata bastardë që më shkatërruan jetën, familjen e më lanë fëmijët jetimë, do të fitojnë.”
E vështroi atë pako të zhubrosur dhe përsëriti me vete: O do t’më pini, o do t’ju pi! I mbështolli përsëri me letrën e zhubrosur, shqepi dyshekun prej kashte, i futi brenda dhe u betua se kurrë nuk do t’i fuste në gojë. “Jo Mihal, nuk do të thyhem! Nuk dua të më mundin këta bastardë” – u betua me vete.
Gjatë periudhës së burgut, Jorgji shpesh tundohej ta shkepte dyshekun e ta pinte një cigare. Sidomos pas vizitave mujore që i bënte gruaja me ndonjerin nga fëmijët. Oh, me sa ëndje e priste atë ditë të muajit kur në dhomën e takimeve i shfaqeshin ata! Por ç’dhimbje ndjente pas asaj dite! E sillnin të pranguar në dhomën e takimeve që ishte e ndarë me hekura nga pjesa e vizitorëve. Rrinte i heshtur me sytë nga dera e gjoksi i çahej kur dëgjonte klithmat e fëmijëve. Zgjaste krahët përtej hekurave dhe sapo rrokte duart e tyre e pushtonte një trishtim e shikimi i mjegullohej. S’ishte në gjendje të thoshte asgjë. Sapo merrte veten e bëhej gati të fliste, polici e mbërthente prej krahu dhe e nxirrte nga dhoma duke thënë: koha mbaroi. Në këtë gjendje i afrohej shtratit dhe me duart që i dridheshin përpiqte të shkepte dyshekun. Por mbas pak, e mblidhte veten e thoshte me zë: Jo, jo nuk do t’ju lë t’më pini!
Jo pak herë kur dilnin të uritur nga tuneli mbas pune, e shkonin të hanin darkën (një supë që kishte më tepër ujë e guralecë nga zarzavatet e palara), i shkonte mendja të shkëmbente një cigare me një pjatë supë. Kishte të burgosur që, edhe pse ishin të uritur, kockë e lëkurë, ofronin supën e tyre, të vetmin ushqim që kishin për darkë, për një cigare. Por përsëri stepej para betimit që kishte bërë.
Kështu kaluan 7 vjet mundime, vuajtje, lotë e mjerim.
Askush nuk e priste Jorgjin atë ditë kur u shfaq në derën e shtëpisë me një thes në krah. S’kishte kaluar as edhe një orë, kur në derë u shfaq Mihali, shoku i fëmijërisë. Të shtatë fëmijët dhe nëna e sëmurë u habitëm më shumë me ardhjen e Mihalit, sesa me ardhjen e papritur të babait të tyre.
 
Mbasi u përqafuan duke fshirë lotët e njëri-tjetrit, Jorgji u ngrit në këmbë dhe u drejtua nga thesi që akoma s’e kishte hapur. Nxori një pako dhe ia zgjati. Mihali e mori në dorë dhe sytë i mbetën te letra e zhubrosur e tërë zgjyrë. “Ç’është kjo?” – tha me vete dhe hodhi shikimin nga Jorgji si për të parë a ishte mendërisht në rregull. Pastaj me një zë të trishtë, përsëriti: “Ç’është kjo? Ç’është kjo?”
-Hape, hape… një dhuratë për ty.
-Për mua?! – Mihali shtangu kur pa dy paketa “Dajti”, të zhubrosura e të nxira nga koha. Zgurdulloi sytë, hapi gojën ndoshta për të thënë diçka, por mbeti ashtu i ngrirë sikur t’i kishin hedhur në trup një kovë me ujë të ftohtë.
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.