back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Një Shën Valentin ndryshe…!! nga Casanova Aliaj

Gazeta

Amësi...
Amësi…

Një Shën Valentin ndryshe…!!

nga Casanova Aliaj

Jo shumë larg në kohë, pak ta kthesh kryet mbas, gjendesh atje ku tjetërsohej dashurija, ku ndëshkohej si vlerë, e ku veç jetohej… (ma mirë me thanë veç mbijetohej!!)
Në tërësinë e saj shoqnia nën diktaturë prodhon urrejtje, sepse ajo e fuqizon atë, se dashuria dhe diktatura bashkë nuk mund të jetojnë, kjo asht tashma e qartë dhe koha e ka dëshmu plotësisht… por dashuria ka fuqinë e sajë që e mposht diktaturën. Ka njerëz që kjo gjë i bezdis, i shqetëson, kjo e vërtetë i iriton së tepërmi, dhe a e dini se kush janë këta njerëz?! Janë pikërisht ato që nuk dinin me dashtë, ata që kultivonin urrejtjen për t’i dhanë kohë diktaturës ta ushtronte të keqen me qetësi, dhe ata ta jetonin rehatinë e tyne të pameritueme, e që grabisnin qetësisht atë çka nuk u takonte..!! Këto janë…! Po kjo për mua nuk ka asnji randësi… Unë do të vazhdoj të shkruaj edhe pse ndokush mund të bezdiset… fare s’më intereson bezdisja e tyne, sepse ata janë të mjerë, janë viktima të ligësisë e të dobsive të tyre të pafat, ata nuk mund ta njohin dashurinë, në gjithë trajtat e sajë, janë mjeranë e si të tillë… unë thjesht i mëshiroj!!
Dita asht me diell. Ditë e veçantë, herët… e ndoshta normalisht kaloj nëpërmend ditët e viteve kur punoja nga një fshat në tjetrin, 20 herë më hoqën dhe 20 herë tjera unë prap filloja… një cikël ndëshkimesh, që sot mund të them se s’me bani asnjiherë të ndjehem viktimë… Jo, asnjëherë! Kambëngulja ime ishte e kryeneçe. Unë tashma isha në një proces, ku mëmësia më jepte forcë për përgjegjsinë time jo thjesht si grua po si nënë dhe besoja se do t’ia dilja në krye, pse ashtu duhej!!
Fëmijën e parë, djalin e kisha të vogël, nuk e merrja dot me vete ta ushqeja… Ligji ishte makabër: 40 ditë, dhe duhet të shkëputesha prej tij!! Askush, pa qenë nënë nuk mund ta kuptojë apo ta ndjejë çdo do të thotë një gja e tillë për një nënë: t’ia heqësh foshnjes gjinin nga goja, kur ai veç nëpërmjet tij merr jetë! Një tmerr, po ne jetonim në geto dhe duhet ta pranonim! S’kishte rrugë tjetër!! Po dikush nga ato modele mostra na thoshte: “Kështu e kena ba të gjithë… Po pra, të gjithë keni vra dashurinë, prandaj zgjatej diktatura dhe deformoheshin krijesat njerzore, pjesa ma e madhe e të cilëve u rritën ashtu, pa dashuri… Poooo!!
Dhe nisesha me lot, me lot dhimbjesh, me lot përçmimi, me lot që derdheshin bashkë me qumështin rrugëve të sfidave pa asnjë kuptim!!
Ishte e vështirë, e papërballueshme… po edhe kaq e vërtetë, sa sot kur e kujtoj më dhemb … shumë më dhëmb… Po e le veç Zotin për gjykim!
…dhe ditët iknin duke peshu në jetët tona. Ishin të randa… po s’kishte tjetër duheshin përballu!! Dhe një ditë në derën e kopshtit tim, kopësht i thançin, se m’u desh shumë punë e mund me e ba të banueshëm, pse ishte pa drita, pa ujë… o Zot! Po ma në fund diçka mujta… e ndër ato ditë më vijnë në çerdhen përballë klasës sime, fëmijë të një moshe me djalin!! Edukatorja, një anëtare partie nga fshati, kishte marrë porositë që me mua mos të komunikonte… Ajo e zbatonte kët porosi që s’kishte kuptim, po unë ndjehesha e qetë. E dija këtë gja, se nuk ishte gja e re për mua!! Po kur fëmijët e vegjël sëmureshin ose ajo do të ikte mbledhjeve, më thërriste t’i mbaja unë, kështu që ai kordon i fortë, disi u këput… dhe ma e bukra gja që ndodhi në atë ferr ishte ardhja e një fëmije në moshë të djalit tim!! Ishte nga familja Hersi! Gjyshi kulak dhe i ati djalë i ri në burg! Lumturi e quanin atë grua, po vetëm e lumtur nuk mund të ishte ajo… Grua e re, punonte gjithë ditën në fushë, bile nga ngarkesat e fatit të keq, i kishte hikë edhe qumështi i gjinit… Në darkë vonë vinte e lodhun, dhe në mëngjes ikte me kokën ulun, nga pesha e halleve… Nuk fliste asnjë fjalë me askënd. Edhe bashkë veç me sy komunikonim. Ishim njisoj… Po kjo nuk më thyente!!
Ditët kalonin… Klodi, djali i saj ishte shumë i vogël, dhe qante me të ther në shpirt kur i vinte orari me pi. Kurse unë qaja në dhomën time. Më rrëshqisnin lotët, dhe me digjte shpirti se s’më lejonte përgjegjesi të vija në shtëpi e t’i jepja të paktën një herë fëmijës tim dy muajsh një vakt. Jo, s’ishte njeri! Ai ishte një bishë e quanin Fatmir Muço, që i bante fatkeqë, kushdo që kishte pune më të. Një mostër kurizthyer, i persekutuar(!!), një shpirtshitur… model që të ngjallte neveri, që vazhdimisht kërcënonte, në një mënyrë a në një tjetër: jo orari, jo pse ike, jo pse erdhe, jo ku shkove, jo 5 minuta me vonesë!!Kurrizthyerit janë të neveritshëm… dhe mua më duhej ta përballoja ligësinë e tij. I kërkova leje të shkoja së paku një herë në ditë te fëmija. Jo – prerë! Ishte e pamundur… për at kafshë me fytyrë njeriu!
Dhe ja, një çast Klodi, fëmija i çerdhes qante pse s’mund ta hante supën e asaj dite, si i posaardhur në çerdhe. Unë e ndëgjova dhe hyra në çerdhe duke iu drejtu edukatores: E quanin Shqiponja, po nuk ishte tjetër veçse një laraskë. Të paktën unë s’e ndjeva si shqiponjë… E pyeta: A ta marr nji herë në klasën time Klodin, dhe ta provoj me i dhanë me gji, se po më shkonte qumështi dam. Me tha një “po” të ftohtë dhe mbasi e mora foshnjen u largova bashkë me të!!
Klasat ishin përballë, një korridor midis na ndante!! E kisha ndezë zjarrin me shkarpa se bënte ftohtë dhe Klodi qante vazhdimisht. Ishte i uritun. Instiktivisht e futa të pijë qumësht në gjinin tim. Atij që i iknin lotët rrshekë, posa kapi gjinin pushoi… dhe filloi të pinte i etun. Unë kisha qumësht! Pse e kisha lanë fëmijën tim në gjumë dhe ai grumbullohej, deri sa të vinin fëmijët e kopështit dhe të çerdhes, qumështi më derdhesh nëpër peceta, që i vendosja mos të më shkonte nëpër trup. Ishte e dhimbshme, përtej dhimbjes! Dhe përgjegjës Fatmiri e refuzonte kthimin tim te foshnja… Eh, fatkeqi njeri!!
E ndërsa Klodi pinte, ndjehesha e lumtun, pse qumështi më krijonte shumë dhimbje, kurse Klodi i vogël ma hiqte dhimbjen dhe pinte i qetë e aty në krahët e mia derisa e xuni gjumi…
Qe nga ditët e mia ma të lumtuna… më rrëshqisnin lot, kur Klodin e zente gjumi, duke pi qumështin e munguem të djalit tim. S’di pse unë isha e lumtun…
Tashti kjo nisi të përsëritej përditë dhe ai mezi priste të vija unë… Edhe po të doja të mungoja unë… nuk mundja prej Klodit!!
Se Zoti asht i madh! Kisha qumësht për Klodin edhe për fëmijën tim. Kur kthehesha në mesditë edhe pse e lodhun, ndjehesha e lumtun.
Kisha dhanë dashuri, edhe pse nuk kishte Shën Valentin.

Memesi - Gino Severini - 1920
Memesia – Gino Severini – 1920

E ditët përcillnin njena tjetrën me një monotoni vrasëse. Ishte e dhimbshme ta përjetoje jetën me një mënyrë të tillë rraskapitëse… Ikje, ikje, turfullime dhe asnjë zgjidhje… E vetmja kënaqësi ishte komunikimi me ata fëmijë të pafajshëm që me aq mangësina në jetë, kërkonin diçka prej teje..!!
Edhe Klodi, si tjerët pak nga pak po rritesh… Nji ditë erdhi në grupin tim përballë me dhomën e çerdhes…!! Ishte i urtë, me sy shumë të butë dhe një fytyrë, që s’e kishte të lehtë të qeshte!! Unë e doja fort dhe e mbaja afër gjatë gjithë kohës..!! Asgja ma tepër nuk mund të bëja për të, e vetmja gja që mundesha ishte ta doja shumë. E kisha mëku qysh foshnje, dhe me dukej sikur më shumë kisha jetu me Klodin se me djalin tim… Kjo më mundonte… E dija që duhej ta superoja kët mendim… por ditët, javët dhe muajt kalonin e ne bashkë aty ndanim gjithçka… edhe sot që i shkruaj këto rreshta, s’e kam të lehtë, pse detyrohem t’i përjetoj përsëri!! E megjithatë kjo gja më jepte forcë…
Ktheheshim vonë, shpesh shumë vonë!
Gjithë kohës me fushata! Fushatë mbjelljesh, fushatë korrjesh, fushatë misri, fushatë ullini, fushatë dreqi e i biri… Punonin aq shumë e s’kishim asgja… as qumësht, as dhen as dhi, as lopë… S’i duket i kishin interrnue të gjitha edhe ato. Vetëm bukë misri dhe zarzavate, presh e lakna!!
Gjithkah njerëz me fytyra të dëshpërueme. Vetëm spiunët dukeshin të lumtun… Azemi, Xha Sula, Fatmiri e fatkeqë të tjerë shtynin ditët… Edhe koha e kishte humbë at ritmin e saj!! Absurdi ishte ba i plotfuqishëm deri në kotësi… O Zot, e gjitha kjo a mund të quhej jetë… punë… gëzim!?!? Ishte një monotoni e papranueshme që ndjehej kudo, e që rrëzonte gjithçka…
Në një prej atyne ditëve në derën e klasës sime kërsiti dikush. Më duhej të shkoja ta hapja… e n’sa hapja derën shoh një person që më drejtohet me za të ulët! Mirdita zysha! Ju duhet të jeni zysha e djalit tim, Klodit. Për një moment shtanga!! Nuk e kisha pa asnjëherë at njeri… po meqë më tha “zysha e djalit tim, Klodit” e kuptova që duhej të ishte i ati i Klodit!! Natyrisht, e kapërceva hutimin dhe u ndjeva mirë, duke e ofruar të futesh në klasë!! Ai qetësisht me hapa të kujdesshëm hyri dhe nuk foli. Për pak sekonda u krijue një pauzë dhe unë po prisja!! Ai përcillesh me vështërsi, kishte mjaft emocione dhe unë s’ia ndaja shikimin drejt e në sy… Pas pak nxorri nga një çantë dore, një shishe me qumësht dhe më tha me atë qetësinë e tij… Ju jeni zysha dhe mama e Klodit… Ju ma keni ushqye me qumështin tuaj në një kohë që askush nuk ma ofronte!! Unë përulem para Zotit dhe para teje, se ju i kemi dhanë jetë asaj foshnje… dhe ndër sy i rrëshqiti nji curril loti!!

Memesia... Tamara de Lempicka - 1922
Memesia… Tamara de Lempicka – 1922

Unë nuk mundem ta kthej me asgja, po kam ble një lopë dhe shishen e parë nga qumështi i saj jua solla ju! Kaq mundem! Ma ban hallall! Të lutem mos ma kthe…!
Isha plot emocione, për krejt ato përjetime me Klodin e vogël, e tash të lumtun pse ma së fundi i ati i kishte dalë nga burgu dhe për mirënjohje, që me aq fisnikëri ma kishte konvertue dashurinë time në atë shishe me qumësht…
Kisha mbetë pa fjalë!!
Ai u ul dhe më kërkoi leje të pinte një cigare. E thithi ashtu shpejt e shpejt dhe i qetë u çua më përqafoi dhe iku me hapa të ngadaltë…
Ishte nga ditët ma të lumtura të jetës sime… Nuk do ta harroja kurrë…
Ndodhte kështu edhe pse nuk kishte Shën Valentin!!
Ka përjetime që të fuqizojnë shpirtin dhe ta zvoglojnë peshën e atyne ndëshkimeve të pameritueme!! Këto janë pjesë e sfidave, ku ti ndjen mbrenda vehtes sa forcë ke të përballesh me to… Ndodhte edhe kështu! Prandej i mbetem mirnjohëse Zotit që nuk më lejoi të kthehem në viktimë! Jeta asht sfidë, po ato tonat ishin përtej gjithë sfidave…!!
Ato ngjarje nuk mund të harrohen…
Dhe këto rreshta i shkrova për një Shën Valentin ndryshe të jetës sonë…
14 shkurt 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.